Τρίτη 1 Μαΐου 2018

TEK KTHESA E MADHE




Tek po kalonte pranë mini-marketit të lagjes, jashtë tij, në një nga kuadratet e drunjta të tezgës vuri re dardha të vogla gjysëm të kuqëremta në të kafenjtë.  Zgjati dorën dhe mori një prej tyre. E vërejti me kërshëri. Ende pa e kafshuar, duke e rrotulluar midis gishtrinjve ndjeu aromën dhe shijen e saj. Ndërkohë i u krijua ndjesia se e kishte përjetuar dikur ëmbëlsinë e atij fruti. Prania e shitësit do ta shtynte ta kryente sa më shpejt atë veprim. Shije që jo vetëm do t'i jepte kënaqësinë e çastit por do t'i zgjonin ndjesi e kujtime të vjetra, të mbështjella me një hidhërim tek humbisnin në kohë. E  shijshme, hë?!. Pas zërit edhe në fytyrën në dukje prej babaxhani të shitësit ndjeu po të njëjtën kënaqësi që ai kishte kaluar më parë tek po përtypte atë frut. Nuk reagoi. I kërkoi t'i peshonte dy kile. Por aty, pa i lënë kohë mori një prej qeskave të plasmasit të ndodhura pranë dhe filloi ta mbushte. A e dini se ku janë mbledhur, dëgjoi përsëri zërin e shitësit. Nuk i ktheu përgjigje. Në qoftë se do t’ju tregoj, do të ligështohesh vazhdoi ai. Tjetri, me një lëvizje të trupit dhe artikulimit të mimikës së fytyrës u përpoq të mos tregonte interesim karshi atyre që po dëgjonte. Por shitësi u afrua edhe më shumë. Mori një prej tyre duke e ngritur dorën në një lartësi ku shikimi ndjehej i barabartë nga të dy. Duke i buzëqeshur vazhdoi. Janë nga fshati yt. Në ato çaste ai përballim dukej fare i thjeshtë. Por në brendësi të shikimeve të tyre ende të pa ndërprerë, transmentoheshin ndjesi dhe shqetësime të ndryshme. Po, janë nga fshati yt vazhdoi shitësi. Dhe janë shumë të shijshme. Blerësi nuk e la më të vazhdonte. Mos janë mbledhur në filan vënd i u kthye ai me vrrull si për të mos humbur kohën e tij për të folur. Tek kthesa në të dalë të fshatit. Janë gjashtë-shtatë rrënjë dardhe mbi rrugë.  Nga të shumtat që kishim këto kanë mbetur pas zgjerimit të rrugës. Më tutje vazhdojnë ullinjtë. Për të mos kaluar në emocione të tepërta heshti. Nuk deshti ta shfaqte atë që po përjetonte në ato momente. T'i tregonte  që ato pemë, ato toka sot të tjetërsuara nga ai ligj famëkeq i shpronësimit dikur ishin pronat e tij. Jo nuk mundej. U ligështua. I pagoi ato dhe iku prej andej kokëulur. Në të mbyllur të portës nga brenda shtëpisë, duke lënë mbi tavolinë të gjitha çka kishte blerë, i kujtua koha kur familja atërore e tij deri në kooperativizimin e pronës, përballonte gati gjithë vitin me ato të ardhura bujqësore. Në atë çast një mendim i shpejtë e ngacmoi. Doli me vrull. Me të mbritur tek mini-marketi i kërkoi  të gjithë sasinë e atyre dardhave. Habia e shitësit do të qe e madhe, por ai e ndali aty reagimin e tij. Tjetri, nga kureshtja për të mësuar sa më shumë, shfaqi dëshirën për ta ndihmuar. Në atë ecje të shpejtë tek e ndiqte, pa pritur reagim prej tij i shpjegoi se në ato pemë ende kishte prodhim të mbarë. I ka rrethuar të gjitha parcelat me një murr prej teli 2m të lartë. Nuk lë asgjë t'i shkojë dëm. Kur është koha e mbledhjes së ullinjve paguan punëtorë duke u qëndruar mbi kokë. Janë shumë rrënjë ullinj. U shërben vazhdimisht, ndaj nxjer të ardhura të mira. Dardhat m'i solli vet ai. Rrëfimtari, pra shitësi do të kishte vazhduar të zbraste të gjitha ato që kishte menduar t'i thoshte por u ndesh me shikimin e egër të tjetrit. Në sytë e tij në ngjyrë jeshile të trazuar në blu si vet gjethja e ullirit, përveç zemërimit ai ndjeu edhe një dëshpërim të madh të cilin nuk e kishte vënë re ndonjëherë. Duke hypur në shkallët e shtëpisë bëri edhe një përpjekje të fundit për të mësuar se ç'farë do të bënte me dardhat. Por më kot. Ai pasi ja mori qeskat prej duarve, mbylli portën duke e lënë atë jashtë. Gjatë gjithë kohës kur ai njeri i bezdisshëm veçse llomotiste, i u kujtua fëmijnia, koha kur e gjithë familja e tij i qe përkushtuar tokës, asaj pasurie të babait të tij. E lodhshme, e mundimëshme por i gëzoheshin asaj që prodhonin. Kooperativizimi i tokës dhe i gjithçkaje që kishin e tronditi shumë babain e tij. Na vajti dëm prona dhe lufta që  bëmë. Ç’është kjo gjëmë që na gjeti thoshte shpesh. Duke  i kuptuar situatat që po kalonte vëndi, nuk u mor me asgjë tjetër për veç punës. Para lufte,  ai Europën e kishte parë nga afër duke punuar në minierat e Francës, detrave të Mesdheut. Dhe sot duhej të shfaqej ky ligj i mallkuar prej katë numërash.
        Filloi në çast të zbatonte idenë e ardhur në kokë. I lau mirë të gjitha frutat e dardhës. I copëtoi në masat e duhura ato që do të bëheshin komposto ndërsa të tjerat vetëm i pastroi. Me enët që ishin më të përshtatëshme për të kryer atë proces zuri të gjithë banakun e guzhinës dhe të tavolinës. Për të qenë sa më i lirshëm vuri një përparëse. Që nga ky moment ndjeu të çlirohej prej çastit kur u përball me shikimin e atij njeriu të bezdisshëm. Nuk ishte hera e parë që po e  bënte atë punë. Ishte një proces i gjatë që duhej respektuar sasia e produkteve që shoqëronin frutin dhe koha. I u kujtua e shoqja. Ajo tashmë nuk i ndodhej më pranë. Kishte ikur në jetën e përtejme, në të vërtetën ashtu siç e thoshte ajo se kjo që jetojmë është e vështirë dhe e rreme. Dhe nisi ta kujtonte. Kishin qejf që të dy të ndjenin praninë e njeri tjetrit tek përpiqeshin për të gatuar ushqimin e tyre të preferuar. Ai vet, jo se nuk dinte të bënte humor, por i pëlqente gjendja e saj e bukur dhe intesive. Shpesh herë me heshtjen e tij të qëllimshme ndikonte që ajo të ndërhynte për të dialoguar i cili ishte veçse një kurth dhe do t'i pëlqente shkëlqimi i syve të saj. Ngriti kokën. Të gjithë sa ndodheshin aty përballë tij, brenda atyre kornizave, kishin ardhur në jetë falë asaj bashkëjetese të lumtur me të. Ishin shumë nipër e mbesa. Të gjithë të bukur si drita e diellit. Kishin marë edhe nga ajo. Kaloi dorën mbi to duke u dhënë nga një të puthur të gjithëve. Duhej të fillonte nga puna. Ishte një punë e lodhëshme por do të ndjente një kënaqësi të madhe për atë që do të bënte. Në ato kohë të vjetra, nuk ishin  këto mundësitë e sotme,  Çdo gjë do të sillej nga përtej detit. Sa herë do të kthehej  i jati nga kurbeti, për veç shumë gjërave të tjera, do të përpiqej të sillte edhe enë të qelqta. I pëlqente kur ai tek ulej pranë oxhakut i thoshte “ma sill këtu atë bodilen me rraki”. Dhe një nga ato që trashëgonte prej tij ishte dëshira për komposto dhe reçelna nga frutat e shumta që kishin. Dhe nën respektimin e procedurave e "nënshtroi" atë frut të amballazhohej në kavanoza. Me gëzim, pas disa ditësh, të zotit të mini-marketit i çoi dy kavanoza me komposto dhe reçel. Të tjerat diheshin do të shkonin tek fëmijtë, aty ku jetojnë në emigracion







Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου