Τρίτη 22 Μαρτίου 2016

LLUSTRAXHIU DHE TRUMCAKU


  Duke i dhënë një shtytje të lehtë përpara trupit të vet me ato këmbët e tij të vogla, trumcaku u shkëput nga dega e pemës dhe u ul mbi qeskën prej plasmasi të mbushur me fara luledielli.
   Ai nuk shpëtoi pa u vënë re nga lustraxhiu tek po rrinte e ngrohej në diell. Me bisht të syrit vuri re trumcakun të tundte kokën dhe të hidhte shikimin e  mprehtë gjithandej. Pas një stepjeje të vogël filloi çukitjet e tij të  shpeshta dhe nxjerrjen e lëvozhgës të asaj fare të zezë nga jashtë dhe të bardhë nga brenda. I mbështetur për muri siç ishte i ulur në stol, lustraxhiu vuri re shikimin e pa lexueshëm të atij shpendi të imët.
   Për herë të parë po e ndjente praninë e tij kaq afër. Cicërimën e asaj krijese e njihte prej kohësh. Ajo e shoqëronte që herët në mëngjes kur nxirrte mjetet e  punës nga një valixhe e drunjtë dhe trokiste furçën në të për të thirrur myshterinjtë. Cicërima i përgjigjej gjithë ditën dhe mbaronte në të errur tek mblidhej me zogjtë e tjerë  për të kaluat natën në kurorat e pemëve.
Duke përballuar shikimin me të, lustraxhiu ndjeu të  dëgjonte fjalosjen e tij të çuditshme, e cila, për njerëzit, ishte veçse thirrje e shkurtër  dy a trerrokëshe e pa deshifrueshme por me intonacione muzikore të mrekullueshme.
   Në atë çast ndjeu buzëqeshjen  dhe zërin e atij fluturaku. Miku im dëgjoi ai të dilte e artikulohej në vazhdimësi përbrenda asaj krijese zëri i tij i çuditshëm. Nuk besoj se do të mundem ta boshatis. Me fare pak prej tyre mund ta mbush barkun tim të vockël. Aty tek fliste, duke tundur kokën e duke hedhur shikimin gjithandej, vazhdonte të çukiste mbi farërat e lulediellit 
   Tepër i habitur, lustraxhiu me duart e tij të pista nga lustrimi i fundit që kishte bërë, hodhi qindarkat në të ndarën e vogël të valixhes, fërkoi fort sytë dhe gjithë fytyrën  për të kuptuar nëse ëndërronte sy hapur apo...
Ttrumcaku i trembur nga lëvizjet e shpejta të duarve të tij, pa e ngopur ende barkun  u ngrit fluturimthi dhe humbi në kurorat e pemëve që ndodheshin përqark.
Aty,  tek po vërtiste me shpejtësi furçat mbi këpucët e klientit të porsa ardhur, me shpirtin e trazuar nga ajo skenë, lustraxhiu, gati nëpër dhëmbë, mërmëriti: ”Përse iku ashtu? Ç’i bëra vallë?” Me keqardhjen që ndjeu dhe habinë që po shfaqte klienti, u çua në këmbë duke hedhur shikimin gjithandej. Por më kot e kërkoi në atë pafundësi degësh. Mbylli në valixhen e vet mjetet e punës, ndërsa qeskën e farave e la mbi murin e ulët të lulishtes.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου