Τρίτη 30 Νοεμβρίου 2021

NË PRITJE

 E rrotulloi me një lëvizje të shpejtë dore atë kapak metali. Përpara i u shfaq sipërfaqja e atij lëngu në ngjyrë vishnje gati të errët. U përkul mbi të. Aty ndjeu pëshpërimat e fundit të atyre bulëzave të vogla tek përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe. Po i tha vetes. Si vazhdim i asaj shprehje rivendosi kapakun duke e rrotulluar lehtë në grykën e asaj ene metalike. Atë veprim e përsëriti në të tre enët të cilat mbanin në barkun e tyre gjakun e birit të perëndisë, Krishtit. Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë asaj hapësire që i shërbente për këto punë, mori për të dalë. Por, tek po kapërcente pragun e asaj porte tepër të vjetër u ri kthye. Aroma e atij lëngu dehës e tundoi. Buzëqeshi nga kënaqësia. Nga rafti aty pranë mori një gotë. E zhyti duke e mbushur me atë lëng dehës prej asaj që i ndodhej më pranë. Kuptoi se do të kishte një verë të mirë për të cilën pretendonte se do t’i mjaftonte përgjatë gjithë vitit. Me kënaqësi ktheu dy tre gllënka. Pjesën tjetër e konsumoi duke mbledhur manderina dhe portokalle nga pemët që ndodheshin jo shumë larg prej andej. Tek po i sistemonte ato në çantë i tha vetes edhe për një gotë, vetëm për një. Me gjithë se e dinte se atë lëng duhej të fillonte ta hidhte në shishe qelqi, duke i siguruar në atë vendin e përhershëm, ku përveç errësirës të plotë, kishte edhe temperaturën e duhur pasi do të duhej kohë për t’u shijuar,  tundimi ishte tepër i madh. E rimbushi rrafsh gotën duke kthyer me shpejtësi në hapësirën e gojës. Qëndroi për një çast si për të vërtetuar se ai lëng i plotësonte të gjitha kushtet për t'u konsumuar duke e lënë të lirë t'i përshkonte ndjesinë e tij trupore. Pas të gjitha atyre veprimeve të mëtejshme, deri tek mbyllja e të dyja portave nga e shtëpisë dhe e rrethimit, u ndodh jashtë. Mori frymë thellë dhe me një buzëqeshje tepër të brendshme u nis drejt qendrës të fshatit. Aty do të priste autobuzin e linjës.  Duke hedhur shikimin nga të dyja anët e rrugës, pa e kuptuar përsëriti dy tre herë atë shprehje që po e ngacmonte, se duhej të priste. Zbërtheu dy komçat e para të këmishës pasi po ndjente vapë. Pa orën, autobuzit do t’i duhej  rreth një orë e gjysëm të vinte aty. Filloi të shfrynte nga inati pasi ajo shprehja se duhej të priste filloi t’i çukiste mbi tëmtha tepër çuditshëm. E pa edhe një herë orën por asgjë, duhej të priste, të priste. Ktheu shikimin nga dyqani që i ndodhej aty mbrapa shpinës i cili shërbente edhe si kafene. Mori çantën dhe së bashku me to, kapërceu tri shkallët e pakta të tij. Duke u ulur porositi një gotë me verë. Si në rastet kur do t’i duhej të shihte një fotografi, të cilën e largonte për ta qartësuar në shikimin e tij, largoi edhe gotën. E rrotulloi mbi tavolinë dhe ktheu dy tre gllënka prej saj. Hëm i tha vetes, tani po.  Pasi u mbështet mirë mbi shpinoren e karikes për t’u rehatuar hodhi shikimin mbi pamjen që i shfaqej përpara. Në qendër, një kryq i hekurt si memorial për kishën e dikurshme por pa  shpëtimtarin e njerëzisë, Krishtin. Në të majtë, në thellësi një memorial tjetër, i cili u kushtohej atyre që kishin dhënë jetën gjatë luftës për shporrjen e pushtuesit të fundit, këtu shtatëdhjetë e ca vjet përpara. Në pikën më të lartë të atyre kolonave të betonta ende kuqëlonin dobët tre yje. Diku më poshtë si ato hieroglifet e dikurshme, të cilët nuk ishin pak, ishin renditur emrat e atyre që kishin dhënë jetën për ditët e sotme. E rikthehu shikimin prej kryqit. Pamja e trishtë e atij memoriali edhe besimtarin më të devotshëm nuk do ta afronte.  Improvizuar me blloqe betoni të lyera me gëlqere dhe në ngjyrë kafe të kuqërremtë të asaj çatie të vogël mbi to. Vuri re se në brendësi të saj një nga të tre qirinjtë që ndodheshin në këmbë, po digjej duke u ngutur. E hoqi shikimin prej andej sepse nuk i pëlqeu tek i shihte të treteshin pikë më pikë mbi atë sipërfaqe të pistë nga mbetjet e pararendësve të njëjtës racë. Ngriti kokën dhe vuri re se edhe ndriçuesi që i ndodhej pas, ndjehej si vazhdues i tij. Natën duhet të krijohet efekt i bukur i tha vetes. E lëvizi kokën herë majtas e herë djathtas. Buzëqeshi pa e shfaqur në fytyrë. Rastësia e asaj tek e shihte ndriçuesin si vazhdues të atij simboli të krishterë prej metali, e bëri të mendohej. Buzëqeshi përsëri duke i u drejtuar vetes: Unë në pritje, kryqi në pritje edhe ato tre kolona me yjet komuniste në krye të tyre në pritje. Unë autobuzin e linjës, kryqi i bërë njësh me ndriçuesin pas tij të ndonjë besimtari dhe ai memoriali i çuditshëm me tre yje, të ndonjë prej atyre që kishin kontribuar në atë luftë me pushtuesit e huaj. Jo, jo i tha vetes kjo pritje nuk më pëlqen, nuk kam punë me ta. Hodhi shikimin mbi masën e verës mbetur në gotë. Pa hezitim e ktheu menjëherë. Tek po fshinte buzët me kurrizin  të dorës së djathtë, vuri re se dikush brenda një benz-i të ndalur aty në çast, po e thërriste. Atë kapardisjen tek u ngrit prej andej e shfaqi edhe kur hapi portën edhe kur u ul. Duke u mbështetur mirë në sedilje i dha atë buzëqeshjen e tij të përhershme kur vinte në qejf. Pa i a ndarë shikimin mikut të  tij të vjetër e urdhëroi të iknin sa më shpejt prej andej.

 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου