Tregim
Pra e hëna e parë e
muajit korrik e gjeti në krye të ekspeditës. Dikur, ato pak fragmente të mureve
të shfaqura mbi sipërfaqen e tokës të atij terreni të pjerrët ishin hedhur në
regjistrat e bërthamës arkeologjike. Shkak për t'u rikthyer aty do të bëhej një
çoban në sheshimin e një sipërfaqe të vogël brenda asaj zone. Një kasolle të
vogël dhe rrethim me thupra druri për një tufë bagëtish. Si në shumë raste të tjera sidomos i një varri të tillë të pa prekur ndonjëherë të gjithë do të entuziazmoheshin sa ndodheshin përreth tij. Duke u orientuar me cepin e dalë pastruan krejt
sipërfaqen prej dy pllakash guri të bardhë gëlqeror. Në heshtje do t'i lëviznin
ato me kujdes për t'i ulur në një vend të sigurt. Skicografi i cili ishte edhe drejtuesi gërmimeve do të ishte ai që do ta
zotëronte atë hapësirë ajri e të gjithçkaje tek po binte për herë të parë në
kontakt me dritën. Menjëherë pas tij edhe të dy punëtorët do të hidhnin shikimet e tyre në
brendësi të asaj arke prej pllaka guri masiv që quhej varr.
Në atë qetësi
që mund të gjendet vetëm brenda një hapësire të tillë ndodhej një skelet
njeriu. I shtrirë në shpinë, me “gojën e hapur” dhe “sytë e shqyer” të
jepte përshtypjen se ishte ai që po habitej më tepër. Dora e djathtë
ndodhej e përthyer gati përmbi gjoks. Aty në mes, pjesë në bronc të një rripi ku dikur mbante të shtrënguar ndoshta një pelerinë. Në lartësi me kokën,
përsëri të punuara në bronc dy kupëza, zinxhir i imët dhe një krah i drejtë me
ekstreme të njëjta. Më poshtë, në gjendje të mirë gati të shpërndara
katër kandila ndriçimi në qeramikë të dekoruar bukur. Midis tyre pjesë lotore qelqi në të cilat ndjehej forma e dikurshme. Më tej, në kohë, prej
skicografit do të dëgjohej kërcitja karakteristike e aparatit fotografik. Në
format kartoline, ato fotografi do të ishin dëshmitë fillestare të atij
zbulimi. Pastaj me një shpejtësi të habitshme ai do të skiconte ambientin me të
gjitha elementet që shoqëronin varrin si brenda dhe jashtë tij. Pasi të
bindej se çdo gjë e kishte kryer me sukses do të urdhëronte të fillonte
paketimi i tyre. Duke e parë me kërshëri atë kafkë, forma e saj i bëri
përshtypje. Buzëqeshi dhe kreu një veprim sikur po e
krahasonte me ta, me punëtorët. Kaloi pëllëmbën e dorës përmbi ballë si për ta
fshirë nga pluhuri i fundit dhe u përpoq t'i gjente një vend të përshtatshëm në
një prej arkave që vendosnin objektet e gjetura. Gati i
bindur, ai mendoi se mund të jetonte edhe sot një njeri i tillë. Me të njëjtën
kafkë, me të njëjta tipare. Vazhdimisht tek njihej me njerëz të rinj, do të
përpiqej të ndërtonte formimin anatomik të tyre. Eshtrat, kockat ku mbi to
përshtateshin dhe modeloheshin pas tyre muskujt e fytyrës. I ndodhur mbi
fragmentin e pakët të murrit që shfaqej mbi sipërfaqen e tokës, u dha urdhër
punëtorëve të mbulohej ambienti. Ishte në praktikat e zbulimeve arkeologjike.
Vetëm kështu mund të mbaheshin ende të konservuara. Duke parë në shikimet
e tyre bindjen e vazhdueshme u premtoi kafe dhe raki.
Pra ajo ekspeditë një
ditë pune ishte. Pretenduan për më shumë. Më pas tek Qendra Arkeologjike, në
katin e parë të ndërtesës pesëkatëshe të ndërtuar mbi themelet jugperëndimore
të kalasë romake, ekipi do të sistemonte materialet e gjetura. Aty ndodheshin
zyrat dhe fondi i objekteve të zbuluara. Në atë shqetësim të përditshëm, brenda
ndjesisë së tij profesionale ai do ta kishte vëmendjen ende tek
zbulimi i fundit. Skeleti i gjetur me objektet që e shoqëronin do ta çonin trurin e tij në përpjekje të pafund. Pra, ekzistenca e peshores brenda
varrit, të paktën kështu mendonte edhe arkeologu ish kolegu i tij,
tregonte për një njeri me pushtet. Duhej të shfletonin diçka. Duhej të
merrnin një informacion më të saktë. Për të, ai ‘’shikim i zbrazët” i atij
njeriu të hershëm sikur e thërriste në vazhdim. Ideja se atë pajisje vetëm një
pushtetmbajtës mund ta zotëronte, e joshte për të guxuar në atë që mendonte. Nga
literatura që kishin në dispozicion, të cilat ishin të shoqëruara me skica dhe
fotografi, vërtetohej disi se në të gjitha rastet, pavarësisht se kishin
elemente dhe ndryshime të vogla, flitej për simbolin e peshores. Mund të
ishte një pushtet mbajtës, një ligjvënës, ose ndoshta një gjykatës.
Megjithëse i ngarkuar
me punë, ku shpesh do ta thërrisnin në disa ekspedita kërkimore jashtë qendrës
së tyre arkeologjike, ai vazhdimisht përpunonte tiparet e mundëshme, fizionominë
e atij njeriu. Për të mos ta dëmtuar, “tiparet” e asaj kafke i hodhi në një
tastiel prej gipsi. Gjithashtu në shumë skica kishte krijuar imazhin e atij
portreti. Nga instituti i arteve kishte ruajtur portrete të shumta në laps. Studimi
në imtësi i karaktereve, i lëvizjes që merte çdo pjesë e veçantë e portretit e
kishte ndihmuar për të perceptuar në veçantitë e çdo individi. Dhe do t'i mbante
mbi tavolinë, diku aty përpara. Do të kalonin ditë e do t'i merte përsëri në
duar. Pas gjithë atij informacioni, aty në tavolinën e punës, mes skicave dhe
objekteve të shumta filloi mbushjen me material jetësor mbi kafkën prej gipsi.
Kishte ardhur koha ta konkretizonte idenë Në ditët në vazhdim, midis asaj
tek po e ngjeshte atë baltë argjilore mbi kafkë, ku ajo pjesë e mishtë muskulore
e tendinash, do të njësohej e do të jepte pamjen më të mundshme, ngacimi i përditshëm me njerëzit e qytetit ku ai e përjetonte nga mëngjesi deri
në darkë, gati e trembi. Vërtet
mund të jetonte një tjetër me të njëjta tipare. Dha urdhër që asgjë mos të
prekej nga tavolina. Ditë të tëra nuk do guxonte të kalonte prej andej. Për
t’u justifikuar doli në terren. Megjithëse ishte angazhuar në punët e
përditshme, në trurin e tij duar të padukshme ende vazhdonin të punonin
pambarimisht në modelimin e asaj fytyre. Nuk mund ta ndalonte atë proces.
Zona ku shtrihej ajo
zonë arkeologjike e kishte tërhequr shpesh. Ishte tepër atraktive. Gjatë
shkollës, kur kthehej me pushime, shumë prej peizazheve dhe skicave të atyre objekteve
të hershme i kishte hedhur në letër. Atëherë nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend
se mund t’u rikthehej atyre vendeve dhe të emërohej si skicograf i bërthamës
arkeologjike. Duke mar pjesë në disa ekspedita të cilat kishin të bënin me
varre zotërinjsh të periudhës antike mori njohuritë e para për atë disiplinë.
Dhe do të ishte shembull, tepër korekt dhe profesionist. Për këtë
gjë do ta çonin për specializim mbi antropologjinë. Tashmë i ndodhur në një
pozicion tepër të rëndësishëm pa pritur ndjehet në siklet. Çfarë po ndodhte me
të. Cilët ishin ata njerëz që mendonin se ai kishte gabuar. Me anën instiktive
të karakterit të tij filloi të mendonte se nga dikush po vëzhgohej. Mos vallë
ishte kafka e atij njeriu të hershëm që po i sillte ato shqetësime
Kishte rreth një javë
pa shkelur në studio e cila ndodhej në brendësi të qendrës arkeologjike. Kaloi
portën e drunjtë dyfletëshe duke i hedhur një shikim të shpejtë atij
ambienti gati nëntokësor. Dikush do të ishte aty duke punuar pasi të gjitha
dritat ishin ndezur. Nuk qëndroi shumë por u drejtua për nga vendi i punës. Ajo
hapësirë dhome e cila kishte komunikim me dritën e jashtme nëpërmjet një
dritare, ishte në dispozicion të tij. Megjithëse ndjesia e përpunimit të atij
portreti e shoqëronte vazhdimisht, sot nuk mundej. Si me përtesë e zbuloi.
Ndjeu se dikush e kishte prekur. Mendoi se nuk ishin thjeshtë gjurmë duarsh por
veprime dashakeqe. Kush mund ta kishte bërë atë veprim. Doli prej andej.
Thërriti dikë. Thërriti një emër në formën më të shkurtër të tij. Nuk kaloi
shumë dhe ai u shfaq nga zona më e errët e atij ambienti. Ende pa u afruar e
pyeti në se mund të kishte parë dikë të futej në studion e tij. Ai, me një
lëvizje të lehtë gati të gjithë trupit shfaqi atë të mohimit, por si me mbase
shprehu se ndjeu hapat e dikujt të hynte e të dilte. Ishin hapa fare të lehtë
vazhdoi ai. Më bëri përshtypje kërcitja e thatë e këpucëve te tij, por nuk u
interesova më tej dhe ende pa mbaruar mori për nga kishte ardhur. I ndodhur
ende aty ku u ndal nuk po vendoste se ç'farë duhej të bënte. Tashmë në
mendje nuk do t'i shfaqej fytyra e njeriu të hershëm por arsyeja se kush nuk e
dëshironte atë. Mori për të ikur. Duke zbritur shkallët e pakta i shkoi
ndërmend kolegu i tij, arkeologu. Ai ishte tre-katër vjet më i madh. Kishte mbaruar
të lartën për histori-gjeografi. Pasi punoi disa vjet si mësues në një shkollë
të mesme e çuan në bërthamën arkeologjike. Më pas për të mbrojtur vendin e
punës kreu edhe një kurs. Pas dy-tre vjetësh, prej andej e çuan në seksionin
e arsim kulturës të rrethit. I ndodhur aty në fund të atyre shkallëve i tha
vetes se duhej t'i bënte edhe disa pyetje të tjera atij punëtori. I kërkoi
informacion për ditët kur ai nuk ndodhej aty. Kush mund të kishte hyrë në
studion e tij. Duke aluduar për ish kolegun i tha vetes se mundet. Mund të ketë
qenë ai. Po, ai kishte kaluar disa ditë në vazhdim aty. Përgjigjja e punëtorit
i u duk e çuditshme. Duke e vërejtur me kureshtje, për të parë nëse përputhej
lirshmëria e mimikës së fytyrës me fjalët e thëna, mendoi se diçka nuk po
shkonte. Tashmë shumë pikëpyetje do ta shqetësonin. Çfarë po ndodhte me
kolegun e tij. Nuk kishte vënë re ndonjë gjë negative tek ai. U përpoq të
kontaktonte me të. Duhej të mësonte diçka. Si fillim asgjë. Në ato bisedat e zakonshme,
ku flisnin edhe për objektet e zbuluara, përmendën edhe mundësinë e atij njeriu
të hershëm për të qenë një zyrtar i lartë. Ligjvënës, ndoshta edhe gjykatës. E
përsëriti fare lirshëm mendimin dhe kur u përballua ja kërkoi me ngulm
miratimin e idesë së tij. Dikur, për ato objekte që kërkonin bashkëpunim për
përcaktime më të sakta kohore ose të diçka tjetre, do të nxirrnin mendime të përbashkëta. Por tashmë reagimi i tij rreth kafkës ishte i pakuptueshëm. Ai u
mundua të mos shfaqte asgjë. Prej tij, padurimi për t'u shkëputur ishte i
dukshëm. Nuk duhej të vazhdonte më tej. Nga përvoja, tensionimi i
situatës do të pakësonte mundësinë për të kuptuar atë që dëshironte. Përse ai
nuk po shfaqte asgjë. Mos vallë nga xhelozia apo nga diçka ku ai nuk mundej ta kuptonte..
Në ditët në vazhdim,
rrugës tek po ecte nuk e ndjeu përplasej me dikë. Buzëqeshja e tjetrit e ndodhur gati pranë fytyrës së tij nuk e shkëputi aq lehtë nga ajo që po përjetonte.
Duhej të kalonin edhe disa sekonda ose disa minuta. Në të njëjtën
kohë ai i hodhi krahun. Duke vazhduar ecjen i shprehu se edhe atij i
ndodhte të kryente veprime të tilla. Hoqi shikimin prej hapave tek i hidhte mbi
rrugë dhe e drejtoi nga ai. Mendoi se duhej të shprehej dhe pa e kuptuar se
çfarë po bënte, pa përmendur emra gati i rrëfeu atë që mendonte. Ai
tjetri, me shikimin e hedhur në tokë i shprehu opinionet e mira që kishin për
të. I zbutur nga ato fjalë vendosi të mos shqetësohej për asgjë. Që nga ai
çast vuri re të përballoheshin më shpesh. Deri dje nuk e njihte ndërsa
tani po i dilte aty ku nuk mund ta mendonte. Duhej të mësonte arsyen e atyre
rastësive. Dhe ja e njohu nga ecja. Gjysmë i kërrusur si gjithmonë. Me
përkuljen e dyfishtë të qafës dhe të trupit i dha përshtypjen e një njeriu të pështirë.
Ja me kollaron tek i tundej aty përpara, larg gjoksit. E gjitha kjo nga
devotshmëria dhe përkulja ndoshta prej servili kundrejt eprorëve. Diku kishte
lexuar se qendra e gravitetit të trupit të çdo individi përcakton karakterin e
tij. Pikërisht kjo e shqetësonte. E kërkoi me sy shikimin e tij. Nuk pa reagim.
E la të shkonte. As vet nuk e kuptoi përse nuk i thirri. Në ato pak metra larg,
ajo harmoni trupore e ndodhur brenda atij kostumi zyrtar në ngjyrë gri të errët
që kishte lidhje me gravitacionin e tij, e ngacmoi keq. Vazhdoi rrugën. Tek po
ecte i u kujtua një nga personazhet më të spikatur të Dikensit, Uriah Hip, ai
njeri i fëlliqur. Mos vallë ky njeri ishte vënë prej ish kolegut ose prej
dikujt tjetër që punojnë në strukturat shtetërore. Po përse vallë.?!
Megjithëse në qendrën
arkeologjike kishte ditë pa shkuar, ai kaloi në brendësi të saj pa u
përshëndetur me asnjë. Në tavolinë kafka prej gipsi e mishëruar në
njeriun që po kërkonte, e priste në qetësi. E zbuloi. Si një i verbër
kaloi pëllëmbën e dorës mbi të. Mollëzat e gishtërinjve të tij njohën atë që ai
mendonte. Ai material që përshtatej lehtë nëpërmjet gishtave, po plotësonte me
besnikëri portretin e atij njeriu të hershëm. Balli aty përpara, me vetulla
tepër të tendosura e me sytë qe tregonin vet besimin e një njeriu të
pushtetshëm e bërën të buzëqeshte. I kënaqur nga ajo që po shihte, gati sikur e
përkëdheli mirëseardhjen e atij njeriu të kohëve antike. Nga kjo u nxit edhe më
shumë. Nofullat, mjekra dhe çdo element tjetër i fytyrës, të asaj kafke
eshtërmadhe u shfaq e plotë para tij. Por nuk u mjaftua. Për t'i përshtatur me
tiparet e atij njeriu u mor me flokët duke u dhënë trajtën më të mundshme. Vuri
re se me dikë ngjante ose edhe me një tjetër. Çfarë ishte ajo ngjashmëri që
atë e përafronin me dy persona ku gati përplasej rrugëve me ta. U ul. Kaloi shpinën e dorës diku atje tek mjekra e tij si për të pastruar diçka dhe ra në
mendime. U turbullua. I lindi dëshira ta prishte por nuk e bëri. Duhej të
qartësohej ndaj asaj që po e shqetësonte, ndërkohë edhe ta përfundonte punën që
kishte nisur. Në ato çaste, njeriun që po i afrohej nuk e ndjeu por pesha e
dorës se tij mbi sup i u duk e rëndë. Ktheu kokën. Ishte ai. Aty përpara, si
gjithmonë me trupin gjysmë të përkulur. Nuk reagoi. Mendoi se duhej të priste.
Duhej t'i jepte atij mundësinë për të folur i pari. Kështu do të kishte kohë të
kuptonte arsyen e ardhjes. Por heshtje dhe vetëm heshtje. Dora e tjetrit sa
shkonte e po rëndohej edhe më shumë. Tashmë po i kujtoheshin megjithëse të
copëtuara momentet kur përballohej me të. Ajo shfaqja e tij e papritur po i
bëhej më konkrete. I vënë nga dikush tjetër ai po e vëzhgonte. Dhe në çdo çast
sikur i thoshte “jam këtu, po kontrolloj çdo veprim tëndin”. Ngriti kokën dhe u
përballua me të si për të vërtetuar të gjitha ato që mendonte. Në ato momente
vuri re shikimin e tij të drejtohej nga puna e bërë e cila ndodhej diku aty
përpara. Aty ndjeu edhe buzëqeshjen e tij ironike të shfaqur dukshëm në atë
fytyrë enigmatike sikur po i thoshte “të kapa më në fund.” Pa e
kuptuar nuk reagoi, nuk u përpoq të mbulonte punën e tij. Por mendimet e tjetrit të
shprehura me zë e ndaluan. Më kanë thënë se je punëtor i madh. Punon deri vonë.
Është e vërtetë. Pa dale të shoh se çfarë ke bërë. Dhe me një shtytje u përpoq
të hapte rrugën drejt kafkës prej balte e gipsi. Tashmë i ndodhur mes saj dhe
njeriut të sapo ardhur, gjithë vëmendjen e përqendroi mbi të. Në çast i u
kujtua prania e vazhdueshme, dhe përplasja me shikimin e tij. Ai do ta
shoqëronte kudo. Çfarë kishte ndodhur vallë. Ku kishte gabuar. Përveç lirisë
profesionale asgjë nuk kishte kërkuar. Shpesh kohën e lirë të tij e vendoste në
dispozicion të punës. I u kujtua se edhe aty rrugës tek i hodhi dorën për herë
të parë në sup, si sot, shikimin e kishte të përqendruar mbi shkëlqimin e
këpucëve. Në atë çast, ajo rrobë e varur me efekte që kalonin nga
ngjyra e kuqe e shoqëruar me disa vija të zeza nisi ti tundej aty përpara
gjoksit. Pikërisht këtë fakt ai u përpoq ta eleminonte duke drejtuar edhe trupin
që ishte gati të humbiste ekuilibrin. Dhe për të mos i dhënë kohë skicografit
në atë që po përjetonte, e goditi në sup disa herë me majat e gishtërinjve. Ato
ishin si thirrje, si paralajmërim. Në ato çaste të dy e kërkuan me ngulm
përballimin me njeri tjetrin. Ishte shtrëngim nofullash i shoqëruar me shumë
lëvizje të tjera në fytyrë. Të gjitha ato shfaqnin epërsinë për të mposhtur
tjetrin përballë. I ndodhur ende në këmbë, mbajtësi i kollares përpiqej të
dukej më lart tij, si një njeri ku të gjithë të tjerët duhej t'i
trembeshin, t'i nënshtroheshin. Skicigrafi, i ulur e me duar mbi kafkën prej gipsi
nuk ja shkëputi shikimin. Për të, ajo kohë qe e mjaftueshme. Sy me shikim
inatçiu e idhcaku. Aty mendoi ta tërhiqte me dhunë prej kollares e ta shkelte
me këmbë atë njeri. Por jo. Ajo qenie njerëzore në çdo lloj formë që do të
ndodhej mbi tokë, shtylla kurizore e tij do t'i përshtatej anormalitetit
gravitacional.
Nga ai përballim,
mbajtësi i kollares, të gjitha sa kishte menduar gjatë rrugës nuk po mundej t'i
artikulonte në zë. Ai e ndjente se ngjashmëria e atij njeriu të hershëm me
njeriun më të rëndësishëm të qytetit ishte tepër e madhe. Por për sa po ndodhnin
në atë çast, shkak ishin edhe shenjat e çuditshme të lëna mbi fytyrën e njeriut
më të dashur e më të respektuar të pushtetit popullor.
Për skicografin të
gjitha ato nuanca dhe lëvizje muskulore në fytyrën e atij shërbëtori të
devotshëm ishin të mjaftueshme. Shumë keq i shkoi mendja. Dhe nga ana tjetër ai
Uriah Hip i shëmtuar ende nuk ja kishte shkëputur dorën e tij të lëngshme me
veti ngjitëse. Si atë ditë rrugës tek po e ndiqte. Dhe ndjeu përsëri ato
goditjet e lehta të shoqëruara me dy fjalë: Mirë, shumë mirë.
Tashmë për të dalë
prej asaj situate absurde por më tepër komike si e mendonte ai, kuptoi se
mundësia do të qe e vështirë. U çua prej karikes pa guxuar të hedh
ndonjë hap më tej. Ku të shkonte. Çfarë të bënte. Për të çdo gjë që mund të
ndodhte ishte e pa imagjinueshme. Megjithëse që këtej e tutje do të ishte në
diskutim ekzistenca e tij në atë qendër arkeologjike, përsëri vëmendjen e
kishte tek kafka e atij njeriu të hershëm. Mes shfletimeve të literaturave dhe
studimeve arkeologjike, mendoi se e kishte kaluar kufirin e asaj që i kërkohej
prej institucionit ku ishte punësuar. Çfarë vlere kishin ato tashmë ku në të
vërtetë mungesën e një arkeologu ai e plotësonte më së miri. U ndje keq për të
vetmen arsye sepse atyre u shkonte përshtat çka ai bënte. Ata në heshtje gati
e miratonin pasionin e tij, ndërsa sot egzistencën e tij mund ta shpërfillnin
në çast. Ktheu kokën nga ai njeri i hershëm. Shikimi i tij ndodhej në të
njëjtin drejtim që nga çasti ku e kishte lënë. I shkoi pranë dhe pa menduar
asgjë u ul duke u mbështetur mbi syprinën e tavolinës. Nuk e kuptoi se sa
qëndroi ashtu por vendosi ta plotësonte portretin e atij njeriu që e kishte
mbajtur në ankth.
Më tej se si vazhdoi ajo histori jo vetëm e asaj kafke por edhe e skicografit,
për veçse përfliteshin dy variante, mbijetoi ajo që mendohej si më e bindshme.
Ishte ai që krijoi atë situatë absurde, Uriah Hip-i dikensian që do ta shfaqte
si një porosi të shefit, pasi vetëm skicografi i qendrës arkeologjike të
rrethit mund të realizonte vepra të tilla.