Τρίτη 22 Μαρτίου 2016

VDEKJA E PESHKATARIT



   Në përhumbjen e ikjes, ose të mbajtjes së fjalës, e cila ishte edhe dëshira e fundit, ndjeu ta përshkonte qënien e tij trupore një lehtësi që kishte ngjajshmërinë e erës, e fluturimit. Në përleshjen e fundit me dallgët e shkaktuara nga Ai aty tek kthehej nga gjuetia, duke drejtuar shikimin pa u trëmbur drejt atyre shkrepëtimave që zbrisnin nga lartësitë qiellore në thellësinë e ujrave, i kërkoi gjigandit të detit, ta lënte të shkonte në shtëpi duke i premtuar se do të kthehej për t’i dhënë fund atij mundimi gati shekullor. Rishfaqja me sfurkun gjigant në dorë, në atë lartësi ku për racën njerëzore i përkiste veçse perëndive, Poseidoni lëshoi  vetëtimat lajmëruese si për t’i thënë se ishte aty dhe po e priste. Tek përplaste lehtë rremat mbi sipërfaqen e detit, peshkatari plak ndjeu ta rrëmbenin  cirkat e ujit, të cilat të shumëfishuara, kishin marrë trajtën e një pulëbardhe. 
  Ishte një ikje e shpejtë e shoqëruar me stërkala  shkume të shumta ujore. Tek po shumoheshin, shtyheshin dhe përplaseshin me njera-tjetrën me tërbim,  u dëgjua zëri i peshkatarit plak. “Po, po, kjo është jeta ime e vërtetë. Ju o dallgë, mermëni me vete dhe më çoni në pafundësinë tuaj. Aty është vendi im” dhe hodhi vështrimin e tij gjithandej, për të parë mikun e tij të vjetër. Një zhgulmë e madhe ujore u ngrit përpara syve të tij. Duke derdhur tonelata të tëra uji mbi flokë e trupin e tij gjigand, u ngrit në atë lartësi ku veç zotat banonin. Lëshoi buzëqeshjen e tij e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një gjëmim i tmerrshëm dhe mizor mbi atë qenie lilipute.
   Aty filloi loja,  e cila në çdo lloj formë për peshkatarin plak kishte qenë veçse instikti i mbijetesës. Sot si luftëtarët veteranë kishte ardhur ta mbyllte me lavdi jetën e tij. Mbylli sytë dhe lëshoi ndjenjën sëbashku me trupin në krahët e asaj krijese ujore tek po merrte trajta dhe forma të përbindëshme.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου