E rrotulloi me një lëvizje të shpejtë dore atë kapak metali. Përpara i u shfaq sipërfaqja e atij lëngu në ngjyrë vishnje gati të errët. U përkul mbi të. Aty ndjeu pëshpërimat e fundit të atyre bulëzave të vogla tek përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe. Po i tha vetes. Si vazhdim i asaj shprehje rivendosi kapakun duke e rrotulluar lehtë në grykën e asaj ene metalike. Atë veprim e përsëriti në të tre enët të cilat mbanin në barkun e tyre gjakun e birit të perëndisë, Krishtit. Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë asaj hapësire që i shërbente për këto punë, mori për të dalë. Por, tek po kapërcente pragun e asaj porte tepër të vjetër u ri kthye. Aroma e atij lëngu dehës e tundoi. Buzëqeshi nga kënaqësia. Nga rafti aty pranë mori një gotë. E zhyti duke e mbushur me atë lëng dehës prej asaj që i ndodhej më pranë. Kuptoi se do të kishte një verë të mirë për të cilën pretendonte se do t’i mjaftonte përgjatë gjithë vitit. Me kënaqësi ktheu dy tre gllënka. Pjesën tjetër e konsumoi duke mbledhur manderina dhe portokalle nga pemët që ndodheshin jo shumë larg prej andej. Tek po i sistemonte ato në çantë i tha vetes edhe për një gotë, vetëm për një. Me gjithë se e dinte se atë lëng duhej të fillonte ta hidhte në shishe qelqi, duke i siguruar në atë vendin e përhershëm, ku përveç errësirës të plotë, kishte edhe temperaturën e duhur pasi do të duhej kohë për t’u shijuar, tundimi ishte tepër i madh. E rimbushi rrafsh gotën duke kthyer me shpejtësi në hapësirën e gojës. Qëndroi për një çast si për të vërtetuar se ai lëng i plotësonte të gjitha kushtet për t'u konsumuar duke e lënë të lirë t'i përshkonte ndjesinë e tij trupore. Pas të gjitha atyre veprimeve të mëtejshme, deri tek mbyllja e të dyja portave nga e shtëpisë dhe e rrethimit, u ndodh jashtë. Mori frymë thellë dhe me një buzëqeshje tepër të brendshme u nis drejt qendrës të fshatit. Aty do të priste autobuzin e linjës. Duke hedhur shikimin nga të dyja anët e rrugës, pa e kuptuar përsëriti dy tre herë atë shprehje që po e ngacmonte, se duhej të priste. Zbërtheu dy komçat e para të këmishës pasi po ndjente vapë. Pa orën, autobuzit do t’i duhej rreth një orë e gjysëm të vinte aty. Filloi të shfrynte nga inati pasi ajo shprehja se duhej të priste filloi t’i çukiste mbi tëmtha tepër çuditshëm. E pa edhe një herë orën por asgjë, duhej të priste, të priste. Ktheu shikimin nga dyqani që i ndodhej aty mbrapa shpinës i cili shërbente edhe si kafene. Mori çantën dhe së bashku me to, kapërceu tri shkallët e pakta të tij. Duke u ulur porositi një gotë me verë. Si në rastet kur do t’i duhej të shihte një fotografi, të cilën e largonte për ta qartësuar në shikimin e tij, largoi edhe gotën. E rrotulloi mbi tavolinë dhe ktheu dy tre gllënka prej saj. Hëm i tha vetes, tani po. Pasi u mbështet mirë mbi shpinoren e karikes për t’u rehatuar hodhi shikimin mbi pamjen që i shfaqej përpara. Në qendër, një kryq i hekurt si memorial për kishën e dikurshme por pa shpëtimtarin e njerëzisë, Krishtin. Në të majtë, në thellësi një memorial tjetër, i cili u kushtohej atyre që kishin dhënë jetën gjatë luftës për shporrjen e pushtuesit të fundit, këtu shtatëdhjetë e ca vjet përpara. Në pikën më të lartë të atyre kolonave të betonta ende kuqëlonin dobët tre yje. Diku më poshtë si ato hieroglifet e dikurshme, të cilët nuk ishin pak, ishin renditur emrat e atyre që kishin dhënë jetën për ditët e sotme. E rikthehu shikimin prej kryqit. Pamja e trishtë e atij memoriali edhe besimtarin më të devotshëm nuk do ta afronte. Improvizuar me blloqe betoni të lyera me gëlqere dhe në ngjyrë kafe të kuqërremtë të asaj çatie të vogël mbi to. Vuri re se në brendësi të saj një nga të tre qirinjtë që ndodheshin në këmbë, po digjej duke u ngutur. E hoqi shikimin prej andej sepse nuk i pëlqeu tek i shihte të treteshin pikë më pikë mbi atë sipërfaqe të pistë nga mbetjet e pararendësve të njëjtës racë. Ngriti kokën dhe vuri re se edhe ndriçuesi që i ndodhej pas, ndjehej si vazhdues i tij. Natën duhet të krijohet efekt i bukur i tha vetes. E lëvizi kokën herë majtas e herë djathtas. Buzëqeshi pa e shfaqur në fytyrë. Rastësia e asaj tek e shihte ndriçuesin si vazhdues të atij simboli të krishterë prej metali, e bëri të mendohej. Buzëqeshi përsëri duke i u drejtuar vetes: Unë në pritje, kryqi në pritje edhe ato tre kolona me yjet komuniste në krye të tyre në pritje. Unë autobuzin e linjës, kryqi i bërë njësh me ndriçuesin pas tij të ndonjë besimtari dhe ai memoriali i çuditshëm me tre yje, të ndonjë prej atyre që kishin kontribuar në atë luftë me pushtuesit e huaj. Jo, jo i tha vetes kjo pritje nuk më pëlqen, nuk kam punë me ta. Hodhi shikimin mbi masën e verës mbetur në gotë. Pa hezitim e ktheu menjëherë. Tek po fshinte buzët me kurrizin të dorës së djathtë, vuri re se dikush brenda një benz-i të ndalur aty në çast, po e thërriste. Atë kapardisjen tek u ngrit prej andej e shfaqi edhe kur hapi portën edhe kur u ul. Duke u mbështetur mirë në sedilje i dha atë buzëqeshjen e tij të përhershme kur vinte në qejf. Pa i a ndarë shikimin mikut të tij të vjetër e urdhëroi të iknin sa më shpejt prej andej.
Τρίτη 30 Νοεμβρίου 2021
Παρασκευή 19 Νοεμβρίου 2021
PJESË NGA LIBRI NË DORËSHKRIM
PJESË NGA LIBRI NË DORËSHKRIM ME KËNGË,
VJERSHA E
NGJARJE TË NDODHURA NË
PIQERAS DHE
BREGDETI I POSHTËM
Bisti, bisti tole mora
Mos më bëj të flas me fora
Se kam lerë nga Maja e Hasi-t
Unë, Apostol Qëndrothanasi.
Maja e Hasit është kuota më e lartë e kreshtës
të malit ku shtrihet fshati Piqeras e cila si pjesë e tërë fillon direkt nga
rruga automobilistike që përshkon qendrën e fshatit. Të gjithë ata që i kanë
shtëpitë në pjesën e mbirrugës, kur e kalonin në sensin e humorit, e mbanin
veten mbi të tjerët. Nga fshati, dikush që dinte t'i ndërtonte në çast këngë të tilla ja këndoi gjatë një sebepi. Dhe vërtet Apostol Qëndrothanasi përveç cilësive si një zotëri me
njohje dhe të bëme të mëdha para dhe gjatë kohës të mbretërisë të Zogut ku i cili ushtronte postin e kryetarit të
bashkisë të Sarandës, e kishte për nder që të parët e tij e kishin ngritur atje
konakun, shtëpinë e tyre.
Πέμπτη 18 Νοεμβρίου 2021
DHE NDODHI
Duke qenë i shumë kërkuar prej publikut, përveç emisionit të
humorit ku ai ishte nga protagonistët kryesor në një nga kanalet televizivë më
të suksesshëm, gati përditë do të shfaqej edhe në
media të tjera televizive. Deri sa të përshtatej me moderatoren e
emisionit dhe të ftuarit e tjerë, do të qëndronte i heshtur. Nuk do të reagonte
karshi çdo gjëje që do të dëgjonte veçse nëse do të ngacmohej prej humorit të bukur të dikujt. Po të vërehej në
fytyrë në ato momente, prej tij, do të
ndjehej ose më saktë do të përjetohej gati çdo frazë e çdo kujt tek fliste,
bile gati të imitonte edhe lëvizjet e buzëve të personit. Vetëm pak përpjekje
do t’u duhej të ftuarve dhe ai do të çonte kokën. Pasi kryente disa lëvizje të
shpejta të saj, si ato bishtat kur kapin prenë e tyre, fillonte me një histori
të shkurtër. Shumë të tilla i tregonte në një kohë rekord. Të gjithë sa
ndodheshin aty, për shkak të trajtësimit të shpeshtë të fytyrës, të shoqëruara
me lëvizjeve trupore të shumta, do të
kalonin në ekstazë. Vetëm qeshje dhe humor i pa ndalur. Pra gjithë koha e
pas-taj-me do të konsumohej me humor të ndërsjelltë prej të gjithëve. Drejtuesja
e emision nuk do të mundej ta zotëronte situatën. I ftuari, humoristi do të
kalonte kufijtë e gjithçkaje
Përveç zërit të cilin e përshtaste bukur, ai luante
mrekullisht me fytyrën ku me pak truk mbi të, do të shfaqej portreti i
personit që imitonte. Kjo ishte jeta e tij e përditshme, e vrullshme, e pandalshme
ku edhe në shtëpi në të njëjtën formë do ta kalonte. Në fundjavë, si kohë të
domosdoshme për t’u qetësuar, do të përsëriste jo vetëm batutat të aktruara
bukur por gjithçka që përjetonte në skenë. Nga ato pyetjet e tij të çuditshme, të cilat nuk do të ishin direkt çka ai po
i kërkonte, ajo, bashkëshortja e tij do
të kuptonte se përse bëhej fjalë dhe ditët në vazhdim do të ishin të njëjta, të ngjajshme, monotone. Në një lloj forme ajo nuk do t'i kushtonte atë vëmendjen e përhershme. Jo vetëm që nuk e kishte atë ndjesinë e bukur kur shtronte tavolinën por nuk e shikonte atë tërheqjen e dikurshme të fytyrës së tij
simpatike dhe fjalët përkëdhelëse të shoqëruar me ato të puthurat në kërkim të mëtejshëm të
trupit të saj. Ajo, stepja e saj, gati e përditshme e cila ndikohej nga ndryshimet në vazhdim të fytyrës, qafës, dhe gjoksit të tij po ja zbrazte shpirtin. Pas shumë kohësh të pa kuptuar ajo
ndjeu se diçka nuk po shkonte mirë tek ai. Fytyra po i transformohej pak e nga pak. Në formën si shtrëngon dhëmbët
dhe nofullat. Në buzët, se si puthiste
me njëra tjetrën i cili si veprim do të ndikonte edhe tek ajo, buzët e saj gati në
të njëjtën formë do të puthiteshin. Atij kaq do t’i mjaftonte. Në një moment nga hutimi që ndjeu mbi
fytyrën e të dashurës, bukuroshes, gruas së tij, i shkoi pranë. Ajo nuk reagoi. Ndoshta edhe nga mos dëshira. E
përcjellë në formën më negative, veprimi i saj u shfaq brutalisht në fytyrën e
tij. Ai turfulloi. U ngrit në këmbë. Bëri një rrotullim rreth vetes si për të
caktuar të pa prekshmen zonën e tij duke u përpjekur të kalonte në rolin e
aktorit, por për të vetmin moment nuk mundi të ngacmohej prej tyre. Mbeti i
hutuar. U përpoq të lëshonte një nga ato të
bërtiturat interesante tek shfaqej në skenë para publikut. Nuk mundi. Në
çast, në bebëzën e shikimit të tij, të gjitha ngjyrat ishin kthyer në bardhë e
zi. Me pëllëmbët e duarve mbuloi sytë, veshët, faqet tek kishin filluar t’i
skuqeshin. Mbështolli kokën dhe e la veten të rrëzohej. Reagimin e saj e ndoqi
duke lëvizur veçse bebëzat e zeza të syve. Megjithëse ndjente qartë çdo
lëvizje të saj, nuk mundej të reagonte. Në fytyrë po i shfaqej ajo çehrja e një
njeriu jo të ndërgjegjshëm.
Thonë se tre ditë të mban ajo çka ndodh dhe nuk
përsëritet. Ose në atë numërimin
mbrapsht, tre orë, ndoshta tre minuta, ose tre sekonda. Ose tre vjet për kohën
e ardhshme. Por për bukuroshen e atij aktori të spektakleve të mrekullueshme kishte
filluar numërimi mbrapsht.
Nga i gjithë ai debutim, gati që me krijimin e atij stacioni
televiziv, në fytyrën e atij njeriu të mjerë do të shfaqeshin buzëqeshje të
lehta e të shpeshta të shoqëruara me lëvizje të ndryshme të trupit. Ndoshta përtej reales po e thërrisnin personazhet e
shumtë të tij.
PUSHTUESIT
Babai
nuk lodhej as edhe një herë të na tregonte
ngjarje dhe histori të ndryshme nga fëmijëria e hershme e tij si edhe nga koha
e pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania naziste ku në të cilën kohë,
së bashku me shumë meshkuj fëmijë e deri të moshuar, ata i çuan në Gjermani për
krah pune. Babai ishte emocional dhe kishte vetinë të shprehej bukur e me shumë
humor. Të shumta ishin ato histori që ai na i tregonte dhe ne do t’i dëgjonim
me ëndje. Me sa mbaj mend isha i vetmi që qeshja më shumë duke e lëshuar veten
të rrëzohesha prej saj. Në atë kohë, për
të cilën rrëfenjëz do të tregoj, të cilën e pëlqeja shumë, Piqerasi ishte
qendër administrative, pra Komuna e Bregdetit të Poshtëm. Me shkollë,
xhandarmëri, postë telefonike edhe hotel. Për këto arsye, që në momentet e para
të pushtimit të Shqipërisë ata ngritën një pikë kontrolli në qendër të fshatit,
diku mbi rrugën automobilistike. Jeta do të merte një dinamikë ndryshe. Burrat
e fshatit sidomos ata më të vjetrit e zotëronin mirë greqishten edhe italishten
pasi komunikonin shpesh për tregti me Korfuzin dhe brigjeve të detit Mesdhe.
Papu Jorgon, gjyshin tim shumë vite më parë jeta e kishte çuar deri në Odesë.
Ishte koha kur në Rusi revolucionarët e kuq kishin marë pushtetin dhe më tej në përpjekje të vazhdueshme për të shpërndarë teorinë e tyre mbarë Evropës të cilën gjë përmes humorit të tij ai do të fliste për ato që kishte parë e kishte kuptuar.
Në
çka do të rrëfej nuk do të merrem me luftën por me një dukuri njerëzore midis
pushtuesit ose më saktë ushtarit italian dhe njerëzve të thjeshtë. Ata ishin të
këndshëm, të komunikueshëm dhe shpesh në kafenetë e pakta të fshatit uleshin
për të pirë kafe të shoqëruar me “una grappa albanese”. Fëmijtë, më të shkathëtit do të këmbenin diçka me t’a veçse të dëgjonin atë gjuhë të cilën përpiqeshin ta
përvetësonin sa më shpejt. Pa le ato këngët e tyre të bukura. Edhe babai im do
të rrëmbente fshehurazi ndonjë vezë nga shtëpia veçse të komunikonte me ta.
Ndërkohë edhe ata ushtarë, gati pa armatim në brez, “vidhnin rrush e fiq” nga
jashtë ledheve të shtëpive. Për të
gjitha çka po shkruaj duhet t’i besoni sepse ka ende njerëz, pavarësisht të
brezave të më vonshëm, si shumë të tjera i mbajnë mend ato histori. Edhe për
një fakt tjetër, kur Italia kapitulloi
ushtarët e mbetur u strehuan në shtëpitë e fshatit duke ngrënë, duke
fjetur e punuar së bashku. Ata përsëri, shfaqën edhe një herë virtytet
njerëzore të racës së tyre. Por ajo që dua të tregoj, është ai veprimi njerëzor
që ata kryenin. Në vaktin e drekës, pothuajse çdo ditë fshatarët do të shkonin
të merrnin ushqim. Herë herë edhe veshmbathje siguronin. Ishte kohë lufte, të
ardhurat familjare ishin të pakta. Të pakët ishin edhe ata që ishin në gjendje
të mirë. Nuk vazhdoi shumë ajo situatë pasi forcat partizane të organizuara në
formacione luftarake filluan të kryenin aksione edhe në këto zona. Një ditë
babai nga vrulli i ngjarjeve të shumta pasi ai, ideali komunist po përhapej me
shpejtësi, tek po kthehej në shtëpi i thotë paput, gjyshit tim se desh të
shkonte në mal të luftonte. Ai e pa me ironi dhe duke lëvizur dorën aty përpara
i thotë; Shko more shko. Shko e mbush kusinë me makarona se me bark bosh nuk
luftohen italianët.
Κυριακή 19 Σεπτεμβρίου 2021
TEK STOLI NË HYRJE TË PALLATIT
Me gjithëse sa herë hynte dhe dilte nga hyrja e pallatit tek u jepte të tria atyre plakave nga një përshëndetje, ajo nuk e mori mundimin të ndalej ndopak për të shkëmbyer ndonjë fjalë.
Koha
përgjatë të tridhjetë ditëve të muajit kur vinte nga jashtë atdheut ndoshta do
të ishte e mjaftueshme për t’u çliruar nga streset dhe emocionet e mbledhura
nga jeta e vrullshme të qytetit ku jetonte por nuk do të ishte e mundur.
Për këtë
gjë asaj nuk do t’i bënte përshtypje çka ndodhte përreth. As edhe shikimet e
atyre plakave të cilat ishin gati të përditshme të ulura në stolin e vetëm të
ndodhur diku aty pranë hyrjes së pallatit. Teksa po përpiqej të kalonte çelësin
në brendësi të bravës, të portës së pallatit, ktheu kokën prej tyre. Shikimi i
saj u dha dritë syve të atyre zonjave në moshë të madhe tek po krekoseshin edhe
më shumë mbi atë stol të drunjtë. Në atë moment, në vend që ta shtynte portën
në brendësi hyrjes, ajo e tërhoqi duke u dhënë shpresë atyre. Por në të njëjtën
kohë, në atë çka bluante në kokën e saj, me një mbërthim të fortë të buzëve
shfaqi atë të mos komunikuarit të vazhdueshëm. Ato plaka përsëri nuk do të
mësonin gjë prej saj. Dhe do të ishte përsëri kërcitja e portës tek po mbyllej
nga brenda, që ato të tërhiqeshin në botën e tyre të përditshme.
Do të kalonin disa ditë ndoshta
një javë që të mos përballeshin me të. Me qetësinë e tyre do të përpiqeshin të
krijonin ndopak një ide mbi jetën e asaj gjitone të re e cila kishte rreth tre
muaj që banonte aty. Të vetmen gjë që dinin kishin mësuar se, hyrjen ku banonin
e kishin të tyre, nuk ishin qeraxhinj. Për këtë, kishin shpresë se një ditë do
të ishte vetë ajo që do të kërkonte për t’u njohur. Por asgjë. Përballimi me të
do të ishte dalja ose hyrja e shpejtë e saj në pallat. Se qysh e tek, ato
kishin mësuar për zotërimin prej saj edhe të një shtëpie në fshat dhe ndoshta
kjo ishte arsyeja që ajo së bashku me të shoqin nuk shfaqeshin aty. E njëjta
situatë do të vazhdonte dhe atyre zonjave tepër të moshuara do t’u shuhej
shpresa për të këmbyer ndonjë llaf me gjitonen e tyre të re. Do ta shikonin
shpesh të nxituar dhe të lodhur e cila kuptohej në të ecurën e saj.
Përshëndetja e shpejtë që ajo lëshonte nuk do të ishte e mjaftueshme por me
durim ato do të shfrytëzonin situatën më të mundshme të dëgjonin sadopak zërin
e saj, të cilat kishte rast të mendonin se mund të ishte shurdhmemece.
Mes jave ishte ajo ditë kur
përpara hyrjes të pallatit u ndal një mjet tip veturë me targë të shtetit fqinj.
Prej saj doli gjitonia e re. Ajo duke regulluar rrobat mbi trup vazhdonte të debatonte me
të shoqin e saj i cili me duar ende mbi timon nuk po reagonte në gjithçka që
ajo po i thoshte. Nuk u mor vesh se për çfarë po diskutonin por atyre plakave
tek përgjonin mbrapa dritareve u lindi kureshtja. Prej saj ndjen urdhrin që po
i jepte atij për diçka. Ai hezitoi për një çast por doli duke përplasur
portën. Duke marë dy çanta prej bagazhit u drejtua për nga hyrja e pallatit
ndërsa ajo shkoi dhe u ul tek stoli. Nuk kaloi shumë ato një e nga një, pa marë parasysh se çfarë mund të ndodhte shfrytëzuan pjesën bosh duke u ulur pa bërë
zhurmë. Gjitonia e re, mes gjendjes psikologjike të çastit që po kalonte nuk i kushtoi rëndësi veprimit e të tria plakave. Nuk kaloi
shumë dhe vëmendjen u a hoqi zhurma karakteristike e çelësit dhe hapja e
portës. Ai, i shoqi i saj, doli vrullshëm duke u drejtuar nga mjeti. Të njëjtin
veprim bëri edhe ajo, duke u ngritur pa i përfillur ato plaka të çuditëshme.
Por, aty mes asaj distance të shkurtër nga stoli tek makina, do të ndalej për
të reaguar kundrejt pyetjes pa vend të njërës prej tyre. Mori frymë thellë
për të sistemuar të gjitha andrallat që i vërtiteshin në kokë duke u kthyer
prej tyre. Si t’ja bëj filloi të flas ajo. Shtëpia në fshat më mori shpirtin.
Kemi disa vite rresht, të gjitha për bukuri. Me drita, me ujë. Kopshtet për
bukuri. Qetësi e Zotit na pushton nga të gjitha anët. A e dini se si e kemi
ngritur. Çdo gjë i kemi çuar me këto duar dhe gomarin. Është i vetmi gomar që ekziston në fshat
dhe pleqtë e mbetur. Të rinj nuk ka. Gomarin e kam blerë diku larg pasi asnjë
nuk guxon të mbaj, janë të gjithë pleq kuptoni, me çfarë do ta ushqejnë. Aty dimri
është shumë i keq. Ngarkim shkarkimet, llaç e tulla me këto duar i kam bërë. U
përpoqa ta siguroja ose më saktë t’u a falja gomarin por asnjë prej tyre nuk
pranoi. Më thoni si tja bëj dhe pa pritur përgjigje prej tyre u
Σάββατο 24 Ιουλίου 2021
LOVE STORY
Në atë natë të qetë, njëri prej të dy burrave aty ku po peshkonin buzë detit dikur rekordmen kombëtar në gara noti, duke i krahasuar përplasjet e valëve mbi shkëmbinjtë si përkëdhelje e puthje, foli me zë të lartë: A mundet. A mund të kenë lidhje me njëra tjetrën. Si valët e detit edhe puthjet e femrave të rrëmbejnë e të zhysin në thellësi të tyre. Edhe thellësia e madhe poshtë valëve të detit të mbyt. Duke u kthyer në intonacionet e ulëta të zërit të tij të mëparshëm mërmëriti: Dikur i mbytur isha edhe unë.
Ndjesia që po përjetonte në ato çaste nuk ishte dhe aq e thjesht. Kishte nevojë të dëgjonte zërin e tij. Kishte nevojë ta dëgjonte edhe dikush tjetër. Duke treguar po rikrijonte përpara syve të tij atë periudhë. Pasi hodhi shikimin nga i vetmi njeri që kishte pranë, nisi monologun gati me zë të lartë. I kishte të gjitha shijet e frutave puthja e saj. Ishte një përzierje magjike që më tundonte vazhdimisht. I ke provuar shegët e athëta. Megjithëse të thartojnë, kërkon t'i konsumosh deri në fund. Athëti e ëmbëlsi të shoqëruara me gjithfarë frutash ekzotikë, të përziera me mjeshtëri, mbushnin vazhdimisht prej saj gota të tëra me musht dehës erotik. Si Circia, më robëroi ajo magjistare e tërbuar
Ishte si një ëndërr. Nuk po e ndjeja më ekzistencën time, as tokësor as perëndi. Në atë “ishull magjik” të veshur me mister prej saj, nuk po e kuptoja më konceptin e kohës dhe të hapësirës ndërsa energjia e saj femërore shkarkohej tek unë vazhdimisht e pambarim. Në të vërtetë diçka të tillë e kisha dëshiruar. Tek lëvizja në ato hapësira të pafund, në ato labirinte portash, dhomash, ndjeja të më shoqëronin tinguj muzikor të pafund të një bote të mistershme. Të krijohej bindja se koha kishte ndaluar. Edhe graviteti. Pikërisht atje ku përpiqesha të ndjeja formën e gjithçkaje tek i prekja, ato shpërbëheshin duke u kthyer në grimca të vogla fosforeshente shumëngjyrëshe dhe më pas ribashkoheshin duke konfiguruar trajtën trupore të saj. Ajo do të afrohej duke më buzëqeshur dhe do të më rrëmbente puthjen e dëshiruar. Si venduza të fuqishme ajo masë mishi e lëngshme do të shkarkonte tek unë energji të pafund. Do të përgatiste ushqimin special me filtra magjik dhe aty, duke i konsumuar ato, do të më rrëfente gjithçka që ajo mendonte se duheshin thënë. Për jetën, kënaqësitë e saj.
U ndal dhe ktheu shikimin prej njeriut të vetëm që i ndodhej aty pranë. Megjithëse kishin ardhur për peshkim, të dy ishin të rrëmbyer nga ajo histori. Njëri rrëfente tjetri dëgjonte. Në atë që po kuptonte se ai dëshironte të mësonte më shumë për atë histori dashurie, për atë femër, vazhdoi. Ke të drejtë të habitesh por kështu ka ndodhur. Isha i ftuar në atë takim prej një mikut tim. Festa kishte filluar kur ne u ndodhëm aty. Tek po hidhja shikimin gjithandej, nuk mund të mendoja se çfarë po më sillte ai rast. Më vonë e mësova se gjithçka ishte e sajuar. Ajo kishte kërkuar të më njihte nga afër. Ai më prezantoi me të tre vajzat ku të cilat gati po na prisnin aty përpara. Në mënyrë të ndërsjelltë dhe tepër të shpejtë sikur komandoheshim nga diku, sytë e mi dhe të saj u përplasën fuqishëm. Vetëm shikim nuk ishte. Nga ai çast, koha deri tek veprimet e mëtejshme nuk mund të mendoheshin se si do të zhvilloheshin. Të gjithë sensorët e komunikimit nuk po më funksiononin. Veçse do të ishte aroma e saj të më zgjonte aftësinë time mashkullore. O zot mërmërita dhe me sytë gati të mbyllur kërkova të zhytesha brenda gjendjes të saj trupore por reagimi i lehtë i shfaqur në çast, në fytyrën e saj, më bëri të stepem. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Eshtrat e asaj dore elegante të mbërthyer prej meje, ishin gati të thyheshin. Ndjeva një hutim dhe pavendosmëri të madhe në atë se si duhej të sillesha më tej. Të gjitha këto do të mjaftonin për të dhe shoqërinë që na rrethonte. Shikimeve të mikeshave të saja kundrejt meje, ajo u vuri fre. Që në ato çaste, u përpoq në forma të ndryshme të vërtetonte se tashmë isha pronë e saj. Më rrëmbeu. Tek kërcenim u bë njësh me trupin tim. Në atë mbrëmje pa mbarim, të dehur më tepër nga afshet e ndërsjellta se sa nga pijet e shumta që kishim kthyer, në të gdhirë u ndodhëm në shtëpinë vilë të saj. Ish kampioni notit, si për të mar fuqi për ato që do të tregonte në vazhdim heshti. Ndroi ushqimin e pakët që kishte mbetur në grep. Tek hodhi filispanjën vazhdoi historinë. I kujtoj shpesh ato momente. Aty gjithçka zotërohej prej saj. Edhe ato që mendoja e përpunoja në mendjen time “çelësin”e kishte ajo ku vetëm me një kërcitje gishtërinjsh i vinte dhe u ndryshonte funksionin. Ai përsëri heshti. Ngërçi që e kishte kapur nuk po e lejonte të fliste. Qe larguar prej gjithçkaje nga familja e shoqëria. U përpoq të “kruante” zërin si për të gjetur fjalën, mendimin e radhës të asaj që kishte përjetuar. Të asaj kënaqësie ku herë herë mendonte se nuk do ta gjente më. Të asaj që mendonte se në ato çaste brenda asaj “kulle të filndishtë” përjetoi vetminë më të madhe të jetës së tij. Të asaj tek kuptoi se ajo nuk ja kishte më nevojën. Të asaj që kishte filluar ta ndjente që po vinte ajo ditë. Asaj Circe-je nuk i shpëtonte asgjë. Koha me të kishte mbaruar. Ajo po kërkonte tjetrin, mashkullin e radhës. Sensualiteti i saj femëror do të tërhiqte gjithkënd. Tek shfaqej shpesh në ekranet e stacioneve televizive, rrezatimi i saj femëror do të joshte këdo. Falë këtyre cilësive bëri karierë dhe dhe gjithçka që ajo kërkonte.
Të gjitha këto ai ja rikujtoi vetes, nën zë. U ngrit. Pa menduar shumë u zhvesh. Drita e hënës shfaqi bukurinë e tij mashkullore. Ende e zotëronte atë që shumë shokë e meshkuj të tjerë do ta dëshironin ta kishin. Me një të kërcyer thjeu sipërfaqen e shndritshme ujore. Ajo do të qëndronte e qetë për aq kohë sa ai do të qëndronte në thellësi të saj, vetëm kështu mund të freskohej e të shkëputej nga gjithçka tjetër. Më pas, duke dalë vrullshëm në sipërfaqe, në formën më instiktive, me krahët e tij të fuqishme filloi të shtynte mbrapa masa të shumta ujore dhe më tej tek do të mbështeste duart mbi mbajtëset e hekurta të zadrës do të ndjente atë magjinë e brohoritjeve të pafund tek thyente rekordet e shumta kombëtare në atë stil që ende nuk kishte kundërshtar t'ja kalonte. Doli, tek po ecte ende pa mbritur aty, vazhdoi rrëfimin pa u shqetësuar në se ai tjetri, nuk e kishte vëmendjen. -Që atëherë nuk pata më lidhje me femra. As nuk guxoja t'i shihja e jo më t’u afrohesha. Kjo gjë vazhdoi për një kohë të gjatë deri sa u njoha me gruan që vura kurorë.
Por i ish
dashuruari nuk mundi të heshte. Është për t’u çuditur vazhdoi, se pas shumë
kohësh po më kujtohet shpesh puthja e parë e adoleshencës. Megjithëse ishim të
dy fruta ende të pa bërë, pesëmbëdhjetë ajo, gjashtëmbëdhjetë unë, sot nuk mund
ta gjejë atë aromë pjeshke. Dhe nuk besoj. Në fshatin tonë pjeshka kishte një
shije të veçantë.
Τετάρτη 23 Ιουνίου 2021
IDIL
O lule e
barit të njomë
Hajde flemë
në një stromë
O lule e
barit të thatë
Hajde flemë
në një shtratë
Vargje idilike të kënduara në Piqeras jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga më të mëdhenjtë në moshë, ndoshta që nga koha e mbretërimit të Zogut të Parë. Pjesë nga libri në dorëshkrim me vargje, ngjarje e histori të bregdetit të poshtëm.
Δευτέρα 14 Ιουνίου 2021
RRUGICAVE TË FSHATIT TIM
Duke përshëndetur
Kujtimin e thica Angjeliqis
Tek e shihja në sofatin e
Portës së saj...
Mora të përpjetën e
Rrugicës së kalldrëmtë.
Kujtova edhe të puthurën
Në dorën e hallë Vitorisë
Dhe vazhdova të përpjetën e
Rrugicës që u rrita
E këputa trëndafilin,
Tek porta e Rozës!
E ish moshatares sime,
Tek kthesa ku dielli
Lëshon të parat rreze!
I përshëndeta të gjithë siç bënim atëherë,
Tek zbrisnim për në det
E ktheheshim prej tij.
Duke mar të përpjetën e kalldrëmtë,
U ndala.
Për një çast, u ndjeva mes tyre.
Prill 2014
.
Σάββατο 15 Μαΐου 2021
HËNA E MEME
Pjesë nga libri në dorëshkrim.
Keni dëgjuar për “Hënën e Meme”! Jo ?! Po ju a tregoj.
Ishte një natë e bukur behari. Hëna lart në qiell po e shoqëronte hap pas hapi udhëtarin e vonuar i cili po kthehej për në shtëpi të tij pas një udhëtimi të lodhshëm. Sado që rruga e monopatet e detyronin atë t’i fshihej shikimit të saj nën kurorat e ullinjve, ajo do të gjente të çara midis tyre për t'i ndriçuar rrugën. E shoqëroi deri lart në fshat. Bile për një çast, ku u ndal në këmbë, mbi kokën e tij ndjeu buzëqeshjen e saj. Aty, duke i dhënë ritmin frymëmarrjes së tij të lodhur, nuk e ndau shikimin prej atij disku dritëlëshues që e shoqëroi përgjatë gjithë udhës. Në çast, nën zë i foli vetes se pa tjetër ai i plotfuqishmi lart ja dërgoi për t’i bërë shoqëri. U a tha të gjithë njerëzve e miqve të tij. “Hëna e Meme” siç u quajt më vonë nga të gjithë, përveç udhëtarit të vonuar i cili quhej Polo Memi u bë sinonim si “m*** pas këpucës.
Ndodhur gjatë mbretërimit të Zogut I-rë
Piqeras
Τετάρτη 12 Μαΐου 2021
TEK KROI
Tek kroi në riz* i kuaj
Qën-ë i qënit
m’u ngarkua
Më ngau
njërën grua
Zënkë në kafene. Dikush, duke ngritur gotën
e verës përpjetë i thotë tjetrit që ndodhej në tavolinën për ballë: “Kjo gotë me
verë të kuqe është si faqet e gruas tënde”. Tjetri, ishte hera e dytë që prekej në nder dhe... tavolina, karike të
thyera, grushte, shkelma burrash dhe nxjerje thikash. Njëri nga të dy bie i
vrarë. Ishte ai që dëshironte gruan e tjetrit. Tre gra kishte në shtëpi
vrastari, të jëmën, të motrën dhe të shoqen.
Qeparo
*riz- vendi ku mërzejnë kuajt.
Pjesë nga libri në dorëshkrim me ngjarje,
ndodhi e vjersha jo vetëm nga Piqerasi por edhe nga gjithë bregdeti i poshtëm, të
ndodhura shumë kohë para mbretërimit të Zogut të I-rë e në vazhdim, nga të
cilat më të shumtat m’i rrëfente nëna ime.
Παρασκευή 16 Απριλίου 2021
Τετάρτη 10 Μαρτίου 2021
MATUF-i
Në fakt, kjo shprehje e shokëve të tij të klasës tek e gjuanin me shkelma në të pasme e përpara, aty lart midis këmbëve, të cilit i mbahej fryma nga dhimbja e madhe, u përdor për një kohë të gjatë edhe nga të tjerë. Të gjitha këto ndikuan në formimin e karakterit të tij. Do të thoni ju përse i ka ndodhur kështu atij njeriu...Kur Zoti formatoi racën njerëzore mendoi edhe për llojshmërinë e saj. Kur u dha porosia për të, që në aktin e parë seksual që kryen prindërit e tij, në më të parën ngjashmëri ishte gjatësia trupore që ai kapi dhe pothuajse ajo pak që quhet hija në fytyrë e mar nga ata të dy. Kur të ndodhet përpara, brenda një kohe tepër të shkurtër, busti i tij t'a ndryshon atë çka të pëlqen tek ai në qoftë se do ta quajmë kështu. Kërrusia. Pikërisht ajo pjesë përcaktoi identitetin e tij personal. Për shkak të asaj lëvizje që fillonte nga koka, qafa e cila vazhdonte përgjatë shtyllës kurizore ose e kundërta e asaj lëvizje, i kishin zhvendosur gravitetin trupor diku aty përpara këmbëve. Sikur edhe disa centimetra më tutje të zhvillohej ajo lëvizje, ai do të detyrohej të përdorte ndonjë mjet për të mos u rrëzuar si p.sh. bastunin. Tjetra, e cila detyrimisht do ta tjetërsonte pozicionin e qafës tek ja shtynte kokën më përpara, mjekra nga inercia e një sërë lëvizjesh do të zhvendosej edhe më tej duke i dhënë fytyrës së tij atë lloj paraqitje. Në çdo përballim me të tjerët, fytyra e tij do të ndodhej ose do të shprehej në dy mënyra. Si fillim në atë sikur po i thoshte tjetrit, hë ke për të thënë diçka dhe po aty zotërimin e situatës. I mbushur me mllef nga “padretësitë e shumta” për të cilat nuk mund të fajësonte askënd, i vuri qëllim vetes të mësonte, të bëhej i zoti për të përballuar jetën. Edhe arsimimin e lartë, të degës që preferonte, do ta mbaronte me nota të shkëlqyera. Do të mbahej si shembull por veçse shokë nuk pati pa le për ndonjë femër për të cilat do të lëngëzohej deri në sipërfaqe të lëkurës. Në vitet kur ai po shkollohej, rinia mbarë vendit po formonte brezin më të arsimuar e cila me aq sa mundte shfaqte edhe bukurinë e saj. Ai do t’i ndjente të gjitha por veçse si gjithmonë i vetmuar, pa çka se do të ishte midis tyre. Me statusin e familjes intelektuale dhe si të devotshëm karshi politikave shtetërore të asaj kohe, do të gëzonte pozicionin e fituar. Dhe do të vinte një ditë që do të shfaqte ato që ëndëronte. U tregua i kujdesshëm në atë që pretendonte. E zotëronte forcën e të shprehurit e cila ndjehej që në momentet e para por në vazhdim, në të shumtën e rasteve, do të fliste veçse për veten ku shpesh, me atë qetësinë e atij epiteti të trashëguar dhunshëm që nga adoleshenca, do të konsolidonte ato që pretendonte. Tek prezantohej në media e shkruara dhe vizive, përpara emrit do të shfaqte diplomat e titujt e shumtë të tij. Në të parën mundësi nuk do të reshte së foluri. Shpesh rrëmbente mendimin e tjetrit. Si prolog të ligjëratës do të shpaloste nxënësinë mendore e cila do të kapte pjesën më të madhe të kohës. Më pas do të përpiqej të shkatërronte logjikën e tjetrit. Të mendoje se ishin të qëllimshme ato veprime ishte e pamundur pasi ajo fytyra e tij prej një matufi të përhershëm nuk shfaqte as edhe një nuancë të tillë si të hipokritit, grindavecit ose të diçkaje tjetër. Ajo qetësia në fytyrë nuk të jepte as edhe një mundësi që ta lexoje atë çka ai mendonte. Gjatë gjithë kohës kur fliste do ta hidhte gjithandej shikimin. Kur flitej për seksin tjetër shkëlqimi tek i shfaqej në fytyrë do t'i shoqërohej me një tërheqje të buzëve në krahun e djathë me sekrecione mbi to. Në ato që pëshpëriteshin i kishte ngjarë të atit. Shpesh herë, aty midis këmbëve kur dikur gjuhej nga shkelmat e shokëve, një pikë nga ai lëngu mashkullor do t'i shfaqej mbi pantallona. Pozicioni, ose më saktë vendi i punës që ai zotëronte i krijonte mundësinë të përfitonte “diçka”. Ndërsa kohën postkomuniste do ta kapërcente me të mirat e përfituara prej saj si diploma e tituj shkencor të cilat do t'i paraqiste në çdo moment. Herë pas here do të pretendonte se kishte pika afrimi me të përndjekurit politik deri në emra të përveçëm pasi siç shprehej ai, se mund ta kishte pësuar më keq se ata. Dhe të gjitha këto tek po i tregonte sa kishte përballë, tek askund nuk do ta përplaste shikimin. Do t'u shmangej. Dikur edhe i jati gati në të njëjtën mënyrë do ta fillonte dhe kurorëzonte karierën e tij. Ndoshta në A.D.N. e tyre ishte parapërcaktuar karakteri i asaj race.
Πέμπτη 7 Ιανουαρίου 2021
NDODH EDHE KËSHTU
Mbështetur në ngjarje të jetuar
Atje në hyrje të qytetit ku dikur ngrihej
kisha e hershme e tij dhe e vetmja, të cilën hapësirë sot e zotëron një
shkallare e re, në një prej sheshpushimeve të saj gjithmonë në të zbritur, nga
ana e majtë, e ndodhur jo vetëm si distancë por edhe si lartësi me sipërfaqen e
detit, tarraca e drunjtë e një taverne
do të ishte një prej kënaqësive të shumta. Dikush, i ulur në krah të faqes
kryesore të asaj ndërtese të vjetër dy katëshe nga të paktat që ka mbetur në
këmbë, nuk do ta ndante shikimin e tij për nga hyrja e saj deri sa do t'i
shfaqeshin ata që ai po priste. Ja me një lëvizje të dorës i thërriti t'i
shkonin pranë. Nga ata të dy, ai më i
vogli në moshë dhe në trup, deri sa të çoheshin prej andej do të ishte në rolin
e dëgjuesit ose më saktë në atë të vëzhguesit. Në gjithçka të asaj bisede midis
tyre, ai kuptoi se njiheshin prej kohe. Në vazhdim, ai u përpoq të mos i shpëtonte
asgjë nga ato që po dëgjonte. E thërriti paraqitja e atij burri në moshë jo të
vogël. Ishte shtatlart. Në të gjitha ato çka personifikon një individ të racës mesdhetare i ndjehej në ballë, në sytë me ngjyrën e tyre të kaltër paksa
të blu ullinjtë, në hundë e buzë dhe mjekrën të cilat në sinkron me njëra
tjetrën dhe në një tërheqje pakëz vertikale të fytyrës, shfaqnin bukur tiparet e tij mashkullore. Në mënyrën
më instiktive e cila i ndodhte shpesh kur kërkonte thellë
karakterit të tjetrit që i ndodhej përballë, tek ai ndjeu një lloj ngjashmërie
me të atin e tij.
Pasi kamarieri sistemoi mbi tavolinë
gjithçka të porositur, ata i çukitën me kënaqësi gotat me verë. Dhe ai
shfrytëzoi momentin për t’u thënë se kishte gati për botim një libër
autobiografik. Duke qenë njeri i letrave e cila kjo ishte cilësia e asaj lidhje
midis tyre, shtoi se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend të bënte një hap të
tillë, të rrëfente vetveten. Ato vite të tmerrshme i kujtoj shpesh. Jeta e
gjatë brenda atyre hekurave është e pa mundur të shuhet, të harrohet dhe kjo
ishte arsyeja ku të gjithë si familje dëshironim një orë e më parë të merrnim
atë rrugëtim të largët që në ditët e para të demokracisë. Ishte ajo vuajtja e
përbashkët familjare, brenda dhe jashtë atij burgu famëkeq të ndodhur në ato
zgavrat e thella të atyre shpateve malore tepër të egra, ku veçse në pak orë
mund të shihje një fije dritë dielli. Dhe ja sot ndodhem këtu sepse thellë
brenda meje ende ekzistojnë të strukura dëshira dhe kujtime të shumta. Kjo
është ndoshta një nga arsyet që më shtynë të shkruaja atë histori të hidhur. Ai
heshti për një çast. Me gotën në dorë, si për të plotësuar atë moment bëri edhe
një urim tjetër, por veçse me një
lëvizje koke. Mori frymë thellë. Duke parë mikun e tij, më saktë të dy ata, u
tha se më në fund realizoi edhe qëllimin e tij kryesor. Tashmë zotëronte një
kopje të dosjes, të procesit gjyqësor nga i cili u privua me pesëmbëdhjetë vjet
heqje lirie për agjitacion propagandë.
“Vëzhguesi” duke u përqendruar edhe më shumë mbi fytyrën e tij vuri re
një tjetërsimin e saj. Ndjehej se në ato
momente, nga të gjitha sa bluante në kokën e tij, ishte përballimi me atë njeri
me të cilin siç thoshte ai, ata për një kohë të gjatë kishin qenë koleg në të
njëjtin institucion shtetëror. Nuk do të mundesha të ikja pa e takuar por ishte
e pa mundur pasi ai tashmë nuk jeton më. Në atë dosje
voluminoze shkruheshin të pamenduarat dhe të pa ndodhurat prej meje. As edhe një
herë nuk më shkoi ndërmend se ai përveç shfaqjes së tij të përditshme kishte
edhe një fytyrë tjetër. Nga të gjitha çka shkruhej, aty shpalosej thjesht dhe
pastër karakteri i tij negativ. Një
ditë, si i dërguar posaçërisht për të zgjidhur atë problem, përballohem me një
nga bashkëvuajtësit Të përmalluar biseduam për shumë gjëra për vitet brenda
dhe jashtë atij burgu famëkeq.
I tregova për dosjen dhe qëllimin përse ndodhesha rrugëve të kryeqytetit
tonë. Ai më krijoi mundësinë por tepër
shokuese. Shkuam tek një lokal i cili ende sot mbledh në ambientet e tij njerëz
të artit. Me qëllim për të krijuar një situatë të qetë ai e vërtiti bisedën
rreth zhvillimit të çështjeve të kohës e gjëra të tjera. Duke shfrytëzuar
momentin e çoi në atë që dëshiroja duke më kërkuar të ktheja kokën mbrapa ku
me gishtin e tij drejtuar diku më pyeti nëse i njihja dy personat të ndodhur
pranë njeri-tjetrit. Po i u përgjigja, ai djathtas është im bir. Po a të
tjetrin e njeh dhe pa pritur përgjigjen time më thotë, ai është i biri i atij
që ka qenë dëshmitar kryesor në gjykimin tënd. U shtanga. Në atë çast nuk po
mendoja asgjë. Isha gati ta mbërtheja për rrobash dhe me pa të drejtë, gati si
për t'i kërkuar llogari atij bashkëvuajtësi dhe njeriu të mirë. Më erdhi pranë
duke më hedhur dorën mbi krah. Ndoshta
nuk duhej të ndodhte kjo gjë u shpreh ai. Ose ndoshta më mirë pasi kështu do t'i
krijohet mundësia për të mësuar të vërtetën. Yt bir nuk është i vogël. Një çast
i pa pritur i bashkoi. Ndihma që ai mori në momentin më të vështirë nga
përplasja prej një automjeti dhe kjo është njohja me të. I duhet pak kohë. Po
ai tjetri kur ta mësoj se kë shpëtoi. Mbaroi të gjitha ato që ke në plan për të
realizuar, jepi kohë birit tënd pa i treguar asgjë çfarë ke mësuar dhe shko
atje ku ke ndërtuar jetën e re. Yt bir përpara ka kohën, jetën e tij për të
cilën dëshiron ta shijoj. Po ai tjetri, pasi asgjë sot nuk mund të qëndrojë e
fshehtë si do të reagoj, a e mendon dot. I ndodhur pranë meje, me dorën ende të
hedhur në supin tim u përpoq të më zbonte mankthin që më kishte kapur, të cilën
po e ndjeja të shfaqur në sytë e tij.
Pas gjithë atij rrëfimi, asnjë prej tyre nuk po guxonte ta përballte
më shumë se tre katër sekonda shikimin tek tjetri për të vetmen arsye të mos shfaqej ajo që po përjetonin. Ishte një situatë e cila nuk kërkonte fjalë por
vetëm heshtje. Ajo do të thyhej veçse nga prania e kamarierit tek do të
vendoste në tavolinë një kanë me verë, prej të zotit të lokalit. Megjithëse në
heshtje, në fytyrat e tyre u shfaq ajo e miratimit dhe e përpjekjes për të dalë
prej asaj situate. Çukitën gotat. Në ato çaste, ku heshtja mes tyre nuk ishte
gjë tjetër pasi ishte veçse në ikje, ata po përtypeshin, po konsumonin diçka
nga ato që ishin shtruar aty. Ishte një moment ku dëgjohej kërcitja e lehtë e
ndonjë piruni a thike mbi pjata e cila vërtetonte kënaqësinë e asaj që po
përtypnin dhe si vazhdim do të ndjeheshin disa prova të lehta mbi telat e një
kitare. I zoti tavernës e kishte menduar ose më saktë e kishte kuptuar se
klientët përveç ushqimit do ta dëshironin edhe një interpretim të këndshëm prej
tij. Midis ritmeve të ndryshme muzikore ai do të luante edhe ato të viteve
shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.
Si
shumë herë të tjera, për atë tavernë ishin nga moment më të këndshme. Një natë
magjike për të gjithë ata që po pushonin në atë qytet të ngritur buzë detit.
Ajo treshe e këndshme e kishte flakur heshtjen dhe jo vetëm atë, por edhe të
kaluarën e hidhur ku e cila për ta e shumë të tjerë ishte një vuajtje e
përbashkët. Në ato çaste nuk të krijohej kureshtja për të mësuar se në cilën
gjuhë fliste grupi që kishe në krahë pasi gjuha e atyre pajisjeve tek kërcisnin
mbi pjata ishte më e komunikueshmja në ato momente .