Δευτέρα 23 Μαρτίου 2020

DY LETRA

   Kushtuar babait dhe xhaxhait tim.
   
    Do t'i vinte i biri. Në atë përpirje të shpejtë të rreshtave  të letrës të ardhur përpara dy javësh ai mësoi se më së fundi kishin vendosur ditën e dasmës. Ndjeu një gëzim të jashtëzakonshëm. Si prind, megjithëse i privuar për të mos qenë pranë tyre edhe ai e kishte menduar prej kohës se i biri duhej të krijonte familjen e tij. Nuk ishte më i vogël. Do të ishte një ndryshim për më mirë për të gjithë. Më shumë edhe për të shoqen ku të cilës do t'i ngrohej shpirti kur ta shihte edhe atë të martuar. Do të rehatohej më së fundi. Nuk do të qëndronte më pranë televizorit deri natën vonë. Tek do shihte t'i rishfaqej ajo drita e bukur në sytë e tij, ku më të shumtën e kohës ai qëndronte vetull ngrysur, shpirti i saj do të mbushej me hare.
Ishte ende në këmbë aty pranë dritares së vetme të dhomës të siguruar me shufra hekuri të trasha. Shikimin e kishte përtej hapësirës së fushës deri në pafundësinë e asaj që kapte syri i tij. Sa herë ndodhej aty ajo hapësirë e ndrydhte, e trembte. Ndjente sikur ecte dhe vetëm ecte. Nga posta e ditës së sotme mori lajmin e ri. Dy letra të ardhura në një kohë të shkurtër do t'i shtonin gëzimin e jetës. Çfarë mund të kërkonte tjetër. Nuk dëshironte më shumë veçse lumturinë e familjes. Ndjente përgjegjësi për jetën e tyre. I vetmi komunikim me ta, ishin ata zarf të vegjël me shkrimin e bukur e të birit mbi to. Larg tyre dhe i brengosur, priste me ankth lajmet e ardhura. Ishte e vetmja mënyrë. Brenda tyre do t'i shpjegonin me imtësi çdo zhvillim të jetës familjare që ata përjetonin.  Dhe ja, mësoi se do t'i vinte i biri menjëherë pas dasmës. Ngriti kokën dhe hodhi shikimin drejt bashkëvuajtësve dhe vëllait, i cili ndodhej i shtrirë në krevat, në katin poshtë. Si të gjithë të tjerët edhe ata të njëjtën vepër penale po vuanin,  atë të agjitacion propagandës kundër pushtetit popullor. Shpesh, tek e shihte me atë qetësinë e pëherëshme të shfaqur në fytyrën e tij ku vetëm ai mund ta zotëronte si të tillë, mendonte nëse vet do t'i kalonte ato vite të mallkuara aty brenda pa të. Urtësia e të vëllait, e atij njeriu babaxhan, do t'i siguronte një qetësi shpirtërore për t'i kaluar sa më lehtë ato kriza zemra e tij e lodhur. Por sot ai kishte përse ta shfaqte atë ndjenjën e bukur që kishte kohë që po e akumulonte. Gati si vjedhurazi e rihapi letrën të shkruar nga e shoqja. Kësaj radhe, me atë shkrimin e saj të shkujdesur ishte ajo që do t'i tregonte shumë gjëra për atë bijë të botës, tashmë gruaja e të birit të tyre. Vërtet ishte një ndjesi e bukur. Një ndjesi prindërore e ëmbël sikur e kishte njohur prej kohësh atë vajzë, atë bijë gjë që nuk kishte dëshirë ta humbiste pa e parë nga afër megjithëse ai takim do të bëhej në një distancë të krijuar prej dy ndarje hekurash tepër të trashë. E palosi me kujdes dhe hodhi një shikim të shpejtë brenda asaj hapësire ku në pjesë më të madhe të ditës e kalonin aty. Heshtje. Po lexohej posta e ditës. Në aq sa i jepte mundësi pozicioni ku ndodhej, u përpoq t'i vëzhgonte fytyrat e tyre. Të mësonte përjetimet tek po kalonin të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë. Në to, do të shtoheshin edhe shumë rrudha të tjera në trajta të ndryshme deri në spostimin e vetullave në forma të çuditshme, ose shpërthime gëzimi të shpejta të shoqëruara me lëvizje të ndryshme të trupit. Pavarësisht se ishin në distancë të largët me pjestarët e familjeve, për ta, ai çast ishte nga momentet më të bukura. Dhe do t'i lexonin e ri lexonin ato letra. Më pas në ditët në vazhdim do të merej me mirëmbajtjen e rrobave e gjithçkaje tjetër. Me ushqimin do të kujdesej i vëllai. Por shpesh si në këtë çast, i ndodhte ajo që ai nuk dëshironte. Rikthehej në kujtimet e ngjarjet e kaluara. Në mënyrë tepër të shpejtë "pa bërë llogari" i duhej kohë të dilte prej andej. I u kujtua dita e gjykimit. Aty në rreshtin e parë, në ankth e shoqja me fëmijtë po prisnin masën e vendimit. U tmerrua tek i pa të dridheshin për fatin e tij. Dihej se sa do të dënohej. Aty përpara trupit gjykues dhe njerëzve të shumtë që kishin mbushur sallën pasi gjyqe të tilla kishin kohë që zhvilloheshin me dyer të hapura, për t'i demaskuar publikisht “kundërshtarët” e partisë e pushtetit popullor. Në ato momente si për të dalë nga ajo situatë përdori “klikun” e tij ku me pëllëmbët e duarve mbështolli gjithë fytyrën duke e qëlluar lehtë atë. U rikthye në kohë. I ndodhte shpesh dhe ishte forma më e mirë për të shpëtuar nga makthet.
      Më në fund u tregoi shokëve se i biri kishte vendosur që pas “muajit të mjaltit” do të kalonte ta shihte. Nga kofidenca priti edhe romuzet e para prej tyre. Nga më të lehtat deri më të kripurat. Ishte e pranueshme ajo atmosferë që krijohej pas rrëfimit të dikujt për gjëra familjare. Ata pothuajse i dinin të gjitha se ç'farë u ndodhte gjithë secilit  në shtëpitë e tyre. Ishin po ata që i tregonin në momente të ndryshme psikologjike. Dikush kishte nevojë të shfrynte sikletin për ato që i ndodhnin. Tjetri për t'u mburur do t'i shtonte edhe diçka më tepër asaj që dëshironte të rrëfente.
Tepër i kujdesshëm, si gjithmonë, në ato që ishin të shtrenjta për jetën u kthye dhe u ul pranë vëllait, buzë krevatit duke mbështetur në gjoks dorën e tij. I dha letrën dhe priti. Edhe ai kishte nevojë ta lexonte. Sa e sa herë kur qe vocërrak e merte  në shtëpinë e tij për të kaluar pushimet e verës. Ai shëndetligu që nuk besohej që do të “bëhej,’’ ja sot po shkon t'i takojë. Ajo dritë e shpërthyer në sytë e të dy vëllezërve i ngacmoi zemrat e atyre burrave ku në të shumtën e rasteve shfaqnin ashpërsi. Nuk u kishte ndodhur ndonjëherë që të prekeshin e të lëshonin lot të tillë. Tek përqafoheshin, mes urimeve të shumta dhanë bekimin e tyre për çiftin e ri.

                                                Shtator 2017




                    

Τετάρτη 18 Μαρτίου 2020

VELJERA


                                                 


Aty tek çante dallgët mbi sipërfaqen e detit si një plug i madh, një vijë e bardhë shkume në gjatësinë konstante të saj e shoqëronte me të njëjtin rritëm. Nga toka, ai mjet lundrues po ndiqej me kureshtje të madhe. Ata që rendën të parët drejt molit që shërbente edhe si pikë kufitare të vijës bregdetare ishin fëmijët. Menjëherë pas ankorimit në bankinën e drunjtë, nga kapiteneria e portit doli një oficer i shoqëruar nga dy ushtarë. Drejtuesit e saj, të cilët ishin një çift të rinjsh të veshur me rroba të bardha, me çantat mbi supe u ndodhën përballë atij oficeri trupmadh. Me buzëqeshje në fytyrë dhe lëvizje të shpenguara  përshëndetën në gjuhën e tyre por ajo fytyra e ashpër e atij njeriu eshtërmadh poshtë asaj kapele ushtarake i stepi. Pas asaj, ata qëndruan veçse në pritje. Ato shprehje të pakta përshëndetëse në atë gjuhë të huaj e ngacmuan për keq oficerin e shërbimit. Ai tingull gati si në gërvishje, ish partizanit i kujtoi armikun e fundit që pushtoi atdheun e tij. Me duart e mbërthyera fort tek rripi i mesit dhe me sytë e shtrënguar gati në picërim mori pozicion tepër serioz si për t'u thënë atyre se ky vend tashmë ka zot.
Ishte dhjetëvjeçari i parë pas luftës së dytë botërore dhe transporti tokësor e detar kryhej me mjetet e mbetura prej saj. Në bankinën e molit, të ndrequr kush e di se sa vite përpara pluskonin disa barka të vogla peshkimi e ku e ku vinte ndonjë anije për të shkarkuar e ngarkuar mallra të ndryshme. Ndërkohë shërbente edhe si postë kufitare bregdetare. Ardhja e një barke të tillë në atë qytet të vogël me atë direk të gjatë gati dhjetë metra, po zgjonte kureshtjen e njerëzve të pakët që jetonin aty. Ajo shtresë që punonte në postet drejtuese, heronj e veteranë të asaj lufte çlirimtare, përveç zbatimit të direktivave të partisë, ishin në përpjekje e sipër për të konsoliduar pozicionet e tyre në strukturat shtetërore. Të pashkolluar, finok dhe naivë do të shfaqeshin tepër grotesk në sytë e të huajve. Ai oficer, një mashkull rreth të 40-ve, me flokë gati kaçurel tek i dilnin anash kapeles, për të mos bërë përshtypje të keqe në sytë e atyre njerëzve të mbledhur nga kureshtja, urdhëroi largimin e tyre. Pas asaj, me shenja e lëvizje duarsh u kërkoi ta ndiqnin. Në atë ndërtesë të vogël të lyer me gëlqere, të ndodhur jo shumë larg pontilit prej druri, fill pas tij kaluan në brendësi të saj edhe ata të dy. Ai oficer trup madh zuri vend duke u ulur në kariken e ndodhur midis tavolinës dhe fotografisë të udhëheqësit të veshur me uniformë ushtarake. U kërkoi dokumentat e identitetit. Ishte e pakta gjë që mund të bënte. U hodhi një sy të shpejtë atyre si për të vërtetuar se ishin të njëjtë.  Pasi rrotulloi levën e asaj aparature që të krijonte mundësinë për të komunikuar me tjetrin, e vendosi pjesën tjetër të saj pranë veshit dhe me një zë gati si në hungërimë u përgjigj me një  “si urdhëron” të shpejtë. Duke u ngritur prej andej, me trupin e tij të bëshëm, këmbët e hapura dhe duart në mes zuri gjithë hapësirën e derës si për tu treguar atyre se tashmë gjithçka varej prej tij.
Nuk vonoi shumë dhe për së largu u ndje zhurma e një xhipi ushtarak. Gati pa ndalur, prej andej zbritën dy civilë të moshës 50 vjeçare. Seriozë ose ndoshta për shkak të detyrës duhej thënë tepër hijerëndë, ata u drejtuan nga kapiteneria. Të  dy ushtarët që ndodheshin disi të shpenguar morën qëndrim gatitu me grushtin lartë pranë kokës. Ata, sikur të mos ta kishin parë ndonjëherë atë ambient, i hodhën një shikim të shpejtë duke e drejtuar më pas mbi “shkelësit e kufirit.” I kërkuan oficerit të shërbimit të regjistrohej me imtësi çdo gjë që mund të quhej e nevojshme dhe tjetra duheshin strehuar në ndonjë hotel ose bujtinë ku të caktohej edhe një roje për ta. Në bazë të procedurave për raste të tilla, për tu vërtetuar shkaku i kalimit të kufirit, me ta do të merreshin njerëz të tjerë.  
Dallimi i tyre mes turmës laramane, i bëri përshtypje të madhe atij ish partizani sot oficer shërbimi. Megjithëse kishte mar pjesë në luftë me armë në dorë kundër tyre, në një kohë fare të shkurtër mundi të shihte disa robër. Për veç luftës, kishte dëgjuar shumë gjëra të tjera për atë racë njerëzish që dëshironin të zaptonin gati gjithë botën. Pas një kontrolli të imtë në mjetin e tyre lundrues deri tek çantat të cilat i mbanin në kuriz si mushkat, duke u mar dokumentat e identitetit së bashku me gjëra të tjera që ai mendonte se duhej ti zotëronte  vet, i hipi në mjetin tjetër që kishte ardhur fill pas eprorëve të tij. I shoqëroi në hotelin buzë detit diku më tutje prej andej. Megjithëse ishte kurioz të përballonte shikimin me ta, kohën e shkurtër që kishte në dispozicion nuk e shfrytëzoi. Zbriti duke shtyrë përpara ndenjësen. Me çantat në duar dhe duke ulur kokën ata kërcyen në tokë. Përballë tyre, diku tek shkalla e parë e hyrjes të asaj ndërtese të ndërtuar që në kohën e Italisë i cili shërbente ende si hotel,  pa u shprehur në zë, një djalosh gati i mirëseardhi. Kjo gjë nuk i shpëtoi oficerit. Menjëherë u ndodh midis tyre. Djaloshi u përpoq t'i shpjegonte se kush ishte por nuk mundi. Ai i kërkoi të mos komunikonte me ta pa lejen e tij. Duke i hedhur një shikim të shpejtë vuri re diçka të çuditshme tek ai. Ajo që mund të quhej një lloj ngjajshmërie me  shkelësit e kufirit, e ngacmoi. Fytyra e bardhë, flokët gati në ngjyrë gruri të çelët të qethura shkurt dhe më tepër ngjyra e syve të tij. Ai djalosh e shfrytëzoi momentin duke u prezantua si përkthyesi. Pa e kuptuar se çfarë po  bënte dhe çfarë mund të ndodhte me të më vonë hyri në komunikim me ta. Megjithëse pati disa ngecje në atë bashkëbisedim e mori informacionin e nevojshëm. Por ndërhyrja e menjëhershme e asaj uniforme do ta zbrapste gjithë frikë prej tyre. Gati duke i shtyrë ata të dy, pasi i ngjiti ato shkallë i futi në një nga ato dhoma që mund të ishte më e kontrolluar. Me pak fjalë u kërkoi të dy ushtarëve që të tregoheshin vigjilentë. Zbriti, i thirri atij djali që e quante veten përkthyes dhe duke e shtyrë gati me dhunë brenda xhipit urdhëroi shoferin ti çonte në komandë. Duke u treguar i devotshëm në detyrën që kryente, u tregoi me “imtësi” dëshirën e atij djaloshi që e kishin si përkthyes për të komunikuar me ta.
Në ato përballime shikimesh midis të dy atyre oficerëve diçka po përcillej. Por midis atij oficeri shërbimi dhe djaloshit që besonte se e dinte mirë atë gjuhë veçse një hendek i frikshëm po krijohej. Veprimi i atij besniku ndaj ligjit, gati ishte miratuar që në ato çaste. Ndërsa për atë djalosh, pavarësisht se si kishte kaluar ato vite internimi në atë dhe të huaj gjatë luftës së dytë botërore, nuk do të ishin asgjë nga ato që do të vuante më tej. Duke kaluar dy situata të ndryshme në atë vend ku u mboll fryma e luftës kundrejt të tjerëve, nga kampet e punës e më pas qytetar të lirë. Si në ëndër i kujtohej dhe e thoshte shpesh momentin kur një ushtar i aleancës anglo-amerikane i kërkonte të rinte e mos të kthehej në atdhe dhe të martohej me motrën e tij. Por veçse të njëjtën përgjigje i kthente se e priste mëma, nëna e tij në fshat.
Më tej, çështja e të dy “shkelësve të kufirit” që ishin thjesht një çift të dashuruar, të fejuar e ndoshta të martuar pasi nuk kishin ndonjë dokument për t'u verifikuar si të tillë, u sqarua deri në instancat më të larta të mbrojtjes kufitare dhe u lanë të lirë. Ndërsa për njohësin e gjuhës të pushtuesve të fundit të atdheut të tyre, pas disa muajsh të plotësimit të dosjes voluminoze me material që nga koha e luftës ku ai ishte veçse një gjashtëmbëdhjet vjeçar, do të mjaftonin për ti dhënë dënimin më të mjaftueshëm.


                           


Σάββατο 14 Μαρτίου 2020

PËRTEJ IKJES

 Gjithmonë në ngjitje, të gjitha ato shkallë të cilat nuk ishin pak, ai i mori me vështirësi të madhe. Ende pa u ndalur tek porta e rrethimit të shtëpisë e kërkoi me sy të zotin e tij i cili po e priste disa hapa larg portës. I detyruar hodhi me vështirësi të madhe hapat mbi asfalt. Nga pesha trupore dhe mosha e madhe nuk mundej të ecte lirshëm. Në mënyrën se si komunikonte me të  lëshoi një lehje dhe më pas disa të tjera. Me ato thirrje po i kërkonte ndihmë. Nuk mori përgjigje por ndjeu se ai po e dëgjonte me vëmendje. Nga kënaqësia, duke tundur lehtë bishtin u nis drejt tij. I qëndroi përballë  duke u mbështetur në dy këmbët e para pa i a ndanë sytë njeri-tjetrit. Të dy e kishin kuptuar se ç'farë po ndodhte. Atij djaloshi megjithëse i dukej i tmerrshëm vendimi që do të kryente, nga të gjitha format dhe mundësitë kjo ishte më e drejta për të. I kërkoi ta ndiqte. Tek po ecnin, në mendjen e të dyve po përpunohej përjetimi i pjesës tjetër. Për atë krijesë besnike ishte shumë e vështirë të ndahej prej tij. A do të mundej i vetëm në atë botë me errësirë të frikshme. Tek po ecte, si ato vetëtimat tek çajnë qiellin të shoqëruar me një dritë të fortë, ndjeu diçka të nxehtë t'i përshkonte trupin dhe me mundim të madh u përpoq të mbahej në këmbë. Por do të ishte miku i tij i përhershëm që do ta shpëtonte nga ai moment i vështirë. Do ta ndjente veten në krahët e tij të fuqishëm. Psherëtiu i mallëngjyer. I u kujtuan momentet e para. Ashtu i vogël kur ai e mbante në pëllëmbë të dorës duke e prezantuar me njerëzit e familjes. Me sytë ende të pa hapur, mundohej të nuhaste aromat e tyre, të ambientit ku ai do të kalonte jetën së bashku me ta. Ndërkohë midis dëshirës dhe asaj që po ndodhte e lëshoi edhe më tepër trupin. Çuditërisht ndjeu atë që mendonte ku herë herë po i pëlqente, të ikjes në pafundësi. Atje tek po rrëshqiste drejt dëshirës së vetme, ndjeu një ndryshim në lëvizje. Hapi sytë duke u përballur me shikimin e tij. Duhet të ulemi i tha ai. Duhet të ç'lodhemi pak, ja aty në anë të rrugës, pranë asaj pishe dhe hodhi shikimin e tij drejt kupës qiellore. Kishin ende rrugë përpara për të kapur lartësinë, aty ku së bashku kalonin orë të tëra duke numëruar yjet e shumtë. Ndoshta ai ishte qëllimi i të dyve. E ndjeu lirshëm veten mes atyre duarve të fuqishme. Në pamundësi ta ndiqte me shikim, duke e shoqëruar me disa gavjime të lehta u përpoq të përqendrohej në zërin e  tij të ëmbël. Në të njëjtën kohë tek po kujtonte të kaluarën, dëgjoi atë tek i thoshte se e kishte dashur shumë dhe do të vazhdonte ta donte. I zhytur mes atyre përkëdheljeve të buta, ndjeu një ndryshim në zërin e tij. Hapi sytë duke e parë me imtësi në fytyrë. Në të dashuria ishte ajo e përhershmja tek ja jepnin njëri-tjetrit. Megjithëse nuk i kuptonte të gjitha sa ai thoshte e pëlqente ta dëgjonte tek fliste. Do t'i ndiqte me vëmendje lëvizjet e mimikës dhe lëvizjeve të shumta trupore të tij. Dorën nga ai e drejtonte do ta shoqëronte me shikimin e tij të turbullt. Kur ai shpesh i fliste për qiellin, për ata yjet e shumtë ku vetëm ata të dy mund t'i kuptonin ato çaste. Atë moment, këmbësorët e pakët që mund të kalonin do ta ndiqnin veçse me bisht të syrit bisedën mes mes tyre. Por nuk do të vononte shumë, një makinë tek po zbriste do të ndalonte. Nga krahu tjetër i drejtuesit, një femër do të dilte prej saj. Me dorën përpara sikur nuk do të mund të arrinte aty u shpreh: Oh sa më dhimbsesh bukuroshi im. Ju vura re para gjysëm ore tek po shkonim për lart dhe çuditërisht ndjeva se diçka po ndodhte me ju. Dhe nuk gabova. Përtej asaj që duam, çdo gjë është në dorë të Zotit. I kalova edhe vet ato momente. Ishte fare, fare i vogël kur ma dhuroi i dashuri im aty ku do të takoheshim. Dhe duke fshirë  një pikë loti drejtoi shikimin nga ai tek po priste në makinë. Supriza e parë nuk ishte puthja por ky bukurosh u shpreh ajo duke i treguar një foto të tij. Tek po përjetohej keq prej tyre ai moment i vështirë, u shoqërua me një gavgjizmë në shuarje të asaj krijese. Ajo e përkëdheli atë duke pyetur të zotin për emrin e atij bardhoshi. Sapo e shprehët i u përgjigj ai asaj bukuroshe bjonde. Po vërtet, emër shumë i bukur. Shko pra, kryeje atë që mendon. Edhe unë kështu veprova. Çastet e fundit i kaloi aty ku unë, ai dhe i dashuri im përjetuam momentet më të bukura të jetës. Edhe atë pak jetë që u mbetet, në asnjë lloj formë nuk kemi të drejtë t'u a marrim. Vetëm Zoti mund të veproj mbi ta. Ajo bjonde e bukur, tek po ikte i fali një  buzëqeshje të ëmbël. Aty ku shfaqet bukur një dashuri njerëzore, në formën më magjike të saj, krijon rezonanca të fuqishme. Përjetuan sëbashku atë ndjesi, të humbjes të krijesës më besnike. 
Eh Bardhoshi im mërmëriti ai nëpër dhëmbë, më ngushëlloi ajo vajzë simpatike. Dhe për të kapur kohën, pa menduar në se ata nuk do ta dëgjonin, i shoqëroi fjalët duke tundur duart në ajër: Në galaktikë ekziston ende një yll pa emër. Do t'i vendos emrin e tij. Së shpejti do të ndodhem shumë larg prej këndej dhe me të dashurën time do ta ndjek me ëndje trajektoren e atij ylli. Dhe pambarimisht tek mjeti i tyre po lëvizte më të poshtë, e  përshëndeti atë deri në çastin që do të merte kthesën e parë.  




      

Τετάρτη 4 Μαρτίου 2020

ÇOBANI, I VËLLAI TIJ DHE DEPUTETI


       
     Me ato veprimet e zakonshme të çdo kujt të sapo ngritur nga gjumi tek po kruhej ku nuk i kruhej, shkoi drejt portës. Nga ai gjumë i thellë që e kishte kapur pas dy ditë pune të sforcuar, nuk mund ta kuptonte se sa kohë kishin që po trokisnin. Tërhoqi shulin i cili ishte i vetmi mjet për mbylljen nga brënda duke e lënë portën të lëkundej. Menteshat, të cilat ishin po aq të vjetra sa vet ajo, nuk dihej se sa mund ta mbanin ende në këmbë. Përpara tij një dorë e zgjatur  dhe një fytyrë fëmijnore e pashprehur. I sapo ngritur nga shtrati me një lëvizje koke i kërkoi shpjegim. Atëherë, fëmija gati katërmbëdhjetëveçar, me telefonin që kishte në dorë i bëri thirrje personit që kërkonte të komunikonte me të. Zilja nuk zgjati shumë të binte pasi tjetri i u përgjigj menjëherë. Në çast ai njohu zërin e të vëllait. I mësuar me jetën e tij të thjeshte si çoban, ku edhe me bagëtitë komunikonte me fishkëllima e fraza të thjeshta, çdo fjale të tjetrit do ta shoqëronte me një “hë.” Dhe me disa “hë” të vendosura si prapashtesa, kuptoi më në fund se çfarë kishte ndodhur. E kishin botuar librin me këngët e tij. Të dielën tek “salla e kulturës” të cilën e thërrisnin ende me emrin e mbetur që nga koha e diktaturës, do të bëhej prezantimi me deputetin e krahut politik që i përkiste edhe vëllai i tij. Me një fjalë kishte filluar fushata për zgjedhjet lokale.  Pas aktivitetit politik, falë mbështetjes së tij, pjestarët do të njiheshin me librin, me ato këngë  ku veçse ai i këndonte aq bukur. Nga të gjitha sa dëgjoi një gjë si pëlqeu. Çlidhje kishte ai me zgjedhjet. Që kur ra diktatura as edhe një herë nuk shkoi të votonte. Nuk kishte arsye për të shkuar. Vetë kërkuan ti regjistronin. Po me bagëtinë si do t'i a bënte. Aty i u kujtua babëzia e tyre për të ngrënë mish e gjithçka që u ndodhej përpara të cilën së bashku me të vëllanë e përsëritën sa u desh qejfi. Ato të shtruara të bollshme me kecër qumështor të pjekur tek kuqëlonin në mes të mësallës, të shtruar aty në shesh e të shoqëruar me shumë gjëra të tjera. Me raki e verë të derdhur lumë. Më pas të ardhur në qejf i kërkonin të këndonte. Këndonin së bashku deri vonë edhe të tjera. Dhe në mëngjes si gjithmonë e kuptonte se çfarë kishte ndodhur me të. Dhe thoshte se nuk do ta përsëriste atë veprim të çmendur. Nuk do të pinte më. Jo më. Nuk duhej të trazohej me njerëz të tillë që nuk kuptonin se ç'farë bënin. Dhe i u kujtua kur njëri prej tyre i erdhi lart në stan. Me urdhër të vëllait do të regjistronte këngët. Si fillim e pranoi. Por ai “mjeshtri” i këngëve të tija, për ti shkruar e regjistruar ato këngë, do të vinte disa herë aty. Për ti bërë qejfin, falënderimet prej deputetit ishin fjalët e para që a i do ti thoshte. Falë karakterit dhe shpirtit të tij të pastër dhe sidomos të këngëve të bukura që këndonte. Në kthim, tek zbriste më të poshtë malit për në fshat, ai nuk do të ikte duar bosh as edhe një herë. Kërciti dhëmbët nga inati. Duke mërmëritur kokulur, pa e shkoqitur në fjalë të sakta atë që bluante në mëndje,  i zgjati telefonin  djalit. Ai, ashtu në këmbë i lodhur nga ajo rrugë e përpjetë po priste me padurim të mbaronte ajo mesele. Nuk e shfaqi atë që ndjeu për të por u zhduk në brendësi të kasolles duke u kthyer me një kupë me dhallë. Na ktheje i tha. E di që të është tharë goja e fryma. Tek e pinte në gllënka të vogla, shikimin e syve të tij të ndritshëm fëmijnor nuk e shkëputi as për një çast prej çobanit. Ai veprim i bukur i asaj fëmije ja zbuti zemërimin e mëparshëm. Si gjithmonë duke i shprehur në mërmërimë mendimet e tij, desh të thoshte se ai djalë meritonte edhe më shumë. Kaloi prapë në brendësi. Nga thellësia e “banesës” solli erdhi me një napë me gjizë të freskët. Mere i tha duke e shtyrë jashtë. Dhe ec me kujdes kur të zbresësh më të poshtë. Mos u nxito.
    E shoqëroi me shikimin e tij të mprehtë deri sa humbi midis ngritjeve të buta të dheut dhe pemëve. Mori frymë thellë dhe ktheu kokën nga bagëtitë të cilat në formën më instiktive të tyre prisnin veprimet që do të kryente. Por ai nuk e kishte mendjen tek to, por e kishte vendosur se si do të vepronte. Nuk do shkonte në takim. Nuk do të komunikonte më me ta. As me të vëllanë në qoftë se do të kishte atë mendësinë e tyre. Gjithashtu duhej të merrej edhe me kasollen. I zinin duart prandaj do ti bënte të gjitha punët vet. Dhe hyri në brendësi të saj për t'i parë më me imtësi.



Δευτέρα 17 Φεβρουαρίου 2020

NDËSHKIMI


                                              
        
Ai ndryshim i madh që kishte nga vërsniku, shoku i lagjes dhe i shkollës kishte nisur që nga fëmijëria e tij e hershme. Ishte një ndryshim që e shoqëroi në çdo moment të jetës. U përpoq por e kishte të pamundur t'i shmangej. I ndodhur nën ndikimin e ndihmës që ai shpesh i jepte, të cilën ai e kishte të nevojshme, diku aty brenda gjoksit të tij si kancer i rritej urrejtja për të. Në ato përballje të vazhdueshme me shikimin e tij të butë e tepër njerëzor, tek mundohej t'i shmangej, ndjente sikur ai ja kishte lexuar mendimet. Dhe qenia trupore i tjetërsohej  menjëherë duke e çekuilibruar sistemin e tij të formulimit zanor të fjalës. Në pamundësi, e paralizuar brenda asaj zgavre që quhej gojë tek hapej dhe mbyllej tmerrësisht keq gjuha nuk i kapte pozicionin e duhur për artikulimin e shprehurit. I rishfaqej difekti fëmijnor i ngecjes së fjalës e cila e ndëshkonte herë pas here.
Duhet larguar prej këndej i thoshte shpesh vetes dhe sa më larg të jetë e mundur ndoshta edhe në burg. Megjithëse e ndjente se nuk kishte mundësi të realizonte një veprim të tillë, kjo ishte përgjigjja e shpeshtë tek dialogonte me vetveten. Ajo gryerje e vazhdueshme që i kishte pushtuar gati gjithë trupin e përbërë prej dy elementësh frikës dhe hakmarrjes po e çonin në ekstremet e të menduarit. Shpesh në ato që mendonte, zhurma e përplasjes të çekiçit mbi tavolinë prej gjykatësit duke i dhënë dënimin më të ashpër, do t'i jepte kënaqësinë më të madhe, atë të mposhtjes së tij. Por në atë përballim të përditshëm shikimesh me të, për të kuptuar se kush do të mbijetonte, përsëri do të ndjente timbrin e veçantë të zërit të tij sikur i thoshte “po pastaj.”
Mendimi se duke e  zhdukur prapa hekurave, portave të rënda dhe viteve, do ta harronte atë fytyrë. Por frika e ndodhur brenda formimit të tij biologjik po bënte punën e vet. Gjatë ditës me çdo person që përballej, ajo fytyrë do t'i shfaqej. Natën vonë, tek shtrihej për të fjetur i shqyeshin sytë nga tmerri. Në brendësi të dhomës së gjumit, në ato dritë-hijet e zbehta tek lëviznin e merrnin trajta të ndryshme përsëri  buzëqeshja e tij do t'i shfaqej.
        Në një nga  netët në vazhdim, vonë, duke u përpjekur ta largonte gjumin,  ndjeu një masë ajri të hynte nëpërmjet portës dhe dritares. Një ndrithërrimë e shpejtë i pushtoi trupin duke ja shtuar edhe më shumë ankthin dhe frikën. Në një ngjyrë të cilën nuk mundi ta përcaktonte, duke  i tërhequr vëmendjen kryejti disa lëvizje të çuditëshme e të pakuptimshme. Në çastin e parë ndjeu t'i bllokohej frymëmarrja  dhe më pas shikimi. Ajo masë në të zezë, duke i kapërxyer honin e grykës, u shpërnda në brendësi të tij duke ja mar të gjitha ndjesitë njerëzore. Mes asaj shurdhmemecërie dhe errësirës të plotë që kishte pushtuar dhomën i u shfaq fytyra e tij duke i buzëqeshur.  

Σάββατο 18 Ιανουαρίου 2020

"LUKRECIA"

    Megjithë kërshërisë dhe ndodhjes disi në distancë për të parë se çfarë po ndodhte matanë atij muri ku vetëm ndjesia e dëgjimit do t'u jepte atë  mundësi, prej klientëve të përhershëm gjithçka u ndoq me vëmendje. Nga ajo skenë u shijoi tej mase rakia Si fillim ishin disa rrëzime dhe thyerje pjatash. Në vazhdim, një shtytje tavoline e shoqëruar me  ngulçima, pasthirrma dhe ngatërresa frymëmarrjesh. Kjo gjendje vazhdoi deri kur u dëgjua një shtytje edhe më e fortë tavoline e shoqëruar me shpeshtimin e nguçimeve të tyre që shkonin gati në hungërima. Pas të gjithave që ndodhën ra qetësia. Ajo, tek u ngrit prej vendit ku ndodhej ende e shtrirë përmbys, e cila ishte tavolina që përgatiste ato ç'ka do të servirte për klientët e ditës, u përpoq të rregullonte rrobat e trupit. Në përballimin me të, atë ç'ka përjetoi e cila ende i shfaqej në bulëza djerse mbi lëkurë, e fshehu menjëherë duke treguar natyrën e përhershme, harbutërinë ndaj meshkujve. Duke dalë vrullshëm prej andej i u kujtua çasti kur ai u shfaq aty për herë të parë. Në ato, çaste gjithçka që ekzistonte në fytyrën e tij ripërsërisnin emrin e saj të cilin nuk e pëlqente, Lukrecia, Lukrecia... U kthye nga ai dhe me një goditje dore në ije i dha të kuptojë se deri në rastin tjetër që ajo do ta dëshironte, ai ishte i pa vlerë për të duke pëshpëriur një shprehje gati të përsëritur "qafë derr i dreqit". Pas të gjithave që ndodhën u sul përpara dhe qëndroi si triumfatore tek hapësira që ndante sallën me pjesën që shërbente, shtyu perde ndarëse dhe hodhi  një vështrim të shpejtë mbi të gjithë. Fytyrave të hutuara, të atyre mjeranëve që lënin çdo qindarkë në lokalin e saj vetëm e vetëm që t'i ndodheshin pranë, u dha të kuptonin se nuk kishin asnjë shpresë në atë ç'ka ëndëronin. Duke lëvizur mes tyre, për veç rakisë, nisi t'u falë nga një përkëdhelje të lehtë.

      Ikjes së tij tek po dilte prej andej nuk i kushtoi rëndësi por sipas mënyrës të saj mendoi se duhej t'i tregonte se kush ishte. Dëgjo këtu ti zotëri i u drejtua. Herën tjetër kur të kalosh këndej nuk do të më thërrasësh me atë emër. Nuk më pëlqen. Ajo tjetra, e vërteta, me gjithë atë mbiemër të çuditshëm dhe histori të ngatërruar mediçe, dobiçe a ku ta di unë, mes parfumeve e shërbëtorëve të shumtë të cilës do t'i duhej një orë për të zhveshur ato rroba palë-palë, kurse unë ja vetëm me një komçë dhe gati. Dhe më pëlqejnë aromat e guzhinës time. I vure re këta bukuroshët e m'i se si i lëpijnë gishtërinjtë dhe nuk do të më ndronin me asgjë tjetër. Duke i hedhur një shikim të shpejtë llërëve dhe trupit të saj të bëshëm vazhdoi; Keçe më thërrisnin në vogëli. Keçe më thërrasin edhe këta. Keçe Bardhoshja.   
                                   




Τρίτη 14 Ιανουαρίου 2020

NË STUDIO


                                               

  Ai hapi derën dhe me kujdes zgjati kokën në  brendësi të saj. Si fillim kaloi njërën këmbë. Më pas sëbashku me trupin edhe tjetrën. Heshtja karakteristike që zotëronte ato momente qetësie i pëlqente vazhdimisht. Ndoshta ishte kjo arsyeja që vinte me vonesë. Pa u përpjekur për të gjetur vend, pasi gjithë hapësira e studios nuk ishte e bollshme e ngriti kavaletin diku pranë derës ku prej andej u përballua me shpinën e modeles. Në këmbë, mbi një podium të improvizuar dhe me duart e mbërthyera mbi një tubo hekuri ajo sikur priste urdhërin të kryente një lëvizje të shpejtë. E kopsiti letrën e vizatimit mbi kavalet duke kaluar pëllëmbën e dorës mbi të. I turbulluar nga disa gota me konjak të rrëkëllyera me shpejtësi para se të shkonte aty, po përpiqej të përqëndrohej. Picëroi sytë disa herë duke e shoqëruar atë veprim me një lëpirje të shpejtë të buzëve. Gjuha e tij  në një ngjyrë vishnje gati të errët, pas atij veprimi u zhduk në brendësi të gojës. Instiktivisht, kaloi edhe njëherë pëllëmbën e dorës mbi fletën e vizatimit si për të vërtetuar nëse ai terren  do të ishte i përshtatshëm për lëkurën e saj të brishtë. Duke kryer me kënaqësi mbi buzë atë lëvizjen interesante të gjuhës, në qendër të letrës të vizatimit hoqi një vijë gati vertikale. Aty do të shfaqej lëvizja trupore e saj në atë përpjekje për t'u rrotulluar rreth atij metali të shndritshëm. Pa filluar ta konturonte mbi letër, sikur ndjeu t'i kalonte mollëzën e gishtit të madh mbi ullukun e mishtë të shtyllës kurizore. Ai ishte një veprim që e kryente shpesh kur punonte. Ishte një veprim gati i mistershëm që do t'i shërbente për ta hedhur me saktësi atë lëvizje të vështirë. Diku poshtë kokës të përcaktuar me një rreth të shpejtë, hoqi një vijë horizontale të lehtë e cila më pas do të tjetërsohej në shpatulla, supe dhe duart në vazhdim.
E ngacmoi çdo pjesë trupore e saj. Filloi ta kundronte me kërshëri.  Koka dhe qafa e gjatë tek nisej e mbështetej tepër çuditshëm midis shpatullave.  Me duart e mbërthyera gati në të njëjtën lartësi mbi atë hekur të ftohtë të cilat do të shërbenin për të ekuilibruar lëvizjet dhe peshën trupore të saj. Nga të gjitha këto lëvizje që ajo do të kryente do të shfaqte veçantinë e saj femërore. Përveç thithkës të pa përfillshme në aq sa shfaqej nga ana tjetër e krahut, do të ndjente edhe një pjesë të gjoksit. Duke ushtruar disi më shumë peshë me njërën këmbë mbi podiumin prej dërrase, vithet jo tendecioze, sëbashku me trajtën e trupit po shfaqnin edhe më shumë delikatesën e saj femërore. Bëri tre hapa të shkurtër duke ecur mbrapsht. Duke kryqëzuar duart i hodhi një shikim të vëmendshëm punës mbi letër dhe modeles. Në atë formë si lëvizi kokën deshte t'i thoshte vetes se diçka kishte realizuar. Tek hodhi sytë përreth vuri re përqendrimin e të tjerëve mbi modelen. E ktheu mbrapsht fletën e vizatimit dhe pa zhurmë doli.
Njëzet metra nga objekti ku në katin e dytë të tij kishin studion, ndodhej lokali tek i cili konsumonte pijen e tij të preferuar. Nga ai lëng, dy teke të shpejta ishin për tu kthyer. Si gjithmonë pas atij veprimi, duhej të bënte edhe një lëvizje të shpejtë të gjuhës mbi buzë. Duheshin shijuar edhe pikat e fundit. I përhumbur, tek po kthehej ndjeu një zhvillim të ri brenda vetes. Në mundësinë e interpretimit krejt ndryshe të asaj pune. As vet nuk e kuptoi se ç'farë po ndodhte me të. Kësaj here do të hynte në studio i pa kujdesshëm dhe do ta lëshonte derën të përplasej. Ajo kërcitje e thatë pas shpinës gati do ta shkëpuste nga ai ngacmim i çmendur. Duhej të ishte sa më i vëmendshëm karshi asaj që po përjetonte. U ndodh përpara kavaletit. Pa menduar nëse do të mundte mori lapsin. E ndjeu veten keq. Ndodhej shumë larg asaj që mendonte. E ktheu letrën e vizatimit në mënyrën më të pavetëdijshme duke e kopsitur sërisht me ato pineska të vogla dhe kaq. Ngacmimi që pati ishte ende i freskët por që nga mendimi deri tek maja e lapsit ndoshta ishte shumë larg. Ja, pa e kuptuar ndjeu ta tjetërsonte. Çdo pjesë e trupit të saj po përshtatej në figura gjeometrike. Ishin figura që lëviznin vertikalisht gati në një kohë. Në vazhdim, me një frikë të madhe, përtej fantazisë, në atë që po guxonte, morën një dimension të ri, ku gati të gjitha pjesët trupore të saj do të shfaqeshin në një plan. Sigurish, duke i ngacmuar me një dritë-hije të lehtë për t'u dhënë kohën dhe vendin e duhur. Ndjeu edhe diçka ku të tjerët nuk do ta kuptonin, lëvizjen e saj mbi atë tub metalik të shndritshëm të cilën ajo as edhe njëherë nuk e kreu.