Τετάρτη 20 Ιουλίου 2022

HAKMARJA

 

              Hakmarja nuk kryet në çast por përgatitet pak e nga pak prej kohësh .                                       

 U çua prej vendit ku qe ulur pa e shkëputur shikimin prej atij metali prerës ku me një lëvizje të vogël mund ta fshehte brenda dorezës të saj prej druri. Me gjithëse ndjente një lloj pasigurie ishte i vendosur ta kryente atë vrasje. Përreth nuk frymonte njeri përveç atyre të dyve. Ai ndodhej i ulur në stolin e vetëm që ndodhej diku aty pranë, i përqëndruar mbi gazetën që mbante në duar. Pa i lënë kohë të reagonte kryejti atë veprim të paramenduar prej kohësh por dora e tjetrit nga instikti për t’u mbrojtur e pengoi. Nga ajo shtytje, maja e shndritëshme e atij metali prerës vetëm sipërfaqen e lëkurës i preku duke krijuar një vijë të hollë në ngjyrë vishnje të errët. Ja shtyu dorën me furri duke e qëlluar përsëri por nuk mundi aty ku mendonte por diku midis qafës dhe klavikulës të majtë. Rrjedha e gjakut e cila nuk mendonte të ndalonte po mbulonte me shpejtësi bardhësinë e këmishës e cila si çdo veshje tjetër e tij, i qëndronte hijshëm mbi trup. U ndje keq. I erdhi për të vjellë por e mblodhi menjëherë veten pasi kishte vendosur ta vriste atë njeri duke e sulmuar edhe më shumë. Nga ajo pamje e tmershme për çka po kryente, e humbi ndjenjën njerëzore duke e qëlluar barbarisht me atë mjet prerës. Në vazhdim pa e kuptuar kohën, momentin e aktit që po kryente u rrëzua pranë viktimës së tij pa shfaqur ndjenja ekzistence duke kaluar në një dimension tjetër. Aty i'u ri shfaqën ato skenat e tmershme dhe fytyra e egër e atij njeriu që dergjej  pranë tij. Terrori që shfaqte ai mbi të gjithë të burgosurit të strehuar në atë kamp pune. Vuajtja e atyre shpirtrave njerëzor tek shuheshin pa pritur nga keqtrajtimi dhe mos ushqyerja. I u shfaq babai, skena kur zbrazën mërinë e plumbave mbi të, ja aty përpara syve pasi e kishin tërhequr zvarrë prej shtëpie. Edhe nëna me të motrën tek përdhunoheshin brutalisht prej tyre. E ndihmoi të motrën të lindte duke e pritur në duart e tij atë krijesë të ardhur në jetë prej atyre shëmbëlltyrave. Do t’i kryente vet ato shërbime ndaj motrës shpirtvrarë, ndaj asaj shtatzanie të pa dëshiruar. Do të ishin përsëri ata që do të vendosnin për fatin e saj. Pas një ore do të jepte edhe ajo shpirt. Si mbetje do t’i groposnin diku në një vend të përcaktuar për ata njerëz. Më tej tek përballoi me dhimbje vetminë e tij edhe urrejtjen e madhe që kishte për ata njerëz mbijetoi duke i shpëtuar atij burgimi të përjetshëm. Ndryshuan kohët erdhi demokracia. Nga të gjitha sa po kujtonte ndjeu t’i shpeshtoheshin të rrahurat e zemrës. Midis atij çasti, asaj ndjesie të çuditshme që po përjetonte brenda dhe jashtë ekzistencës së tij trupore një thirrje e përmendi, e zgjoi. U përpoq të orientohej, të pastronte shikimin por nuk mundi pasi ekzistenca e tij përjetohej në dy  kohë. I ndjeu përsëri ato thirrje. Në të turbullt një figurë njerëzore po i afrohej. Ishte një vajzë e vogël. Pas disa përpjekjesh prej saj për ta ndihmuar ajo, duke kthyer shikimin diku përtej, filloi të thërriste nënën e saj. Hapa të shumtë ndjeu t’i afroheshin. Ata në aq sa ishin, e rrethuan duke e parë me vëmendje. Edhe ai në aq sa po fillonte të kuptonte, u përpoq të përshtatej me realen, me atë që po ndodhte duke hedhur shikimin e tij gati mbi të gjitha ato fytyra të panjohura. Në ato çaste, me aq sa mundej, ndjeu një lloj ngjashmërie midis tyre, ndoshta  ishte një familje e madhe. Por diçka e çuditshme po e thërriste përbrenda, ndoshta instikti i tij i përhershëm ende e kthente në kohën e shkuar. Duke menduar transformimin më të mundshëm të asaj fytyre, të atij njeriu, filloi ta kërkonte mes atyre njerëzve. Si përherë me ato veshjet e tij të puthitura pas trupit dhe me hapin e tij të qetë u shfaq ai. Njeriu që po e torturonte prej kohësh i ndodhej aty në krye të atyre njerëzve. Megjithëse në moshë të madhe, shumë të madhe nuk kishte ndryshuar shumë. Ndjeu dëshirë për të folur por nuk mundi. Si për ta vërtetuar atë që po mendonte ktheu kokën ku kishte lënë çantën të cilën nuk e ndante prej vetes. Aty pranë saj shamia ku kishte të mbështjellë ato çka kishin mbetur nga ushqimi i pakët. E hapi me rrëmbim. Thika ndodhej si e kishte lënë, e pastër pa pika gjaku. Pra e gjitha sa kishte përjetuar në ëndrat e tij kishte mbetur veçse një ëndër. I ndodhur ende në të ndenjura mbi barin e butë nuk bëri as edhe një lëvizje tjetër por brenda ndjenjave që përjetonte vazhdimisht, i u kujtua se atë njeri e kishte vrarë sa herë i shfaqej koha e atyre viteve më të vështira të jetës së tij. Ja, më së fundi e kishte vrarë përsëri. Përpara asaj turme të së njëjtës racë, për të vërtetuar mos ekzistencën e atij njeriu hapi shaminë dhe me atë thikën të cilën e kishte sajuar brenda atij rrethimi telgjembash filloi t’i priste në pjesë të vogla bukën, djathin dhe domaten e mbetur. Në ato që po mendonte se e kishte kryer atë veprim që i kishte premtuar vetes, në fytyrën e atij njeriu rindjeu atë egërsinë e dikurshme. U lumturua, mbijetesa e tij ishte goditja e fundit për të. 

 

                                                                

 

 

Τετάρτη 30 Μαρτίου 2022

PËRSE VAJTIMI ËSHTË AKT KOLEKTIV

                                                     

                  

 Për ta mbështetur Mërkurin në idenë e tij interesante e cila na çon tek zanafilla e isopolifonisë, do të shfaq disa element domethënës të përjetuara nga jeta reale kur mëma, gjyshja ime, nëna e nënës time humbi një nga bijat e saj në moshën më të re. Aty, në shtëpi  tek kryente shërbimet e përditshme, fillonte të vajtonte nën zë për të bijën që i kishte ikur. ''Në vijë melodike'' gati të mirë kontrolluar, do të shprehte jo vetëm humbjen e saj por edhe për shumë derte të tjera e cila në kohë të caktuara, aty në odë, në tone të ulëta do të shoqërohej edhe nga graria e fshatit. Ato ishin ulërima të thella, të mbytura të cilat më kanë tronditur ku ende i kujtoj. Por ajo më interesante, ajo që u ngacmova prej  Mërkurit dhe përjetimi i momentit, ishte ajo vija melodike i atij vaji gati në këngë prej të gjitha “vajtocave”e cila kulmohej me ulërima therrëse kur trupi i të ndjerit zbritej në thellësi të tokës. Pothuajse të gjithë  do ta përsërisnin nën zë vajin e marëses pasi kishin nevojë të dëgjonin edhe zërin e tyre të brendshëm. Edhe ata kishin një të tyre që prehej aty pranë dhe kishin nevojë për atë ngrohtësi të shprehur në këngënvajtim.

  Si fenomen kënga-vajtim u bë gati e prekshme. Do të diskutohej në format më të ndryshme prej të gjithëve pasi interesantja e atij fenomeni ishte ajo e cilësive pozitive ose negative të jetës. Vallë pak herë ka ndodhur ku i ndjeri përmendet edhe për momentet më të “sikletshme” të tij. Ja pasoja, tjetërsimi në përmirësim i atij produkti shpirtëror, ajo ndjenja në vaj kthehet në kujtimet jetësore të tij.  Se kur ka filluar si fenomen për mua nuk ka kurfarë rëndësi kur sot ai është i prekshëm si produkt. Jemi të mrekulluar. Kam ndjer ndryshimin e frymëmarrjes kur kam dëgjuar në adoleshencën time vargjet brilante të Neço Mukës të cila ende i dëgjoj me kënaqësi. Në ato meçliset ku burrat e rëndë do të konsumonin një kafe, një raki, do të kujtonin të bëmet e të dashurve të tyre. Besoj se ky do të ishte momenti, çasti për ta ndryshuar mënyrën e të shprehurit karshi asaj që krijonte atë ngacmim shpirtëror. Dhe përsëri besoj se të parët ishin burrat që ato dertet e tyre t'i shprehnin në zë. Tek ja merte tjetrit mendimin, (fjalën), sigurisht pasi ai mbaronte, do të vazhdonte ligjërimi e tij. Pa mendoni një çast që nga momenti kur e merte fjalën dikush dhe tjetri do ta ndërpriste për të vazhduar në mënyrën e tij. Me ironi në vargje i dhanë një dimension të ri. Grave dhe motrave të tyre u kërkuan për të mos i kujtuar në shtëpi në atë mënyrë. Në formën e re do të bëheshin e dhe ato pjesëtare dhe që këtu do të fillonte përjetimi më i bukur i atij “bashkëbisedimin në këngë” dhe ja isopolifonia, mrekullia, virtuoziteti i atyre njerëzve të cilët ende jetojnë në ato brigje të mrekullueshme të detit Jon.

 

 

                            

Πέμπτη 10 Μαρτίου 2022

MË MBAJ PAK DORËN


                  

Përtej asaj që dua të shpreh dhe atij veprimi kur dikush të kërkon ndihmë,  kuptimin e vërtet të titullit do ta ndjeni midis këtyre rreshtave pasi nuk ka lidhje vetëm me miqësinë tonë të hershme por me formën si egzistonte ai njeri. I mirë formuar, të cilën si cilësi e shfaqte fare lirshëm në çdo lloj bisede e në çdo moment, ishin pjesë nga jeta e tij e përditshme, me veten dhe shoqërinë

Mikun tim Agimin të cilit zërin dhe emrin e tij të mrekullueshëm ende po ja ndjej tingullin, ku e besoj se të gjithë miqtë e dashamirësit e tij do të jenë në atë që ende po përjetoj, i cili në këto momente ndodhet larg nesh këtu e një vit, ngacmim i përhershëm që lidhet me mungesën e tij, është tepër i dhimbshëm. Agimi ishte agimi im, ishte dita më fatlume e njohjes me të. 

Ta mar e mira, gati të njëjtë lartësi trupore kishim e cila si cilësi e tillë na jepte mundësinë të shiheshim në sy “pa u lodhur” dhe ta kuptonim më shumë njeri tjetrin. Në jetën e përditshme, në ato orët e shumta ku ndjenja, miqësia na pranonte të ishim së bashku, pa çka se ai ishte dhe është shumë më lart prej meje, për herë do të jem mirënjohës dhe krenar. E  ndjeja, ishte dhe do të jetë e vërtetë. Përtej jetës reale të asaj familje të mrekullueshme, bota e tij ishte edhe më e mrekullueshme.

 Ky ishte Agim Mato. Në formën më të çuditshme, me aq sa e kam përjetuar botën e tij, aliazhet e shumta të embrionit, të ekzistencës së tij ishin nga metalet më të çmuara të jetës mbi tokë. Ky ishte Mato ose “cuore matto” si e thërrisja ndonjëherë me humor i cili prej gati gjysmë shekulli më dha mundësinë e perceptimit ose më saktë të gëlltitjes të realiteteve që ka kaluar dhe po kalon shoqëria shqiptare dhe ajo e përditshmja e qytezës më jugore të atdheut tonë të dashur tek e përjetuam bashkërisht. E kujtoj vazhdimisht mikun dhe besoj se edhe ai po më ndjek në çdo hap.

Ishte tepër i këndshëm ku shpesh me humorin e tij shkonte përtej saj, përtej realiteteve. Nuk tutej siç shprehen veriorët tanë. I kishte bindje të gjitha pa çka se  nuk ja përtypnin disa sepse, në vërtetë nuk mundeshin. Në qoftë se do të deshët një fakt, rilexoni poezitë e tij. A ka njeri ta kundërshtoj?! Formimi, egzistenca  njerëzore, bota e madhe e shprehur në rreshtat e shumta të tij të krijon bindjen për cilësinë, stilin e tij të veçantë dhe atë çka mbarte në to. Shpesh kujtonim edhe momentet më të vështira të jetës të cilat ishin gati të  njëjta. Kujtoj edhe momentin kur më dha kurajo pas goditjes nga regjimi komunist që mori familja ime. Pas asaj, u afruam edhe më shumë “krijuam grupin e radhës kundër diktaturës.”

Për të paqyruar cilësinë e humorit të tij, titulli i shkrimit “më mbaj pak dorën” tregon botën e mrekullueshme prej poeti por edhe  më tej, atë të jetës së përditshme ku të gjithë, bile edhe ata që nuk e njihnin nga afër, të shkëmbenin batuta humori i cili vazhdimin e saj do ta kishte “në majë të gjuhës”

Ende pa dalë nga zyra e tij, si gjithmonë kur do të iknim prej andej më tregoi për një ndodhi të këndshme. Ai  ishte  brilant. I shfrytëzonte në mënyrë të mrekullueshme situatat. Duke më shtyrë në ato shkallët e ngushta, duke dale prej andej, më tregoi për atë moment të cilën e la ta përjetoja aty ku do të shkonim. Nuk e kundërshtova pasi me pak shprehje e kuptoja  ku do të dilte.

   Ishim ulur kur ajo, kamarierja e këndshme na u ndodh pranë në çast. Buzëqeshjen e saj të cilën kisha filluar ta imagjinoja pa ardhur vet ajo, vërtet e  ndjeva si  të tillë. E shfaqur në çdo cep të buzëve tona prej ngjarjes të ndodhur dy-tre ditë më parë, tek unë filloi të shkarkohej në formë tepër gazmore. Më vonë pasi kishim konsumuar rakinë të shoqëruar me një kafe turke të mesme, kur po çoheshim prej andej, atë dorën e imët të mikut tim, kamarierja tek mbriti në çast, e mbështolli butësisht me duart e saj. Ajo rioshe elegante, me dëshirën më të bukur njerëzore e ndihmoi të çohej prej andej ndërsa ai me humorin e  përhershëm i përsëriti atë shprehjen e para dy-tre ditëve t’i a mbante edhe më shumë dorë. E gjithë kjo situate kaloi me të qeshura e batuta edhe prej të tjerëve që ndodheshin aty të cilët ishin të gatshëm ta riprodhonin atë situate në format më të ndryshme. Besoj se të gjithë e pranonin humorin e tij të këndshëm.

Ky ishte Agim Mato, miku im përhershëm i cili megjithëse më mungon e kam pranë. Kur më pranoi në botën “e letrave”më mbajti pranë, në çdo moment pavarësisht se isha veçse dëgjues në ato bisedat e takime të ndryshme të shoqatës. Në ato pak të shkruara para shumë viteve diku rreth viteve 80-85 edhe më vonë, nuk guxoja t’i a jepja t’i lexonte por pas një veprimi tek po kërkoja mendim nga të tjerë u binda se ishte ai që mund të më orientonte. Vërtet që hoqi shumë kryqe mbi to por më udhëzoi se si mund ta zhvilloja atë që më ngacmonte, atë që e ngacmoi edhe vet Agimin. Fal tij munda të botoj dy libra.

I tillë ishte formimi i tij shpirtëror tek shfaqej në tone të buta karshi të gjithëve që plotësonin bukur “Artin Jonian” të ngritur e të konsoliduar me mjeshtëri prej tij. Sigurish jo i vetëm por me  Mërkurin, Zarballanë, Halilin, Çaushin e të tjerë. Në anën organizative ishte mendja dhe dora e tij që e mbajti të gjallë dhe dinamike duke thërritur në qytetin tonë nga njerëzit më të shquar të letrave shqipe, nga diaspora dhe fqinjët tanë.

                                                   

 

                                                    

Τρίτη 30 Νοεμβρίου 2021

NË PRITJE

 E rrotulloi me një lëvizje të shpejtë dore atë kapak metali. Përpara i u shfaq sipërfaqja e atij lëngu në ngjyrë vishnje gati të errët. U përkul mbi të. Aty ndjeu pëshpërimat e fundit të atyre bulëzave të vogla tek përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe. Po i tha vetes. Si vazhdim i asaj shprehje rivendosi kapakun duke e rrotulluar lehtë në grykën e asaj ene metalike. Atë veprim e përsëriti në të tre enët të cilat mbanin në barkun e tyre gjakun e birit të perëndisë, Krishtit. Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë asaj hapësire që i shërbente për këto punë, mori për të dalë. Por, tek po kapërcente pragun e asaj porte tepër të vjetër u ri kthye. Aroma e atij lëngu dehës e tundoi. Buzëqeshi nga kënaqësia. Nga rafti aty pranë mori një gotë. E zhyti duke e mbushur me atë lëng dehës prej asaj që i ndodhej më pranë. Kuptoi se do të kishte një verë të mirë për të cilën pretendonte se do t’i mjaftonte përgjatë gjithë vitit. Me kënaqësi ktheu dy tre gllënka. Pjesën tjetër e konsumoi duke mbledhur manderina dhe portokalle nga pemët që ndodheshin jo shumë larg prej andej. Tek po i sistemonte ato në çantë i tha vetes edhe për një gotë, vetëm për një. Me gjithë se e dinte se atë lëng duhej të fillonte ta hidhte në shishe qelqi, duke i siguruar në atë vendin e përhershëm, ku përveç errësirës të plotë, kishte edhe temperaturën e duhur pasi do të duhej kohë për t’u shijuar,  tundimi ishte tepër i madh. E rimbushi rrafsh gotën duke kthyer me shpejtësi në hapësirën e gojës. Qëndroi për një çast si për të vërtetuar se ai lëng i plotësonte të gjitha kushtet për t'u konsumuar duke e lënë të lirë t'i përshkonte ndjesinë e tij trupore. Pas të gjitha atyre veprimeve të mëtejshme, deri tek mbyllja e të dyja portave nga e shtëpisë dhe e rrethimit, u ndodh jashtë. Mori frymë thellë dhe me një buzëqeshje tepër të brendshme u nis drejt qendrës të fshatit. Aty do të priste autobuzin e linjës.  Duke hedhur shikimin nga të dyja anët e rrugës, pa e kuptuar përsëriti dy tre herë atë shprehje që po e ngacmonte, se duhej të priste. Zbërtheu dy komçat e para të këmishës pasi po ndjente vapë. Pa orën, autobuzit do t’i duhej  rreth një orë e gjysëm të vinte aty. Filloi të shfrynte nga inati pasi ajo shprehja se duhej të priste filloi t’i çukiste mbi tëmtha tepër çuditshëm. E pa edhe një herë orën por asgjë, duhej të priste, të priste. Ktheu shikimin nga dyqani që i ndodhej aty mbrapa shpinës i cili shërbente edhe si kafene. Mori çantën dhe së bashku me to, kapërceu tri shkallët e pakta të tij. Duke u ulur porositi një gotë me verë. Si në rastet kur do t’i duhej të shihte një fotografi, të cilën e largonte për ta qartësuar në shikimin e tij, largoi edhe gotën. E rrotulloi mbi tavolinë dhe ktheu dy tre gllënka prej saj. Hëm i tha vetes, tani po.  Pasi u mbështet mirë mbi shpinoren e karikes për t’u rehatuar hodhi shikimin mbi pamjen që i shfaqej përpara. Në qendër, një kryq i hekurt si memorial për kishën e dikurshme por pa  shpëtimtarin e njerëzisë, Krishtin. Në të majtë, në thellësi një memorial tjetër, i cili u kushtohej atyre që kishin dhënë jetën gjatë luftës për shporrjen e pushtuesit të fundit, këtu shtatëdhjetë e ca vjet përpara. Në pikën më të lartë të atyre kolonave të betonta ende kuqëlonin dobët tre yje. Diku më poshtë si ato hieroglifet e dikurshme, të cilët nuk ishin pak, ishin renditur emrat e atyre që kishin dhënë jetën për ditët e sotme. E rikthehu shikimin prej kryqit. Pamja e trishtë e atij memoriali edhe besimtarin më të devotshëm nuk do ta afronte.  Improvizuar me blloqe betoni të lyera me gëlqere dhe në ngjyrë kafe të kuqërremtë të asaj çatie të vogël mbi to. Vuri re se në brendësi të saj një nga të tre qirinjtë që ndodheshin në këmbë, po digjej duke u ngutur. E hoqi shikimin prej andej sepse nuk i pëlqeu tek i shihte të treteshin pikë më pikë mbi atë sipërfaqe të pistë nga mbetjet e pararendësve të njëjtës racë. Ngriti kokën dhe vuri re se edhe ndriçuesi që i ndodhej pas, ndjehej si vazhdues i tij. Natën duhet të krijohet efekt i bukur i tha vetes. E lëvizi kokën herë majtas e herë djathtas. Buzëqeshi pa e shfaqur në fytyrë. Rastësia e asaj tek e shihte ndriçuesin si vazhdues të atij simboli të krishterë prej metali, e bëri të mendohej. Buzëqeshi përsëri duke i u drejtuar vetes: Unë në pritje, kryqi në pritje edhe ato tre kolona me yjet komuniste në krye të tyre në pritje. Unë autobuzin e linjës, kryqi i bërë njësh me ndriçuesin pas tij të ndonjë besimtari dhe ai memoriali i çuditshëm me tre yje, të ndonjë prej atyre që kishin kontribuar në atë luftë me pushtuesit e huaj. Jo, jo i tha vetes kjo pritje nuk më pëlqen, nuk kam punë me ta. Hodhi shikimin mbi masën e verës mbetur në gotë. Pa hezitim e ktheu menjëherë. Tek po fshinte buzët me kurrizin  të dorës së djathtë, vuri re se dikush brenda një benz-i të ndalur aty në çast, po e thërriste. Atë kapardisjen tek u ngrit prej andej e shfaqi edhe kur hapi portën edhe kur u ul. Duke u mbështetur mirë në sedilje i dha atë buzëqeshjen e tij të përhershme kur vinte në qejf. Pa i a ndarë shikimin mikut të  tij të vjetër e urdhëroi të iknin sa më shpejt prej andej.

 

Παρασκευή 19 Νοεμβρίου 2021

PJESË NGA LIBRI NË DORËSHKRIM

             PJESË NGA LIBRI NË DORËSHKRIM ME  KËNGË,

VJERSHA E NGJARJE TË NDODHURA  NË

PIQERAS DHE BREGDETI I POSHTËM

             

 

Bisti, bisti tole mora

Mos më bëj të flas me fora

Se kam lerë nga Maja e Hasi-t

Unë, Apostol Qëndrothanasi.

 

  Maja e Hasit është kuota më e lartë e kreshtës të malit ku shtrihet fshati Piqeras e cila si pjesë e tërë fillon direkt nga rruga automobilistike që përshkon qendrën e fshatit. Të gjithë ata që i kanë shtëpitë në pjesën e mbirrugës, kur e kalonin në sensin e humorit, e mbanin veten mbi të tjerët.  Nga fshati, dikush që dinte t'i ndërtonte në çast këngë të tilla ja këndoi gjatë një sebepi. Dhe vërtet Apostol Qëndrothanasi përveç cilësive si një zotëri me njohje dhe të bëme të mëdha para dhe gjatë kohës të mbretërisë të Zogut ku i cili ushtronte postin e kryetarit të bashkisë të Sarandës, e kishte për nder që të parët e tij e kishin ngritur atje konakun, shtëpinë e tyre.  

 


 



Πέμπτη 18 Νοεμβρίου 2021

DHE NDODHI

 

Duke qenë i shumë kërkuar prej publikut, përveç emisionit të humorit ku ai ishte nga protagonistët kryesor në një nga kanalet televizivë më të suksesshëm, gati përditë do të shfaqej edhe në  media të tjera televizive. Deri sa të përshtatej me moderatoren e emisionit dhe të ftuarit e tjerë, do të qëndronte i heshtur. Nuk do të reagonte karshi çdo gjëje që do të dëgjonte veçse nëse do të ngacmohej prej humorit të bukur të dikujt. Po të vërehej në fytyrë në  ato momente, prej tij, do të ndjehej ose më saktë do të përjetohej gati çdo frazë e çdo kujt tek fliste, bile gati të imitonte edhe lëvizjet e buzëve të personit. Vetëm pak përpjekje do t’u duhej të ftuarve dhe ai do të çonte kokën. Pasi kryente disa lëvizje të shpejta të saj, si ato bishtat kur kapin prenë e tyre, fillonte me një histori të shkurtër. Shumë të tilla i tregonte në një kohë rekord. Të gjithë sa ndodheshin aty, për shkak të trajtësimit të shpeshtë të fytyrës, të shoqëruara me lëvizjeve  trupore të shumta, do të kalonin në ekstazë. Vetëm qeshje dhe humor i pa ndalur. Pra gjithë koha e pas-taj-me do të konsumohej me humor të ndërsjelltë prej të gjithëve. Drejtuesja e emision nuk do të mundej ta zotëronte situatën. I ftuari, humoristi do të kalonte kufijtë e gjithçkaje

Përveç zërit të cilin e përshtaste bukur, ai luante mrekullisht me fytyrën ku me pak truk mbi të, do të shfaqej portreti i personit që imitonte.  Kjo ishte jeta e tij e përditshme, e vrullshme, e pandalshme ku edhe në shtëpi në të njëjtën formë do ta kalonte. Në fundjavë, si kohë të domosdoshme për t’u qetësuar, do të përsëriste jo vetëm batutat të aktruara bukur por gjithçka që përjetonte në skenë. Nga ato pyetjet e tij të çuditshme, të cilat nuk do të ishin  direkt çka ai po i kërkonte, ajo,  bashkëshortja e tij do të kuptonte se përse bëhej fjalë dhe ditët në vazhdim do të ishin të njëjta, të ngjajshme, monotone. Në një lloj forme ajo nuk do t'i kushtonte atë vëmendjen e përhershme. Jo vetëm që nuk e kishte atë ndjesinë  e bukur kur shtronte tavolinën por nuk e shikonte atë tërheqjen e dikurshme të fytyrës së tij simpatike dhe fjalët përkëdhelëse të shoqëruar me ato të puthurat në kërkim të mëtejshëm të trupit të saj. Ajo, stepja e saj, gati e përditshme e cila ndikohej nga ndryshimet në vazhdim të fytyrës, qafës, dhe gjoksit të tij po ja zbrazte shpirtin. Pas shumë kohësh të pa kuptuar ajo ndjeu se diçka nuk po shkonte mirë tek ai. Fytyra po i transformohej  pak e nga pak. Në formën si shtrëngon dhëmbët dhe nofullat. Në  buzët, se si puthiste me  njëra tjetrën i cili si veprim do të ndikonte edhe tek ajo, buzët e saj gati në të njëjtën formë do të puthiteshin. Atij kaq do t’i mjaftonte. Në një moment nga hutimi që ndjeu mbi fytyrën e të dashurës, bukuroshes, gruas së tij, i shkoi pranë. Ajo nuk reagoi. Ndoshta edhe nga mos dëshira. E përcjellë në formën më negative, veprimi i saj u shfaq brutalisht në fytyrën e tij. Ai turfulloi. U ngrit në këmbë. Bëri një rrotullim rreth vetes si për të caktuar të pa prekshmen zonën e tij duke u përpjekur të kalonte në rolin e aktorit, por për të vetmin moment nuk mundi të ngacmohej prej tyre. Mbeti i hutuar. U përpoq të lëshonte një nga ato të  bërtiturat interesante tek shfaqej në skenë para publikut. Nuk mundi. Në çast, në bebëzën e shikimit të tij, të gjitha ngjyrat ishin kthyer në bardhë e zi. Me pëllëmbët e duarve mbuloi sytë, veshët, faqet tek kishin filluar t’i skuqeshin. Mbështolli kokën dhe e la veten të rrëzohej. Reagimin e saj e ndoqi duke lëvizur veçse bebëzat e zeza të syve. Megjithëse ndjente qartë çdo lëvizje të saj, nuk mundej të reagonte. Në fytyrë po i shfaqej ajo çehrja e një njeriu jo të ndërgjegjshëm.

Thonë se tre ditë të mban ajo çka ndodh dhe nuk përsëritet. Ose në atë  numërimin mbrapsht, tre orë, ndoshta tre minuta, ose tre sekonda. Ose tre vjet për kohën e ardhshme. Por për bukuroshen e atij aktori të spektakleve të mrekullueshme kishte filluar numërimi mbrapsht.

Nga i gjithë ai debutim, gati që me krijimin e atij stacioni televiziv, në fytyrën e atij njeriu të mjerë do të shfaqeshin buzëqeshje të lehta e të shpeshta të shoqëruara me lëvizje të ndryshme të trupit. Ndoshta  përtej reales po e thërrisnin personazhet e shumtë të tij.

 

 

 

 

 

 

PUSHTUESIT

 

Babai nuk lodhej as edhe  një herë të na tregonte ngjarje dhe histori të ndryshme nga fëmijëria e hershme e tij si edhe nga koha e pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania naziste ku në të cilën kohë, së bashku me shumë meshkuj fëmijë e deri të moshuar, ata i çuan në Gjermani për krah pune. Babai ishte emocional dhe kishte vetinë të shprehej bukur e me shumë humor. Të shumta ishin ato histori që ai na i tregonte dhe ne do t’i dëgjonim me ëndje. Me sa mbaj mend isha i vetmi që qeshja më shumë duke e lëshuar veten të rrëzohesha prej saj. Në  atë kohë, për të cilën rrëfenjëz do të tregoj, të cilën e pëlqeja shumë, Piqerasi ishte qendër administrative, pra Komuna e Bregdetit të Poshtëm. Me shkollë, xhandarmëri, postë telefonike edhe hotel. Për këto arsye, që në momentet e para të pushtimit të Shqipërisë ata ngritën një pikë kontrolli në qendër të fshatit, diku mbi rrugën automobilistike. Jeta do të merte një dinamikë ndryshe. Burrat e fshatit sidomos ata më të vjetrit e zotëronin mirë greqishten edhe italishten pasi komunikonin shpesh për tregti me Korfuzin dhe brigjeve të detit Mesdhe. Papu Jorgon, gjyshin tim shumë vite më parë jeta e kishte çuar deri në Odesë. Ishte koha kur në Rusi revolucionarët e kuq kishin marë pushtetin dhe më tej në përpjekje të vazhdueshme për të shpërndarë teorinë e tyre mbarë Evropës të cilën gjë përmes humorit të tij ai do të fliste për ato që kishte parë e kishte kuptuar.  

Në çka do të rrëfej nuk do të merrem me luftën por me një dukuri njerëzore midis pushtuesit ose më saktë ushtarit italian dhe njerëzve të thjeshtë. Ata ishin të këndshëm, të komunikueshëm dhe shpesh në kafenetë e pakta të fshatit uleshin për të pirë kafe të shoqëruar me “una grappa albanese”. Fëmijtë, më të shkathëtit do të këmbenin diçka me t’a veçse të dëgjonin atë gjuhë të cilën përpiqeshin ta përvetësonin sa më shpejt. Pa le ato këngët e tyre të bukura. Edhe babai im do të rrëmbente fshehurazi ndonjë vezë nga shtëpia veçse të komunikonte me ta. Ndërkohë edhe ata ushtarë, gati pa armatim në brez, “vidhnin rrush e fiq” nga jashtë ledheve të shtëpive.  Për të gjitha çka po shkruaj duhet t’i besoni sepse ka ende njerëz, pavarësisht të brezave të më vonshëm, si shumë të tjera i mbajnë mend ato histori. Edhe për një fakt tjetër, kur Italia kapitulloi  ushtarët e mbetur u strehuan në shtëpitë e fshatit duke ngrënë, duke fjetur e punuar së bashku. Ata përsëri, shfaqën edhe një herë virtytet njerëzore të racës së tyre. Por ajo që dua të tregoj, është ai veprimi njerëzor që ata kryenin. Në vaktin e drekës, pothuajse çdo ditë fshatarët do të shkonin të merrnin ushqim. Herë herë edhe veshmbathje siguronin. Ishte kohë lufte, të ardhurat familjare ishin të pakta. Të pakët ishin edhe ata që ishin në gjendje të mirë. Nuk vazhdoi shumë ajo situatë pasi forcat partizane të organizuara në formacione luftarake filluan të kryenin aksione edhe në këto zona. Një ditë babai nga vrulli i ngjarjeve të shumta pasi ai, ideali komunist po përhapej me shpejtësi, tek po kthehej në shtëpi i thotë paput, gjyshit tim se desh të shkonte në mal të luftonte. Ai e pa me ironi dhe duke lëvizur dorën aty përpara i thotë; Shko more shko. Shko e mbush kusinë me makarona se me bark bosh nuk luftohen italianët.