Παρασκευή 18 Μαρτίου 2016

DERI NË STACIONIN E RRADHËS



Në vagonin e dytë pas lokomotivës, në ndenjëset dyshe të skajit më ekstrem të tij, tek lidhet me vagonin e rradhës, përballë njeri-tjetrit ishin ulur njerëz të panjohur. Në ato pranë dritareve ndodheshin dy gra të moshës së mesme. Dy gra që u përkisnin botëve të ndryshme. Njëra prej tyre e cila do të bëhej protagonistja kryesore e ngjarjes, ishte vendase prej njërit të atyre fshatrave që shtriheshin përgjatë asaj rruge të hekurt. I pa hekurosur ndonjëherë pasi palët e dikurshme të saj ishin fare të pakta, mes zhubravitjeve në kohë, një fustan i gjatë i mbulonte të gjithë trupin deri në kërcinjtë e këmbës. Në sinkron me fustanin tek shihje mbi të zhdukjen e ngjyrave të dikurshme, edhe flokët e saj ishin lënë në haresë, në qoftë se do të quheshin kështu. Të gjata e të  lëshuara deri mbi supe. Fytyra e fshehur midis tyre do të shfaqte jo vetëm përhumbje por mos ekzistencë. Përreth, asgjë nuk i bënte përshtypje. Fytyra e saj ku e cila nuk mund të thuhej se ishte një e tillë, e mbushur me brazda e rrudha të shumta nuk shprehte asgjë. Pothuajse asgjë. Sytë, ku në fëmijëri zoti i kishte shfaqur ndoshta me të gjitha vetitë femërore, sot nuk kishin më të drejtë të zotëronin hapësirën e tyre. Buzët, tek i mbante të mbërthyera fort me njëra-tjetrën, të jepnin përshtypjen se përpara teje ndodhej një memece. Të krijohej një mos besim i madh nëse do të kishte aq fuqi sa t'i zhvendoste ato rrudha të shumta për të folur. Ndoshta do të kishte mundësi të shprehej me sinjale... Goja e saj, ku e cila nuk e mori ndonjëherë mundimin të reagonte ndaj diçkaje, vetëm në skajet më ekstreme shfaqte lëvizje të vogla. Ndjeheshin si lëkundje të një lavjerësi të padukshëm.

Çuditërisht, ajo ngjyra e kashtës së grurit tek fillon pas pjekjes të plotë të tij, ishte e përhapur në tërë qenien e saj. Në flokë, në fytyrë, në fustan e deri tek këmbët me ato sandale të konsumuara nga koha në aq sa shfaqeshin, ishin në një sinkronë që të krijonin ndjenjën e mëshirës.
Tjetra, ajo përballë edhe në qoftë se nuk do të ishte kryeqytetase, do të ishte banore e qytetit të radhës ku treni do të ndalonte. E veshur me uniformën tipike të asaj periudhe, ishin vitet 80-të, fund doku e bluzë e lehtë me mëngë të shkurtra. Jakë vogël  e hapur përpara me një komçë. Koloriti i uniformës do ta bënte tërheqëse. Flokë të zinj të prera shkurt. Të gufuar ata zbrisnin deri në mesin e qafës. Në ndenjëset krah tyre po udhëtonin dy të rinj të seksit të kundërt. Vajza ndjehej që ishte pak më e madhe se djali. Edhe ata të dy ishin indiferentë karshi njeri tjetrit.. Djali, nga çanta që mbante në krah kishte nxjer një libër dhe qe zhytur në brendësi të tij. Pasi u mor për një kohë me flokët e saj edhe vajza ra në heshtje absolute duke lundruar në thellësi të mendimeve të saj.
Treni kishte kohë që ishte shkëputur nga terminali. Intenerari i zakonshëm Tiranë-Fier. Zhurma ritmike e rrotave mbi shina nuk po i bezdiste pasagjerët e shumtë të ndodhur aty. Brenda vagonave ende qarkullonte ajër i pastër.  Në aq sa lejohej nga troku i rrotave mbi shina,  midis tyre, tek-tuk dëgjoheshin biseda të shkurtra. Tek ndalonte në stacionin e radhës, kondruktorët ata punonjës të përditshëm e të devotshëm ndjenin sikur në të hipnin e zbrisnin fytyra të njëjta. Po ata njerëz. Ishin çaste që mendonin kështu. Qytetarë e fshatarë. Nënpunësa të gjinive të ndryshme që ushtronin detyrën e tyre mbarë vendit. Njerëz të profesioneve të ndryshme e deri tek fshatarë, ata bujqë shtetërorë të rraskapitur. Universitarë e gjimnazistë. Udhëtimin me atë makineri gjigante, tek tërhiqte ata vagona të hekurt, të gjithë e kishin të nevojshëm. Heshtja ende nuk qe thyer.  Të gjithëve po u krijohej ndjesia se udhëtonin të vetëm në ato çaste. 
Shqisa e dëgjimit, e shikimit, e të gjitha ato ndjesi që bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellt me njera-tjetrën në atë që quhet instikt, tek të gjithë ata që ishin udhëtarë të përditshëm, në mënyrë të pa vullnetshme kishin regjistruar se në kilometrin X, pas stacionit të tretë, traseja së bashku me shinat deri në gjatësinë e një vagoni, kishin një luhatje në valëzim Pikërisht nga vagoni i parë dhe të tjerët me radhë u transmetua “urdhëri” për tu zgjuar  nga “gjumi” që i kishte zënë. Mes dialekteve të shumta që mbartnin ata njerëz, do të fillonin atë kartrahurë zërash ku jo vetëm që nuk do të respektonin kohën e njëri-tjetrit por me kënaqësi do të shfaqnin intonacionet e vetitë e tyre të veçanta krahinore. Si një fizarmonikë në duart e një amatori, duke mbajtur të njëjtin rritëm, do të vazhdonte e do të vazhdonte përgjatë atij udhëtimi gati pambarim. Të krijohej ndjesia se edhe tymi i cigareve të shumta tek po shkarkohej gati prej të gjithëve, ulej e ngrihej mbi kokat e tyre prej vokaliteteve të zërave të ndryshëm. Në grupe, do të fillonin të loznin domino ose me letra bixhozi. Pothuajse secili do të gjente formën për të përballuar atë udhëtim të gjatë. Dikush do të guxonte ta gllabëronte shpejt e shpejt ushqimin e pakët që kishte mar me vete. Të gjithë ishin të përgatitur për këtë procedurë serioze. Në kohë të ndryshme, mbi ato tavolina të vogla do të hapnin ushqimin dhe me endje do ta konsumonin atë. Dhe tymi i duhanit më pas, duke fishkëllyer pa zë, do të ri ngrihej furishëm mbi kokat e të gjithëve duke u luhatur poshtë kubesë të vagonit.
Në ndenjëset dyshe, gruaja nga qyteti, ato çka kishte mar për atë udhëtim vendosi t'i konsumonte. Në atë që mendonte se do ta kryente me qetësi, mbi tavolinë hapi gazetën duke shfaqur mbi suprinën e saj ushqimin. Dy feta nga ajo bukë 1kg. Pak djathë, disa kokra ullinj dhe një domate e vogël. Kishte edhe pak sallam. Për frut edhe një kokër mollë. Tek mendoi se po shihej nga bashkëudhëtarët nuk guxoi ta ngrinte kokën. Nisi të përtypej e qetë dhe e vetëdijshme. Në atë që duhej të shfaqej përpara të tjerëve, pothuajse ajo ishte “menuja” e zakonshme për të gjithë ata që kishin një rrogë “të mirë”. Treni vazhdonte duk-dukun e tij mbi shina. Të dy të rinjtë në formë të pa vullnetshme shkëmbenin ndonjë shikim të shpejtë midis tyre.  Aty tek përtypej, gruaja nga qyteti ndjeu dorën e tjetrës të zgjatej përpara. Nuk reagoi. Mendoi se mund të ishte veçse një zgjatje dore. Ngriti kokën dhe përballoi shikimin me të. Menjëherë pas asaj ajo afroi gishtin tregues drejt atyre që ndodheshin mbi tavolinën e vogël. –Ha edhe nga kjo. Edhe nga kjo. Pa u a zënë emrat atyre që po konsumonte tjetra, me fytyrë krejt të shpërfytyruar, duke kapërxyer në gurmaz lëngëzimet e mundshme të krijuara në ato çaste, i pëshpëriste përjetimin më të dhimbshëm të saj. Atë të urriturës. Të tre ata udhëtarë të panjohur të mbërthyer nga ai reagim ku në çastet e para i u duk qesharak, ulën kokën të dëshpëruar. Ç’farë mund të thoshnin. E ndjen edhe kur u çua. Në atë ikje, me shikim ende nga ajo, po vazhdonte ti tregonte asaj si mund të konsumohej ajo menu e bollshme. Nuk priti ti hapnin rrugën por kaloi midis tyre pa i bërë përshtypje fare. Ndërkohë sirena e trenit po lajmëronte mbritjen në stacionit të radhës.  


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου