Τετάρτη 10 Μαρτίου 2021

MATUF-i

                                                

Në fakt, kjo shprehje e shokëve të tij të klasës tek e gjuanin me shkelma në të pasme e përpara, aty lart midis këmbëve, të cilit i mbahej fryma nga dhimbja e madhe,  u përdor për një kohë të gjatë edhe nga të tjerë. Të gjitha këto ndikuan në formimin e karakterit të tij. Do të thoni ju përse i ka ndodhur kështu atij njeriu...Kur Zoti formatoi racën njerëzore mendoi edhe për llojshmërinë e saj. Kur u dha porosia për të, që në aktin e parë seksual që kryen prindërit e tij, në më të parën ngjashmëri ishte gjatësia trupore që ai kapi dhe pothuajse ajo pak që quhet hija në fytyrë e mar nga ata të dy. Kur të ndodhet përpara, brenda një kohe tepër të shkurtër, busti i tij t'a ndryshon atë çka të pëlqen tek ai në qoftë se do ta quajmë kështu. Kërrusia. Pikërisht ajo pjesë përcaktoi identitetin e tij personal. Për shkak të asaj lëvizje që fillonte nga koka, qafa e cila vazhdonte përgjatë shtyllës kurizore ose e kundërta e asaj lëvizje, i kishin zhvendosur gravitetin trupor diku aty përpara këmbëve. Sikur edhe disa centimetra më tutje të zhvillohej ajo lëvizje, ai do të detyrohej të përdorte ndonjë mjet për të mos u rrëzuar si p.sh. bastunin. Tjetra, e cila detyrimisht do ta tjetërsonte pozicionin e qafës tek ja shtynte kokën më përpara, mjekra nga inercia e një sërë lëvizjesh do të zhvendosej edhe më tej duke i dhënë fytyrës së tij atë lloj paraqitje. Në çdo përballim me të tjerët, fytyra e tij do të ndodhej ose do të shprehej në dy mënyra. Si fillim në atë sikur po i thoshte tjetrit,  hë ke për të thënë diçka dhe po aty zotërimin e situatës. I mbushur me mllef nga “padretësitë e shumta” për të cilat nuk mund të fajësonte askënd, i vuri qëllim vetes  të mësonte, të bëhej i zoti për të përballuar jetën. Edhe arsimimin e lartë, të degës që preferonte, do ta mbaronte me nota të shkëlqyera. Do të mbahej si shembull por veçse shokë nuk pati pa le për ndonjë femër për të cilat do të lëngëzohej  deri në sipërfaqe të lëkurës. Në vitet kur ai po shkollohej, rinia mbarë vendit po formonte brezin më të arsimuar e cila me aq sa mundte shfaqte edhe bukurinë e saj. Ai do t’i ndjente të gjitha por veçse si gjithmonë i vetmuar, pa çka se do të ishte midis tyre. Me statusin e familjes intelektuale dhe si të devotshëm karshi politikave shtetërore të asaj kohe, do të gëzonte pozicionin e fituar. Dhe do të vinte një ditë që do të shfaqte ato që ëndëronte. U tregua i kujdesshëm në atë që pretendonte. E zotëronte  forcën e të shprehurit e cila ndjehej që në momentet e para por në vazhdim,  në të shumtën e rasteve, do të fliste veçse për veten ku shpesh, me atë qetësinë  e atij epiteti të trashëguar dhunshëm që nga adoleshenca, do të konsolidonte ato që pretendonte. Tek prezantohej në media e shkruara dhe vizive, përpara emrit do të shfaqte diplomat e titujt e shumtë të tij. Në të parën mundësi nuk do të reshte së foluri. Shpesh rrëmbente mendimin e tjetrit. Si prolog të ligjëratës do të shpaloste nxënësinë mendore e cila do të kapte pjesën më të madhe të kohës. Më pas do të përpiqej të shkatërronte logjikën e tjetrit. Të mendoje se ishin të qëllimshme ato veprime ishte e pamundur pasi ajo fytyra e tij prej një matufi të përhershëm nuk shfaqte as edhe një nuancë të tillë si të hipokritit, grindavecit ose të diçkaje tjetër. Ajo qetësia në fytyrë nuk të jepte as edhe një mundësi që ta lexoje atë çka ai mendonte. Gjatë gjithë kohës kur fliste do ta hidhte gjithandej  shikimin. Kur flitej për seksin tjetër shkëlqimi tek i  shfaqej në fytyrë do t'i shoqërohej me  një tërheqje të buzëve në krahun e djathë me sekrecione mbi to. Në ato që pëshpëriteshin  i kishte ngjarë të atit. Shpesh herë, aty midis këmbëve kur dikur gjuhej nga shkelmat e shokëve, një pikë nga ai lëngu mashkullor do t'i shfaqej mbi pantallona. Pozicioni, ose më saktë vendi i punës që ai zotëronte i krijonte mundësinë të përfitonte “diçka”. Ndërsa kohën postkomuniste do ta kapërcente me të mirat e përfituara prej saj si diploma e tituj shkencor të cilat do t'i paraqiste në çdo moment. Herë pas here do të pretendonte se kishte pika afrimi me të përndjekurit politik deri në emra të përveçëm pasi siç shprehej ai, se mund ta kishte pësuar më keq se ata. Dhe të gjitha këto tek po i tregonte sa kishte përballë, tek askund nuk do ta përplaste shikimin. Do t'u shmangej. Dikur edhe i jati gati në të njëjtën mënyrë do ta fillonte dhe kurorëzonte karierën e tij. Ndoshta në A.D.N. e tyre ishte parapërcaktuar karakteri i asaj race.

 

                

Πέμπτη 7 Ιανουαρίου 2021

NDODH EDHE KËSHTU

                                                Mbështetur në ngjarje të jetuar

 

 Atje në hyrje të qytetit ku dikur ngrihej kisha e hershme e tij dhe e vetmja, të cilën hapësirë sot e zotëron një shkallare e re, në një prej sheshpushimeve të saj gjithmonë në të zbritur, nga ana e majtë, e ndodhur jo vetëm si distancë por edhe si lartësi me sipërfaqen e detit, tarraca e drunjtë e një  taverne do të ishte një prej kënaqësive të shumta. Dikush, i ulur në krah të faqes kryesore të asaj ndërtese të vjetër dy katëshe nga të paktat që ka mbetur në këmbë, nuk do ta ndante shikimin e tij për nga hyrja e saj deri sa do t'i shfaqeshin ata që ai po priste. Ja me një lëvizje të dorës i thërriti t'i shkonin pranë. Nga ata të dy, ai  më i vogli në moshë dhe në trup, deri sa të çoheshin prej andej do të ishte në rolin e dëgjuesit ose më saktë në atë të vëzhguesit. Në gjithçka të asaj bisede midis tyre, ai kuptoi se njiheshin prej kohe. Në vazhdim, ai u përpoq të mos i shpëtonte asgjë nga ato që po dëgjonte. E thërriti paraqitja e atij burri në moshë jo të vogël. Ishte shtatlart. Në të gjitha ato çka personifikon një individ të racës mesdhetare i ndjehej në ballë, në sytë me ngjyrën e tyre të kaltër paksa të blu ullinjtë, në hundë e buzë dhe mjekrën të cilat në sinkron me njëra tjetrën dhe në një tërheqje pakëz vertikale të fytyrës, shfaqnin  bukur tiparet e tij mashkullore. Në mënyrën më instiktive e cila i ndodhte shpesh kur kërkonte thellë karakterit të tjetrit që i ndodhej përballë, tek ai ndjeu një lloj ngjashmërie me të atin e tij.

Pasi kamarieri sistemoi mbi tavolinë gjithçka të porositur, ata i çukitën me kënaqësi gotat me verë. Dhe ai shfrytëzoi momentin për t’u thënë se kishte gati për botim një libër autobiografik. Duke qenë njeri i letrave e cila kjo ishte cilësia e asaj lidhje midis tyre, shtoi se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend të bënte një hap të tillë, të rrëfente vetveten. Ato vite të tmerrshme i kujtoj shpesh. Jeta e gjatë brenda atyre hekurave është e pa mundur të shuhet, të harrohet dhe kjo ishte arsyeja ku të gjithë si familje dëshironim një orë e më parë të merrnim atë rrugëtim të largët që në ditët e para të demokracisë. Ishte ajo vuajtja e përbashkët familjare, brenda dhe jashtë atij burgu famëkeq të ndodhur në ato zgavrat e thella të atyre shpateve malore tepër të egra, ku veçse në pak orë mund të shihje një fije dritë dielli. Dhe ja sot ndodhem këtu sepse thellë brenda meje ende ekzistojnë të strukura dëshira dhe kujtime të shumta. Kjo është ndoshta një nga arsyet që më shtynë të shkruaja atë histori të hidhur. Ai heshti për një çast. Me gotën në dorë, si për të plotësuar atë moment bëri edhe një urim tjetër, por veçse me  një lëvizje koke. Mori frymë thellë. Duke parë mikun e tij, më saktë të dy ata, u tha se më në fund realizoi edhe qëllimin e tij kryesor. Tashmë zotëronte një kopje të dosjes, të procesit gjyqësor nga i cili u privua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie për agjitacion propagandë.

     “Vëzhguesi” duke u përqendruar edhe më shumë mbi fytyrën e tij vuri re një tjetërsimin e saj. Ndjehej se në  ato momente, nga të gjitha sa bluante në kokën e tij, ishte përballimi me atë njeri me të cilin siç thoshte ai, ata për një kohë të gjatë kishin qenë koleg në të njëjtin institucion shtetëror. Nuk do të mundesha të ikja pa e takuar por ishte e pa mundur pasi ai tashmë nuk jeton më. Në atë dosje voluminoze shkruheshin të pamenduarat dhe të pa ndodhurat prej meje. As edhe një herë nuk më shkoi ndërmend se ai përveç shfaqjes së tij të përditshme kishte edhe një fytyrë tjetër. Nga të gjitha çka shkruhej, aty shpalosej thjesht dhe pastër karakteri i tij  negativ. Një ditë, si i dërguar posaçërisht për të zgjidhur atë problem, përballohem me një nga bashkëvuajtësit Të përmalluar biseduam për shumë gjëra për vitet brenda dhe jashtë atij burgu famëkeq.

     I tregova për dosjen dhe qëllimin përse ndodhesha rrugëve të kryeqytetit tonë.  Ai më krijoi mundësinë por tepër shokuese. Shkuam tek një lokal i cili ende sot mbledh në ambientet e tij njerëz të artit. Me qëllim për të krijuar një situatë të qetë ai e vërtiti bisedën rreth zhvillimit të çështjeve të kohës e gjëra të tjera. Duke shfrytëzuar momentin e çoi në atë që dëshiroja duke më kërkuar të ktheja kokën mbrapa ku me gishtin e tij drejtuar diku më pyeti nëse i njihja dy personat të ndodhur pranë njeri-tjetrit. Po i u përgjigja, ai djathtas është im bir. Po a të tjetrin e njeh dhe pa pritur përgjigjen time më thotë, ai është i biri i atij që ka qenë dëshmitar kryesor në gjykimin tënd. U shtanga. Në atë çast nuk po mendoja asgjë. Isha gati ta mbërtheja për rrobash dhe me pa të drejtë, gati si për t'i kërkuar llogari atij bashkëvuajtësi dhe njeriu të mirë. Më erdhi pranë duke më hedhur dorën mbi krah.  Ndoshta nuk duhej të ndodhte kjo gjë u shpreh ai. Ose ndoshta më mirë pasi kështu do t'i krijohet mundësia për të mësuar të vërtetën. Yt bir nuk është i vogël. Një çast i pa pritur i bashkoi. Ndihma që ai mori në momentin më të vështirë nga përplasja prej një automjeti dhe kjo është njohja me të. I duhet pak kohë. Po ai tjetri kur ta mësoj se kë shpëtoi. Mbaroi të gjitha ato që ke në plan për të realizuar, jepi kohë birit tënd pa i treguar asgjë çfarë ke mësuar dhe shko atje ku ke ndërtuar jetën e re. Yt bir përpara ka kohën, jetën e tij për të cilën dëshiron ta shijoj. Po ai tjetri, pasi asgjë sot nuk mund të qëndrojë e fshehtë si do të reagoj, a e mendon dot. I ndodhur pranë meje, me dorën ende të hedhur në supin tim u përpoq të më zbonte mankthin që më kishte kapur, të cilën po e ndjeja të shfaqur në sytë e tij.

      Pas gjithë atij rrëfimi, asnjë prej tyre nuk po guxonte ta përballte më shumë se tre katër sekonda shikimin tek tjetri për të vetmen arsye të mos shfaqej ajo që po përjetonin. Ishte një situatë e cila nuk kërkonte fjalë por vetëm heshtje. Ajo do të thyhej veçse nga prania e kamarierit tek do të vendoste në tavolinë një kanë me verë, prej të zotit të lokalit. Megjithëse në heshtje, në fytyrat e tyre u shfaq ajo e miratimit dhe e përpjekjes për të dalë prej asaj situate. Çukitën gotat. Në ato çaste, ku heshtja mes tyre nuk ishte gjë tjetër pasi ishte veçse në ikje, ata po përtypeshin, po konsumonin diçka nga ato që ishin shtruar aty. Ishte një moment ku dëgjohej kërcitja e lehtë e ndonjë piruni a thike mbi pjata e cila vërtetonte kënaqësinë e asaj që po përtypnin dhe si vazhdim do të ndjeheshin disa prova të lehta mbi telat e një kitare. I zoti tavernës e kishte menduar ose më saktë e kishte kuptuar se klientët përveç ushqimit do ta dëshironin edhe një interpretim të këndshëm prej tij. Midis ritmeve të ndryshme muzikore ai do të luante edhe ato të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.

  Si shumë herë të tjera, për atë tavernë ishin nga moment më të këndshme. Një natë magjike për të gjithë ata që po pushonin në atë qytet të ngritur buzë detit. Ajo treshe e këndshme e kishte flakur heshtjen dhe jo vetëm atë, por edhe të kaluarën e hidhur ku e cila për ta e shumë të tjerë ishte një vuajtje e përbashkët. Në ato çaste nuk të krijohej kureshtja për të mësuar se në cilën gjuhë fliste grupi që kishe në krahë pasi gjuha e atyre pajisjeve tek kërcisnin mbi pjata ishte më e komunikueshmja në ato momente .

 

Παρασκευή 27 Νοεμβρίου 2020

PËRRALLË NË KOHË PANDEMIE

                                                QYTETI I PORDHËS

                                             “  QYTETI I PORDHËS”

...  gjysho, o gjysh më lodhe me këto përrallat e tua. Boll nuk dua të dëgjoj më. Që kur u mbyllëm në shtëpi nga virrusi e deri tani vetëm atë më ke treguar. Në fillim m’u duk shumë e bukur por kurrë nuk pushove së treguari. Jo vetëm që i ndryshon fjalët sa herë ma tregon por nuk e mbaron njësoj. Duke tundur kokën i tregoi celularin si për t’i thënë se sot e mbaroi më shpejt. Më nuk dua ta dëgjoj. Ajo mund të jetë e vërtetë por unë nuk dua ta besoj. Në atë qytet të çuditshëm mënyra për të jetuar ishte vetëm pordha. Ata nuk bënin gjë tjetër. Si mund ta besoj dhe duke bërë një lëvizje me dorë për të pritur një çast, shkoi në dhomën e tij. U kthye prej andej me një fletë vizatimin në duar dhe rrezatimin e përhershëm të buzëqeshjes. Shiko se çfarë kam vizatuar dhe aty në këmbë priti në ankth reagimin e tij. Gjyshi pasi i pëlqente ta dëgjonte shpesh tingullin e ëmbëlt të atij zëri fëmijnor, e mori në prehër. Në atë fletë vizatimi ku ai mund t’i besonte fantazisë së tij, pa qytetin e përrallës. E përqafoi. U panë në sy. Pas atij shikimi qeshën me të madhe së bashku,  përtej normales. Ai vogëlush, i entuziazmuar filloi t’i shpjegonte ato vizat e “hallakatura” të hequra mbi fletën e bardhë. ku gjatë gjithë asaj kohe do ta kërkonte shpesh shikimin e gjyshit për të ndjer atë, nëse ai po e ndiqte me vëmendje.

I mrekulluar nga imagjinata ose ndoshta më saktë nga vëmendja që ai i kishte kushtuar asaj përralle, duke i shtuar edhe elementë të tjerë si gjithmonë kur ri tregohet një përrallë, filloi t’i tregonte se si kishte funksionuar ajo fabrikë, ai qytet.

Inxhinieri që e kishte vendosur në funksion atë fabrikë, provoi se mund të kryente veprime edhe punime më të vështira. Gati si në vizatimin tënd tubo metalike të dimensioneve të ndryshme.Të drejta, spirale në lëvizje, horizontale, vertikale, diagonale tek kryqëzoheshin deri në përplasje me njera tjetrën. Kulla të larta ku për atë vogëlush ishin tepër të larta, të cilat shkarkonin papastërtinë e asaj që prodhohej, prej pordhës.

E gjithë ajo masë hekurash bukuroshi im, e cila nga njerëzit quhej fabrikë nuk e di nëse e kupton pasi e përsërita prapë atë fjalë por do ta shpjegoj herë tjetër, ishte ngritur në një fushë të madhe. Në çastin e kupton apo jo, kur të vjen ajo pordha edhe ata, të gjithë duhej të shkonin ta bënin atje. Edhe burrat edhe gratë kishin vendet e tyre se ku duhej ta vendosnin të pasmen për të lëshuar të shumë kërkuarën, pordhën. E kuptove. Regjistra të tërë ruheshin në arshivën e fabrikës jo vetëm për të mbajtur llogaritë fitimprurëse por ta lënin të shkruar atë histori  për brezat e ardhshëm.

Për një kohë të gjatë pati sukses të madh pasi kishin filluar të shkonin edhe shumë të tjerë, nga qytetet për rreth të cilët u përpoqën ta kopjonin por nuk mundën.Të gjitha pordhët në  bazë të aromës mbylleshin në shishe xhami të cilat ndryshonin në madhësi e ngjyrë. Ndërkohë inxhinierit i shkoi ndërmend t'i çonte tubacionet në shtëpitë e qytetarëve por nuk i premtoi koha pasi kishte ardhur fundi i kohës së pordhëve. Dhe ai bukuroshi, syëmbli i gjyshit sërisht kaloi në botën e bukur fëmijnore të tij.

 

                                         Athinë 20 gusht 2020

                   


Πέμπτη 5 Νοεμβρίου 2020

MANASTIRI I KOSTARIT

                                            

Ishte e diela e dytë e qershorit. Me Sofokliun, shokun tim të ngushtë e kishim lënë të takoheshim tek rrapi në hyrje të Sarandës. Nuk pritëm shumë pasi na mori një nga saurelat e Minierës së Kripës. Hipëm në karoceri, përpara ishin të zëna. Zbritëm diku mbi Bistrica nr.2. Prej andej deri në manastir e kapëm për rreth 30-35 min. Në atë ngjitje, terreni ishte tepër i thyer dhe me bimësi të shkurtër. Me gjithëse kishte rrëshqitje së bashku me atë çakëllin e përhershëm që ekziston në pjerrësi të tilla nuk e kuptuam pasi e kishim të përhershëm atë veprim. Të gjitha këto ndodhën sepse nuk e dinim nga ku mund të shkohej aty. Manastiri është ndërtuar në brendësi të një masivi shkëmbor ku faqja e të cilit ka orientim jug-perëndim

Pjesa ku janë ngritur muret e manastirit, është pikërisht një shpellë e hapur, me tre faqe po ta quajmë kështu e cila në lartësi kap 12 m, gjerësi 18 m dhe thellësi afër 10 m. Pikërisht, kjo hapësirë është shfrytëzuar për atë shërbim fetar, i cilësuar si Manastiri i Kostarit.

Për të shkuar lart, kaluam nëpërmjet një shkallëzimi në faqen shkëmbore. Ai ndodhet në krahun e majtë kur je përballë tij. Vende, vende ndjehen edhe fragmente muri për të lehtësuar ngjitjen, por tepër të pakta, pasi janë shkatërruar nga koha. Në pikën më të lartë të shkallëve, ambienti që të ndodhet përpara të shfaqet si një verandë i ndodhodhur në lartësi, i rrethuar me  parmak druri i cili është gati për tu rrëzuar. Dyshemeja për rreth manastirit është e shtruar me pllaka guri. Nga faktorë të ndryshëm, ato, nuk e ruajnë më nivelimin e mëparshëm. Arsyeja që më detyronte ta vizitoja këtë vend ishte e dyfishtë. E para, ishte ajo vizive e cila m'u krijua më vonë, kur u hap rruga e Minierës së Kripës pasi më parë vetëm si mendim dija ekzistencën e tij.Ndërsa emrin e kisha dëgjuar që në fëmijërinë time të hershme  në fshat dhe shpesh herë nga im atë.

Manastiri ndodhet në gjendje të mjeruar. Si pjesët që janë ndërtuar me mur guri edhe ato me lëndë druri, janë krejt të rrënuara. Trungjet që shërbejnë si këmbë mbështetëse për katin e dytë, me një të tundur mund t'i rrëzoje. Në çdo moment pret gjithandej të bien dërrasa

Ikonostasi ishte i shkatërruar. Pjesët më interesante ishin të grabitura. Edhe ato pak figurat e shenjtorëve që mund të shihje në pjesët  që kishin mbetur, ishin tepër të nxira nga koha e tymrat. Vende, vende shihje gjurmë vajrash pasi në ajodhime, nëpër skuta e të çara, shihje kavanoza salce të sajuara si kandila. Ato nuk ishin të pakta. Kishte ende të ndezur. Besimtarë të ndryshëm i ndiznin ato fshehurazi, prej të cilëve kishte edhe nga bregdeti, më të shumtit nga Piqerasi. Për një çast mu kujtua im atë. Si shumë burra piqerasiotë, shpesh i drejtoheshin Shën Mërisë së Kostari-t. Në një nga seancat e “gjykimit të tij politik” ja përmendën atë, lutjen e tij. E dinim se besimtarë të ndryshëm vendosnin edhe lekë. Duke kërkuar gjetëm 750 lekë. Ishin të fshehura në një bashkim dërrasash të dyshemesë. Megjithëse u joshëm prej tyre, nuk e kryem atë veprim. Në fakt do të mundesha të bëja abonimin tek gazeta “Drita.” dhe revista “Nëntori.” Ishte koha për abonim, muaji Qershor në të mbyllur. Po bëheshin abonimet për 6 mujorin e dytë.

Ngjyrat e shkëmbit me kalim nga gri në okër të kuqëremtë,  në thellësi të asaj hapësire shkonte në tone më të çelëta. Dërrasat gjysëm të kalbura me atë ngjyrën në të mjaltë, të çelur, i jepnin ambientit, një gjendje mistike. Si shpirtërish e fizikisht e ndjeje veten të tërhiqej me forcë prej atmosferës së krijuar dhe të njësoheshe me të.

Ngjyra dhe konstrukte jashtë asaj të përditshmes. Ndjehesh krejt ndryshe.  Kënaqësia që kalon në tërë qenien tënde është e pa perceptueshme dhe të mbetet në memorie. Vetëm vorbulla e jetës së përditshme mund të të shkëpusë nga ai realitet i cili të mbetet si një vegim, si një ëndër.

                                                                                                       

                                                                                                             qershor 1981

 

Τρίτη 8 Σεπτεμβρίου 2020

RETË MBI QYTET

  Dimri kishte hyrë. Retë, të pa forma dhe gjithmonë në lëvizje  do ta zaptonin pothuajse të gjithë hapësirën qiellore mbi qytet. Me ajrin e freskët do të trazohej edhe një zagushi e bezdisëshme tek shfaqej papritur. Të pa pritura ishin edhe vetëtimat dredharake midis reve. Me gjithatë njerëzit ishin mësuar me këto situata të shpejta meteorologjike. Tashmë stinët sikur të ishin futur në mëri të mëdha me njera-tjetrën, ngatëronin ditët, orët, stinët sa që rrugëve të qytetit do të shihje njerëz të veshur me pallto ose gati verore. Por vetëm për një gjë nuk dyshonin se do ndryshonte, deri në fund të muajit i cili ishte edhe i parafundit i vitit, do të kishte festa lokale dhe kombëtare

 Kryetari i veteranëve të luftës NA.ÇL. kishte kohë që bënte gjumë jo të rehatshëm. Megjithëse përpiqej, nuk mundi të kuptonte nga se i vinte ai shqetësim. Ai që u mbante lart moralin atyre që kishin mar pjesë në atë luftë çlirimtare do të ishte shumë i vëmendshëm dhe i devotshëm karshi detyrës që i qe caktuar prej një kohe të gjatë. E ndjente se ishte i lindur për ta drejtuar atë shoqatë. Ishte vit jubilar. Rrethi tyre krenohej me heronjtë dhe dëshmorët e shumtë që kishin dhënë jetën në atë luftë çlirimtare. Përveç udhëzimeve të mara, nga devotshmëria që i shkonte deri në një kënaqësi të skajshme do të kishte edhe një ngarkesë të madhe emocionale ku ndoshta ishte ajo që e çonte drejt atyre ëndrave krejt të çuditshme të cilave nuk mund t’u a merte kuptimin. Mendoi të takonte shefin. Kur ndodhej para tij, duke ndjekur me vëmendje çdo lëvizje të asaj fytyre ezmere dhe eshtër madhe, do t'i priste me një buzëqeshje gati të përunjur të gjitha ato shprehje pa fund e tepër ironike deri në momentin kur ai do t'i jepte leje për të ikur. Atë detyrë që e kryente me devotshmëri nga ai e kishte fituar prandaj i thoshte vetes se duhej të rinte urtë dhe mos ta shqetësonte me mendësitë e tij prej budallai. Ose a do të mundej t’i a shtjellonte ato andralla të përgjumshme

Ja, tashmë çdo gjë ishte gati. Të nesërmen fillonin festimet. Tek po i raportonte gjithçka mbi mbarëvajtjen e aktiviteteve, si një vartës besnik, në fytyrën e shefit të tij të shoqëruar me një dritë të bukur ndjeu një buzëqeshje ngazëlluese. Dhe filloi t'i përsëriste me të njëjtin rritëm në hapjen e gojës duke e  artikuluar edhe vet gjithçka ai po i tregonte. Pra po plotësohej ëndërra e tij e vjetër. Ishte gati për miratim shkresa për ngritjen në një nga lulishtet e qytetit busti i komandantit të brigadës, mikut të tij të rënë në atë pritë me pushtuesit armiq ku edhe vet ai kishte mar pjesë. Dhe ajo hare do të vazhdonte të shfaqej në fytyrat e tyre deri në momentin kur do të kryhej parakalimi i ish luftëtarëve të mbetur gjallë. Shikimit të atij vartësi vigjilent nuk do t'i shpëtonte asgjë. Në fytyrën e eprorit të tij, si retë e shumta mbi qytet vuri re të lëviznin hije të shumta. As i shkoi ndërmend t'i ndodhej pranë. Duhej të priste për të  mësuar se çfarë kishte ndodhur. Deri sa mbaruan ato festime, ditët i u dukën tepër të gjata. Megjithëse kureshtja po e gërryente, me qetësinë e një vartësi veçse do të priste. Do të vinte momenti të mësonte të vërtetën e asaj që kishte ndodhur. Ndoshta kishte lidhje edhe me pagjumësinë e tij, me ato që i shfaqeshin për natë. Vërtetë do të miratohej dhe do të plotësohej ëndëra e shefit pasi ishte një përpjekje disa vjeçare prej tij, por me  një kusht, qyteti kishte dy heronj me vlera të tilla kombëtare. Pra flitej për dy buste. Si vartës e dinte përtejshmërinë e skajshme të shefit. Nuk e mori vesh se çfarë hapa ndërmori por ata të dy nuk u përjetësuan në bronx. U përpoq të hamendësonte diçka por duke njohur karakterin e tij nuk kishte përse të mos besonte se mund të ishte ai në atë të anullimit të asaj shkrese të shumë kërkuar. 


Δευτέρα 7 Σεπτεμβρίου 2020

TEQEJA E XHERMËHALLËS

          Është tepër interesani pellgu i Delvinës. Gjithmonë e kam pëlqyer dhe i kam shkelur ato vënde

Ishte e diel tek më thirri L. Nasto, mik dhe një shok pune jo për të pikturuar por për t'i vëzhguar ato vënde pasi ja kisha shfaqur atë dëshirë. Më pëlqeu mendimi i tij dhe shkuam.

Në hyrje të Delvinës, duke filluar që nga ura poshtë në krahun e djathtë, mbrapa kalasë, gjarpëron një luginë ku në të dyja faqet e saj ndodhen shtëpi të rrethuara nga pemët e kopështet e tyre. Në qendër të luginës, në një vend të ngritur është ndërtuar një kompleks kulti i besimit musliman. Koha duke vendosur dorën e saj në mënyrë të pamëshirshme mbi të, i ka dhënë një pamje mistike. Si zakonisht kultet e çdo besimi janë ndërtuar pranë burimeve ujore.

Vendi ku buronte uji qe i trajtuar në formën më të njohur. Dy harqe të mëdhenj guri të punuar bukur  të cilët  mbështeteshin në një këmbë të vetme guri që ndodhej në qendër të asaj hapësire. Faqja ku shkarkonin ujë dy burime, ndodhej  në thellësi 1.5m. I gjithë ky ndërtim ndodhet në gjendje të keqe. Në krahun e djathtë kur kur je përballë tij, ka ndërhyrje në formën më të shëmtuar. Brenda saj hapësire ndodhet një depozitë dhe një pompë e fuqishme uji ku të gjitha në çast, emocionin e përfituar

Mbrapa saj, duke u mënjanuar pak, ndodhet një ndërtim afërsisht 4m i lartë. Ka formë të rrumbullakët me diametër 3.5m. Në lartësi mbaron me një çati konike dhe në tërë pjerësinë e saj ka dritare të vogla të cilat ndriçojnë faqet e brendëshme të saj. Edhe kjo nuk mirëmbahet pasi ka një të çarrë në mur nga futen bagëtitë. Dyshemeja është e mbushur nga gurrët e rrëzuar dhe plehu i bagëtive,

Duke zbritur më të poshtë afro 7-8m, ndodhet një tjetër e tillë me përmasa më të vogla. Në vazhdim, ndodhesh përballë ndërtesës kryesore. Ajo është një bashkim  ndërtesash në formë U-je.

Pasi kalon portën e murrit rrethues në krahun e djathtë, kur ndodhesh përballë si orientim, janë tre dhoma që ndodhen brenda një drejtkëndëshi 3x4m. Përballë saj në një tarracim dheu, më lart, duke u ngjitur në 7-8 shkallë hyn në dhomën e babait të teqesë (mendimi im). Fundi i saj jugor, bashkohet me sallën e madhe të besimit, të lutjeve. Duke i u ngjitur disa shkallëve që janë rrëzë faqes veriore të sallës së madhe dhe faqes jugore të dhomave të shërbëtorëve (përsëri mendimi im), del një tarracë që ngrihet nga fundi i përroit  afro 4m. Ajo përshkon gjithë fasadën kryesore të godinës të sallës së madhe. Në qendër të saj ndodhet hyrja. Lartësia e saktë e mureve është 4.5m, por vende-vende ato janë të rrëzuara.

Çatija nuk ekziton por janë në këmbë tre kolona guri gati katrore me përmasa 0.30-0.35 m  të cilat në lartësi bashkohen në katër harqe guri. Pasi dola prej andej bëra disa skica

Në fund të përroit, afro 15m larg ndodhet një ndërtim tjetër në formë katrore me çati konike. Në të ndodhen shumë vrima për ndriçim të cilat i janë përshtatur pjerrësisë së saj. Nga ana veriore, ndërtesa duhet të ketë qenë më e madhe pasi në lartësinë e tij muri ka mbeturinat e një harku guri. Edhe përreth  ndodhen trakte muri  që bashkohen me themelet e ndërtesës. Mbrapa tyre, në largësi 4-5m dhe duke i u përshtatur terrenit ndodhet një trakt muri që nuk dallohet mirë. Nga pozicioni që ka me përroin  dhe me ndërtesën të jep përshtypjen e një vade uji. Trakti i murit që ekziston tani, ka 3m gjatësi dhe mbështetet në këmbë guri me harqe.

Duke i vërrejtur me kujdes përroin, traktin e murit me hark, ndërtesën dhe mbeturinat e tjera mund të kuptohet funksioni i atij kompleksi. Duhet të ishin banja me ujë të ngrohtë.

Uji kalonte nëpërmjet vadës dhe shkonte në mjedisin ku sot është i shkatërruar. Ai duhet të ketë qenë vendi i ngrohjes së tij  dhe nëpërmjet tubacioneve shkonte në të katër dhomat e ndërtesës, që sot ajo po ruan karakterin e saj orgjinal pasi është e restauruar

                                                                                               E diel 12 shkurt 1989