Πέμπτη 18 Νοεμβρίου 2021

DHE NDODHI

 

Duke qenë i shumë kërkuar prej publikut, përveç emisionit të humorit ku ai ishte nga protagonistët kryesor në një nga kanalet televizivë më të suksesshëm, gati përditë do të shfaqej edhe në  media të tjera televizive. Deri sa të përshtatej me moderatoren e emisionit dhe të ftuarit e tjerë, do të qëndronte i heshtur. Nuk do të reagonte karshi çdo gjëje që do të dëgjonte veçse nëse do të ngacmohej prej humorit të bukur të dikujt. Po të vërehej në fytyrë në  ato momente, prej tij, do të ndjehej ose më saktë do të përjetohej gati çdo frazë e çdo kujt tek fliste, bile gati të imitonte edhe lëvizjet e buzëve të personit. Vetëm pak përpjekje do t’u duhej të ftuarve dhe ai do të çonte kokën. Pasi kryente disa lëvizje të shpejta të saj, si ato bishtat kur kapin prenë e tyre, fillonte me një histori të shkurtër. Shumë të tilla i tregonte në një kohë rekord. Të gjithë sa ndodheshin aty, për shkak të trajtësimit të shpeshtë të fytyrës, të shoqëruara me lëvizjeve  trupore të shumta, do të kalonin në ekstazë. Vetëm qeshje dhe humor i pa ndalur. Pra gjithë koha e pas-taj-me do të konsumohej me humor të ndërsjelltë prej të gjithëve. Drejtuesja e emision nuk do të mundej ta zotëronte situatën. I ftuari, humoristi do të kalonte kufijtë e gjithçkaje

Përveç zërit të cilin e përshtaste bukur, ai luante mrekullisht me fytyrën ku me pak truk mbi të, do të shfaqej portreti i personit që imitonte.  Kjo ishte jeta e tij e përditshme, e vrullshme, e pandalshme ku edhe në shtëpi në të njëjtën formë do ta kalonte. Në fundjavë, si kohë të domosdoshme për t’u qetësuar, do të përsëriste jo vetëm batutat të aktruara bukur por gjithçka që përjetonte në skenë. Nga ato pyetjet e tij të çuditshme, të cilat nuk do të ishin  direkt çka ai po i kërkonte, ajo,  bashkëshortja e tij do të kuptonte se përse bëhej fjalë dhe ditët në vazhdim do të ishin të njëjta, të ngjajshme, monotone. Në një lloj forme ajo nuk do t'i kushtonte atë vëmendjen e përhershme. Jo vetëm që nuk e kishte atë ndjesinë  e bukur kur shtronte tavolinën por nuk e shikonte atë tërheqjen e dikurshme të fytyrës së tij simpatike dhe fjalët përkëdhelëse të shoqëruar me ato të puthurat në kërkim të mëtejshëm të trupit të saj. Ajo, stepja e saj, gati e përditshme e cila ndikohej nga ndryshimet në vazhdim të fytyrës, qafës, dhe gjoksit të tij po ja zbrazte shpirtin. Pas shumë kohësh të pa kuptuar ajo ndjeu se diçka nuk po shkonte mirë tek ai. Fytyra po i transformohej  pak e nga pak. Në formën si shtrëngon dhëmbët dhe nofullat. Në  buzët, se si puthiste me  njëra tjetrën i cili si veprim do të ndikonte edhe tek ajo, buzët e saj gati në të njëjtën formë do të puthiteshin. Atij kaq do t’i mjaftonte. Në një moment nga hutimi që ndjeu mbi fytyrën e të dashurës, bukuroshes, gruas së tij, i shkoi pranë. Ajo nuk reagoi. Ndoshta edhe nga mos dëshira. E përcjellë në formën më negative, veprimi i saj u shfaq brutalisht në fytyrën e tij. Ai turfulloi. U ngrit në këmbë. Bëri një rrotullim rreth vetes si për të caktuar të pa prekshmen zonën e tij duke u përpjekur të kalonte në rolin e aktorit, por për të vetmin moment nuk mundi të ngacmohej prej tyre. Mbeti i hutuar. U përpoq të lëshonte një nga ato të  bërtiturat interesante tek shfaqej në skenë para publikut. Nuk mundi. Në çast, në bebëzën e shikimit të tij, të gjitha ngjyrat ishin kthyer në bardhë e zi. Me pëllëmbët e duarve mbuloi sytë, veshët, faqet tek kishin filluar t’i skuqeshin. Mbështolli kokën dhe e la veten të rrëzohej. Reagimin e saj e ndoqi duke lëvizur veçse bebëzat e zeza të syve. Megjithëse ndjente qartë çdo lëvizje të saj, nuk mundej të reagonte. Në fytyrë po i shfaqej ajo çehrja e një njeriu jo të ndërgjegjshëm.

Thonë se tre ditë të mban ajo çka ndodh dhe nuk përsëritet. Ose në atë  numërimin mbrapsht, tre orë, ndoshta tre minuta, ose tre sekonda. Ose tre vjet për kohën e ardhshme. Por për bukuroshen e atij aktori të spektakleve të mrekullueshme kishte filluar numërimi mbrapsht.

Nga i gjithë ai debutim, gati që me krijimin e atij stacioni televiziv, në fytyrën e atij njeriu të mjerë do të shfaqeshin buzëqeshje të lehta e të shpeshta të shoqëruara me lëvizje të ndryshme të trupit. Ndoshta  përtej reales po e thërrisnin personazhet e shumtë të tij.

 

 

 

 

 

 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου