Κυριακή 10 Μαρτίου 2019

KISHA E SHËN PREMTES LUKOVË


   100 m pa shkuar në fund të rrugicës së kalldrëmtë i cili është edhe fundi i fshatit, nga krahu i djathtë i saj mer një degëzim tjetër. I pa shtruar me gurë ai zbret më të poshtë duke u kthyer në monopat. Diku aty në një tarracim gati natyral ngrihen muret e kishës të Shën Premtes.

Për të kisha dëgjuar shpesh nga pleqtë e fshatit të Piqerasit. Si besimtarë të rregullt, ata fshehurazi do të shkonin të ndiznin aty qirinj të shumtë. Nëpër zgavrat midis gurëve nga jashtë pasi porta prej hekuri do të ishte e mbyllur me dryn do të gjeje qirinj të shumtë. Duke qenë kishë me vlera të veçanta e periudhës së bizantit të hershëm,  ajo u kthye në monument kulture.
Unë nuk e dija se ku ndodhej dhe e kërkova duke ndjekur rrugën më të poshtë  që zbriste deri në fund të fshatit por nuk e pashë. Duke vëzhguar rrugicën e kalldrëmtë e cila mirëmbahet nga banorët e fshatit, murret e larta që rrethojnë shtëpitë e tyre me lulet e shumta mbi to, përmes hapësirës të një porte të hapur me një hark guri rmbi të,  vura re një plakë tek fshinte oborin. Nuk arita të trokisja pasi një nga fletët e mëdha u tërhoq përbrenda. Në atë përballje, në sytë e saj ndjeva urtësinë dhe ëmbëlsinë e plakave të bregdetit. I përgatitur për atë që mund të ndodhte, në kureshtjen e tepërt të vëndasve karshi të huajve dhe si cilësi e veçantë e moshës së saj, do të mund të më mbante aty dhe do të konsumoja tepër kohë, nuk i dhashë mundësi. Bile as i tregova që isha nga Piqerasi. Mund të shkonte edhe më larg ajo bisedë. Me shikimin e ëmbël që shkonte deri në zhibrim të thellë përbrenda meje ma bëri me dorë ta ndiqja. I shkova pas duke u ngjitur në ca shkallë të gurta që na çuan në një tarracë të vogël betoni ku e cila nga ana perëndimore mbështetej tek muri rrethues i shtëpisë ku po aty poshtë ndodhej edhe porta e madhe e oborit. Me dorën e zgjatur përpara nga ana perëndimore, më tregoi kishën e cila fshihej midis kurorave të ullinjve. Në vijë ajrore ajo ndodhej përafërisht 300m larg prej andej. Përsëri pa e ndarë shikimin e ëmbël të saj më ftoi të pija një gotë me ujë të ftohët. Në atë shikim që po vazhdonte të më kundronte akoma aty tek po pija ujin e ftohët ndjeva peshën në vite që mbante mosha e saj. Duke ma mbushur përsëri gotën, m'u drejtua, të kesh kujdes se vërdallë ka shumë gjërpërinj. Në çast nuk i kuptova dhe aq mirë ato fjalë por më vonë tek po shkoja drejt kishës, përbrenda tyre fjalëve ndjeva diçka tjetër. Pasi zbritëm tek porta, poshtë atij harku të skalitur bukur dhe të mirëmbajtur, më shpjegoi se ku duhej të kthehesha. Aty duke marë kalldrëmin në të përpjetë dëgjova të më thotë gati nën zë, në uratë të perëndisë djalo. Duke kaluar përmes tarracave kisha ende nuk po dukej. Pas një gjarpërimi dhe zbritje të monopatit ajo m’u shfaq përpara. Nuk ishte shumë e madhe. Terreni ku ajo qe ndërtuar merte një pjerrësi të lehtë në zbritje. Pjesa e pasme e saj ku në brendësi ndodhej ikinostasi, kapte pothuajse 1m nën sipërfaqen e tokës.
Në çastin e parë porta e hekurt e vendosur jo në qendër, në faqen me shikim nga lindja, mu duk e mbyllur por me një prekje të lehtë ajo u shty në brendësi. Si gjithmonë e njëjta ndjesi do të më tërhiqte fuqishëm përbrenda atij ambienti që nuk do të kishte fare lidhje me jetën e përditëshme. Nuk ishte një tërheqje çasti  por një vazhdimësi,  që më mbante rob prej kohësh. Besoj se e para si arsye ishte kujtesa nga fëmijëria. Momentet e shumta në fshatin tim, që nga kisha në qendër deri tek manastiri lart në mal ku ato festa tradicionale i përjetoja me emocione të mëdha. Për këtë arsye në atë periudhë fëmijnore shpesh herë ikja fsheurazi nga Saranda dhe shkoja tek gjyshërit, prindërit e nënës. Ndoshta është forma e të ndërtuarit tim, qenia ime njerëzore që më bënte të reagoja tepër njerëzisht karshi çdo fenomeni njerëzor dhe natyror. Dhe tjetra që pas burgosjes të tim eti ishte e vetmja mënyrë të shpëtoja nga realiteti i hidhur ku po jetoja.
Ajo hapësirë që merte përpjetë në brendësi të saj, pas çdo harku dhe kubature të krijonte ndjesinë e kundërt të kontaktit të parë nga jashtë. Sikur të tërrhiqte fuqishëm drejt lartësive.
Ngjyrat e ftohta të murreve tek shfaqeshin në çdo gurë të lidhur me llaç, nga harqet dhe kubeja kryesore që ngrihej më lartë nga pjesët e tjera, shkonin në gri të çelët , në ohër dhe vende-vende të pistë nga tymrat e kandileve. Nëpër to, diku nga ikonostasi ndodheshin fotografi ikonash. Në murret e saj që kapnin trashësinë 0.75x o.80m ndjeheshin të çarra të cilat po jepnin sinjalin për rrezikun që po i afrohej atij objekti me vlera. Nga jashtë murreve kisha kapte përmasat 11x 6m.
Harqet dhe kubetë e saj mbështeten në gjashtë këmbë guri (kolona) me diametër rreth 0.45m të vendosura larg faqeve të murreve në një distancë 0.65m. Largësia e kollonave nga njera tjetra nuk është e njëtrajtëshme por shkon afërsisht në 2m. Ato kapnin pothuajse 4m lartësi dhe pikërisht aty fillon të tjetërsohet për t'u kthyer në hark. Mbi to harqet të lidhur me njeri tjetrin mbajnë  peshën e rëndë e një radhe tjetër harqesh më të vegjël, ku mbi to është vendosur çatia. Sheshi i shtruar me pllaka guri gëlqerorë ndjehej pak i dëmtuar. Në krye të saj nga ana lindore ndodhet ikonostasi. E vendosur në qendër me një gjerësi 2.10m, e thellësi të harkuar nga jashtë në 1.10m. Ajo hapësirë e kufizuar në një distancë të përafërt  1.30m nga kollonat e para është e mjaftueshme për të kryer shërbimet e veta prifti. I preka me duar të gjitha ato që po më ngacmonin. Në atë lëvizje të ngadaltë tek ndjeja në mollëzat e gishtërinjve ftohtësinë e gjithçkaje që prekja pa pritur e pash veten jashtë saj. Duke ndjekur gjithë perimetrin e mureve të saj ndjeva atë ndjesi tek shikoja atë pakujdesi të institutit përkatës për mirëmbajtjen e këtyre objekteve me vlerë. Tek po përpiqesha të kapja lartësinë e tarracimit i preka edhe njëherë  ato mure të gurta.



                                                                                         30 shtator 1980

                 




                 



Τρίτη 5 Φεβρουαρίου 2019

NË NJË LAGJE TË QYTETIT TIM


                                    
Në anë të trotuarit, pranë shtyllës të betontë të linjës elektrike u dëgjua rrëshqitja dhe zhurma karakteristike e një biçiklete. Prej saj zbriti një djalosh në të kapërcyer të tridhjetepesë viteve. Me punën që ai bënte ishte i pari që jepte lajmin për ikjen nga jeta të ndonjë qytetari. Shumë pak qëndroi si emigrant duke u kthyer në atdhe, në qytetin e tij të lindjes. Tashmë ai punon në një zyrë varrimi si vendosës i lajmërim vdekjeve në shtyllat e betonta. Pleqtë e përditshëm të ndodhur në tavolinat aty pranë të kafenes së vetme të lagjes, tek kthyen kokën u ndeshën me shikimin e tij. Egërsia e shfaqur në atë fytyrë i hutoi ata. Më pas, vendit ku ishte lajmërimi i vjetër ai i kaloi një lyerje të shpejtë me kollë duke ngjitur një të ri. E përsëriti lëvizjen e dorës së tij sëbashku me furçën duke i kaluar edhe një shtresë mbi të. Kur i mbaroi të gjitha veprimet e ri hodhi shikimin mbi ta. Të hutuar, nuk shfaqën asnjë reagim. Jo vetëm egërsia por edhe fiziku i tij, gati u preu frymëmarjen ndërkohë ai kishte shaluar biçikletën dhe duke i rënë ziles së saj u nis.
Ata pleq, të përditëshmit e asaj kafeneje, ishin nga banorët më të hershëm të lagjes. Erdhën aty rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar. Kishin të njëjtin mbiemër. Pa shkollë dhe zanat por u përshtatën shumë shpejt me vendbanimin e tyre të ri. Duke qenë fis i madh e tërhoqën njeri-tjetrin duke u shkëputur më së fundi nga ai fshat tepër malor dhe i vështirë për të jetuar. Nuk e shuan natyrën dredharake por e shfrytëzuan më së miri. Disa prej tyre, për të mbajtur një vend pune të mirë, u vunë në shërbim të atij institucioni të egër që mbante në këmbë diktaturën e proletariatit. Historitë që tregonin aty tek pinin kafen e ndonjë teke rraki, ishin gati të njëjtat. Histori personale gjatë ndërtimit të socializmit por edhe të periudhës të luftës së dytë botërore ku ata të paktën do të ishin në atë kohë 2-3 vjeçarë. Të fundosur ose më saktë të kërrusur në ato karike tek shihnin ndonjë kalimtar që mund ta njihnin, duke e shoqëruar me shikim në ikje do ta përgojonin në biografi si dikur. Në vazhdim të atyre ditëve, tek po kalonin orët e mbasdites e dëgjuan sërisht zhurmën e asaj biçiklete. E panë të zbriste prej saj. Në formën më instiktive të tyre po prisnin reagimin e radhës. Ata ndjenë sytë e tij të ndaleshin një për një mbi kokat e tyre. Më pas ai u drejtua nga biçikleta. Tek po ikte e detyroi zilen e saj të kërciste pa ndërprerje për disa metra rresht.
Të nesërmen, vendosjen e lajmit të ri tek shtylla pranë kafenesë, ai e planifikoi në orën më të përshtatshme që i shërbente qëllimit të tij. Ata pleq, të zhytur në pikëllim po prisnin me ankth ardhjen nga çasti në çast të lajmëtarit të vdekjes. Dikush që kishte gotën e rrakisë në dorë, për t'u siguruar se mos i derdhej nga ajo që po pësonte, e uli mbi tavolinë. Të gjithë, të urtë dhe të vëmëndshëm po ndiqnin çdo lëvizje të tij. Në atë përballim, dikush prej tyre vuri pëllëmbën e dorës mbi gojë me frikë se mos lëshonte ndonjë thirrje. Shkëlqimi i syve të lajmëtarit të vdekjeve i shoqëruar me harenë në fytyrë i çarmatosi ata të mjerë. Ai zbriti prej biçikletës duke u drejtuar nga shtylla. E mbuloi me kollë lajmërimin e vjetër dhe pasi e shtroi fortë me dorë të riun, i kaloi edhe disa herë furçën mbi të si për t'u siguruar se ai nuk do të kishte mundësi të lëvizte prej andej. Ata tek pëshpërisnin, kishin shpresë se shpirti i shokut që tashmë u mungonte, mund të kishte shkuar në xhenet por fishkëllima e asaj gome biçiklete në ikje e sipër i përmendi. Xhebrahili ishte ende vërdallë tyre.  Më pas ai kaloi disa herë prej asaj rruge por pa e kthyer kokën. Kaluan dy ditë kur u rishfaq përsëri. Tashmë për dy përkujtimore. Pasi mbaroi punën tek shtylla u drejtua prej tyre. Lëvizja e shikimit të tij gati sikur vërtetoi atë që mendonin ata kohët e fundit. Dikush ngriti dorën me gishtin përpjetë si për të thënë diçka por e uli shpejt. Duke i u marë goja i tha se ai që mungonte ndodhej i shtruar në spital me infrakt kardiak. Si dhuratë prej xhebrahilit ai mori veçse zgërdheshjen e rradhës.
Ngjitësi i lajmërim-vdekjeve pas dy ditësh kreu veprimin e përhershëm të tij. Njeriu që do të shfaqej me emër dhe fotografi në atë lajmërim ishte i sëmuri nga zemra. Në fytyrën e lajmëtarit gati profesionist, dhe i vetmi i qytetit, nuk mund të kuptoheshin qartë nuancat e emocioneve që po kalonte. E ndodhur diku aty pranë, e zonja e lokalit një grua në moshë dhe e vjetër në qytet, tek hodhi shikimin e saj mbi të shfaqi një dëshirë për t'i folur por u tërhoq duke u larguar prej andej.

DHE ËNDËRAT MBAROJNË SHUMË SHPEJT


Tek po flinte një dritë e fuqishme  i u përplas me forcë në fytyrë. Pas asaj ai e pa veten të ulur në të ndënjura buzë krevatit. Si fillim ishte i vetmi veprim më  i shpejtë që mund të kryente pas atij çasti të frikshëm. U përpoq të ambientohej. Hodhi shikimin përreth dhe megjithëse ndodhej në dhomën e tij të gjumit, gjithçka i u duk e huaj. Aty jashtë përtej masës së madhe të xhamtë të dritares ndjehej të çelej dita e re. E riktheu shikimin në brendësi të dhomës. Në krahun e djathtë të tij nga aty ku qe ulur, në komodinën e ndodhur buzë krevatit, i rënë mbi të, ndodhej abazhuri me pjesën e qelqtë të thyer. Ai fakt nuk i bëri përshtypje megjithëse e admironte sa herë ndodhej përballë atij poçi të dekoruar bukur.
Ashtu siç ishte, i ulur në krevat me brylat e mbështetur mbi gjunjë dhe pëllëmbët e duarve mbi fytyrë po përpiqej të kapte shkakun, arsyen që ndodhej në atë moment të vështirë. Por nuk mundi të arsyetonte për asgjë. Në ato çaste për të koha gati kishte ndaluar. Koha?! Cila kohë?! Dhe sa mund të zgjaste ajo. Ja, sa të kalojë edhe njësia tjetër kohë i tha vetes. Në fakt në trurin e tij në ato çaste nuk artikulohej asgjë përveçse asaj buzëqeshje të hidhur që i kishte ngirë në cep të buzës disa minuta më parë.  I shkoi ndërmend të shtrihej por, po të mos ta zinte gjumi ose në se  do të flinte, më tej  do të zhytej në ëndërimet e tij të pafundme. Ai kishte një veti tepër të veçantë ku arinte ti mbante mënd shumë mirë ëndrat, gati me imtësinë më të vogël. Kishte një pjesë të tyre që nuk kishin më interes për të kështu që ai i haronte shumë shpejt. Kishte raste që ato i rishikonte por me ndryshime të vogla ku thelbi i tyre ishte i njëjtë.  Në to ai shtronte zhvillimin e më tejshëm të cilësive të tij për aktrim. Dhe ishte tepër i bindur. Çdo ditë ende pa filluar  veprimet për ditën e re do të dilte përpara pasqyrës që i kalonte lartësinë e trupit dhe nga garderoba do të tërhiqte kostumin e personazhit të rradhës. Ja, aty përpara,  brenda asaj palltoje të madhe i shfaqej vetvetja tepër krenare me mjekrën dhe atë krifë flokësh të dëndur të dallgëzuara mbi shpatulla e deri tek balluket mbi ballë duke imituar lëvizjet e tij. Dhe të dy më perfekt se vëllezërit binjakë do ta përsërisnin disa herë pjesën. Të paktën për dy arsye. E para se ndjehej që diçka nuk po shkonte mirë dhe e dyta gjatë aktrimit do të ndodheshin në dy pozicione, nga protagonist në kritik të asaj që luhej prej tyre. Në fakt ishte disi e ngatëruar për të, por ai kishte besim tek vetja. Koha më e gjatë e këtij procesi ishte mbasditja. Do të punonte fuqishëm. Dhe i thoshte shpesh vetes se kishte bërë mirë që nuk kishte lidhje me ndonjë femër pasi do të konsumonte shumë kohë me të.
I  ndodhur ende buzë krevatit, tashmë as nuk i shkonte ndërmend të shtrihej. Ishte ende herët. Aty jashtë dritares natyra shfaqte gati të njëjtin çast. Para pak kohe ndjeu një moment tepër të vështirë që kishte të bënte me atë që ai e kishte qëllimin kryesor të jetës së tij, se çfarë ndodhi me të në atë përjetim. I u kujtua e gjitha fije për pe. Gati të gjitha rolet që ai kishte improvizuar. I mbusheshin duart nga DV-të e shumta. Ishte gjë e bukur. Po pra, kishte qenë në ëndër duke luajtur personazhet e tij të preferuar. Më tej do ta zinte gjumi i lumturuar. Aty ndodhi çudia. Nga humbja e gravitetit mëndësor i cili si proces kishte kohë që po zhvillohej brenda tij, ndjeu një si fluturim të shpejtë tek po kalonte në hapësirën kohë të ëndrës tjetër. Ishte fatlum, tashmë ndodhej përpara kamerave. Aty pranë grimierë, operatorë, kameramanë po bënin gati momentin e shumë pritur. Dhe çasti solli atë që nuk mund ta imagjinonte, shkatërimin përfundimtar të tij. Shpërthimi i fuqishëm i një projektori gati e verboi. Gjithçka ndryshoi shumë shpejt. Aty ndjeu trupin ti rrëshqiste dhe të rikthehej në ëndrën e parë me shpejtësi dhe brenda asaj kohe u soll si i marrë për atë që humbi. Si gjithmonë, ëndërat mbarojnë shumë shpejt mërmëriti nëpër dhëmbë. I rihodhi një shikim të shpejtë dhomës. Tek u ndesh me abazhurin mendoi se do ta kishte rrëzuar vet, se si kishte ndodhur nuk mundej ta kuptonte.
U ngrit prej krevatit duke ardhur vërdallë nëpër dhomë. U ndodh përpara pasqyrës. Në fytyrë nuk pa asgjë të shëmtuar por ndjeu pavendosmërinë e tij për atë çka bluante në kokë. Tashmë kishte filluar lufta për atë që kishte kohë që bluante.



Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2018

VARRET ANTIKE NË PËRPARIM (SHËN VASIL)*


Lakua kushëriri i  N.Dhimës më kishte thënë disa herë se mbrapa shkollës bujqësore në fshatin Përparim* aty ku nxënësit bëjnë ushtrimet gjimnastikore kishin parë copa qeramike. Dikush kishte gjetur edhe monedha të vjetra.

Aty shkuam mbasdite pasi ishte më e mundëshme të punonim të qetë Mësimi mbaronte në orën  1-1.30  dhe nuk do të kishte nxënës e mësues. Ishte gati fundi shtatorit. Që me vështrimin e parë mbi sipërfaqen e dheut, shihje copa qeramike enësh e tjergullash, ku me të cilat nuk mund të krijoje as edhe një fragment të vetëm, por në bazë të brumit të tyre dhe të ngjyrës, vërtetoje se kishe të bëje me një objekt arkeologjik.
Filluam të bënim një sondazh në një metër katror. Dheu ishte shtufor dhe pjesërisht i shkrifët. Po zbulonim një varr në formën e një arke i cili ishte ndërtuar me rrasa guri gëlqeror. Anësoret ishin në gjendje të mire, ndërsa ajo që shërbente si mbulesë mjaft e dëmtuar.
Varri kapte përmasat  2m gjatësi dhe 0.80m gjerësi. Orientimin e kishte lindje perëndim me një shmangje të vogël nga jugu. Gjatë gërmimit, në brendësi të tij, përveç skeletit gjetëm objekte që shoqëronin të vdekurin .
-Dy  kandila në trajtë disku, lëfyti i të cilave dilte horizontalisht. Sipëfaqja e jashtme e tyre ishte e lyer me vernik të zi. Madhësia e tyre shkon 10cm gjatësi dhe 3.5 cm gjerësi. Të tillë kandila kemi gjetur  edhe më parë në zonën përreth si në Bajkaj, Matomarë e Finiq, të cilat i datohen shek. lll-ll p.e.s.
-Shishe prej balte (lotore) ku trupi i saj kishte një formë të përzgjatur me qafë të gjatë e me fund të hollë unazor. Ajo kapte lartësinë 9.2 cm.
-Një enë balte me përmasa të vogla 2.5 cm lartësi dhe 2.3 cm gjerësi. Kishte trajtë bikonike  ku pjesa e sipërme është më e gjerë se fundi . Ajo përbëhet prej një brumi të pastërt, okër në roz. Gjithashtu, aty brenda gjetëm edhe shume parete enësh tepër të dëmtuara.
Duke parë me kujdes materialin e gjetur dhe duke e krahasuar me varret e gjetura në perëndim të kodrës së Finiqit, kodrave të Volloderit si dhe në fushën që shtrihet në juglindje të fshatit Bajkaj, kanë një ngjajshmëri të madhe. Ato u datohen shekujve lll-ll p. e s.
Pra, Sofokliu mendon se, objektet që zbuluam, janë pjesë  të një nekropoli që i kushtohen një vendbanimi të hapur i cili është  populluar prej shekullit të lll p.e.s. deri në shekullin e l e. sonë.
 Nga ana lindore, në anë të buzës, ku prej andej shihet Finiqi dhe gjithë hapësira përreth, vurëm re rrënojat e një ndërtimi të cilat dilnin fare pak mbi sipërfaqen e tokës. Ajo mund të kishte qenë një fortifikatë ose kullë vrojtimi. Me gërmime fare të lehta mbi sipërfaqen e saj gjetëm dy llulla duhani të periudhës së Ali- Pashës.** Më pas objektet e gjetura i mblodhëm me kujdes dhe të nesërmen i çuam në qendrën arkeologjike në Sarandë.
                                                                                                  Shtator 1983                                                                         

*   Emri i tij i vjetër Shën Vasili
 
** Sipas shënimeve të konsullit francez Pukëvil pas nënshtrimit të bregdetit Ali-Pasha në Shën-Vasil ndërtoi një kështjellë ku pjesët më të shumta të saj ishin të ndërtuara me plithar e dru. Mendojmë se ato themele duhet t'i përkasin një kohe më të herëshme.

        



MANASTIRI I MESOPOTAMIT


        Më kishin mbetur si dy momentet më interesante sa herë që udhëtoja me autobuzat e Ballshit ose      të Gjirokastrës. Mëngjesi në të gdhirë dhe buzëmbrëmja.
Sa mer kthesën në kryqëzimin e Kranesë, për gjatë rrugës tek kthehesh majtas, në thellësi, në horizont të shfaqen konturet e Manastirit të Mesopotamit. Si në një skenografi gjigande, tek çajnë ajrin, rrezet e para të mëngjesit, në mes të fushës lartëson konturet e tij manastiri i famshëm. Edhe kur kthehesh nga Ballshi, sidomos në dimër, pasi konçidon me perëndimin e diellit, të njëjtat ndjesi më krijonin. Mëngjeset në të gdhirë dhe buzëmbrëmjet ose më saktë muzgjet pasi i shkon më për shtat,  si shprehje.
Manastir baraz me muzg. Jo në kuptimin ateist por në konceptin e kohës, si diçka që largohet në mugëtirë.  Mos funksionimi i tij. Për të gjitha këto para disa vjetësh e kisha hedhur në telajo atë moment, ato dritë-hije mëngjesi.
E kishim vendosur në program që t'i hidhnim një sy zonës për rreth dhe vetë manastirit. Si zakonisht vetëm të dielat shfrytëzonim pasi ishim në punë. Sëbashku me Sofokliun hypëm në karrocerinë e një saureli, vendet përpara ishin të zëna. Ishin të vetmet automjete të shpeshta që qarkullonin në atë zonë. Ato bënin ngarkesë në Minierën e Kripës dhe shkarkoheshin në Portin e Limionit tek kapanonet që ishin ngritur posaçërisht për të. Zbritëm tek ura që ndodhet pak më poshtë Hidrocentralit nr.2. Kaluam në rrugën e krijuar nga rrotat e automjeteve bujqësore dhe prej këmbëve të fshatarëve. Lluca, e krijuar nga shirrat e rënë ato ditë na e kalonte syrin e këmbës. Kaluam ujin e pakët të përroit i cili derdhej në kanalin e madh të hidrocentralit. Morëm të përpjetën e cila ishte punuar në brazda të mëdha. Edhe aty me vështirësi  i hodhëm hapat duke dalë në krye të saj. Përpara nesh u shfaq manastiri.
Ai ngrihet mbi sipërfaqen e një kodre ose më saktë e një ngritjeje ë konsiderueshme midis dy shtretërve të lumit Bistricë ku prej andej zotëroje gjithë hapësirën përreth saj. Kapërcyem rrethimin nga ana e vorrezave i cili është pothuajse krejtësisht i shkatëruar. Ai kap një gjatësi rreth 100 m dhe gjerësi 80 m. Dikur përgjatë tij ngriheshin 7 kulla drejtkëndëshe të cilat sot janë krejtësisht të rrënuara. Ai i përket mjesjetës së herëshme. Është tipik bizantin dhe nga më të rrallët në Shqipëri. Vizitorë dhe specialistë të ndryshëm europianë e kanë parë atë.
Manastiri është vlerësuar si Monument Kulture dhe mbrohet nga shteti. Përveç tabelës që ndodhet mbi portë ka edhe një kujdestar që meret me të.
Mbrapa nga ana e djathtë, kur je përpara kishës si orientim,  me mundim kaluam në brendësi të tij nëpërmjet një dritareje të vogël pasi dera ndodhej e mbyllur. Megjithëse nga të gjithë manastiret që kemi parë është më i mbajturi edhe ai është i dëmtuar.
Shumë figura shënjtorësh janë të lyera me gëlqere. Dekoret e kollonave gjithashtu, janë të mbuluar po nga gëlqerja. Ikonostasi ishte në gjendje të shkatërruar, me gjithë atë ai mbahet ende në këmbë. Ajodhima në shesh, mbi pllakat e gurit kishte  kavanoza të sajuara si kandila. Kamaret e vogla që ndodhen në të dyja anët e saj ishin të nxirra nga tymrat e kandilave. Në një cep të saj gjetëm disa libra meshe, të cilat i lamë po aty. Dyshemeja e sallës së meshës ishte shtruar me pllaka guri të cilat nuk e ruanin mirë nivelin e tyre.
Dolëm duke e parë me kureshtje atë ndërtesë mesjetare. Për ndërtimin ishin përdorur edhe blloqe gurrësh antikë. Në të katërta faqet e saj shikoje fragmente dragonjsh në reliev, të gdhendura në gurë gëlqeror. Gjithashtu edhe tulla e kuqe ishte përdorur si element dekori e cila si karakteristikë i përket  periudhës romako bizantine Si ndërtesë është e mirëmbajtur të cilën e tregonte edhe çatia pasi është e restauruar.
Përballë kishës ndodhen rrënojat e pjesës tjetër të manastirit. Megjithëse e    dëmtuar, kambanorja qëndronte ende në këmbë e cila shkon afër në 10 m lartësi. Në krye të saj ende qëndron një kambanën. Mjediset e tjera ishin të shkatëruara. Vetëm fragmente muresh të fasadës së jashtme qëndronin në këmbë të cilat kapnin 3m lartësi
Në anën jug-perëndimore, përballë kishës ndodhej porta. Mbi të harku i madh mbështetej në murin rrethues. Rruga për të shkuar në manastir ishte  sajuar nëpërmjet tarracimeve pasi e detyronte terreni në ngritje ku është ndërtuar ai objekt kulti, manastiri.

                                                                                                                                                                         Tetor 1981








Κυριακή 21 Οκτωβρίου 2018

VEÇ SE... PAK KËRKONTE


       Me atë temporitmin e përhershëm të lëvizjeve trupore të tij të ngadalësuara, tërhoqi me majat e gishtrinjve disi mbi gjunjë pantallonat, dhe duke u ulur u mbështet në shpinoren e karikes. Pasi u bind se zuri vend mirë, bastunin që nuk e ndante as edhe një herë prej vetes e vendosi midis këmbëve. Edhe shikimin që hodhi përreth, mes asaj ngadalësie e zhvilloi. Pas të gjithave tek ai u ndje hapur indiferentizmi i tij ndaj gjithçkaje që po kryhej aty. Lëvizjet e njerëzve ku më të shumtit ishin të rinjtë, muzika rritmike dhe zhurma e mjeteve tek kalonin në rrugë nuk e shqetësonin fare. Me gjithëse qe mbështetur krejtësisht me shpinë e të ndënjura në atë karike të bollshme, ende i ndjehej kërrusja e përherëshme e trupit. Edhe në qoftë se do të deshte të shihte ose të komunikonte me tjetrin të ndodhur diku pranë tij, me dy gjysma lëvizjesh si fillim të kokës pastaj të syve, do të mundohej të hynte në lidhje me të. Në atë moment lëvizja e tij e rradhës ishte paketa e cigareve me çakmakun të cilat i vendosi mbi tavolinë.  Mes atij rritmi do të shkonte deri në ndezjen e cigares duke kryer thithje të lehta. Edhe tymi tek po vërtitej rreth fytyrës së tij, ishte i ngadaltë duke u shfaqur në disa fjolla të lehta të bardha. Në atë pritje ose më saktë përhumbje gati të pa kuptimtë nuk ndjeu praninë e kamarjeres, veçse  ato dy këmbët e saj aty përpara e bërën të reagonte. Tek po ngrinte kokën, me shikimin gati të turbullt u përpoq të komunikonte me të por u step. Një dritë e bukur u shfaq në fytyrën e tij. Ajo lloj tronditje që pësoi kishte kohë që nuk ekzistonte tek ai. Me një lëkundje të lehtë të dorës  i kërkoi asaj ti afrohej më pranë. Mes kërkesës në tone të ulëta e të copëtuar midis dhëmbëve për kafen tradicionale dhe gotën rrakisë, në atë afëri trupore me të ndjeu aromën e saj femërore. U përpoq të përqëndronte shikimin tek ajo por nuk mundi. Në fytyrën e tij lëvizje të lehta po i shfaqeshin. Në sytë, në cepat e buzëve të mbërthyera fort e deri në lëkundje të lehta të kokës si për të krijuar drejtpeshimin e ndjesive që po  zhvilloheshin  brenda tij. Kamarierja, ajo bukuroshe e cila tronditi, ose i dha një ndjesi më të bukur të jetës atë mëngjes ku të paktën nga jashtë ashtu mund të kuptohej po i qëndronte ende përballë dhe pa i shpjeguar se çfarë i kishte ndodhur, i fshiu hirin e bardhë të cigares të rënë mbi pantallona. Ndërsa reagimi i tij i pa ndërprerë ishte veçse përqëndrimi mbi atë fytyrë. Do të ishte zëri i saj që do ta “zgjonte” i cili ishte miratim i kërkesës. Ai e shkëputi shikimin prej saj dhe në formë instiktive të tipit që konsumon duhan, u përpoq të kryente atë veprim të përhershëm. Por cigarja i ishte fikur. Duke e kuptuar se nuk kishte se çfarë të kryente më pasi edhe ajo kishte ikur, zuri pozicionin e përhershëm, kërrusjen e trupit.
 Përsëri do të ishte prania e saj që do ta sillte në kohë atë njeri. E mbështeti ndjenjën e tij mbi atë fytyrë dhe nuk u përpoq ta largonte prej andej, ndërsa ajo pasi sistemoi mbi tavolinë rrakinë, kafen, tavllën dhe paketën me çakmak hodhi shikimin e saj mbi të. Pas buzëqeshjes  dhe të atij urimi të përhershëm karshi klientit për ta shijuar atë moment, u largua.
Duke konsumuar kafen dhe rrakinë mendoi se e teproi. U përpoq të ndiste cigaren por nuk mundi. Me një lëvizje dore e thërriti kamarjeren. Pasi mbështeti mirë skajin tjetër të bastunit në trotuar, dhe duke i dhënë forcë trupit për tu çuar i kërkoi ndihmë. E mbështeti dorën mbi pëllëmbën e saj me dëshirën për ta mbajtur sa më shumë, sa më shumë. Kamarierja në përpjekjen e saj për tu shkëputur, ndjeu zërin e tij në të shuar ti kërkonte, t’ja mbante edhe pak dorën.

Κυριακή 30 Σεπτεμβρίου 2018

VARRET ANTIKE TË MURSISË


        
  Vjeshta kishte filluar. Ishte koha më e mirë për eksplorim. Kur më krijohej mundësia, tek Sofua shkoja  edhe në mes jave. Kishim planifikuar që ti hidhnim një sy fushës së Vrinës. Do të fillonim  nga buza e liqenit, në rrënojat e akuaduktit romak, dhe do të vazhdonim të ecnim sa të mundeshim. Kaluam matanë lumit me lundrën dhe morëm monopatin përgjatë tij. Me një shkop që mbanim në duar, nuk linim asgjë pa e prekur dhe pa e kthyer përmbys. Në atë zonë nuk ka centimetër katror të nëntokës të mos të ketë gjurmë të jetës së hershme të njeriut. Ndoqëm linjën e akuaduktit sa do pak shfaqej ai mbi tokë.
Kur je me shikim nga Konispoli, nga krahu i majtë  ka disa të ngritura  të buta  nga rrafshi i fushës së Vrinës (Kestrinës). Me intuitën që na ishte krijuar prej kohësh, menduam se nuk do të dilnim bosh. Dhe me të vërtetë në sipërfaqen e njerës prej tyre e cila ishte dhe më e larta, ramë në material të pasur arkeologjik. Aty ndodhej një grumbull varresh, më saktë një varrezë. Orientimi i tyre  ishte pothuajse jugperëndim. Duke ndjekur linjën e pllakës pasi kishte dalë në dritë një cep i saj e pastruam dhe e ngritëm lehtësisht prej andej. Ajo qe thyer më dysh diku atje nga mesi i saj. Skeleti që ndodhej brenda ishte i pa dëmtuar dhe i plotë me shikim nga lindja. Nga të dy anët e tij ai qe i shoqëruar me enë balte të punuara hollë në brum të pastërt të cilat kapnin lartësinë 12cm, dy lotore po thuajse në ato përmasa, ku njëra ishte  në gjëndje shumë të mirë e me përafërsi në ngjyrë të kaltër.Tjetra, qe e thyer dhe copat e saj ndodheshin po aty. Gjithashtu ndodheshin edhe dy kandila të plotë balte  në trajtë disku me lëfyt horizontal të dekoruar me figura gjeometrike. Edhe pjesët anësore të arkës ishin monolite me nga një për seicilën anë të cilat kapnin afro 10cm trashësi. Të dyja pjesët e thyera të kapakut i rivendosëm në vendin e tyre dhe e rimbuluam varrin me dhe. Objektet e gjetura i morëm me vete dhe i çuam në Butrint. Si gjithmonë Dhimitër Budina do të ishte tepër i interesuar. Materiali i u duk me interes dhe na kërkoi që të nesërme ta çonim tek varret.
Nga vëzhgimi që u bë të nesërmen, vendosën të kryenin ekspeditë të rregullt. Pas një jave një grup i përbërë prej 3-4 vetash të udhëhequr nga Dhimosten Budina e Çondin sëbashku me ne, rreth orës 8-të u ndodhëm aty. Pasi formuan dy kuadrate 2x2 pranë njeri tjetrit nga ana perëndimore e saj, filluan gërmimet. Ato vazhduan dy ditë dhe në dritë dolën katër varre. Të nesërme punimet duhej të fillonin që herët dhe u detyruam të flinim në kalanë e Butrintit. Aty në krye të kalasë të rindërtuar, Ugolini shkruajti historikun e gërmimeve dhe ditaret e tij. Duke “fjetur”në një nga kolltuqet që ndodheshin përballë oxhakut të madh dhe i sulmuar nga myshkonjat e shumta me vështirësi e kalova natën. Në të gdhirë fillova të dremitja pak me gjithë atë së bashu me Çondin e Sofon, të cilët edhe ata ishin si mos më keq nga pickimet e tyre, zbritëm poshtë me vrap.
Ora 8.30 - 9 na kapi tek vendi. Puna qe e pastërt pasi punohej brenda varreve. Me gjithëse në të shumtën e rasteve vëzhgoja, ndihmoja në spostimin e dherave jashtë tyre. Pasi i fotografuan me rradhë në vendodhje dhe hodhën skicat e tyre në letër, sëbashu me skeletet dhe objektet e gjetura aty i vendosën nëpër arka. Në fund pllakat e sipërme i rivendosën  në vendet e tyre duke i mbuluan me dhera për të mos u dëmtuar varret.
Mbasditja kishte kaluar. Unë e Sofua ikëm të parët pasi nuk kishim se çfarë të bënim më aty dhe më e keqja ishte se kishim që nga darka e djeshme pa ngrënë.
       Nga lundra deri në Ksamil ecëm me këmbë. Në atë orë nuk kishte qarkullim automjetesh. Filluam ta ndjenim më shumë lodhjen jo vetëm se kishim udhëtuar gjithë ditën  por, po na gryente urria. Në kthesat, para se të shkosh në Ksamil mbi rrugë e nën të, midis ullinjve kishin mbjellë qepë të njoma. Shkulëm nga një dorë seicili, dhe rrugës duke ecur e duke shpresuar se mos kalonte ndonjë makinë, filluam ti përtypnim.  Duke qeshur, e duke fshirë lotët nga djegja që na shkaktoi ajo, pamë  njeri tjetrin në sy  e ja nisëm refrenit të një kënge që këndohej  nga rinia e aksioneve:

                                             Nëpër faqe shpate mali
                                             Neve gjetëm lumturinë


        Deri në Ksamil rrugën e bërëm me këmbë. Aty nuk pritëm shumë na mori një Zis nga të Parkut të Mallrave të Sarandës.


                                                                                                   10 Shtator 1980