Τρίτη 30 Νοεμβρίου 2021

NË PRITJE

 E rrotulloi me një lëvizje të shpejtë dore atë kapak metali. Përpara i u shfaq sipërfaqja e atij lëngu në ngjyrë vishnje gati të errët. U përkul mbi të. Aty ndjeu pëshpërimat e fundit të atyre bulëzave të vogla tek përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe. Po i tha vetes. Si vazhdim i asaj shprehje rivendosi kapakun duke e rrotulluar lehtë në grykën e asaj ene metalike. Atë veprim e përsëriti në të tre enët të cilat mbanin në barkun e tyre gjakun e birit të perëndisë, Krishtit. Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë asaj hapësire që i shërbente për këto punë, mori për të dalë. Por, tek po kapërcente pragun e asaj porte tepër të vjetër u ri kthye. Aroma e atij lëngu dehës e tundoi. Buzëqeshi nga kënaqësia. Nga rafti aty pranë mori një gotë. E zhyti duke e mbushur me atë lëng dehës prej asaj që i ndodhej më pranë. Kuptoi se do të kishte një verë të mirë për të cilën pretendonte se do t’i mjaftonte përgjatë gjithë vitit. Me kënaqësi ktheu dy tre gllënka. Pjesën tjetër e konsumoi duke mbledhur manderina dhe portokalle nga pemët që ndodheshin jo shumë larg prej andej. Tek po i sistemonte ato në çantë i tha vetes edhe për një gotë, vetëm për një. Me gjithë se e dinte se atë lëng duhej të fillonte ta hidhte në shishe qelqi, duke i siguruar në atë vendin e përhershëm, ku përveç errësirës të plotë, kishte edhe temperaturën e duhur pasi do të duhej kohë për t’u shijuar,  tundimi ishte tepër i madh. E rimbushi rrafsh gotën duke kthyer me shpejtësi në hapësirën e gojës. Qëndroi për një çast si për të vërtetuar se ai lëng i plotësonte të gjitha kushtet për t'u konsumuar duke e lënë të lirë t'i përshkonte ndjesinë e tij trupore. Pas të gjitha atyre veprimeve të mëtejshme, deri tek mbyllja e të dyja portave nga e shtëpisë dhe e rrethimit, u ndodh jashtë. Mori frymë thellë dhe me një buzëqeshje tepër të brendshme u nis drejt qendrës të fshatit. Aty do të priste autobuzin e linjës.  Duke hedhur shikimin nga të dyja anët e rrugës, pa e kuptuar përsëriti dy tre herë atë shprehje që po e ngacmonte, se duhej të priste. Zbërtheu dy komçat e para të këmishës pasi po ndjente vapë. Pa orën, autobuzit do t’i duhej  rreth një orë e gjysëm të vinte aty. Filloi të shfrynte nga inati pasi ajo shprehja se duhej të priste filloi t’i çukiste mbi tëmtha tepër çuditshëm. E pa edhe një herë orën por asgjë, duhej të priste, të priste. Ktheu shikimin nga dyqani që i ndodhej aty mbrapa shpinës i cili shërbente edhe si kafene. Mori çantën dhe së bashku me to, kapërceu tri shkallët e pakta të tij. Duke u ulur porositi një gotë me verë. Si në rastet kur do t’i duhej të shihte një fotografi, të cilën e largonte për ta qartësuar në shikimin e tij, largoi edhe gotën. E rrotulloi mbi tavolinë dhe ktheu dy tre gllënka prej saj. Hëm i tha vetes, tani po.  Pasi u mbështet mirë mbi shpinoren e karikes për t’u rehatuar hodhi shikimin mbi pamjen që i shfaqej përpara. Në qendër, një kryq i hekurt si memorial për kishën e dikurshme por pa  shpëtimtarin e njerëzisë, Krishtin. Në të majtë, në thellësi një memorial tjetër, i cili u kushtohej atyre që kishin dhënë jetën gjatë luftës për shporrjen e pushtuesit të fundit, këtu shtatëdhjetë e ca vjet përpara. Në pikën më të lartë të atyre kolonave të betonta ende kuqëlonin dobët tre yje. Diku më poshtë si ato hieroglifet e dikurshme, të cilët nuk ishin pak, ishin renditur emrat e atyre që kishin dhënë jetën për ditët e sotme. E rikthehu shikimin prej kryqit. Pamja e trishtë e atij memoriali edhe besimtarin më të devotshëm nuk do ta afronte.  Improvizuar me blloqe betoni të lyera me gëlqere dhe në ngjyrë kafe të kuqërremtë të asaj çatie të vogël mbi to. Vuri re se në brendësi të saj një nga të tre qirinjtë që ndodheshin në këmbë, po digjej duke u ngutur. E hoqi shikimin prej andej sepse nuk i pëlqeu tek i shihte të treteshin pikë më pikë mbi atë sipërfaqe të pistë nga mbetjet e pararendësve të njëjtës racë. Ngriti kokën dhe vuri re se edhe ndriçuesi që i ndodhej pas, ndjehej si vazhdues i tij. Natën duhet të krijohet efekt i bukur i tha vetes. E lëvizi kokën herë majtas e herë djathtas. Buzëqeshi pa e shfaqur në fytyrë. Rastësia e asaj tek e shihte ndriçuesin si vazhdues të atij simboli të krishterë prej metali, e bëri të mendohej. Buzëqeshi përsëri duke i u drejtuar vetes: Unë në pritje, kryqi në pritje edhe ato tre kolona me yjet komuniste në krye të tyre në pritje. Unë autobuzin e linjës, kryqi i bërë njësh me ndriçuesin pas tij të ndonjë besimtari dhe ai memoriali i çuditshëm me tre yje, të ndonjë prej atyre që kishin kontribuar në atë luftë me pushtuesit e huaj. Jo, jo i tha vetes kjo pritje nuk më pëlqen, nuk kam punë me ta. Hodhi shikimin mbi masën e verës mbetur në gotë. Pa hezitim e ktheu menjëherë. Tek po fshinte buzët me kurrizin  të dorës së djathtë, vuri re se dikush brenda një benz-i të ndalur aty në çast, po e thërriste. Atë kapardisjen tek u ngrit prej andej e shfaqi edhe kur hapi portën edhe kur u ul. Duke u mbështetur mirë në sedilje i dha atë buzëqeshjen e tij të përhershme kur vinte në qejf. Pa i a ndarë shikimin mikut të  tij të vjetër e urdhëroi të iknin sa më shpejt prej andej.

 

Παρασκευή 19 Νοεμβρίου 2021

PJESË NGA LIBRI NË DORËSHKRIM

             PJESË NGA LIBRI NË DORËSHKRIM ME  KËNGË,

VJERSHA E NGJARJE TË NDODHURA  NË

PIQERAS DHE BREGDETI I POSHTËM

             

 

Bisti, bisti tole mora

Mos më bëj të flas me fora

Se kam lerë nga Maja e Hasi-t

Unë, Apostol Qëndrothanasi.

 

  Maja e Hasit është kuota më e lartë e kreshtës të malit ku shtrihet fshati Piqeras e cila si pjesë e tërë fillon direkt nga rruga automobilistike që përshkon qendrën e fshatit. Të gjithë ata që i kanë shtëpitë në pjesën e mbirrugës, kur e kalonin në sensin e humorit, e mbanin veten mbi të tjerët.  Nga fshati, dikush që dinte t'i ndërtonte në çast këngë të tilla ja këndoi gjatë një sebepi. Dhe vërtet Apostol Qëndrothanasi përveç cilësive si një zotëri me njohje dhe të bëme të mëdha para dhe gjatë kohës të mbretërisë të Zogut ku i cili ushtronte postin e kryetarit të bashkisë të Sarandës, e kishte për nder që të parët e tij e kishin ngritur atje konakun, shtëpinë e tyre.  

 


 



Πέμπτη 18 Νοεμβρίου 2021

DHE NDODHI

 

Duke qenë i shumë kërkuar prej publikut, përveç emisionit të humorit ku ai ishte nga protagonistët kryesor në një nga kanalet televizivë më të suksesshëm, gati përditë do të shfaqej edhe në  media të tjera televizive. Deri sa të përshtatej me moderatoren e emisionit dhe të ftuarit e tjerë, do të qëndronte i heshtur. Nuk do të reagonte karshi çdo gjëje që do të dëgjonte veçse nëse do të ngacmohej prej humorit të bukur të dikujt. Po të vërehej në fytyrë në  ato momente, prej tij, do të ndjehej ose më saktë do të përjetohej gati çdo frazë e çdo kujt tek fliste, bile gati të imitonte edhe lëvizjet e buzëve të personit. Vetëm pak përpjekje do t’u duhej të ftuarve dhe ai do të çonte kokën. Pasi kryente disa lëvizje të shpejta të saj, si ato bishtat kur kapin prenë e tyre, fillonte me një histori të shkurtër. Shumë të tilla i tregonte në një kohë rekord. Të gjithë sa ndodheshin aty, për shkak të trajtësimit të shpeshtë të fytyrës, të shoqëruara me lëvizjeve  trupore të shumta, do të kalonin në ekstazë. Vetëm qeshje dhe humor i pa ndalur. Pra gjithë koha e pas-taj-me do të konsumohej me humor të ndërsjelltë prej të gjithëve. Drejtuesja e emision nuk do të mundej ta zotëronte situatën. I ftuari, humoristi do të kalonte kufijtë e gjithçkaje

Përveç zërit të cilin e përshtaste bukur, ai luante mrekullisht me fytyrën ku me pak truk mbi të, do të shfaqej portreti i personit që imitonte.  Kjo ishte jeta e tij e përditshme, e vrullshme, e pandalshme ku edhe në shtëpi në të njëjtën formë do ta kalonte. Në fundjavë, si kohë të domosdoshme për t’u qetësuar, do të përsëriste jo vetëm batutat të aktruara bukur por gjithçka që përjetonte në skenë. Nga ato pyetjet e tij të çuditshme, të cilat nuk do të ishin  direkt çka ai po i kërkonte, ajo,  bashkëshortja e tij do të kuptonte se përse bëhej fjalë dhe ditët në vazhdim do të ishin të njëjta, të ngjajshme, monotone. Në një lloj forme ajo nuk do t'i kushtonte atë vëmendjen e përhershme. Jo vetëm që nuk e kishte atë ndjesinë  e bukur kur shtronte tavolinën por nuk e shikonte atë tërheqjen e dikurshme të fytyrës së tij simpatike dhe fjalët përkëdhelëse të shoqëruar me ato të puthurat në kërkim të mëtejshëm të trupit të saj. Ajo, stepja e saj, gati e përditshme e cila ndikohej nga ndryshimet në vazhdim të fytyrës, qafës, dhe gjoksit të tij po ja zbrazte shpirtin. Pas shumë kohësh të pa kuptuar ajo ndjeu se diçka nuk po shkonte mirë tek ai. Fytyra po i transformohej  pak e nga pak. Në formën si shtrëngon dhëmbët dhe nofullat. Në  buzët, se si puthiste me  njëra tjetrën i cili si veprim do të ndikonte edhe tek ajo, buzët e saj gati në të njëjtën formë do të puthiteshin. Atij kaq do t’i mjaftonte. Në një moment nga hutimi që ndjeu mbi fytyrën e të dashurës, bukuroshes, gruas së tij, i shkoi pranë. Ajo nuk reagoi. Ndoshta edhe nga mos dëshira. E përcjellë në formën më negative, veprimi i saj u shfaq brutalisht në fytyrën e tij. Ai turfulloi. U ngrit në këmbë. Bëri një rrotullim rreth vetes si për të caktuar të pa prekshmen zonën e tij duke u përpjekur të kalonte në rolin e aktorit, por për të vetmin moment nuk mundi të ngacmohej prej tyre. Mbeti i hutuar. U përpoq të lëshonte një nga ato të  bërtiturat interesante tek shfaqej në skenë para publikut. Nuk mundi. Në çast, në bebëzën e shikimit të tij, të gjitha ngjyrat ishin kthyer në bardhë e zi. Me pëllëmbët e duarve mbuloi sytë, veshët, faqet tek kishin filluar t’i skuqeshin. Mbështolli kokën dhe e la veten të rrëzohej. Reagimin e saj e ndoqi duke lëvizur veçse bebëzat e zeza të syve. Megjithëse ndjente qartë çdo lëvizje të saj, nuk mundej të reagonte. Në fytyrë po i shfaqej ajo çehrja e një njeriu jo të ndërgjegjshëm.

Thonë se tre ditë të mban ajo çka ndodh dhe nuk përsëritet. Ose në atë  numërimin mbrapsht, tre orë, ndoshta tre minuta, ose tre sekonda. Ose tre vjet për kohën e ardhshme. Por për bukuroshen e atij aktori të spektakleve të mrekullueshme kishte filluar numërimi mbrapsht.

Nga i gjithë ai debutim, gati që me krijimin e atij stacioni televiziv, në fytyrën e atij njeriu të mjerë do të shfaqeshin buzëqeshje të lehta e të shpeshta të shoqëruara me lëvizje të ndryshme të trupit. Ndoshta  përtej reales po e thërrisnin personazhet e shumtë të tij.

 

 

 

 

 

 

PUSHTUESIT

 

Babai nuk lodhej as edhe  një herë të na tregonte ngjarje dhe histori të ndryshme nga fëmijëria e hershme e tij si edhe nga koha e pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania naziste ku në të cilën kohë, së bashku me shumë meshkuj fëmijë e deri të moshuar, ata i çuan në Gjermani për krah pune. Babai ishte emocional dhe kishte vetinë të shprehej bukur e me shumë humor. Të shumta ishin ato histori që ai na i tregonte dhe ne do t’i dëgjonim me ëndje. Me sa mbaj mend isha i vetmi që qeshja më shumë duke e lëshuar veten të rrëzohesha prej saj. Në  atë kohë, për të cilën rrëfenjëz do të tregoj, të cilën e pëlqeja shumë, Piqerasi ishte qendër administrative, pra Komuna e Bregdetit të Poshtëm. Me shkollë, xhandarmëri, postë telefonike edhe hotel. Për këto arsye, që në momentet e para të pushtimit të Shqipërisë ata ngritën një pikë kontrolli në qendër të fshatit, diku mbi rrugën automobilistike. Jeta do të merte një dinamikë ndryshe. Burrat e fshatit sidomos ata më të vjetrit e zotëronin mirë greqishten edhe italishten pasi komunikonin shpesh për tregti me Korfuzin dhe brigjeve të detit Mesdhe. Papu Jorgon, gjyshin tim shumë vite më parë jeta e kishte çuar deri në Odesë. Ishte koha kur në Rusi revolucionarët e kuq kishin marë pushtetin dhe më tej në përpjekje të vazhdueshme për të shpërndarë teorinë e tyre mbarë Evropës të cilën gjë përmes humorit të tij ai do të fliste për ato që kishte parë e kishte kuptuar.  

Në çka do të rrëfej nuk do të merrem me luftën por me një dukuri njerëzore midis pushtuesit ose më saktë ushtarit italian dhe njerëzve të thjeshtë. Ata ishin të këndshëm, të komunikueshëm dhe shpesh në kafenetë e pakta të fshatit uleshin për të pirë kafe të shoqëruar me “una grappa albanese”. Fëmijtë, më të shkathëtit do të këmbenin diçka me t’a veçse të dëgjonin atë gjuhë të cilën përpiqeshin ta përvetësonin sa më shpejt. Pa le ato këngët e tyre të bukura. Edhe babai im do të rrëmbente fshehurazi ndonjë vezë nga shtëpia veçse të komunikonte me ta. Ndërkohë edhe ata ushtarë, gati pa armatim në brez, “vidhnin rrush e fiq” nga jashtë ledheve të shtëpive.  Për të gjitha çka po shkruaj duhet t’i besoni sepse ka ende njerëz, pavarësisht të brezave të më vonshëm, si shumë të tjera i mbajnë mend ato histori. Edhe për një fakt tjetër, kur Italia kapitulloi  ushtarët e mbetur u strehuan në shtëpitë e fshatit duke ngrënë, duke fjetur e punuar së bashku. Ata përsëri, shfaqën edhe një herë virtytet njerëzore të racës së tyre. Por ajo që dua të tregoj, është ai veprimi njerëzor që ata kryenin. Në vaktin e drekës, pothuajse çdo ditë fshatarët do të shkonin të merrnin ushqim. Herë herë edhe veshmbathje siguronin. Ishte kohë lufte, të ardhurat familjare ishin të pakta. Të pakët ishin edhe ata që ishin në gjendje të mirë. Nuk vazhdoi shumë ajo situatë pasi forcat partizane të organizuara në formacione luftarake filluan të kryenin aksione edhe në këto zona. Një ditë babai nga vrulli i ngjarjeve të shumta pasi ai, ideali komunist po përhapej me shpejtësi, tek po kthehej në shtëpi i thotë paput, gjyshit tim se desh të shkonte në mal të luftonte. Ai e pa me ironi dhe duke lëvizur dorën aty përpara i thotë; Shko more shko. Shko e mbush kusinë me makarona se me bark bosh nuk luftohen italianët.