Δευτέρα 17 Φεβρουαρίου 2020

NDËSHKIMI


                                              
        
Ai ndryshim i madh që kishte nga vërsniku, shoku i lagjes dhe i shkollës kishte nisur që nga fëmijëria e tij e hershme. Ishte një ndryshim që e shoqëroi në çdo moment të jetës. U përpoq por e kishte të pamundur t'i shmangej. I ndodhur nën ndikimin e ndihmës që ai shpesh i jepte, të cilën ai e kishte të nevojshme, diku aty brenda gjoksit të tij si kancer i rritej urrejtja për të. Në ato përballje të vazhdueshme me shikimin e tij të butë e tepër njerëzor, tek mundohej t'i shmangej, ndjente sikur ai ja kishte lexuar mendimet. Dhe qenia trupore i tjetërsohej  menjëherë duke e çekuilibruar sistemin e tij të formulimit zanor të fjalës. Në pamundësi, e paralizuar brenda asaj zgavre që quhej gojë tek hapej dhe mbyllej tmerrësisht keq gjuha nuk i kapte pozicionin e duhur për artikulimin e shprehurit. I rishfaqej difekti fëmijnor i ngecjes së fjalës e cila e ndëshkonte herë pas here.
Duhet larguar prej këndej i thoshte shpesh vetes dhe sa më larg të jetë e mundur ndoshta edhe në burg. Megjithëse e ndjente se nuk kishte mundësi të realizonte një veprim të tillë, kjo ishte përgjigjja e shpeshtë tek dialogonte me vetveten. Ajo gryerje e vazhdueshme që i kishte pushtuar gati gjithë trupin e përbërë prej dy elementësh frikës dhe hakmarrjes po e çonin në ekstremet e të menduarit. Shpesh në ato që mendonte, zhurma e përplasjes të çekiçit mbi tavolinë prej gjykatësit duke i dhënë dënimin më të ashpër, do t'i jepte kënaqësinë më të madhe, atë të mposhtjes së tij. Por në atë përballim të përditshëm shikimesh me të, për të kuptuar se kush do të mbijetonte, përsëri do të ndjente timbrin e veçantë të zërit të tij sikur i thoshte “po pastaj.”
Mendimi se duke e  zhdukur prapa hekurave, portave të rënda dhe viteve, do ta harronte atë fytyrë. Por frika e ndodhur brenda formimit të tij biologjik po bënte punën e vet. Gjatë ditës me çdo person që përballej, ajo fytyrë do t'i shfaqej. Natën vonë, tek shtrihej për të fjetur i shqyeshin sytë nga tmerri. Në brendësi të dhomës së gjumit, në ato dritë-hijet e zbehta tek lëviznin e merrnin trajta të ndryshme përsëri  buzëqeshja e tij do t'i shfaqej.
        Në një nga  netët në vazhdim, vonë, duke u përpjekur ta largonte gjumin,  ndjeu një masë ajri të hynte nëpërmjet portës dhe dritares. Një ndrithërrimë e shpejtë i pushtoi trupin duke ja shtuar edhe më shumë ankthin dhe frikën. Në një ngjyrë të cilën nuk mundi ta përcaktonte, duke  i tërhequr vëmendjen kryejti disa lëvizje të çuditëshme e të pakuptimshme. Në çastin e parë ndjeu t'i bllokohej frymëmarrja  dhe më pas shikimi. Ajo masë në të zezë, duke i kapërxyer honin e grykës, u shpërnda në brendësi të tij duke ja mar të gjitha ndjesitë njerëzore. Mes asaj shurdhmemecërie dhe errësirës të plotë që kishte pushtuar dhomën i u shfaq fytyra e tij duke i buzëqeshur.  

Σάββατο 18 Ιανουαρίου 2020

"LUKRECIA"

    Megjithë kërshërisë dhe ndodhjes disi në distancë për të parë se çfarë po ndodhte matanë atij muri ku vetëm ndjesia e dëgjimit do t'u jepte atë  mundësi, prej klientëve të përhershëm gjithçka u ndoq me vëmendje. Nga ajo skenë u shijoi tej mase rakia Si fillim ishin disa rrëzime dhe thyerje pjatash. Në vazhdim, një shtytje tavoline e shoqëruar me  ngulçima, pasthirrma dhe ngatërresa frymëmarrjesh. Kjo gjendje vazhdoi deri kur u dëgjua një shtytje edhe më e fortë tavoline e shoqëruar me shpeshtimin e nguçimeve të tyre që shkonin gati në hungërima. Pas të gjithave që ndodhën ra qetësia. Ajo, tek u ngrit prej vendit ku ndodhej ende e shtrirë përmbys, e cila ishte tavolina që përgatiste ato ç'ka do të servirte për klientët e ditës, u përpoq të rregullonte rrobat e trupit. Në përballimin me të, atë ç'ka përjetoi e cila ende i shfaqej në bulëza djerse mbi lëkurë, e fshehu menjëherë duke treguar natyrën e përhershme, harbutërinë ndaj meshkujve. Duke dalë vrullshëm prej andej i u kujtua çasti kur ai u shfaq aty për herë të parë. Në ato, çaste gjithçka që ekzistonte në fytyrën e tij ripërsërisnin emrin e saj të cilin nuk e pëlqente, Lukrecia, Lukrecia... U kthye nga ai dhe me një goditje dore në ije i dha të kuptojë se deri në rastin tjetër që ajo do ta dëshironte, ai ishte i pa vlerë për të duke pëshpëriur një shprehje gati të përsëritur "qafë derr i dreqit". Pas të gjithave që ndodhën u sul përpara dhe qëndroi si triumfatore tek hapësira që ndante sallën me pjesën që shërbente, shtyu perde ndarëse dhe hodhi  një vështrim të shpejtë mbi të gjithë. Fytyrave të hutuara, të atyre mjeranëve që lënin çdo qindarkë në lokalin e saj vetëm e vetëm që t'i ndodheshin pranë, u dha të kuptonin se nuk kishin asnjë shpresë në atë ç'ka ëndëronin. Duke lëvizur mes tyre, për veç rakisë, nisi t'u falë nga një përkëdhelje të lehtë.

      Ikjes së tij tek po dilte prej andej nuk i kushtoi rëndësi por sipas mënyrës të saj mendoi se duhej t'i tregonte se kush ishte. Dëgjo këtu ti zotëri i u drejtua. Herën tjetër kur të kalosh këndej nuk do të më thërrasësh me atë emër. Nuk më pëlqen. Ajo tjetra, e vërteta, me gjithë atë mbiemër të çuditshëm dhe histori të ngatërruar mediçe, dobiçe a ku ta di unë, mes parfumeve e shërbëtorëve të shumtë të cilës do t'i duhej një orë për të zhveshur ato rroba palë-palë, kurse unë ja vetëm me një komçë dhe gati. Dhe më pëlqejnë aromat e guzhinës time. I vure re këta bukuroshët e m'i se si i lëpijnë gishtërinjtë dhe nuk do të më ndronin me asgjë tjetër. Duke i hedhur një shikim të shpejtë llërëve dhe trupit të saj të bëshëm vazhdoi; Keçe më thërrisnin në vogëli. Keçe më thërrasin edhe këta. Keçe Bardhoshja.   
                                   




Τρίτη 14 Ιανουαρίου 2020

NË STUDIO


                                               

  Ai hapi derën dhe me kujdes zgjati kokën në  brendësi të saj. Si fillim kaloi njërën këmbë. Më pas sëbashku me trupin edhe tjetrën. Heshtja karakteristike që zotëronte ato momente qetësie i pëlqente vazhdimisht. Ndoshta ishte kjo arsyeja që vinte me vonesë. Pa u përpjekur për të gjetur vend, pasi gjithë hapësira e studios nuk ishte e bollshme e ngriti kavaletin diku pranë derës ku prej andej u përballua me shpinën e modeles. Në këmbë, mbi një podium të improvizuar dhe me duart e mbërthyera mbi një tubo hekuri ajo sikur priste urdhërin të kryente një lëvizje të shpejtë. E kopsiti letrën e vizatimit mbi kavalet duke kaluar pëllëmbën e dorës mbi të. I turbulluar nga disa gota me konjak të rrëkëllyera me shpejtësi para se të shkonte aty, po përpiqej të përqëndrohej. Picëroi sytë disa herë duke e shoqëruar atë veprim me një lëpirje të shpejtë të buzëve. Gjuha e tij  në një ngjyrë vishnje gati të errët, pas atij veprimi u zhduk në brendësi të gojës. Instiktivisht, kaloi edhe njëherë pëllëmbën e dorës mbi fletën e vizatimit si për të vërtetuar nëse ai terren  do të ishte i përshtatshëm për lëkurën e saj të brishtë. Duke kryer me kënaqësi mbi buzë atë lëvizjen interesante të gjuhës, në qendër të letrës të vizatimit hoqi një vijë gati vertikale. Aty do të shfaqej lëvizja trupore e saj në atë përpjekje për t'u rrotulluar rreth atij metali të shndritshëm. Pa filluar ta konturonte mbi letër, sikur ndjeu t'i kalonte mollëzën e gishtit të madh mbi ullukun e mishtë të shtyllës kurizore. Ai ishte një veprim që e kryente shpesh kur punonte. Ishte një veprim gati i mistershëm që do t'i shërbente për ta hedhur me saktësi atë lëvizje të vështirë. Diku poshtë kokës të përcaktuar me një rreth të shpejtë, hoqi një vijë horizontale të lehtë e cila më pas do të tjetërsohej në shpatulla, supe dhe duart në vazhdim.
E ngacmoi çdo pjesë trupore e saj. Filloi ta kundronte me kërshëri.  Koka dhe qafa e gjatë tek nisej e mbështetej tepër çuditshëm midis shpatullave.  Me duart e mbërthyera gati në të njëjtën lartësi mbi atë hekur të ftohtë të cilat do të shërbenin për të ekuilibruar lëvizjet dhe peshën trupore të saj. Nga të gjitha këto lëvizje që ajo do të kryente do të shfaqte veçantinë e saj femërore. Përveç thithkës të pa përfillshme në aq sa shfaqej nga ana tjetër e krahut, do të ndjente edhe një pjesë të gjoksit. Duke ushtruar disi më shumë peshë me njërën këmbë mbi podiumin prej dërrase, vithet jo tendecioze, sëbashku me trajtën e trupit po shfaqnin edhe më shumë delikatesën e saj femërore. Bëri tre hapa të shkurtër duke ecur mbrapsht. Duke kryqëzuar duart i hodhi një shikim të vëmendshëm punës mbi letër dhe modeles. Në atë formë si lëvizi kokën deshte t'i thoshte vetes se diçka kishte realizuar. Tek hodhi sytë përreth vuri re përqendrimin e të tjerëve mbi modelen. E ktheu mbrapsht fletën e vizatimit dhe pa zhurmë doli.
Njëzet metra nga objekti ku në katin e dytë të tij kishin studion, ndodhej lokali tek i cili konsumonte pijen e tij të preferuar. Nga ai lëng, dy teke të shpejta ishin për tu kthyer. Si gjithmonë pas atij veprimi, duhej të bënte edhe një lëvizje të shpejtë të gjuhës mbi buzë. Duheshin shijuar edhe pikat e fundit. I përhumbur, tek po kthehej ndjeu një zhvillim të ri brenda vetes. Në mundësinë e interpretimit krejt ndryshe të asaj pune. As vet nuk e kuptoi se ç'farë po ndodhte me të. Kësaj here do të hynte në studio i pa kujdesshëm dhe do ta lëshonte derën të përplasej. Ajo kërcitje e thatë pas shpinës gati do ta shkëpuste nga ai ngacmim i çmendur. Duhej të ishte sa më i vëmendshëm karshi asaj që po përjetonte. U ndodh përpara kavaletit. Pa menduar nëse do të mundte mori lapsin. E ndjeu veten keq. Ndodhej shumë larg asaj që mendonte. E ktheu letrën e vizatimit në mënyrën më të pavetëdijshme duke e kopsitur sërisht me ato pineska të vogla dhe kaq. Ngacmimi që pati ishte ende i freskët por që nga mendimi deri tek maja e lapsit ndoshta ishte shumë larg. Ja, pa e kuptuar ndjeu ta tjetërsonte. Çdo pjesë e trupit të saj po përshtatej në figura gjeometrike. Ishin figura që lëviznin vertikalisht gati në një kohë. Në vazhdim, me një frikë të madhe, përtej fantazisë, në atë që po guxonte, morën një dimension të ri, ku gati të gjitha pjesët trupore të saj do të shfaqeshin në një plan. Sigurish, duke i ngacmuar me një dritë-hije të lehtë për t'u dhënë kohën dhe vendin e duhur. Ndjeu edhe diçka ku të tjerët nuk do ta kuptonin, lëvizjen e saj mbi atë tub metalik të shndritshëm të cilën ajo as edhe njëherë nuk e kreu.

Τρίτη 15 Οκτωβρίου 2019

MANASTIRI I Shën GJERGJIT DHE STELA E VOLLODERIT


                                   Qershor 1976

    Ora 8-të e mëngjesit na gjeti në Manastirin e Shën-Gjergjit në Volloder. Manastiri është një objekt jo i madh, i ndërtuar në vendin më të përshtatshëm pasi diku rreth 20m larg dhe më lart prej tij, në krahun e majtë kur e sheh nga rruga automobilistike Sarandë Bregdet ndodhet një burim i cili prurjet e tij më të shumta i ka në dimër. Muri rrethues është i dëmtuar rëndë dhe mund të kalosh në brendësi të tij nga çdo drejtim. Mbi portën e kishës e cila ndodhet me shikim nga rruga automobilistike ka të vendosur tabelën e vogël prej llamarine në ngjyrë blu që e cilëson atë si objekt kulture. Si në të gjitha këto objekte edhe aty është vendosur një portë e hekurt. Me gjithëse fletët e saj ishin të mbyllura, dryni aty nuk ekzistonte. Κaluam në brendësi duke i tërhequr ato nga jashtë. Keqardhja që pësova ishte tepër e madhe. Megjithse nuk besoj në atë që thonë për Zot e Krisht, në atë që shoh tek prindërit e mi, në jetën e përditëshme për ekzistencën e tyre, pikërisht tek ndjesia se ajo ishte pjesë e jetës që ata kishin kaluar me këto simbole, më ligështuan. E dija se ky manastir për bregdetarët ishte një simbol bashkimi për ta. Veçse në një kohë tjetër. Sot mund të shikosh tek-tuk kavanoza të vegjël qelqi të ndezur, të vendosura fshehtas.
E gjithë ajo hapësirë brenda, sheshi ku ne kishim shkelur me këmbë e deri tek ajri që po thithnim ishte tepër i rënduar nga era mbytëse pasi ai ambient përdorej për të strehuar bagëti të imtë. Në mure  ndjehej dhuna e vazhdueshme e ushtruar mbi to. Që nga ikonostasi, tek portretet e shënjtorëve.Gërvishje të shumta dhe emra të ndryshëm për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Me gjithëse herë pas here e vështroja heshtur Sofon* për të kuptuar se ç'farë po ndjente ai në këto çaste, unë për vete isha tepër i dërmuar. Ndoshta për vet faktit të karakterit tim të ndjeshëm.
      Dolëm prej andej duke i hedhur një shikim të gjithë terrenit ku ishte ndërtuar manastiri me murin e rrethimit dhe ato pak ambiente që shkojnë drejt degradimit. Vendodhja e tij ka orientim jugperëndim-verilindje
Qëllimi ynë nuk ishte vetëm manastiri por edhe ato ngritje të buta, të ndodhura përgjatë rrugës automobilistike poshtë saj, të cilat zbresin ëmbël deri në fushë. Kur kishim shkuar një herë në Finiq, në krye të kodrës ku është ndërtuar akropoli i Foinikes, pasi sot ka vetëm disa fragmente e trakte muresh  të asaj mrekullie, ndjemë atë çka zotërohej prej andej nga shikimi ynë. Nga ajo lartësi, gjithçka e kishe në pëllëmbë të dorës. E ngritur gati në qendër të asaj fushe të begatë, duke bërë një rrotullim 360’ kontrolloje gjithë hapësirën që të zinte syri. Nga ekspeditat informative të kryera, ajo nëntokë e pasur me material të bollshëm arkeologjik nuk do të na lënte as edhe një herë duar bosh, ku të cilat pothuajse do t'i përkisnin periudhës të shek. III-II p.e.sonë. Edhe këtu në Volloder në kurizet e këtyre ngritjeve të vogla do të shfaqeshin objekte arkeologjike. Para gërmimeve për tarracimin e asaj zone mbi sipërfaqe do të gjeje me lehtësi mbetje qeramike. Kur filloi tarracimi i tyre, kovat e mëdha të eskavatorëve thyen e copëtuan pa pikë mëshire çdo gjë që kishte qëndruar në heshtje për mijra vjet. Pjesë vazosh, pitosash dhe enë të përdorimit të përditshëm. Edhe ato dy tre vare të zbuluara nga gërmimet e eskavatorëve ishin të dëmtuara tmerrësisht keq. Në  pjesën ku kryhet shkallëzimi midis dy tarracave me një lartësi afër 0.50 m, po thuajse po aq larg burimit prej manastirit, ndjehej pjesa e sipërme e një guri gëlqeror të punuar nga dora e njeriut. Me mjete rrethanore e zbuluam dhe e nxorëm në sipërfaqe. Ishte një stelë varri me lartësi afër 1.05m. dhe gjerësi 0.37m. Trashësia e saj shkonte në 0.10 m. Nga pjesa e sipërme e faqes ballore ka një fronton në formë trekëndëshi dybrinjëshëm ku në kulm të tij lartësohet një gjethe në formë koni. Poshtë këtij trekëndësi ndodhen dy vija paralele të ndara në kuadrate të vegjël jo shumë të thellë. Më poshtë ndodhet mbishkrimi në dy rrjeshta ΝΙΚΟΛΑΟΣ ΑΝΤΙΠΑΤΡΟΝ (Nikolau Antipatru). Gërmat kanë një lartësi prej 2cm. Në qendër të stelës ndodhet vendi bosh ku vendosej sipas porosisë një relief në baltë të pjekur. Anash tij zbresin dy kollona të gdhendura. Besohet se stela i përket shek. III-p.e.sonë dhe ka ngjajshmëri me ato që janë gjetur në nekropolin e Finiqit.
Duke kërkuar, aty pranë ndjeheshin mbi sipërfaqen e tokës fragmentet e një ndërtimi me përmasa 5x5 m të ndërtuar me gurë. E shtrirë në bazë të terrenit, në pjesën më të lartë kapte 0.75m. Është i ndërtuar me blloqe gurrësh kuadratikë, në fuga të drejta të puthitura mirë me njëri tjetrin në të thatë. Trashësia e tyre shkon nga 0.5cm në 0.10cm. Kudo përreth përveç mbetjeve të shumta në qeramikës shfaqen varre të shkatëruara. Një pjesë e tyre të ndodhur në gjendje disi të mirë janë me orientim veri-jug. Ata kanë përmasa të ndryshme ku shkojnë nga 2.10m në 1.20m gjatësi dhe me gjerësi përsëri të ndryshme nga 0.80m në 0.40m.  Edhe thellësia e tyre ishte e ndryshme. Varret ishin të mbuluar me rrasa guri gëlqeror. Në brendësi të tyre u gjetën skelete të dëmtuara, të vendosura direkt në tokë në shpinë dhe me duar të kryqëzuara përpara. Ato janë të gjitha pa inventar ndërkohë që jashtë tyre ka material të mjaftueshëm të përdorimit të përditshëm.
Duke menduar se ky material të jep të kuptosh se jeta përreth ekzistonte që prej shekullit të III-p.e.sonë ndoshta duke vazhduar deri në shekujt e parë të erës sonë, kjo hapësirë mund të vërtetohet si një varrezë kolektive. Këto ishin mendimet e Sofos për gjithçka që pamë e zbuluam aty.
Stela duhej marë prej andej. Ishte shumë e rëndë. Na lodhi sa e çuam lart tek rruga. Me një mjet të rastit dhe sëbashku me një pjesë të vogël qeramike i dorëzuam pranë qëndrës arkeologjike në Sarandë që ndodhet tek kryqëzimi i martenitetit. Më vonë ajo u ekspozua tek muzeu me mozaik në qendër të qytetit, në katin e parë të ish PTT-së.  Më pas Sofokliu me ato që kishte mbajtur shënim e çoi për botim tek gazeta “Fitorja.”    


*Sofo- është emri i shkurtuar i shokut tim të përhershëm Sofokli Liti. 







Παρασκευή 13 Σεπτεμβρίου 2019

ANTEFIKSI I PLLAKËS


          
     Na lajmëruan se gjatë gërmimeve mbi shkollën 8-vjeçare në fshatin Pllakë dolën në dritë  pjesë muresh të një banese. Duke qenë të njohur në të gjithë zonën, lajmi i parë i daljes në dritë të objekteve të tilla vinte tek ne. Aty shkuan pas dy ditësh. Nga rruga ku na la autobuzi deri tek shkolla e cila shfaqej në krahun e djathtë, në vijë të drejtë objekti ndodhej rreth 200 m larg. Prej andej kaluam midis disa tarracimeve të gjera të terrenit që shkonin në ngritje. Tek shkolla na priste po ai mësues që na kishte njoftuar. U përshëndetëm me të dhe përnjëherësh shkuam tek vendi ku kishin dalë mbi sipërfaqe pjesë të objekti në fjalë. Gjatë vëzhgimit vurëm re murret e një banese, dy varre si dhe një grumbull të mjaftueshëm enësh të përdorimit të përditëshëm. Gjithashtu edhe dy kollona të fragmentuara me diameter 0.30 m. Mbi to ndjeheshin dhëmbët e kovës të skrepit të cilin po ai mësues e kishte ndaluar të vazhdonte gërmimin.
Gjatë matjeve që kryejtëm banesa kapte përmasat 15x15 m me një hyrje nga ana perëndimore. Muret e saj ruhen deri në lartësinë 0.50m. Janë të ndërtuar me blloqe gurrësh të mëdhenj me përmasa që lëvizin nga 1.20 x 0.80 x 0.30 m dhe 1.00 x 0,80 x 0.50 m të lidhur në të thatë, pa llaç. Kanë një trashësi nga 0.30 m në 0.50 m
Me një shikim të lehtë, jashtë banesës ndjehej materiali i bollshëm qeramik dhe trakti i një muri. Ai ndodhej në anën perëndimore të banesës, dy metra pranë hyrjes me drejtim nga veri-perëndimi. Gjatësia e tij shkonte në 4m. Gjatë kërkimeve që kryem vumë re një numër të madh fragmentesh qeramike. Fragmente pitosash me grykë të gjerë e me buzë të sheshta dhe sidomos pjesë amforash,vorbash dhe kupash.
Duke vëzhguar terrenin, gati me të njëjtin material u ndeshëm edhe në kodrat përreth. Aty  gjetëm një antefiks prej qeramikë të pastër në okër. Ajo kapte përmasat 0.24 x 0.29 x 0.03 m. Në të paraqiten dy kuaj në kulm të vrapit të cilët janë duke tërhequr një karro.*
Pranë banesës zbuluam dy varre. Varri i parë ndodhet  në jug të banesës, jo shumë larg prej saj. Ai ka formën e një arke të ndërtuar me rrasa guri gëlqeror, tre prej të cilave shërbenin si mbulesë dhe ishin mjaft të dëmtuara. Kapte përmasat 1.00 x 0.55 m me thellësi 0.60 m. Kishte orientim jug-perëndim. Skeleti ishte i dëmtuar dhe ndodhej i shtrirë me shpinë e me  gjymtyrë të tendosura përgjatë trupit dhe duar të kryqëzuara para barkut. Kokën e kishte të mënjanuar nga jugu. Skeleti shoqërohej vetëm nga një fibul bronxi.
Varri i dytë, ndodhej jo shumë larg të parit  nga ana veriore. Ai u zbulua nga hapja e një kanali vaditës. Edhe ai ka formën e një arke  të ndërtuar me rrasa guri gëlqeror, ku pllakat e të katërta anëve ishin të plota ndërsa e pesta që shërbente si mbulesë ishte mjaftë e dëmtuar. Ka përmasat 2.10 x 0.97m me thellësi 0.90 m me orientim verilindje-jugperëndim. Skeleti ndodhej i vendosur drejtpërdrejt në tokë i cili shoqërohej nga disa fragmente enësh të shpërndara në të gjithë varrin.**
Si gjithmonë, në bazë të materialit arkeologjik të zbuluar pranë fshatit Pllakë Sofokliu do të përcaktonte, datonte si kohë më të mundshme periudhën antike shek. III-II p.e.s. kohë në të cilën këto kodra mund të kenë pasur ndonjë vilë ose tempull. Prej andej morëm antefiksin dhe fibulën prej bronxi të cilat i dorëzuam në qendrën arkeologjike. Nga qendra nuk u ndërmor asnjë veprim për të shkuar në Pllakë.

*Antefiks-Eng-Alb. Fragment objekti në qeramikë.                                                                                       
                            
                                   25 Shkurt 1987


*Artikullin për zbulimin e këtyre objekteve e botuam në gazetën “Bashkimi” datë 1 Mars 1987.                                   
**Gjatë rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik të Butrintit, në vitin 2005, të gjitha efektet dekorative si në gips edhe në kolor, i zbatova me grupin tim të punës. Aty vura re të ekspozuar Antefiksin e Pllakës. Ai, në katalogët e muzeut cilësohej si objekt i gjetur në Butrint. Duke pyetur një nga specialistët që po kryenin sistemimin e vitrinave, përgjigjja e tij ishte se do të mbetej si objekt i zbuluar aty. Nuk mund të kryhet ç’regjistrim. Këtej e tutje ai quhet objekt i gjetur në Butrint. Për fibulën e bronxtë nuk kishte as edhe një informacion.

Παρασκευή 12 Ιουλίου 2019

''BISEDË BURRASH''

                     Për ata që (s)merren me ngjyrën e flokëve të grave.

Në kariken që ndodhej më pranë murrit rrethues të bar-lulishtes, në aq sa kuptohej si e thërrisnin, ai ishte doktor. Një nga kirurgët  më të vjetër e qytetit. Në atë çast, si shumë herë të tjera  ai tregonte për operacionin e fundit të ndodhur kohë më parë. Tjetri, i ndodhur në krahun e majtë  të tij, ishte inxhinier. Edhe ai nga më të vjetrit e qytetit. I mbështetur me të dy bërylat e duarve mbi tavolinë kishte lëshuar peshën e trupit jo pak të rëndë mbi to. Turi varur. Kuptohej menjëherë se me mendje ndodhej diku tjetër. Personi i ulur përballë të dyve ishte peshkatar. Ai fliste veçse për detin, ''Pulëbardhën," barkën e tij dhe ç'ka sillte pas gjuetisë. Ishte me të vërtetë peshkatar i zoti dhe kuptohej se veçse ai mund ta shtronte atë tavolinë. Shkonte afër të pesëdhjetave. I ajthët por me trup të lidhur.  Dikur tepër muskuloz.
  Lëkura e tij, në pjesët më të dukshme të trupit dukej si ajo copa e shollës e futur në ujë. Në atë përballje, ku ai shpesh shfaqte krenarinë e një njeriu të zot, mund të shihje vërtet atë copën e shollës të ngjitur më së miri në fytyrën e tij. E punuar, e ngjeshur me merak pas saj, të krijonte përshtypjen se përpara teje ndodhej një qenie ujore e sapo dalë nga deti. Në sytë e shqyer, vetullat e tendosura dhe flokët e çakaritur të lagur nga djersët që i venin çurg nga pija dhe vapa e madhe, ndjeje se diçka kishte dëshirë të shprehte. Ishte një moment ku buzët i kishte mbërthyer aq fort me njera-tjetrën sa të krijonte përshtypjen sikur kishte dëshirë t'i ngacmonte  miqtë e tij, të bënte pak humor. Drejtoi trupin në çast dhe pa lëvizur shikimin nga ku e kishte hedhur, me një zë gati në të çjerr  ju drejtua të dyve duke i pyetur  në se i kishin bërë “detyrat e  javës.” Tepër çakërqef si gjithmonë doktori i kthehet menjëherë; se, për cilat detyra po i fliste. Duke drejtuar trupin pa i shkëputur duart nga tavolina ai u lëkund së bashku me të. U ngërdhesh në fytyrë dhe e lëshoi trupin në pozicionin e mëparshëm. Unë sot kam radhën, vazhdoi të fliste duke u krekosur peshkatari. U mundua  të pastronte bluzën mbi gjoks nga mbeturinat e peshkut që po konsumonte  me miqtë e tij. Duke lagur gishtin e madh të dorës me pështymë, zakon i vjetër, pastroi e shtroi  me gishtat e tjerë vetullat dhe palët prej lëkure që i binin mbi sy. I thashë që ta ketë gati “pulën e zezë.” E di ajo si bëhem kur largohem shumë nga shtëpia. Cilën “pule te zeze” o njeri i mirë, ja ktheu inxhinieri duke përsëritur prapë atë ulje-ngritjen e trupit të tij të rëndë duke e shoqëruar më pas me varjen e buzëve.  Ndërkohë doktori kishte  mbetur me të dyja duart të mbështetura në tavolinë përballë njëra tjetrës.Të krijonte përshtypjen sikur në ato çaste  po  vendoste për zgjidhjen e  konfliktit të dikurshëm, të ndodhur në kanalin e Korfuzit pasi shikimi i tij ishte hedhur tej horizontit, tek shfaqej ai ishull i madh. Kam më se dy javë larg saj vazhdoi atë që kishte lënë për gjysmë peshkatari. E di vet ajo. .Është një naze madhe por prapë...More, nisi të flasë doktori, i cili ndodhej me duart e mbështetura ende mbi syprinën e tavolinës, ajo imja e ndryshoi ngjyrën e kokës, e bëri bionde. Po ''pula'' e saj vazhdon ta ketë të zezë ngjyrën.… Inxhinieri duke përpëlitur sytë ngriti njërën dorë nga tavolina dhe pa e shkëputur bërylin prej saj, u mundua t'i fërkonte ata por humbi ekuilibrin. Nga pesha e trupit të tij të rëndë desh thyejti mjekër e çfarë kishte tavolina mbi vete. Dhe aty me gishtin tregues, duke e drejtuar herë tek njëri e herë tek tjetri sikur u hakërrehej vazhdoi: Koka e asaj zonjës time është zbardhur e është bërë na a a, borë e bardhë. Po  “pula” e saj a e gjeni dot se çfarë ngjyre ka sot. Nuk priti përgjigje prej tyre por u ngrit prej karikes duke i lënë si guak të dy ku më tepër peshkatari i pulëbardhës po e përjetonte më keq atë çast. Kërkoi të fuste duart në xhepa por nuk mundi. Tek po përpiqej të shkonte i pa edhe njëherë me inat të dy miqtë e tij të vjetër. E kaloi rrugicën ndërmjet tavolinave duke u lëkundur.

Τετάρτη 3 Ιουλίου 2019

KULLA E VROJTIMIT NË NIVICË

Tek përballesh me peisazhin përgjatë Bregdetit të Poshtëm, që nga fshati Nivicë e fshatrat në vazhdim, vëren një reliev tepër të thyer e interesant. Një majë mali që ngrihet me vërtik midis detit Jon dhe fushës së Krekëzës nga juglindja. Diku në zemër të tij, të emëruar Shëndëlli nga vëndasit, ndodhet Nivica “Porta e Bregdetit.”  E gjithë kjo zonë  që fillon nga gryka e Brodanit e lë rrugën të lëviz lirshëm duke u ngjitur në shpatin e tij. Dhe sipas terrenit ajo vazhdon gjarpërimin për të dalë në qafë. Aty duke i qëndruar disi vjedhurazi detit është ndërtuar Shën Vasili. Më tutje, në shpatet juglindore të vargmalit vazhdojnë fshatrat e bregetit të poshtëm. Dhe instiktivisht syri i çdo udhëtari tek lundron me automjet do të kërkoj në pafundësi atë që nuk e ka parë në asnjë vënd. Kjo kënaqësi, do të vazhdojë përgjatë gjithë rrugës që syri do të zbulojë atë mrekulli natyrore që në fshatin e parë të bregdetit, Nivicë Bubari.
Në atë të përpjetë, syri ndjek me ëndje një reliev tipik mesdhetar, të mbuluar nga kurorat e ullinjve si mbi rrugë e nën të. Dhe mali duke u zbutur në çuka e brigje të buta, poshtë në këmbët e tij bashkohet me fushën. Diku atje, midis rrënjëve të malit të Shëndëlliut që përpiqet të gllabërojë fushën, në vendin e quajtur Krekëz fabrika e tullave me oxhakun e saj tek tymos vazhdimisht i ka ndërprerë rrugën duke ja mar pak e nga pak dheun për ta kthyer në tulla. Forma si është konstruktuar relievi këtu, të thërret ta vëzhgosh. 
  Në 1983 pas një informate, në Shën Vasil, mbrapa shkollës 8-të vjeçare, bashkë me Sofokliun gjetëm disa varre antike, me inventar disi të plotë dhe në krah të tyre gati buzë greminës nga ana që shikon kodrën e Finiqit, përsëri  gjetëm objekte me interes. Ato ishin të përdorimit të përditshëm të periudhës të Ali pashës. Me vëzhgimin që kryem krijuam bindje se ndërtimi duhej të ishte fortifikim ose kulle vrojtimi. Kjo ishte arsyeja përse e kishim në vëmendjen tonë atë zonë. Po i rikthehem prapë të përpjetës të Shëndëlliut. Nga ana e poshtme e rrugës nacionale, në vendin e quajtur nga niviciotët “Bregu i Argjirit,”një rrugë tjetër zbret më të poshtë për afër 100 m e cila të çon në kreun e një kodre pak më të veçuar, e me një lartësi më të madhe. Në krye të ekspeditës ishte Sofokli Liti, miku ynë i ri arkeologu Halil Shabani dhe unë. Bensi-n e vendosa në një vend ku më pas të manovroja për t'u kthyer. Në krahun juglindor në një distancë 20 m larg na u shfaq një shtëpi e ndërtuar kohët e fundit. Me një fjalë, faktori kohë dhe njeriu e kishin bërë të vetën. Kreu i kodrës dikur i sheshtë qe tjetërsuar. Zhvillimi i tepërt i bimësisë së egër sikur i kishte flakur tej ato mure. Nuk ishin më ato ledhe që shikonim dikur nga rruga. Atë që pretendonim nuk e pamë. Traktet e murit ishin të pakta. Ai ishte ndërtuar me gurë gëlqeror paralelopiped  të punuar në faqet  ballore dhe në dy anësoret. Pjesa më e madhe e këtyre gurëve ndodhej e shpërndarë në faqet e kodrës. Ato kapnin përmasa të ndryshme si 1.10 x 0.25 m, 0.90 x 0.25 m, dhe 0.75 x 0.25 m. Gjithashtu, midis tyre viheshin re edhe gurë më të vegjël që kapnin përmasat 0.50 x 0.20 m dhe  0.40 x 0.20.
Gjatë vëzhgimit, të shpërndarë mbi të gjithë sipërfaqen e kodrës, gjetëm dy lloj tullash me përmasa të pa përcaktuara plotësisht por të ruajtura mirë me trashësi prej 6 cm dhe me gjerësi deri në 25 cm. Në faqet lidhëse të tyre gjendet ende llaç gëlqeror me kokriza rëre të pastër. Ato kanë ngjyrë okër dhe brumi i tyre i përzier me kokriza rëre e zhavor të imët, i pjekur mirë e ruan ende fortësinë e tij. Ndërsa tullat e tjera janë të kuqëremta dhe më të holla nga të tjerat.
Duke u rikthyer tek kreu i kodrës kur dikur ngrihej ai ndërtim, me dëshirën për të gjetur edhe një material sa do të vogël, ndjemë se bazamenti i ishte i dëmtuar keq.  Gjithashtu nga ana jugperëndimore të zbuluara nga këto gërmime gjenden edhe disa rrasa guri shtufor me përmasa 1.10 x o.66 x 0.07 m. Mandje dy prej këtyre rasave janë ende të vendosura vertikalisht duke dhënë përmasat e një varri me orientim përsëri nga juglindja. Rreth tyre gjenden me shumicë parete enësh me brumë të kuqëremtë  dhe fragmente tjegullash me të njëjtin brumë si ato të gjetura në kullat e Çukës dhe të Vagalatit.
Qeramika përbëhet nga tjegulla të tipit kalypter (me hark) dhe solen (të shtrira) që luhaten në trashësinë 2.5 x 3 cm. Njëra prej tjegullave kalypter, jep edhe gjerësinë e plotë të saj, deri në 28 cm. Rreth gropës së hapur në qendër të kodrës, u gjendën edhe disa eshtra (kocka) që ka gjasa të jenë të inventarit të varreve të hapura.
Nga një kontroll i imët që kryem në sipërfaqet e pjerrëta të kodrës, mundëm të gjenim buzë pitosi (enë balte të përmasave të mëdha) që përbëhen nga brumë i kuqëremtë, parete amforash dhe enë të përmasave më të vogla prej balte që i përkasin përdorimit familjar. Në brumin e tyre ndjehet pjekja e fortë dhe e mirë.
Në këtë inventar me materiale ndërtimi prej gurësh paralelopiped në dy përmasa, tullat e ndërtimit dhe enët prej balte të përmasave të mëdha rezulton se kemi të bëjmë me një objekt dykatësh, me përmasa aq sa e lejon syprina (sipërfaqja e sheshtë e kodrës), 5 x 6 m.
Mbështetur në pozicionin strategjik të kodrës, ku diku në lashtësi kalonte rruga këmbësore dhe e karvaneve që lidhte pjesën qendrore të fisit të zhvilluar të Kaonëve, me shtegun e kalimit për në Bregdetin Jon,  nga Qafa e Pazarit në veriperëndim të saj, nga ku dallohet qartë kryeqendra e Epirit Foenike, si konkluzion doli se mund të ishte një kullë vrojtimi.
Në qoftë se do të ishte si një e tillë, kjo kullë vrojtimi në periferi, duhej lozte një rol me rëndësi në koinonin  (shoqërinë) e Foinikes. Andej merrej informacioni i të gjitha lëvizjeve që kryheshin përgjatë kësaj rruge që të çon në bregdetin e Jonit. Pikërisht, materiali arkeologjik i zbuluar ishte i bindshëm se datohet me shek. III-II para krishtit.  Atëherë kur edhe Foinike kishte arritur fuqizimin e lulëzimin e saj.
I gjithë ai material arkeologjik përkon me ato të gjetura edhe në  kullën e vrojtimit në Vagalat dhe me ato të banesës tip kullë në Çukë. Gjithashtu dy përmasat e blloqeve të gurëve në formë paralelopipedi dhe tullat e ndërtimit, janë të mjaftueshme për të na bindur se kulla përbëhej nga dy kate. Prej të gjithave sa u konkludua u krijua ideja e ekzistencës së saj. Më vonë, mes dy, tre skicave në laps, njëra prej tyre ishte e bindëshme për atë që pretendohej në grup.
Pikërisht, zbulimi i kësaj kulle të jep një mundësi për të aluduar se sikurse kulla e Vagalatit, Karalibeut dhe muri i Demës, vërtetojnë se edhe ajo do t'i ketë shërbyer unazës mbrojtëse dhe informacionit nga “unaza mbrojtëse “ e kryeqendrës e koinonit të Foinikes përgjatë shek. III-II para krishtit. Nga vendasit kjo kodër ka dy emërtime : “Bregu i Shën Argjirit” dhe “Bregu i Kullotës Krekëz”.                                                                  


                                                                                           13. 8. 2013