Τρίτη 15 Οκτωβρίου 2019

MANASTIRI I Shën GJERGJIT DHE STELA E VOLLODERIT


                                   Qershor 1976

    Ora 8-të e mëngjesit na gjeti në Manastirin e Shën-Gjergjit në Volloder. Manastiri është një objekt jo i madh, i ndërtuar në vendin më të përshtatshëm pasi diku rreth 20m larg dhe më lart prej tij, në krahun e majtë kur e sheh nga rruga automobilistike Sarandë Bregdet ndodhet një burim i cili prurjet e tij më të shumta i ka në dimër. Muri rrethues është i dëmtuar rëndë dhe mund të kalosh në brendësi të tij nga çdo drejtim. Mbi portën e kishës e cila ndodhet me shikim nga rruga automobilistike ka të vendosur tabelën e vogël prej llamarine në ngjyrë blu që e cilëson atë si objekt kulture. Si në të gjitha këto objekte edhe aty është vendosur një portë e hekurt. Me gjithëse fletët e saj ishin të mbyllura, dryni aty nuk ekzistonte. Κaluam në brendësi duke i tërhequr ato nga jashtë. Keqardhja që pësova ishte tepër e madhe. Megjithse nuk besoj në atë që thonë për Zot e Krisht, në atë që shoh tek prindërit e mi, në jetën e përditëshme për ekzistencën e tyre, pikërisht tek ndjesia se ajo ishte pjesë e jetës që ata kishin kaluar me këto simbole, më ligështuan. E dija se ky manastir për bregdetarët ishte një simbol bashkimi për ta. Veçse në një kohë tjetër. Sot mund të shikosh tek-tuk kavanoza të vegjël qelqi të ndezur, të vendosura fshehtas.
E gjithë ajo hapësirë brenda, sheshi ku ne kishim shkelur me këmbë e deri tek ajri që po thithnim ishte tepër i rënduar nga era mbytëse pasi ai ambient përdorej për të strehuar bagëti të imtë. Në mure  ndjehej dhuna e vazhdueshme e ushtruar mbi to. Që nga ikonostasi, tek portretet e shënjtorëve.Gërvishje të shumta dhe emra të ndryshëm për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Me gjithëse herë pas here e vështroja heshtur Sofon* për të kuptuar se ç'farë po ndjente ai në këto çaste, unë për vete isha tepër i dërmuar. Ndoshta për vet faktit të karakterit tim të ndjeshëm.
      Dolëm prej andej duke i hedhur një shikim të gjithë terrenit ku ishte ndërtuar manastiri me murin e rrethimit dhe ato pak ambiente që shkojnë drejt degradimit. Vendodhja e tij ka orientim jugperëndim-verilindje
Qëllimi ynë nuk ishte vetëm manastiri por edhe ato ngritje të buta, të ndodhura përgjatë rrugës automobilistike poshtë saj, të cilat zbresin ëmbël deri në fushë. Kur kishim shkuar një herë në Finiq, në krye të kodrës ku është ndërtuar akropoli i Foinikes, pasi sot ka vetëm disa fragmente e trakte muresh  të asaj mrekullie, ndjemë atë çka zotërohej prej andej nga shikimi ynë. Nga ajo lartësi, gjithçka e kishe në pëllëmbë të dorës. E ngritur gati në qendër të asaj fushe të begatë, duke bërë një rrotullim 360’ kontrolloje gjithë hapësirën që të zinte syri. Nga ekspeditat informative të kryera, ajo nëntokë e pasur me material të bollshëm arkeologjik nuk do të na lënte as edhe një herë duar bosh, ku të cilat pothuajse do t'i përkisnin periudhës të shek. III-II p.e.sonë. Edhe këtu në Volloder në kurizet e këtyre ngritjeve të vogla do të shfaqeshin objekte arkeologjike. Para gërmimeve për tarracimin e asaj zone mbi sipërfaqe do të gjeje me lehtësi mbetje qeramike. Kur filloi tarracimi i tyre, kovat e mëdha të eskavatorëve thyen e copëtuan pa pikë mëshire çdo gjë që kishte qëndruar në heshtje për mijra vjet. Pjesë vazosh, pitosash dhe enë të përdorimit të përditshëm. Edhe ato dy tre vare të zbuluara nga gërmimet e eskavatorëve ishin të dëmtuara tmerrësisht keq. Në  pjesën ku kryhet shkallëzimi midis dy tarracave me një lartësi afër 0.50 m, po thuajse po aq larg burimit prej manastirit, ndjehej pjesa e sipërme e një guri gëlqeror të punuar nga dora e njeriut. Me mjete rrethanore e zbuluam dhe e nxorëm në sipërfaqe. Ishte një stelë varri me lartësi afër 1.05m. dhe gjerësi 0.37m. Trashësia e saj shkonte në 0.10 m. Nga pjesa e sipërme e faqes ballore ka një fronton në formë trekëndëshi dybrinjëshëm ku në kulm të tij lartësohet një gjethe në formë koni. Poshtë këtij trekëndësi ndodhen dy vija paralele të ndara në kuadrate të vegjël jo shumë të thellë. Më poshtë ndodhet mbishkrimi në dy rrjeshta ΝΙΚΟΛΑΟΣ ΑΝΤΙΠΑΤΡΟΝ (Nikolau Antipatru). Gërmat kanë një lartësi prej 2cm. Në qendër të stelës ndodhet vendi bosh ku vendosej sipas porosisë një relief në baltë të pjekur. Anash tij zbresin dy kollona të gdhendura. Besohet se stela i përket shek. III-p.e.sonë dhe ka ngjajshmëri me ato që janë gjetur në nekropolin e Finiqit.
Duke kërkuar, aty pranë ndjeheshin mbi sipërfaqen e tokës fragmentet e një ndërtimi me përmasa 5x5 m të ndërtuar me gurë. E shtrirë në bazë të terrenit, në pjesën më të lartë kapte 0.75m. Është i ndërtuar me blloqe gurrësh kuadratikë, në fuga të drejta të puthitura mirë me njëri tjetrin në të thatë. Trashësia e tyre shkon nga 0.5cm në 0.10cm. Kudo përreth përveç mbetjeve të shumta në qeramikës shfaqen varre të shkatëruara. Një pjesë e tyre të ndodhur në gjendje disi të mirë janë me orientim veri-jug. Ata kanë përmasa të ndryshme ku shkojnë nga 2.10m në 1.20m gjatësi dhe me gjerësi përsëri të ndryshme nga 0.80m në 0.40m.  Edhe thellësia e tyre ishte e ndryshme. Varret ishin të mbuluar me rrasa guri gëlqeror. Në brendësi të tyre u gjetën skelete të dëmtuara, të vendosura direkt në tokë në shpinë dhe me duar të kryqëzuara përpara. Ato janë të gjitha pa inventar ndërkohë që jashtë tyre ka material të mjaftueshëm të përdorimit të përditshëm.
Duke menduar se ky material të jep të kuptosh se jeta përreth ekzistonte që prej shekullit të III-p.e.sonë ndoshta duke vazhduar deri në shekujt e parë të erës sonë, kjo hapësirë mund të vërtetohet si një varrezë kolektive. Këto ishin mendimet e Sofos për gjithçka që pamë e zbuluam aty.
Stela duhej marë prej andej. Ishte shumë e rëndë. Na lodhi sa e çuam lart tek rruga. Me një mjet të rastit dhe sëbashku me një pjesë të vogël qeramike i dorëzuam pranë qëndrës arkeologjike në Sarandë që ndodhet tek kryqëzimi i martenitetit. Më vonë ajo u ekspozua tek muzeu me mozaik në qendër të qytetit, në katin e parë të ish PTT-së.  Më pas Sofokliu me ato që kishte mbajtur shënim e çoi për botim tek gazeta “Fitorja.”    


*Sofo- është emri i shkurtuar i shokut tim të përhershëm Sofokli Liti. 







Παρασκευή 13 Σεπτεμβρίου 2019

ANTEFIKSI I PLLAKËS


          
     Na lajmëruan se gjatë gërmimeve mbi shkollën 8-vjeçare në fshatin Pllakë dolën në dritë  pjesë muresh të një banese. Duke qenë të njohur në të gjithë zonën, lajmi i parë i daljes në dritë të objekteve të tilla vinte tek ne. Aty shkuan pas dy ditësh. Nga rruga ku na la autobuzi deri tek shkolla e cila shfaqej në krahun e djathtë, në vijë të drejtë objekti ndodhej rreth 200 m larg. Prej andej kaluam midis disa tarracimeve të gjera të terrenit që shkonin në ngritje. Tek shkolla na priste po ai mësues që na kishte njoftuar. U përshëndetëm me të dhe përnjëherësh shkuam tek vendi ku kishin dalë mbi sipërfaqe pjesë të objekti në fjalë. Gjatë vëzhgimit vurëm re murret e një banese, dy varre si dhe një grumbull të mjaftueshëm enësh të përdorimit të përditëshëm. Gjithashtu edhe dy kollona të fragmentuara me diameter 0.30 m. Mbi to ndjeheshin dhëmbët e kovës të skrepit të cilin po ai mësues e kishte ndaluar të vazhdonte gërmimin.
Gjatë matjeve që kryejtëm banesa kapte përmasat 15x15 m me një hyrje nga ana perëndimore. Muret e saj ruhen deri në lartësinë 0.50m. Janë të ndërtuar me blloqe gurrësh të mëdhenj me përmasa që lëvizin nga 1.20 x 0.80 x 0.30 m dhe 1.00 x 0,80 x 0.50 m të lidhur në të thatë, pa llaç. Kanë një trashësi nga 0.30 m në 0.50 m
Me një shikim të lehtë, jashtë banesës ndjehej materiali i bollshëm qeramik dhe trakti i një muri. Ai ndodhej në anën perëndimore të banesës, dy metra pranë hyrjes me drejtim nga veri-perëndimi. Gjatësia e tij shkonte në 4m. Gjatë kërkimeve që kryem vumë re një numër të madh fragmentesh qeramike. Fragmente pitosash me grykë të gjerë e me buzë të sheshta dhe sidomos pjesë amforash,vorbash dhe kupash.
Duke vëzhguar terrenin, gati me të njëjtin material u ndeshëm edhe në kodrat përreth. Aty  gjetëm një antefiks prej qeramikë të pastër në okër. Ajo kapte përmasat 0.24 x 0.29 x 0.03 m. Në të paraqiten dy kuaj në kulm të vrapit të cilët janë duke tërhequr një karro.*
Pranë banesës zbuluam dy varre. Varri i parë ndodhet  në jug të banesës, jo shumë larg prej saj. Ai ka formën e një arke të ndërtuar me rrasa guri gëlqeror, tre prej të cilave shërbenin si mbulesë dhe ishin mjaft të dëmtuara. Kapte përmasat 1.00 x 0.55 m me thellësi 0.60 m. Kishte orientim jug-perëndim. Skeleti ishte i dëmtuar dhe ndodhej i shtrirë me shpinë e me  gjymtyrë të tendosura përgjatë trupit dhe duar të kryqëzuara para barkut. Kokën e kishte të mënjanuar nga jugu. Skeleti shoqërohej vetëm nga një fibul bronxi.
Varri i dytë, ndodhej jo shumë larg të parit  nga ana veriore. Ai u zbulua nga hapja e një kanali vaditës. Edhe ai ka formën e një arke  të ndërtuar me rrasa guri gëlqeror, ku pllakat e të katërta anëve ishin të plota ndërsa e pesta që shërbente si mbulesë ishte mjaftë e dëmtuar. Ka përmasat 2.10 x 0.97m me thellësi 0.90 m me orientim verilindje-jugperëndim. Skeleti ndodhej i vendosur drejtpërdrejt në tokë i cili shoqërohej nga disa fragmente enësh të shpërndara në të gjithë varrin.**
Si gjithmonë, në bazë të materialit arkeologjik të zbuluar pranë fshatit Pllakë Sofokliu do të përcaktonte, datonte si kohë më të mundshme periudhën antike shek. III-II p.e.s. kohë në të cilën këto kodra mund të kenë pasur ndonjë vilë ose tempull. Prej andej morëm antefiksin dhe fibulën prej bronxi të cilat i dorëzuam në qendrën arkeologjike. Nga qendra nuk u ndërmor asnjë veprim për të shkuar në Pllakë.

*Antefiks-Eng-Alb. Fragment objekti në qeramikë.                                                                                       
                            
                                   25 Shkurt 1987


*Artikullin për zbulimin e këtyre objekteve e botuam në gazetën “Bashkimi” datë 1 Mars 1987.                                   
**Gjatë rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik të Butrintit, në vitin 2005, të gjitha efektet dekorative si në gips edhe në kolor, i zbatova me grupin tim të punës. Aty vura re të ekspozuar Antefiksin e Pllakës. Ai, në katalogët e muzeut cilësohej si objekt i gjetur në Butrint. Duke pyetur një nga specialistët që po kryenin sistemimin e vitrinave, përgjigjja e tij ishte se do të mbetej si objekt i zbuluar aty. Nuk mund të kryhet ç’regjistrim. Këtej e tutje ai quhet objekt i gjetur në Butrint. Për fibulën e bronxtë nuk kishte as edhe një informacion.

Παρασκευή 12 Ιουλίου 2019

''BISEDË BURRASH''

                     Për ata që (s)merren me ngjyrën e flokëve të grave.

Në kariken që ndodhej më pranë murrit rrethues të bar-lulishtes, në aq sa kuptohej si e thërrisnin, ai ishte doktor. Një nga kirurgët  më të vjetër e qytetit. Në atë çast, si shumë herë të tjera  ai tregonte për operacionin e fundit të ndodhur kohë më parë. Tjetri, i ndodhur në krahun e majtë  të tij, ishte inxhinier. Edhe ai nga më të vjetrit e qytetit. I mbështetur me të dy bërylat e duarve mbi tavolinë kishte lëshuar peshën e trupit jo pak të rëndë mbi to. Turi varur. Kuptohej menjëherë se me mendje ndodhej diku tjetër. Personi i ulur përballë të dyve ishte peshkatar. Ai fliste veçse për detin, ''Pulëbardhën," barkën e tij dhe ç'ka sillte pas gjuetisë. Ishte me të vërtetë peshkatar i zoti dhe kuptohej se veçse ai mund ta shtronte atë tavolinë. Shkonte afër të pesëdhjetave. I ajthët por me trup të lidhur.  Dikur tepër muskuloz.
  Lëkura e tij, në pjesët më të dukshme të trupit dukej si ajo copa e shollës e futur në ujë. Në atë përballje, ku ai shpesh shfaqte krenarinë e një njeriu të zot, mund të shihje vërtet atë copën e shollës të ngjitur më së miri në fytyrën e tij. E punuar, e ngjeshur me merak pas saj, të krijonte përshtypjen se përpara teje ndodhej një qenie ujore e sapo dalë nga deti. Në sytë e shqyer, vetullat e tendosura dhe flokët e çakaritur të lagur nga djersët që i venin çurg nga pija dhe vapa e madhe, ndjeje se diçka kishte dëshirë të shprehte. Ishte një moment ku buzët i kishte mbërthyer aq fort me njera-tjetrën sa të krijonte përshtypjen sikur kishte dëshirë t'i ngacmonte  miqtë e tij, të bënte pak humor. Drejtoi trupin në çast dhe pa lëvizur shikimin nga ku e kishte hedhur, me një zë gati në të çjerr  ju drejtua të dyve duke i pyetur  në se i kishin bërë “detyrat e  javës.” Tepër çakërqef si gjithmonë doktori i kthehet menjëherë; se, për cilat detyra po i fliste. Duke drejtuar trupin pa i shkëputur duart nga tavolina ai u lëkund së bashku me të. U ngërdhesh në fytyrë dhe e lëshoi trupin në pozicionin e mëparshëm. Unë sot kam radhën, vazhdoi të fliste duke u krekosur peshkatari. U mundua  të pastronte bluzën mbi gjoks nga mbeturinat e peshkut që po konsumonte  me miqtë e tij. Duke lagur gishtin e madh të dorës me pështymë, zakon i vjetër, pastroi e shtroi  me gishtat e tjerë vetullat dhe palët prej lëkure që i binin mbi sy. I thashë që ta ketë gati “pulën e zezë.” E di ajo si bëhem kur largohem shumë nga shtëpia. Cilën “pule te zeze” o njeri i mirë, ja ktheu inxhinieri duke përsëritur prapë atë ulje-ngritjen e trupit të tij të rëndë duke e shoqëruar më pas me varjen e buzëve.  Ndërkohë doktori kishte  mbetur me të dyja duart të mbështetura në tavolinë përballë njëra tjetrës.Të krijonte përshtypjen sikur në ato çaste  po  vendoste për zgjidhjen e  konfliktit të dikurshëm, të ndodhur në kanalin e Korfuzit pasi shikimi i tij ishte hedhur tej horizontit, tek shfaqej ai ishull i madh. Kam më se dy javë larg saj vazhdoi atë që kishte lënë për gjysmë peshkatari. E di vet ajo. .Është një naze madhe por prapë...More, nisi të flasë doktori, i cili ndodhej me duart e mbështetura ende mbi syprinën e tavolinës, ajo imja e ndryshoi ngjyrën e kokës, e bëri bionde. Po ''pula'' e saj vazhdon ta ketë të zezë ngjyrën.… Inxhinieri duke përpëlitur sytë ngriti njërën dorë nga tavolina dhe pa e shkëputur bërylin prej saj, u mundua t'i fërkonte ata por humbi ekuilibrin. Nga pesha e trupit të tij të rëndë desh thyejti mjekër e çfarë kishte tavolina mbi vete. Dhe aty me gishtin tregues, duke e drejtuar herë tek njëri e herë tek tjetri sikur u hakërrehej vazhdoi: Koka e asaj zonjës time është zbardhur e është bërë na a a, borë e bardhë. Po  “pula” e saj a e gjeni dot se çfarë ngjyre ka sot. Nuk priti përgjigje prej tyre por u ngrit prej karikes duke i lënë si guak të dy ku më tepër peshkatari i pulëbardhës po e përjetonte më keq atë çast. Kërkoi të fuste duart në xhepa por nuk mundi. Tek po përpiqej të shkonte i pa edhe njëherë me inat të dy miqtë e tij të vjetër. E kaloi rrugicën ndërmjet tavolinave duke u lëkundur.

Τετάρτη 3 Ιουλίου 2019

KULLA E VROJTIMIT NË NIVICË

Tek përballesh me peisazhin përgjatë Bregdetit të Poshtëm, që nga fshati Nivicë e fshatrat në vazhdim, vëren një reliev tepër të thyer e interesant. Një majë mali që ngrihet me vërtik midis detit Jon dhe fushës së Krekëzës nga juglindja. Diku në zemër të tij, të emëruar Shëndëlli nga vëndasit, ndodhet Nivica “Porta e Bregdetit.”  E gjithë kjo zonë  që fillon nga gryka e Brodanit e lë rrugën të lëviz lirshëm duke u ngjitur në shpatin e tij. Dhe sipas terrenit ajo vazhdon gjarpërimin për të dalë në qafë. Aty duke i qëndruar disi vjedhurazi detit është ndërtuar Shën Vasili. Më tutje, në shpatet juglindore të vargmalit vazhdojnë fshatrat e bregetit të poshtëm. Dhe instiktivisht syri i çdo udhëtari tek lundron me automjet do të kërkoj në pafundësi atë që nuk e ka parë në asnjë vënd. Kjo kënaqësi, do të vazhdojë përgjatë gjithë rrugës që syri do të zbulojë atë mrekulli natyrore që në fshatin e parë të bregdetit, Nivicë Bubari.
Në atë të përpjetë, syri ndjek me ëndje një reliev tipik mesdhetar, të mbuluar nga kurorat e ullinjve si mbi rrugë e nën të. Dhe mali duke u zbutur në çuka e brigje të buta, poshtë në këmbët e tij bashkohet me fushën. Diku atje, midis rrënjëve të malit të Shëndëlliut që përpiqet të gllabërojë fushën, në vendin e quajtur Krekëz fabrika e tullave me oxhakun e saj tek tymos vazhdimisht i ka ndërprerë rrugën duke ja mar pak e nga pak dheun për ta kthyer në tulla. Forma si është konstruktuar relievi këtu, të thërret ta vëzhgosh. 
  Në 1983 pas një informate, në Shën Vasil, mbrapa shkollës 8-të vjeçare, bashkë me Sofokliun gjetëm disa varre antike, me inventar disi të plotë dhe në krah të tyre gati buzë greminës nga ana që shikon kodrën e Finiqit, përsëri  gjetëm objekte me interes. Ato ishin të përdorimit të përditshëm të periudhës të Ali pashës. Me vëzhgimin që kryem krijuam bindje se ndërtimi duhej të ishte fortifikim ose kulle vrojtimi. Kjo ishte arsyeja përse e kishim në vëmendjen tonë atë zonë. Po i rikthehem prapë të përpjetës të Shëndëlliut. Nga ana e poshtme e rrugës nacionale, në vendin e quajtur nga niviciotët “Bregu i Argjirit,”një rrugë tjetër zbret më të poshtë për afër 100 m e cila të çon në kreun e një kodre pak më të veçuar, e me një lartësi më të madhe. Në krye të ekspeditës ishte Sofokli Liti, miku ynë i ri arkeologu Halil Shabani dhe unë. Bensi-n e vendosa në një vend ku më pas të manovroja për t'u kthyer. Në krahun juglindor në një distancë 20 m larg na u shfaq një shtëpi e ndërtuar kohët e fundit. Me një fjalë, faktori kohë dhe njeriu e kishin bërë të vetën. Kreu i kodrës dikur i sheshtë qe tjetërsuar. Zhvillimi i tepërt i bimësisë së egër sikur i kishte flakur tej ato mure. Nuk ishin më ato ledhe që shikonim dikur nga rruga. Atë që pretendonim nuk e pamë. Traktet e murit ishin të pakta. Ai ishte ndërtuar me gurë gëlqeror paralelopiped  të punuar në faqet  ballore dhe në dy anësoret. Pjesa më e madhe e këtyre gurëve ndodhej e shpërndarë në faqet e kodrës. Ato kapnin përmasa të ndryshme si 1.10 x 0.25 m, 0.90 x 0.25 m, dhe 0.75 x 0.25 m. Gjithashtu, midis tyre viheshin re edhe gurë më të vegjël që kapnin përmasat 0.50 x 0.20 m dhe  0.40 x 0.20.
Gjatë vëzhgimit, të shpërndarë mbi të gjithë sipërfaqen e kodrës, gjetëm dy lloj tullash me përmasa të pa përcaktuara plotësisht por të ruajtura mirë me trashësi prej 6 cm dhe me gjerësi deri në 25 cm. Në faqet lidhëse të tyre gjendet ende llaç gëlqeror me kokriza rëre të pastër. Ato kanë ngjyrë okër dhe brumi i tyre i përzier me kokriza rëre e zhavor të imët, i pjekur mirë e ruan ende fortësinë e tij. Ndërsa tullat e tjera janë të kuqëremta dhe më të holla nga të tjerat.
Duke u rikthyer tek kreu i kodrës kur dikur ngrihej ai ndërtim, me dëshirën për të gjetur edhe një material sa do të vogël, ndjemë se bazamenti i ishte i dëmtuar keq.  Gjithashtu nga ana jugperëndimore të zbuluara nga këto gërmime gjenden edhe disa rrasa guri shtufor me përmasa 1.10 x o.66 x 0.07 m. Mandje dy prej këtyre rasave janë ende të vendosura vertikalisht duke dhënë përmasat e një varri me orientim përsëri nga juglindja. Rreth tyre gjenden me shumicë parete enësh me brumë të kuqëremtë  dhe fragmente tjegullash me të njëjtin brumë si ato të gjetura në kullat e Çukës dhe të Vagalatit.
Qeramika përbëhet nga tjegulla të tipit kalypter (me hark) dhe solen (të shtrira) që luhaten në trashësinë 2.5 x 3 cm. Njëra prej tjegullave kalypter, jep edhe gjerësinë e plotë të saj, deri në 28 cm. Rreth gropës së hapur në qendër të kodrës, u gjendën edhe disa eshtra (kocka) që ka gjasa të jenë të inventarit të varreve të hapura.
Nga një kontroll i imët që kryem në sipërfaqet e pjerrëta të kodrës, mundëm të gjenim buzë pitosi (enë balte të përmasave të mëdha) që përbëhen nga brumë i kuqëremtë, parete amforash dhe enë të përmasave më të vogla prej balte që i përkasin përdorimit familjar. Në brumin e tyre ndjehet pjekja e fortë dhe e mirë.
Në këtë inventar me materiale ndërtimi prej gurësh paralelopiped në dy përmasa, tullat e ndërtimit dhe enët prej balte të përmasave të mëdha rezulton se kemi të bëjmë me një objekt dykatësh, me përmasa aq sa e lejon syprina (sipërfaqja e sheshtë e kodrës), 5 x 6 m.
Mbështetur në pozicionin strategjik të kodrës, ku diku në lashtësi kalonte rruga këmbësore dhe e karvaneve që lidhte pjesën qendrore të fisit të zhvilluar të Kaonëve, me shtegun e kalimit për në Bregdetin Jon,  nga Qafa e Pazarit në veriperëndim të saj, nga ku dallohet qartë kryeqendra e Epirit Foenike, si konkluzion doli se mund të ishte një kullë vrojtimi.
Në qoftë se do të ishte si një e tillë, kjo kullë vrojtimi në periferi, duhej lozte një rol me rëndësi në koinonin  (shoqërinë) e Foinikes. Andej merrej informacioni i të gjitha lëvizjeve që kryheshin përgjatë kësaj rruge që të çon në bregdetin e Jonit. Pikërisht, materiali arkeologjik i zbuluar ishte i bindshëm se datohet me shek. III-II para krishtit.  Atëherë kur edhe Foinike kishte arritur fuqizimin e lulëzimin e saj.
I gjithë ai material arkeologjik përkon me ato të gjetura edhe në  kullën e vrojtimit në Vagalat dhe me ato të banesës tip kullë në Çukë. Gjithashtu dy përmasat e blloqeve të gurëve në formë paralelopipedi dhe tullat e ndërtimit, janë të mjaftueshme për të na bindur se kulla përbëhej nga dy kate. Prej të gjithave sa u konkludua u krijua ideja e ekzistencës së saj. Më vonë, mes dy, tre skicave në laps, njëra prej tyre ishte e bindëshme për atë që pretendohej në grup.
Pikërisht, zbulimi i kësaj kulle të jep një mundësi për të aluduar se sikurse kulla e Vagalatit, Karalibeut dhe muri i Demës, vërtetojnë se edhe ajo do t'i ketë shërbyer unazës mbrojtëse dhe informacionit nga “unaza mbrojtëse “ e kryeqendrës e koinonit të Foinikes përgjatë shek. III-II para krishtit. Nga vendasit kjo kodër ka dy emërtime : “Bregu i Shën Argjirit” dhe “Bregu i Kullotës Krekëz”.                                                                  


                                                                                           13. 8. 2013



Σάββατο 18 Μαΐου 2019

TEK VIJAT E BARDHA


     Nuk jam mirë. Prej kohësh po ndjej se të gjithë përreth meje më përçmojnë, më shtyjnë më përplasin. Duke udhëtuar me mjetin tim, me duart e shtrënguara fort mbi timon dhe shikimin përpara po mendoja nëse në këto orë të vona, do të gjeja pak qetësi në shtëpi. Por edhe aty, këto ditë gjithësecili po sheh punën e vet duke mos treguar as edhe një lloj interesi. Gërçi që më ka kapur është i keq, i hidhur. Më i hidhur se gjithçka tjetër. Tek po ndjeja nxitimin në krah të kundërt të ndriçuesave të rrugës, pa e kuptuar as vet, me një lëvizje të vogël të timonit i dhash drejtim tjetër automjetit. Duke ulur shpejtësinë aty pranë vijave të bardha, u përpoqa t'i jap kohë një kalimtari të kalonte në krahun tjetër. Reagimi i tij qe i kundërt. Më kërkoi ai që të vazhdoja më tej. Edhe përse ishte në vendin e kohën e duhur, ai ngulte këmbë që të kaloja unë. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë diçka e tillë. Si mushkat, forca e kundërshtisë po më detyronte të vazhdoja në atë që edhe ai po më kërkonte. Pas gjithë asaj kotësie, për t'i dhënë fund sa më shpejt, tërhoqa fort frenat e dorës dhe dola prej makinës. U përballa me të. Të ndodhur në një situatë absurde, ai nën efektin e alkolit që kishte konsumuar dhe unë në atë të kundërshtisë, duke e kryer atë debat me zë të lartë, të shoqëruar me këmbë e duar nuk po i jepnim zgjidhje. Më pas gjithçka do të kalonte përtej qesharakes. Një sinjal i shkurtër i prezencës të policisë tek po ndalonte pranë këmbëve tona do të na hutonte. Aty në trotuar, thirrja e të dy uniformave do të na detyronte të lidhnim duart pas koke. Pa kuptuar asgjë rreth asaj që po përpiqeshim t'u tregonim ata e panë të nevojshme të na çonin në rajonin e policicë më të afërt. Më vonë pas gjithçkaje të sqaruar që nga testi i alkolit, dokumentat personale të secilit dhe të automjetit u bindën në ato që dëgjuan. Dhe më i bindshëm ishte pozicioni ynë tepër sportiv në gjithçka që ne rrëfyem.
    Që në hapin e parë që hodhëm jashtë asaj porte, nuk e mundëm të qeshurën. Thirrëm një taksi. Aty tek po hipnim, edhe taksixhiu do të habitej me të qeshurën tonë që nuk kërkonte të pushonte. Më në fund u ndjeva mirë. Duke e qëlluar lehtë në sup mikun tim të ri i dhurova një buzëqeshje.   Në pasqyrën përballë, të ndodhur në qendër të asaj mase të xhamtë, fytyra e taksixhiut  po na vështronte me kërshëri.  Kërkesës time të shpejtë se ku duhej të na çonte ai i u përgjigj me një lëvizje koke.




Τρίτη 30 Απριλίου 2019

NË XHUNGËL


 Ishin të çuditshëm u shpreh ai dhe heshti. Pasi hodhi edhe njëherë vështrimin përreth qetësisë të natyrës që zotëronte shikimi i tij nisi të rrëfente historinë e ndodhur mes atyre njerëzve, të asaj bote gati të panjohur.
      Do të ndiqnim nga afër zgjedhjen e kryetarit i cili do të ishte edhe udhëheqësi luftarak i tyre. Festimet kishin nisur përpara mbritjes tonë. Nën rritmin e disa veglave muzikore tradicionale, kërcenin të gjithë kudo ndodheshin. Ishte një rritëm monoton që filloi të na bezdiste por të detyruar do ta ndiqnim atë festim. Shoqëruesi i cili u dinte gjuhën na shpjegoi se ato do të vazhdonin rreth një javë. Mes konkurimit të këngëve dhe valleve do të kishte edhe ndeshje trup me trup midis djemve, ku të cilët do të përdornin grushtin, shkelmin e çdo lloj veprimi të mundshëm për ta asgjësuar kundërshtarin.
  Pambarimisht, ato kërcime të zhurmshme vazhdonin të shtoheshin duke u dhënë rritëm dhe kuptim edhe më të madh lëvizjeve. Të mbledhur aty, gjithë secili prej tyre do të shfaqte vrrullshëm karakteristikat dhe tiparet e fisit të tij. Nëpërmjet këngëve dhe valleve, do të tregonin dinamikën, forcën. Bëhej fjalë për marrje pushteti. Fytyrat gati mistike të krerëve të atyre fiseve të ulur përqark atij rrethi të madh nuk shfaqnin asgjë. Në kohë të shkurtra, në ato shikimet e tyre jo të drejtpërdrejta, po shfaqej diçka që nisi të më shqetësonte. Duke kërkuar atë që nuk po kapja, në atë rrethin e madh njerëzor që qarkonte sheshin e kërcimit, me bustet e tyre gati të palëvizshëm, krerët e fiseve sikur ishin gati të ndalonin kohën pasi çdo gjë varej prej tyre.  Me vathë gjigant në buzë e në vesh dhe me ngjyrat e shumta të sajuara në fytyrat e tyre, u jepnin edhe më shumë rëndësi vetes. Mes sinjaleve tek kontrollonin situatën një shqetësim i padukshëm po u shfaqej. Më vonë në fytyrat e se cilit prej tyre instikti im prej zbuluesi u përpoq të kuptonte atë që nuk shfaqej. Çfarë po prisnin.  Çfarë mund të ndodhte. Ai shqetësim në rritje, tek po u shfaqej në forma të ndryshme kapej prej kërcimtarëve. Të kushtëzuar prej atyre reagimeve ata rrisnin edhe më tepër rritmin e kërcimit. Më vonë pas përplasjeve më të forta të shputave të këmbëve mbi tabanin e tokës ai kërcim do të ashpërsohej edhe më shumë.
      Të gjitha palët ishin përgatitur për atë ditë. Ishte harxhuar kohë për zbukurimin e trupave të tyre me dekore e ngjyra të shumta, ku se cili grup kishte simbolet dhe ngjyrat e preferuara. Në të gjitha ato lëvizje tek ngriheshin në ajër e përplaseshin në tokë me ato trupa tepër të zhdërvjellët, të mahnitnin. Më vonë egërsia e tepruar në fytyrat e tyre ku mund të preknin edhe hundën e njëri tjetrit në atë përballim, do të shoqërohej me ashpërsimin e përplasjeve të këmbëve mbi atë truall të ashpër. Nuk e di përse ndjeva një buzëqeshje gati të hidhur brenda vetes. Ndoshta po nisja të kuptoja atë më të pamundurën që mund ndodhte aty.
      Të gjithë, të përgatitur për fitore ku asnjë nuk po shfaqte shenja tërheqje. Ata që duhej të jepnin sinjalin ishin vet krerët e fiseve të ulur përqark vendit ku do të bëhej demostrimi fizik. Djemtë riosh që kishin mar përsipër të mbronin dinjitetin e fisit, po humbnin durimin. Sinjali, me atë tingull të veçantë, ende nuk po dëgjohej. Rritmi muzikor  i atyre pajisjeve të sajuara vetëm me dru nuk sinkronizohej më me kërcimet e tyre. Vullnetin e mëparshëm tashmë po e zotëronte zemërimi. Për pak, gjithçka mund të dilte jashtë kontrollit. Në ato çaste, përtej thellësisë të pyllit po ndjehej oshtima e të thirrurave, e britmave të një grupi njerëzish. Ajo veçse shtohej nga minuta në minutë. Përplasja e parë ndodhi në ajër midis jehonës që po vinte nga thellësia e pyllit dhe të thirrurave të kërcimtarëve. Ishte një përplasje që ngatërohej midis degëve dhe gjetheve të pemëve të shumta. Aty në lartësi duke i rrëshqitur njëra tjetrës nuk kuptohej se çfarë do të sillnin pas asaj loje. Por çdo gjë do të ndryshonte shumë shpejt. Pas asaj përplasje që po zhvillohej mes kurorave të pemëve, furia e atyre njerëzve do të ishte e dhunshme. Dhe jo vetëm. Prej kamave të shkurtra teh prerëse dhe atyre shtizave tek lëshonin do të derdhej gjak, shumë gjak. Nga paniku i shkaktuar prej atij sulmi të shpejtë do ta lëshonin veten në mëshirën e fatit. Edhe dikush që do të mundohej të largohej, disa metra më larg do të ndjente rrëzimin e trupit të tij mbi tokë prej atyre shigjetave. Ndërkohë rreshti i parë i atij rrethi ende po qëndronte i pa prishur. Një djall po ndodhte në mendjet e atyre njerëzve që pretendonin se ishin përfaqësuesit e atyre që pas çdo përpjekje për të shpëtuar nga ai tmerr veçse binin përtokë të pa jetë.
     Atë masakër nuk arrita ta kuptoj pasi jo vetëm frymëmarrjen por gjithçka prej shqisave të komunikimit m'i shkatërroi sa që aty mendova se kishte ardhur fundi. Më tej pa e kuptuar se sa zgjati ajo histori e  ndjeva veten të përkulur, me kokë gati duke prekur tokën sikur po prisja shpëtimin prej zotit. Më pas, disa fjalë gati si në thirrje do të më detyronin të reagoja. Ngrita trupin së bashku me kokën dhe u përballa me një turmë sysh të egërsuar. Nga ajo që kisha përjetuar pak më parë ndjeva sikur përpara meje ndodhej një përbindësh shumë kokësh që ishte gati të zbrazte zjarr e vrer. Shoqëruesi i ndodhur në çdo çast pranë meje pasi kameramani së bashku me atë pajisje “të frikshme” kamerën kishin pushuar  së ekzistuari, pa e kthyer kokën nga unë më shpjegoi se ata donin të mësonin se cilët ishim ne. Aty mendova se a do të më kuptonin vallë. Për misionin që kishte mbaruar pa filluar ende. Shoqëruesi duke ndjerë se diçka do të ndodhte ktheu kokën nga unë dhe më kërkoi se duhej t'u shpjegonim pozicionin tonë. Por të gjitha ato lëvizje e të shprehura nga ai u panë prej tyre si të dyshimta, të cilat ishin ato që përcaktuan ekzistencën e tij. Shoqëruesi, pa kuptuar se çfarë do të ndodhte me të, ra në tokë me kokën përtej. Pas përplasjes me shikimin e ngrirë në sytë e tij do të ndjeja trupin të më rrëzohej dhe më tej errësirë e plotë. Ajo kohë ndau atë çka ndodhi mes atij pylli dhe ditës tjetër ku ndodhesha i shtrirë mes baltës dhe ujërave të shumtë të shkaktuar nga ai shi i rrëmbyeshëm. Pa folur për kohën kur u përballova me njerëzit e parë që më morën dhe u kujdesën për mua, por edhe kur erdhën të gjithë ata që ishin të interesuar për atë mision të pa realizuar nuk më besuan se mund të kishte ndodhur një masakër e tillë. Më vonë mësova se u krijuar një forcë ushtarake e ndërhyrjes së shpejtë me specialista përkatës për të shkuar në vendin e ngjarjes. Nuk e mora mundimin të pyesja se çfarë mësuan prej atyre “fitimtarëve” por për një gjë jam i bindur, të vërtetën e asaj masakre nuk do ta zbulonin.

















  

Τρίτη 26 Μαρτίου 2019

NË BORDELLO


 Pas disa hezitimesh më në fund vendosi  të kaloj në brendësi të atij ambienti. Kaloi portën dhe mori shkallët që të çonin në katin e dytë. E pati të vështirë të përshtatej. Me një ndriçim të ulët të vendosur në faqet e mureve të lyera në ngjyra gati të errëta,  ai ambient i u duk jo i këndshëm. Tek po ulej në një prej kolltukëve të tej përdorur, të vendosur në qoshen përballë, i cili mund të quhej edhe  holl, nuk e ngriti kokën. Nuk i hodhi sytë në faqet e mureve tek ndodheshin fotografi të shumta me femra lakuriq. As edhe mbi revistat me porno të ndodhura mbi tavolinë. Më e keqja ishte se një erë e pa këndshme nisi ti ngacmojë flegat e hundës. Megjithatë përsëri nuk reagoi. Kujdestarja ose e cila mund të ishte edhe pronarja e atij ambienti, tek i u afruar në formën më monotone të asaj pune që po kryente i shpjegoi kushtet dhe tarifën e shërbimit. Me njëherë pas saj u afruan tre femra të moshës së re. Tekanjoze në atë çka po përpiqeshin të shfaqnin ato i shkuan pranë. I ndodhur ende i turbull, megjithëse kishte dilema ta ndërpriste atë veprim ai i drejtoi gishtin njerës që kapte lartësinë e trupit të tij. Ajo ishte një brune e lezetshme. Duke i u bindur veprimit të saj të menjëhershëm tek e thirri, i shkoi pas. Përsëri, megjithëse po e ndiqte fizikisht, me mendje nuk po i shkonte pas. I ndodhur përpara krevatit ndjeu portën të mbyllej. Instiktivisht, me gjithë kushteve të vendosura, prekjes në joshje që i dha ajo i u përgjigj duke mbështetur duart e tij mbi gjokset e saj të bëshme. Por i largoi shumë shpejt për të vetmen arsye se nuk ndjeu asgjë. U ul krah saj, në anë të krevatit duke mos e ngritur kokën për të mos u përballuar me të. Psherëtiu. Përsëri psherëtiu.  Nuk po gjente rrugëzgjidhje. Si për të kërkuar ndihmë ngriti kokën dhe nisi ta vëzhgonte me kërshëri. Ajo femër gjysëm lakuriqe e stërvitur për atë çka bënte i u afrua pranë duke mbështetur gjoksin e saj të bëshëm mbi trupin e tij, ndërkohë po i kërkonte të kuptonte se ç'farë po ndodhte me të. Megjithëse pamja e saj po e thërriste të vepronte ai përsëri nuk reagoi. Ej vogëlushi im, ç'ka po ndodh me ty i u drejtua ajo. Do të më thuash. E ndodhur shumë pranë ja pushtoi fytyrën me të dyja duart. Përballuan shikimet. Si i turpëruar në atë që po kryente nuk mundi ta shihte në sy. Uli shikimin dhe nëpër dhëmbë u shpreh se nuk i shkonin për shtat  këto veprime, por se ai kishte nevojë të ndihmohej prej dikush. U çua prej andej duke mbërthyer këmishën. Nga portofoli nxori dy kartëmonedha sa katërfishi i vlerës së detyruar. Në atë bordello ky rast mund të ishte nga më të rrallët që kishte ndodhur. Zotëri i u drejtua ajo, pavarësisht se çfarë të ka ndodhur, të këshilloj të mos dorëzohesh. Kushdo mund të ndodhet në momente të vështira. Por të tregohesh i fortë. Jeta është tepër e shkurtër. Disi si fshehurazi ajo i vendosi në dorë një copë letër. Aty ke telefonin tim, mund t'ju nevojitet. Kujtohu se gjithmonë ka një zgjidhje. Mos hezito, më kërko. Gjithsesi faleminderit për lekët.
Me letrën e mbledhur shuk brenda grushtit të tij ai doli në heshtje prej andej duke e lënë derën gjysmë të hapur.  

Κυριακή 10 Μαρτίου 2019

KISHA E SHËN PREMTES LUKOVË


   100 m pa shkuar në fund të rrugicës së kalldrëmtë i cili është edhe fundi i fshatit, nga krahu i djathtë i saj mer një degëzim tjetër. I pa shtruar me gurë ai zbret më të poshtë duke u kthyer në monopat. Diku aty në një tarracim gati natyral ngrihen muret e kishës të Shën Premtes.

Për të kisha dëgjuar shpesh nga pleqtë e fshatit të Piqerasit. Si besimtarë të rregullt, ata fshehurazi do të shkonin të ndiznin aty qirinj të shumtë. Nëpër zgavrat midis gurëve nga jashtë pasi porta prej hekuri do të ishte e mbyllur me dryn do të gjeje qirinj të shumtë. Duke qenë kishë me vlera të veçanta e periudhës së bizantit të hershëm,  ajo u kthye në monument kulture.
Unë nuk e dija se ku ndodhej dhe e kërkova duke ndjekur rrugën më të poshtë  që zbriste deri në fund të fshatit por nuk e pashë. Duke vëzhguar rrugicën e kalldrëmtë e cila mirëmbahet nga banorët e fshatit, murret e larta që rrethojnë shtëpitë e tyre me lulet e shumta mbi to, përmes hapësirës të një porte të hapur me një hark guri rmbi të,  vura re një plakë tek fshinte oborin. Nuk arita të trokisja pasi një nga fletët e mëdha u tërhoq përbrenda. Në atë përballje, në sytë e saj ndjeva urtësinë dhe ëmbëlsinë e plakave të bregdetit. I përgatitur për atë që mund të ndodhte, në kureshtjen e tepërt të vëndasve karshi të huajve dhe si cilësi e veçantë e moshës së saj, do të mund të më mbante aty dhe do të konsumoja tepër kohë, nuk i dhashë mundësi. Bile as i tregova që isha nga Piqerasi. Mund të shkonte edhe më larg ajo bisedë. Me shikimin e ëmbël që shkonte deri në zhibrim të thellë përbrenda meje ma bëri me dorë ta ndiqja. I shkova pas duke u ngjitur në ca shkallë të gurta që na çuan në një tarracë të vogël betoni ku e cila nga ana perëndimore mbështetej tek muri rrethues i shtëpisë ku po aty poshtë ndodhej edhe porta e madhe e oborit. Me dorën e zgjatur përpara nga ana perëndimore, më tregoi kishën e cila fshihej midis kurorave të ullinjve. Në vijë ajrore ajo ndodhej përafërisht 300m larg prej andej. Përsëri pa e ndarë shikimin e ëmbël të saj më ftoi të pija një gotë me ujë të ftohët. Në atë shikim që po vazhdonte të më kundronte akoma aty tek po pija ujin e ftohët ndjeva peshën në vite që mbante mosha e saj. Duke ma mbushur përsëri gotën, m'u drejtua, të kesh kujdes se vërdallë ka shumë gjërpërinj. Në çast nuk i kuptova dhe aq mirë ato fjalë por më vonë tek po shkoja drejt kishës, përbrenda tyre fjalëve ndjeva diçka tjetër. Pasi zbritëm tek porta, poshtë atij harku të skalitur bukur dhe të mirëmbajtur, më shpjegoi se ku duhej të kthehesha. Aty duke marë kalldrëmin në të përpjetë dëgjova të më thotë gati nën zë, në uratë të perëndisë djalo. Duke kaluar përmes tarracave kisha ende nuk po dukej. Pas një gjarpërimi dhe zbritje të monopatit ajo m’u shfaq përpara. Nuk ishte shumë e madhe. Terreni ku ajo qe ndërtuar merte një pjerrësi të lehtë në zbritje. Pjesa e pasme e saj ku në brendësi ndodhej ikinostasi, kapte pothuajse 1m nën sipërfaqen e tokës.
Në çastin e parë porta e hekurt e vendosur jo në qendër, në faqen me shikim nga lindja, mu duk e mbyllur por me një prekje të lehtë ajo u shty në brendësi. Si gjithmonë e njëjta ndjesi do të më tërhiqte fuqishëm përbrenda atij ambienti që nuk do të kishte fare lidhje me jetën e përditëshme. Nuk ishte një tërheqje çasti  por një vazhdimësi,  që më mbante rob prej kohësh. Besoj se e para si arsye ishte kujtesa nga fëmijëria. Momentet e shumta në fshatin tim, që nga kisha në qendër deri tek manastiri lart në mal ku ato festa tradicionale i përjetoja me emocione të mëdha. Për këtë arsye në atë periudhë fëmijnore shpesh herë ikja fsheurazi nga Saranda dhe shkoja tek gjyshërit, prindërit e nënës. Ndoshta është forma e të ndërtuarit tim, qenia ime njerëzore që më bënte të reagoja tepër njerëzisht karshi çdo fenomeni njerëzor dhe natyror. Dhe tjetra që pas burgosjes të tim eti ishte e vetmja mënyrë të shpëtoja nga realiteti i hidhur ku po jetoja.
Ajo hapësirë që merte përpjetë në brendësi të saj, pas çdo harku dhe kubature të krijonte ndjesinë e kundërt të kontaktit të parë nga jashtë. Sikur të tërrhiqte fuqishëm drejt lartësive.
Ngjyrat e ftohta të murreve tek shfaqeshin në çdo gurë të lidhur me llaç, nga harqet dhe kubeja kryesore që ngrihej më lartë nga pjesët e tjera, shkonin në gri të çelët , në ohër dhe vende-vende të pistë nga tymrat e kandileve. Në për to, diku nga ikonostasi ndodheshin fotografi ikonash. Në murret e saj që kapnin trashësinë 0.75x o.80m ndjeheshin të çarra të cilat po jepnin sinjalin për rrezikun që po i afrohej atij objekti me vlera. Nga jashtë murreve kisha kapte përmasat 11x 6m.
Harqet dhe kubetë e saj mbështeten në gjashtë këmbë guri (kolona) me diametër rreth 0.45m të vendosura larg faqeve të murreve në një distancë 0.65m. Largësia e kollonave nga njera tjetra nuk është e njëtrajtëshme por shkon afërsisht në 2m. Ato kapnin pothuajse 4m lartësi dhe pikërisht aty fillon të tjetërsohet për t'u kthyer në hark. Mbi to harqet të lidhur me njeri tjetrin mbajnë  peshën e rëndë e një radhe tjetër harqesh më të vegjël, ku mbi to është vendosur çatia. Sheshi i shtruar me pllaka guri gëlqerorë ndjehej pak i dëmtuar. Në krye të saj nga ana lindore ndodhet ikonostasi. E vendosur në qendër me një gjerësi 2.10m, e thellësi të harkuar nga jashtë në 1.10m. Ajo hapësirë e kufizuar në një distancë të përafërt  1.30m nga kollonat e para është e mjaftueshme për të kryer shërbimet e veta prifti. I preka me duar të gjitha ato që po më ngacmonin. Në atë lëvizje të ngadaltë tek ndjeja në mollëzat e gishtërinjve ftohtësinë e gjithçkaje që prekja pa pritur e pash veten jashtë saj. Duke ndjekur gjithë perimetrin e mureve të saj ndjeva atë ndjesi tek shikoja atë pakujdesi të institutit përkatës për mirëmbajtjen e këtyre objekteve me vlerë. Tek po përpiqesha të kapja lartësinë e tarracimit i preka edhe njëherë  ato mure të gurta.



                                                                                         30 shtator 1980

                 




                 



Τρίτη 5 Φεβρουαρίου 2019

NË NJË LAGJE TË QYTETIT TIM


                                    
Në anë të trotuarit, pranë shtyllës të betontë të linjës elektrike u dëgjua rrëshqitja dhe zhurma karakteristike e një biçiklete. Prej saj zbriti një djalosh në të kapërcyer të tridhjetepesë viteve. Me punën që ai bënte ishte i pari që jepte lajmin për ikjen nga jeta të ndonjë qytetari. Shumë pak qëndroi si emigrant duke u kthyer në atdhe, në qytetin e tij të lindjes. Tashmë ai punon në një zyrë varrimi si vendosës i lajmërim vdekjeve në shtyllat e betonta. Pleqtë e përditshëm të ndodhur në tavolinat aty pranë të kafenes së vetme të lagjes, tek kthyen kokën u ndeshën me shikimin e tij. Egërsia e shfaqur në atë fytyrë i hutoi ata. Më pas, vendit ku ishte lajmërimi i vjetër ai i kaloi një lyerje të shpejtë me kollë duke ngjitur një të ri. E përsëriti lëvizjen e dorës së tij sëbashku me furçën duke i kaluar edhe një shtresë mbi të. Kur i mbaroi të gjitha veprimet e rihodhi shikimin mbi ta . Të hutuar nuk shfaqën asnjë reagim. Jo vetëm egërsia por edhe fiziku i tij, gati u preu frymëmarjen. Ndërkohë ai kishte shaluar biçikletën dhe duke i rënë ziles së saj u nis.
Ata pleq, të përditëshmit e asaj kafeneje, ishin nga banorët më të hershëm të lagjes. Erdhën aty rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar. Kishin të njëjtin mbiemër. Pa shkollë dhe zanat por u përshtatën shumë shpejt me vendbanimin e tyre të ri. Duke qenë fis i madh e tërhoqën njëri-tjetrin duke u shkëputur më së fundi nga ai fshat tepër malor dhe i vështirë për të jetuar. Nuk e shuan natyrën dredharake por e shfrytëzuan më së miri. Disa prej tyre, për të mbajtur një vend pune të mirë, u vunë në shërbim të atij institucioni të egër që mbante në këmbë diktaturën e proletariatit. Historitë që tregonin aty tek pinin kafen e ndonjë teke rraki, ishin gati të njëjtat. Histori personale gjatë ndërtimit të socializmit por edhe të periudhës të luftës së dytë botërore ku ata të paktën do të ishin në atë kohë afër 2-3 vjeçarë. Të fundosur ose më saktë të kërrusur në ato karike tek shihnin ndonjë kalimtar që mund ta njihnin, duke e shoqëruar me shikim në ikje do ta përgojonin në biografi si dikur. Në vazhdim të atyre ditëve, tek po kalonin orët e mbasdites e dëgjuan sërisht zhurmën e asaj biçiklete. E panë të zbriste prej saj. Në formën më instiktive të tyre po prisnin reagimin e radhës. Ata ndjenë sytë e tij të ndaleshin një për një mbi kokat e tyre. Më pas ai u drejtua nga biçikleta. Tek po ikte e detyroi zilen e saj të kërciste pa ndërprerje për disa metra rresht.
Të nesërmen, vendosjen e lajmit të ri tek shtylla pranë kafenesë, ai e planifikoi në orën më të përshtatshme që i shërbente qëllimit të tij. Ata pleq, të zhytur në pikëllim po prisnin me ankth ardhjen nga çasti në çast të lajmëtarit të vdekjes. Dikush që kishte gotën e rrakisë në dorë, për t'u siguruar se mos i derdhej nga ajo që po pësonte, e uli mbi tavolinë. Të gjithë, të urtë dhe të vëmëndshëm po ndiqnin çdo lëvizje të tij. Në atë përballim, dikush prej tyre vuri pëllëmbën e dorës mbi gojë me frikë se mos lëshonte ndonjë thirrje. Shkëlqimi i syve të lajmëtarit të vdekjeve i shoqëruar me harenë në fytyrë i çarmatosi ata të mjerë. Ai zbriti prej biçikletës duke u drejtuar nga shtylla. E mbuloi me kollë lajmërimin e vjetër dhe pasi e shtroi fortë me dorë të riun, i kaloi edhe disa herë furçën mbi të si për t'u siguruar se ai nuk do të kishte mundësi të lëvizte prej andej. Ata tek pëshpërisnin, kishin shpresë se shpirti i shokut që tashmë u mungonte, mund të kishte shkuar në xhenet por fishkëllima e asaj gome biçiklete në ikje e sipër i përmendi. Xhebrahili ishte ende vërdallë tyre.  Më pas ai kaloi disa herë prej asaj rruge por pa e kthyer kokën. Kaluan dy ditë kur u rishfaq përsëri. Tashmë për dy përkujtimore. Pasi mbaroi punën tek shtylla u drejtua prej tyre. Lëvizja e shikimit të tij gati sikur vërtetoi atë që mendonin ata kohët e fundit. Dikush ngriti dorën me gishtin përpjetë si për të thënë diçka por e uli shpejt. Duke i u marë goja i tha se ai që mungonte ndodhej i shtruar në spital me infrakt kardiak. Si dhuratë prej xhebrahilit ai mori veçse zgërdheshjen e rradhës.
Ngjitësi i lajmërim-vdekjeve pas dy ditësh kreu veprimin e përhershëm të tij. Njeriu që do të shfaqej me emër dhe fotografi në atë lajmërim ishte i sëmuri nga zemra. Në fytyrën e lajmëtarit gati profesionist, dhe i vetmi i qytetit, nuk mund të kuptoheshin qartë nuancat e emocioneve që po kalonte. E ndodhur diku aty pranë, e zonja e lokalit një grua në moshë dhe e vjetër në qytet, tek hodhi shikimin e saj mbi të shfaqi një dëshirë për t'i folur por u tërhoq duke u larguar prej andej.

DHE ËNDËRAT MBAROJNË SHUMË SHPEJT


Tek po flinte një dritë e fuqishme  i u përplas me forcë në fytyrë. Pas asaj ai e pa veten të ulur në të ndënjura buzë krevatit. Si fillim ishte i vetmi veprim më  i shpejtë që mund të kryente pas atij çasti të frikshëm. U përpoq të ambientohej. Hodhi shikimin përreth dhe megjithëse ndodhej në dhomën e tij të gjumit, gjithçka i u duk e huaj. Aty jashtë përtej masës së madhe të xhamtë të dritares ndjehej të çelej dita e re. E riktheu shikimin në brendësi të dhomës. Në krahun e djathtë të tij nga aty ku qe ulur, në komodinën e ndodhur buzë krevatit, i rënë mbi të, ndodhej abazhuri me pjesën e qelqtë të thyer. Ai fakt nuk i bëri përshtypje megjithëse e admironte sa herë ndodhej përballë atij poçi të dekoruar bukur.
Ashtu siç ishte, i ulur në krevat me brylat e mbështetur mbi gjunjë dhe pëllëmbët e duarve mbi fytyrë po përpiqej të kapte shkakun, arsyen që ndodhej në atë moment të vështirë. Por nuk mundi të arsyetonte për asgjë. Në ato çaste për të koha gati kishte ndaluar. Koha?! Cila kohë?! Dhe sa mund të zgjaste ajo. Ja, sa të kalojë edhe njësia tjetër kohë i tha vetes. Në fakt në trurin e tij në ato çaste nuk artikulohej asgjë përveçse asaj buzëqeshje të hidhur që i kishte ngirë në cep të buzës disa minuta më parë.  I shkoi ndërmend të shtrihej por, po të mos ta zinte gjumi ose në se  do të flinte, më tej  do të zhytej në ëndërimet e tij të pafundme. Ai kishte një veti tepër të veçantë ku arinte ti mbante mënd shumë mirë ëndrat, gati me imtësinë më të vogël. Kishte një pjesë të tyre që nuk kishin më interes për të kështu që ai i haronte shumë shpejt. Kishte raste që ato i rishikonte por me ndryshime të vogla ku thelbi i tyre ishte i njëjtë.  Në to ai shtronte zhvillimin e më tejshëm të cilësive të tij për aktrim. Dhe ishte tepër i bindur. Çdo ditë ende pa filluar  veprimet për ditën e re do të dilte përpara pasqyrës që i kalonte lartësinë e trupit dhe nga garderoba do të tërhiqte kostumin e personazhit të rradhës. Ja, aty përpara,  brenda asaj palltoje të madhe i shfaqej vetvetja tepër krenare me mjekrën dhe atë krifë flokësh të dëndur të dallgëzuara mbi shpatulla e deri tek balluket mbi ballë duke imituar lëvizjet e tij. Dhe të dy më perfekt se vëllezërit binjakë do ta përsërisnin disa herë pjesën. Të paktën për dy arsye. E para se ndjehej që diçka nuk po shkonte mirë dhe e dyta gjatë aktrimit do të ndodheshin në dy pozicione, nga protagonist në kritik të asaj që luhej prej tyre. Në fakt ishte disi e ngatëruar për të, por ai kishte besim tek vetja. Koha më e gjatë e këtij procesi ishte mbasditja. Do të punonte fuqishëm. Dhe i thoshte shpesh vetes se kishte bërë mirë që nuk kishte lidhje me ndonjë femër pasi do të konsumonte shumë kohë me të.
I  ndodhur ende buzë krevatit, tashmë as nuk i shkonte ndërmend të shtrihej. Ishte ende herët. Aty jashtë dritares natyra shfaqte gati të njëjtin çast. Para pak kohe ndjeu një moment tepër të vështirë që kishte të bënte me atë që ai e kishte qëllimin kryesor të jetës së tij, se çfarë ndodhi me të në atë përjetim. I u kujtua e gjitha fije për pe. Gati të gjitha rolet që ai kishte improvizuar. I mbusheshin duart nga DV-të e shumta. Ishte gjë e bukur. Po pra, kishte qenë në ëndër duke luajtur personazhet e tij të preferuar. Më tej do ta zinte gjumi i lumturuar. Aty ndodhi çudia. Nga humbja e gravitetit mëndësor i cili si proces kishte kohë që po zhvillohej brenda tij, ndjeu një si fluturim të shpejtë tek po kalonte në hapësirën kohë të ëndrës tjetër. Ishte fatlum, tashmë ndodhej përpara kamerave. Aty pranë grimierë, operatorë, kameramanë po bënin gati momentin e shumë pritur. Dhe çasti solli atë që nuk mund ta imagjinonte, shkatërimin përfundimtar të tij. Shpërthimi i fuqishëm i një projektori gati e verboi. Gjithçka ndryshoi shumë shpejt. Aty ndjeu trupin ti rrëshqiste dhe të rikthehej në ëndrën e parë me shpejtësi dhe brenda asaj kohe u soll si i marrë për atë që humbi. Si gjithmonë, ëndërat mbarojnë shumë shpejt mërmëriti nëpër dhëmbë. I rihodhi një shikim të shpejtë dhomës. Tek u ndesh me abazhurin mendoi se do ta kishte rrëzuar vet, se si kishte ndodhur nuk mundej ta kuptonte.
U ngrit prej krevatit duke ardhur vërdallë nëpër dhomë. U ndodh përpara pasqyrës. Në fytyrë nuk pa asgjë të shëmtuar por ndjeu pavendosmërinë e tij për atë çka bluante në kokë. Tashmë kishte filluar lufta për atë që kishte kohë që bluante.