Πέμπτη 28 Απριλίου 2016

JO, NUK ISHTE HALUCINACION


        Duke ecur i përhumbur në trotuar,  në ritmin e ecjes time ndjeva të më ndjekin mbrapa hapa të lehtë e të çuditshëm. I dyzuar në  kureshtje,  i lashë të nxitonin dhe të kalonin përpara meje. Duke menduar se do të ishte i pa vlerë interesimi karshi asaj që po ndodhte në ato çaste, në thellësi, në subkoshiencën time, ndoshta përbrenda mekanizmit të telepatisë, ose rezonancave të ndryshme që ekzistojnë tek ne, ngrita kokën dhe energjia që më përpiu më lart, më stepi. Me një shpejtësi që besoj se nuk mund të ketë pajisje ta kap atë lëvizje hutimi, tmerri, dridhërima dhe ngazëllimi po ta quaj kështu, mbërthyen lëvizjen time trupore, aty në mes të trotuarit. Figura e njeriut që po ecte përballë më buçiti të shkuarën, kujtesën. Nuk po e kuptoja se ç'farë po më ndodhte.  Halucinacion mendova.”Zoti më ruajt nga mënd e kokës“.
       Duke e lënë mendimin së bashku me shikimin të ecte përpara nën efektin e asaj force, vura në lëvizje trupin. I kthjelluar në atë pjesë të trurit, i krijova mundësinë pjesës tjetër të kërkojë në hapësirën e pa fund të saj. Diçka kishte ndodhur. E shkuara më thërriste dhe po më çonte me lehtësinë më të madhe drejt njeriut që kisha përpara, drejt vegimit të shfaqur në thellësi të memories time. Halucinacion, mërmërita prapë. Si ka mundësi?! Duke hedhur sytë përreth e ndjeva stinën e pranverës të sapo filluar. Dhe nisa të rend pas realitetit, subkoshiencës.
      Pas prekjes së lehtë në sup të saj, u sprapsa duke lëvizur dorën përpara si për të pastruar shikimin. Nuk kishte mundësi. Personi femër që ndodhej përballë meje ishte një kopje identike e dhimbjes time të dikurshme. Për një çast, duke mos pritur atë ç'ka po shihja, mbeta i ngurosur. Ajo, duke ndjerë shqetësimin të shfaqur haptazi në fytyrën time kërkoi shpjegim për sa po ndodhte. Mes fjalës së ngecur dhe duarve që po vazhdoja t'i lëvizja si pa kuptim në ajër, atë që mendoja se do ta shihja e kisha pranë, përballë. Përpara  kisha të bijën e saj dhe siguria brenda meje ishte e pa diskutueshme.
      Nuk e di se sa zgjati ai moment por ishte i mjaftueshëm për t’u rikthyer në kohë.  Çasti i parë i njohjes. Përballimi me sytë e saj është ende i regjistruar në celuloidin e brendshëm të syve të mi. Më tmerronte fakti tek e prekja, se mos e lëndoja atë plazmë të brishtë. Shumë shpejt ajo ëndërr u kthye në  dhimbje. Nuk na lejuan të jetonim së bashku. Na ndanë. U përpoqa ta harroj dhe të vazhdoja jetën time, por ajo lidhje e hershme kishte qëndruar e heshtur  në thellësi të ndjenjave dhe papritur u rishfaq në një formë tjetër dhe po qëndronte përballë meje. Nuk po e kuptoja se ç'farë po përjetoja në ato çaste. Ishte një lloj ngazëllimi që më mbështillej përbrenda e po më zinte frymën, dhe  nuk më lejonte të lëshoja zërin e dhimbjes. Jam i sigurt se mes  lotëve tek po më rrëshqisnin dhe ikjes sime, shikimi i saj më ndoqi në pafundësi, ndërsa unë nuk munda t’i shpjegoj asgjë.
                                                                                                  
                                                                                                          Prill 2012


Κυριακή 24 Απριλίου 2016

PREMTIM I PA SHPREHUR


                 Kushtuar Antikes motrës të Bilal Xhaferrit

Heshtja që i kishte kapur në ato çaste, ishte më se e nevojshme. Të dy duhej t'i mbanin mend ato momente. Ndodheshin në përjetimin e një dhimbje tepër të madhe, ku po aty po fillonte pjesa tjetër e mbijetesës. Ajo përveç ndarjes me të vëllanë, më vonë, mbi shpatullat e saj do të ndjente peshën e dhunës të ushtruar nga pushteti komunist. Νë sytë e tij të zinj zhibrues, gjatë kohës kur ai i shpjegonte për se duhej të ikte dhe kur, diçka tjetër po ndjente se po i kërkonte, por që ajo nuk mundte ta kuptonte se ç'farë ishte. Dhe për mos ta munduar shumë shpirtin e tij të vrarë i jepte kurajë për vendimin e mar. Fill pas asaj mbledhje të famshme, mes njerëzve më të shquar të letrave shqipe i cili doli hapur kundër asaj letërsie, u shpall njeri i padëshirueshëm e deri armik i popullit. Që aty do të ri niste golgota e jetës së tij të vështirë. Biografisë familjare si kulak të dikurshëm dhe pushkatimit të të atit, do ti shtohej edhe veprimtaria e tij kundër pushtetit dhe ideologjisë marksiste leniniste.  I tronditur thellë shpirtërisht, në ato momente do ta ri mendonte edhe një herë vendimin e dikurshëm
Një ditë më parë pasi të merte atë rrugë të gjatë e pa kthim ai e çoi të motrën tek rrënojat e shtëpisë atërore. Të shkulur dhunshëm prej andej, drejt internimeve të pafund, ai nuk do ta pranonte ekzistencën e tij  në ato vende të huaja ku do të shkonte, pa i parë dhe pa i prekur dherat e vendlindjes. Duke e njohur karakterin e vëllait, ajo përsëri i pranoi në heshtje të gjitha ato që ai i kishte në mendje e që desh ti kryente
Ai e kish rritur dhe qe kujdesur për të. E ndjente edhe si prind edhe si vëlla.Të jatin nuk ariti ta njihte pasi pushteti komunist ja kishte pushkatuar. Të ëmën fare pak.  Duke u ndeshur me shikimin e shndritshëm të atyre syve, dëgjoi zërin e tij ti thoshte: “Ja këtu duhet të ketë qenë porta. Do të gërmoj të gjej pragun kur dikur fëmijë, ti përpiqeshe për të kaluar me këmbë e duar duke parë nga unë. Ιshe më e vogla nga ne e mira motra ime dhe unë nuk të ndihmoja pasi kërkoja të ngriheshe vetë në këmbë. Ja oda. Këtu duhet të ketë qenë vatra e zjarrit.?!“ Dhe pa pritur përgjigje prej saj, si njeri i letrave që dinte ti ndërtonte e ti radhiste mirë fjalët ku ajo vazhdimisht e dëgjonte me ëndje, vazhdoi: ”Thonë se, deri sa të ekzistojë hi në vatër, ajo shtëpi nuk mund të shuhet.” Dhe, pa u përpjekur për të mos u bërë pis, nisi të rrëmonte. Ngazëllimi i tij qe tepër i madh kur u shfaqën konturet e saj. Përsëri, në ata sytë e tij ajo ndjeu  atë shkëlqimin zhibrues që i jepte gëzimin e pakët që i shfaqej në kohë të shkurtra. “Ja e shikon. Të thashë që do ta gjenim. Ja këtu të ushqeja. E shkreta nanë, nuk kishte me se ti mbushte barqet tona të uritura. Ishim shumë gojë për tu ushqyer.”  Nuk mundi më të fliste. Gjithë atë gërç që e mbërtheu në ato çaste e ktheu në forcë duke vazhduar të rrëmihte përqark vatrës. Nuk e ndjenë orën që u kaloi, por nga e gjithë ajo pasuri e mbetur si kulakë të shpallur nga pushteti popullor, dy lugë dhe doreza e portës kishin mundur të shpëtonin nga ai shkatërrim. “Meri “- i  tha së motrës,  “dhe ruaji si sytë e ballit”   
E bindur më së fundi se i vëllai duhej të ikte e ndoqi në heshtje. Ishin të mësuar të dy të ecnin në këmbë dhe vazhdimisht pasi mundësinë me mjete transporti e kishin të pa mundur. Nuk e kuptuan atë rrugë të gjatë në mes të errësirës. Fshati i tyre ndodhej pothuajse pranë kufirit. Në ato momente për ta ishte dalja me sukses e asaj ikje. Arratisjes.
 Duke shpërthyer përbrenda krahërorëve të tyre, në atë përqafim që nuk donin të mbaronte kurrë, i jepnin kurajo njeri tjetrit për atë që mund t'u ndodhte më vonë. Në ato ndjesi të ndërsjellta tek po kalonin përbrenda njeri-tjetrit, me instiktin e motrës ndjeu dhimbjen që po përjetonte i vëllai. Me lot në sy, prej saj, nën zë, fraza e shprehje të shumta do ti zinin vend njëra tjetrës -“Do të kthehesh.?! Kur do të kthehesh vëlla.?! Do të të kthej, do të të kthej motra vëlla”. Ishin shprehje të pa vënda për tu thënë por, dhembja e motrës ishte më e madhe se sa ajo e ikjes, e shpëtimit të tij drejt jetës së lirë që ai kërkonte. Mes monologëve të shumtë të shfaqur në fytyrën e saj të shpërfytyruar nga dhimbja e asaj ndarje, as nuk e kuptoi shkëputjen prej tij. Përmes largësisë që po shtohej sëbashku me mjegullën që mbiu pa pritur, tek e shihte të humbiste, ajo mendoi se po e ndjendte atë diçka tjetrën në shpirtin e saj. Atë që ai kish mundur ta krijonte si dëshirë përbrenda tij por që nuk mundi ose që nuk guxonte ta shprehte.
Gjatë gjithë jetës të mëvonshme, me gjithë vuajtjet shpirtërore e fizike për të mbijetuar, me familjen e krijuar, momentin e ikjes të vëllait, shikimin e tij, atë që ai mund ta kishte si çastin e rrëfimit të dëshirës së fundit, e përjetoi dhimbshëm. Si jehonat që përplasen në humnerat e pafund, nga thellësitë e përtej oqeanit, nga ai kontinent i largët, dëgjonte thirrjet e tij për mbijetesë. Malli për vendin, njerëzit dhe  bashkëkombasit e bënte të fuqishëm. Nëpërmjet forcës së fjalës së tij u jepte kurajo për shpresë, për mbijetesë. Por nuk e lanë. Deri aty kishin shkuar. Ja shkulën zemrën nga krahërori. I morën jetën.

 Si në të gjitha legjendat e dikurshme, në mbajtjen e fjalës së dhënë, pa e shprehur në zë, pa e artikuluar si fjalë, por me instiktin e motrës, të asaj që ndjeu në ato çaste më kritike të jetës së tyre ajo e mbajti. E solli të vëllanë. E solli atëherë kur ai sistem totalitar kishte dhënë shpirt. E qetë, mes njerëzve të shumtë dhe miqve të tij të dikurshëm, aty tek po e përcillnin në banesën e fundit në tokën e tij, tek shtëpia e ringritur, e kthyer në muze, përsëri nën zë: “Të solla vëlla. U prefsh në paqe” Në ato momente, në sytë e saj, një dritë e bukur po i  shfaqej, ajo e premtimit të dhënë. 

Παρασκευή 22 Απριλίου 2016

PERVERSI

    Në një raport të zhdrejtë me pjesët e tjera, shkurtësia trupore e tij tek lëviz të jep më tepër përshtypjen e  rrëshqitjes se sa të ecjes. Në ato  çaste të kujton një nga figurat më groteske të Jarosllav Hashekut,  Shvejkun por kur të afrohet, kupton menjëherë se ke të bësh me një njeri dinak që është i gatshëm të bëj gjithçka për të realizuar qëllimin. Një veti e vet instaluar prej kohësh në ndërgjegjen e tij për t'u shërbyer të tjerëve me pasion, ose më saktë mund të quhet vet-mercenarizëm, e cila u përdor me sukses nga ai në periudhën e vuajtjes së dënimit.
Burgjet u hapën.Viti 90-të e gjeti në rrugë të madhe. Në ato momente, duhej të çonte përpjetë edhe ai të dy gishtat e dorës për t'u bashkuar me turmat demokratike. Nuk ishte i vetëm, pasi të gjithë ata që i kishin shërbyer atij sistemi, si jashtë edhe brenda burgjeve, do të përdornin të gjitha mënyrat dhe mjetet për të qenë në krye të shoqërisë së re që po ndërtohej. Edhe ai, si shumë aventurierë, hajdutë e njerëz të degjeneruar të ndodhur së bashku me kundërshtarët e regjimit, në ato burgje famëkeqe, do të kompletoheshin me të gjitha simbolet, dokumentat e çertifikatat për të hyrë në radhët e elitës së re.
     Do të përpiqej të rilidhte fijet e këputura me “miqtë e vjetër.” Përsëri për të mbijetuar, do të vendoste në përdorim cilësitë e veçanta. Do t’i shërbente sistemit për t'i shtypur e dënuar më ashpër kundërshtarët e tij. Si mjeshtër i fjalës, duke u shfaqur në mediat vizive e të shkruara, do të ripërsëriste vazhdimisht historitë e vuajtjeve të shumta.  
     Megjithëse ata që e njihnin ja përmendnin shpesh herë shkakun e atij burgimi, atij nuk do t'i bënte  përshtypje. Vetinë e lakeut, e vuri përsëri në përdorim. Perversiteti i tij karshi seksit femër, sidomos me moshën më delikate të tyre, do t’i rishfaqej. Do t’i çonte më parë nga eprorët e tij  të gjitha ato femra që do të kërkonin shkollë, vend pune e karierë.
     Të parat që po fillonin t’i lartësonin figurën, megjithëse masa trupore ishte e njëjta figurë kubike, ishin titujt e medaljet e shumta që po i dhuronin. Brenda vetes, megjithëse po joshej nga ajo ringjallje e menjëhershme, pati një çast të frikshëm. Do të fillonte të shpifte për dikë që shpaloste vlera të mirëfillta në mjediset ku edhe ai përpiqej të ringjallej. Në vendlindje u vetëshpall heroi i ditës. Ndërkohë do të ishte i gatshëm ta bënte mik edhe ndonjë ish kundërshtar, ku dikur gjatë vuajtjes së dënimit, ai do ta kishte luftuar ashpër.
    Kthimi i tij në vendin e lindjes ishte një shqetësim tepër i madh për të gjithë ata që nuk e dëshironin ta kishin afër. Në saj të atributeve të fituara, ai do të kërkonte me ngulm ri ngritjen  duke rishfaqur karakterin e tij të ashpër e të pandryshueshëm.   
  ..dhe duke i pasur veset si flamur të ekzistencës së tij, do t'i rikthehej ndjenjës së vjetër, perversitetit  mashkullor.


Τετάρτη 20 Απριλίου 2016

JEHONA TË TREMBURA

     Mes atyre maleve të larta me hone dhe gryka të thella, jehonat, të cilat përsërisnin në pafundësi kumbimin e çdo lloj tingulli, e jo më jetën e përditshme të atyre njerëzve të pakët që jetonin aty, nuk kishin se ç'farë të përcillnin më.
    Koha e kreshnikëve të hershëm kishte mbaruar. Ata nuk po përmendeshin. Të vjetrit i kishin harruar këngët e tyre të moçme. Luftëra të tjera  po bëheshin midis tyre, dhe më të frikshme se sa të dikurshmet kundër pushtuesit, të cilat ishin krenaria e atij vendi. Të strukur brenda shtëpive, pa dhënë shenjë jete, mbijetesa e atyre njerëzve  që jetonin në atë vend të ashpër,  po bëhej edhe më e vështirë. Mëritë po rishfaqeshin, duke dhënë sinjale të frikshme. Pas çdo krisme pushke, në një nga ato shtëpi të atij fshati do të niste vaji dhe atij mjerimi shpirtëror dhe fizik do t’i shtohej kobi i vdekjes që po pllakoste mbi ta.
     Gjethe nuk tundej. Në ato hone e gryka as edhe një pikë erë nuk po frynte. Jehonat, të trembura të copëtuara nga ajo që mendonin se çfarë do të përcillnin, rinin të strukura në guvat e zgavrat e atyre shpateve të egra. Përvoja e tyre ishte e madhe. Vazhdimisht e kishin përcjellë kohën e kreshnikëve në ninullat e kënduara aty pranë zjarrit, duke tundur djepin e jetës të sapo krijuar dhe e shumëfishonte në çdo vatër me zjarr ndezur. Thirrjen dhe këngën e çobanit e kishte edhe më të lehtë. Pa u lodhur, e rrëmbente nga gryka e tij e fuqishme dhe çdo faqe mali bënte punën e vet në një kohë fare të shkurtër. Lajmin e shfaqjes së armikut e jepte aq shpejt sa të hapje e të mbyllje sytë, dhe të gjithë ishin në këmbë me armë në dorë.
    Heshtje. Heshtje e rëndë për shkak të jehonave. Ato nuk guxonin të shfaqeshin. Ishte hera e parë që po qëndronin në strofkat e tyre dhe nuk po guxonin të dilnin prej andej. Si do të merrnin guximin ta shprehnin dhe ta ripërsërisnin atë vrasje të paralajmëruar nga vetë ata njerëz që jetonin aty në shekuj dhe si alibi ata do të përdornin  heshtjen e saj. 
   Oshëtima, në ato hone dhe gryka, herë e qetë e herë e shoqëruar me erë e furtunë, dëgjohej çdo mëngjes, në çastin që ata çoheshin nga shtrati. Edhe gjatë ditës. Edhe në mbrëmje tek shkonin për të fjetur. Me vigjilencën e saj që ishte e pa kapshme nga ata njerëz, me ndihmën e erës tek kalonte nëpër të çarat e dritareve e të dyerve të atyre shtëpive shekullore, ndjeu midis tyre rishfaqen e zënkave dhe mërive të mëdha. Me shumëfishimin e tyre më të shpejtë se të jehonave, ato vunë fshatarët përballë njeri tjetrit me egërsi.
    Në ato momente, ku uniteti do të ishte përballimi i situatave të vështira, inati, smira dhe instikti i mbijetesës, zgjoi histori të vjetra e duke krijuar të tjera sikur ato të mos mjaftonin.
    I gjetën të shtrirë mes gjakut trupat e dy të rinjve të fundit tek “sheshi i trimave". Të mbërthyer duarsh sikur nuk deshën të ndaheshin nga njeri tjetri edhe pse të vdekur. Ishin ende të ngrohtë. Pa menduar fare, në fytyrat e atyre njerëzve të ashpër, tek po shihni ato dy jetë të humbura, inati kundrejt jehonave ishte më i madh se sa  dhimbja e vdekjes.  

TELESHOUMENËT

       Duke dalë para shoqërisë së re si historianë, analistë e studjues të fushave të shumta ata u ngjanin partive të sapo krijuara tek trumbetonin idetë e tyre në ndeshjet televizive sikur ato të ishin shpëtimi i kombit nga e keqja që e kishte zënë. Ndjeheshin  ekspertë të konfigurimit të ri të shoqërisë, sikur të ishte plastelinë. Mendonin se midis strukturave shtetërore më të shumta partiake që po ngriheshin drejt kupës së qiellit si pllaka betoni dhe turmave, do të  ishin ndërmjetësit. Tek përpiqeshin të kapeshin pas vegimit të tyre biologjik, të shfaqur në trajta e forma të ndryshme, po i tregonin njeri-tjetrit virgjërinë e hershme të ndërgjegjes me vërtetime fallco. 
     Në një çast, duke bërë një kalim të shpejtë nëpër kanale televiziv të ndryshëm, mendova se ngjajshmëria e madhe midis tyre nuk ishte nga grimi televiziv, por nga orgjina. Ai ishte një trashëgim i lindur në inkubatorët e sistemit të kaluar. 
      Të gjithë me statuset e krijuar, në stacionet e shumtë  televiziv trumbetonin fitoret e qeverisë në pushtet ose partisë që mbështeste. Dikush prej tyre duke u shfaqur poshtë siglës tepër të çuditëshme të kanalit televiziv përkatës, përpiqet t’u imponojë teleshikuesve, atyre që e ndjekin, vizionin e tij dhe turma të tëra,  të ndara sipas gustove të analistëve dhe historianëve, qëndrojnë të mbërthyer me orë të tëra para formatit të kutisë televizive. Dhe...
    - Të dashur teleshikues, na telefononi në numrin.....Të ftuarit tanë janë në dispozicionin tuaj.
   - Ata që nuk patën mundësi të na ndjekin, mund të klikojnë në faqen tonë në internetit www ...dhe shumë të tjera si këto.
       Si iluzionistët, duke e parë drejt e në sy teleshikuesin gjatë shout të tyre,   me lëvizje të prera dhe të sakta të duarve, gati si me magnet, me shikimin dhe dëgjimin, të dyja ato shqisa do t’ua rrëmbenin me forcë. Duke i futur në kurthin e ëndrrave të tyre, këta pseudosofistë të rinj rritnin hijen e tyre para ndjekësve dhe militantëve të mundshëm. Shoqëria, kombi i ndarë në turma, nën hipnozën shumë dimensionale të këtyre shoumenve televizivë, me posterat e tyre shumëngjyrëshe, të zbritura deri në shtyllat ku vendosen lajmërim vdekjet,  do të rrëzonin të dikurshmit dhe do të hyjnizonin udhëheqësit e rinj të servirur prej tyre.
                                                                              Gusht 2013

Παρασκευή 15 Απριλίου 2016

KUTIA E VOGËL ME PAPARUN

     Plaku i tejlodhur, me vështirësi të madhe po e merte të përpjetën. Duke kaluar përmes qendrës së fshatit ndaloi për një moment dhe rregulloi frymëmarrjen. Përshëndeti kalimtarin e vonuar dhe duke sharë nëpër dhëmbë u nis. Kishte dalë për sebep e qe shtruar me raki e muhabet me të zotët e shtëpisë. Për të shkuar atje qe lehtë pasi ishte më të poshtë dhe në fund të fshatit. Kthimi qe i vështirë. Kur u ndodh përpara portës së shtëpisë, tërhoqi spangon e  trashë prej liri e cila nga brenda portës tërhiqte dërrasën që e mbante të mbyllur atë. Ajo nuk u hap. Ai shau nëpër dhëmbë  plakën e tij dhe me vështirësi nga një xhep i brendshëm e i thellë i xhaketës nxori një çelës goxha të madh, të cilin e futi në brimën e bravës të zmadhuar nga koha. E rrotulloi me forcë nga ana e djathtë dhe duke mbajtur të tërhequr spangon e trashë, e shtyu po me forcë fletën e madhe të portës. Nga porta e avllisë deri tek dera e shtëpisë e bëri me hap të shpejtë. Në kamaren e madhe, e cila ndodhej në krahun e djathtë të tij, prapa bucelës mori çelësin dhe e hapi atë. U fut brenda. Hoqi kapelen dhe xhaketën duke i varur pas derës. Diku aty pranë në shesh, hoqi dhe shtyu me këmbë këpucët.
     Kaloi të dyja duart nëpër flokët e pakët e të zbardhur dhe duke kruajtur kokën po mendonte se ç'farë duhej të bënte në vazhdim. U nis drejt komosë. Mbi të, në mur, në pasqyrën e kornizuar nga një dekoracion i bukur i gdhëndur në dru pa veten e tij të përhumbur e tej të lodhur. Hodhi sytë brenda sirtarit të hapur dhe prej andej nxorri një kuti të vogël  druri në ngjyrë kafe të pjekur, e cila nuk mbahej mend për se kishte shërbyer. Po t’i hidhje një sy të vëmendshëm mbi sipërfaqen e saj kishte dekoracione të imta. Prej andej nxorri copa gjethesh paparuni  të thara, në një ngjyrë të errët si ndryshk. I kapi me majat e gishtrinjve, i futi në gojë dhe nisi t’i mbllaçise me përtim.
    Hodhi sytë nga vatra dhe nuk pa gjëkundi gjurmë zjarri. U më marsh të keqen tha duke mërmëritur plaku. Edhe sot do të vonosh. Ngriti sytë dhe pa orën e murit. Kishte  vajtur gjashtë e darkës dhe plaka e tij nuk qe mbledhur akoma në shtëpi, ndoshta diku do qe mbleksur duke marrë nëpër gojë njerëzit e fshatit ose tek  bija e martuar në fshatin fqinj. 
    U drejtua nga krevati pranë dritares. Instiktivisht, si gjithmonë do të hapte pak perden dhe do të shihte edhe një herë se ç'farë bëhej  në qendër të fshatit. Do ta mbyllte perden e do të fillonte të zhvishej. Hoqi këmishën, të cilën e vari në varësen e drunjtë të lyer me një jeshile të çelët të   mbërthyer përgjatë murit Hoqi pantallonat duke i vendosur tek karikja që ndodhej në fund të krevatit dhe ngriti benevrekët e çorapet të cilat i ishin varur.  Drejtoi trupin dhe u kthye nga kondisma  e Shën Mërisë mbi oxhak. Bëri kryqin me dorën e djathtë dhe u drejtua nga krevati. Vuri gjurin e këmbës së majtë mbi dyshek. Nga pesha e trupit të tij u dëgjua kërcitja e sustave .Në lëvizje e sipër të trupit për t’u shtrirë, nga prapanica e tij  doli një bërrr e zgjatur dhe në moment ai e lëshoi veten në krevat. Tërrhoqi jorganin. U mbulua mirë e mirë dhe me sytë gjysëm të mbyllur mërmëriti me vete “Ajo ku do të dimërojë, pa unë jam rehat në shtëpinë time.” E zuri gjumi menjëherë duke mbllaçitur paparunin.

Παρασκευή 8 Απριλίου 2016

PORTRETI


   Atë vit shkollor, në klasë kisha zënë vend në rreshtin e mesit, në bangën e parafundit, nga e djathta. Kishim matematikë. Mendimi më kishte fluturuar jashtë klase. Nuk mbaj mënd se çfarë më ishte shfaqur para syve, por nëpër mjegull mund të kujtoj disa copëza…pyll i dendur me pemë të larta, lëvizje ritmike e degëve, e gjetheve, e trupave drunorë. Lëvizje e disa trupave të paqartë që afroheshin drejt ekranit të syrit tim nën ritmin e fyellit e të flautit. Ishin trupa femërorë e jo drunorë. Më erdhi për të qeshur për atë rimim pa dashur, femëror e jo drunor. Po, vërtet ishin trupa femërorë që vazhdonin të lëviznin para syve të mi. Trupa femërorë të ajthëm, të cilët nën ritmin e lëvizjeve të tyre, përbrenda fustaneve të tejdukshëm  zbulonin plot hir pjesëza epshndjellëse. M’u kujtua tabloja e piktorit të rilindjes italiane Boticelit, “La primavera.” Iu afrova më pranë  vegimit-tablo dhe, ashtu i turbulluar siç isha, e kapërxeva realen për të prekur irealen. U ndodha mes tyre dhe po mundohesha të largoja atë mjegull, atë tis që më pengonte të shihja fytyrat e atyre trupave femërorë që po më qarkonin. Ishte e pabesueshme: fytyra tepër të ngjajshme, lëvizje të ndryshme duarsh, këmbësh, trupash e portrete të njëjta. Mos vallë është ajo që mendimi im e ndjek pas kudo që shkon. Realja, ajo po më qartëson. Po, vërtet është portreti i saj. I asaj që ndodhet në klasë, përballë, në rreshtin e parë nga dera, dy tavolina përpara meje. Instiktivisht nxora nga xhepi i brendshëm i xhaketës portaminën dhe ashtu nëpërmjet tij, në fletën e fundit të fletores fillova ta skicoj. Kishte profil të bukur. Maja e lapsit po e jepte me vërtetësi portretin e saj. Ja balli  i sheshtë dhe hunda nazike me pak kurriz. Buzë e mollëza të kuqëremta e pak të dala. Sytë, ah sytë e saj, që sa herë mundohesha të shihja veten time në brendësi të tyre, ajo turbullohej.  Po mundohesha që, nëpërmjet lapsit të përqendroja shikimin e syve siç e kishte zakon ajo t’i mbante dhe…ajo e kuptoi. U mbështet mirë në shpinoren e karikes për të më treguar se mund të vazhdoja. S'më pëlqeu miratimi. Nuk do të desha ta vizatoja me dëshirën e saj, por lapsi vazhdoi punën e tij. Po dilte portreti i një vajze fshatarake tepër vulgare. Ajo bukuri që kisha shprehur pak më parë po humbiste. Një lëvizje lapsi dhe në buzë i doli një epsh i tërbuar. Dukej se kjo vajzë kishte nevojë për dashuri. Buzët e saja ishin të alarmuara dhe portreti m’u neverit. E lash. S’e di përse nuk vazhdova më. U mundova t’i shihja e t’u shkoja pranë shtojzavalleve të mia, por më kot, realja më kishte mbërthyer dhe nuk më lëshonte.

PERTEJ DASHURISE


    Bëje kafen shpejt i tha ai të zonjës së lokalit, nxitoj, më pret ajo. Në qoftë se nuk i shkoj në kohën e duhur, nervozohet dhe nuk duhet ta shqetësoj. Pa mbaruar mirë fjalën i kërkoi asaj edhe një gotë raki dhe shtoi në kërkesat e tij që kafja  të ishte shqeto pa sheqer. Sepse, vazhdoi ai në inerci e sipër të fjalës, sa herë shkoj me vonesë   më pret me inat dhe nuk do t’i afrohem. Ajo praninë time e ka tepër të nevojshme. Nuk bën dot pa mua.
  E ndërsa flet i ndezur nga efekti çudibërës i alkolit që rrëkëllen, pa u merakosur se ç’farë mund të mendonte në këto momente e zonja e lokalit për këto shpjegime, e vazhdon monologun, në brendësi të vetes. Dhe i ndriçohet momenti i njohjes para shumë vitesh me atë që tani qëndron e mbërthyer në paralizë. Ishim ulur pranë njeri-tjetrit, i rrëfen vetvetes. U përpoqa ta puthja. Ndjeva drithërimën që po e përshkonte atë qenie të butë dhe buzët e mia rrëshqitën në qafën e saj të ajthme. Qe një drithërimë e plotë trupore. E ëmbël sa s’kishte më. Me gjunjët që ishin gati të më thyeshin e të coptoheshin, e përqafova dhe nuk mbaj mend se sa kohë qëndruam ashtu. Që nga ai çast nuk mundëm të rrinim pa u takuar me njeri tjetrin. Në çast, pa e hedhur shikimin prej të zonjës së lokalit e pyeti për orën. Pa pritur përgjigje prej saj vazhdoi,  po kam edhe gjysëm ore kohë dhe vazhdoi t’i rrëfente vetes.
Kontakti i parë me të ishte kur shkuam në shtëpinë e dajos. Ai do të shkonte me punë në një qytet tjetër. Aty, tek më priste në këmbë,  pasi kishte hyrë e para për të mos rënë në sy të gjitonëve, dihaste me ankth. Duke e puthur si i tërbuar, e mora në krah dhe u drejtuam te shtrati dhe ajo u përhumb nën peshën e trupit tim.
   Në vazhdimësi, tek po merrte  buzëqeshjen nga e zonja e lokalit, me drithërimën vezulluese që po i shfaqej në sytë e tij vazhdoi: Që nga ajo kohë kemi kaluar momente të bukura bashkë. Jam i kënaqur nga jeta. Vërtet nuk bëmë fëmijë  por e jetuam njeri-tjetrin. Duke u çuar nga tavolina la lekët si zakonisht. Mes asaj ikje të përhershme diçka ndjeu në shikimin e saj. Po vazhdoi ai pardje mbushi tre vjet nga dita që është paralizuar. Është ora që duhet të shkoj. Po më pret. Duhet ta laj, ta pudros, t’i ndërroj rrobat dhe t’i vendos bebelinon. Mirupafshim.



Τρίτη 5 Απριλίου 2016

TEK E NDIEJ

   Pothuajse çdo ditë, tek zbres shkallët e shtëpisë time, fëmija e fqinjit përballë më përshëndet me dorën e saj të vogël. Menjëherë, pa më ndarë sytë e saj të bukur, më pyet për emrin. Edhe pasi e mëson atë, pyetjet e saj s’kanë mbarim. Ajo do të dijë gjithçka prej meje. Më pyet për emrat, moshën e fëmijve të mi, duke më dërguar të puthura të shumta me dorën e saj fëmijnore.  Tek përballem me të dhe sytë  e saj të gëlojnë përbrenda meje, ajo pak kohë që zgjat sa zbres shkallët deri tek cepi i shtëpisë, më mjafton ta ndjej e ta prek me shpirtin tim atë ëngjëll .
                                                                                                
                                                                                                              Shtator 2013

TË ÇMËNDURIT

   Bym, bym, kërrr... Përtej ekranit televiziv që qëndronte i varur në mur, filluan të dilnin të shtëna arme. Ato bënin rikoshet nëpër muret e sallës dhe përplaseshin në timpanin e dëgjimit të njeriut të vetëm që ndodhej në sallën me tavolina e karike bosh. Nervi i syrit të majtë të tij zbriti me shpejtësi dhe mbaroi poshtë nofullës. U duk si një zgërdheshje që po i dilte nga një mendim i thellë. Për afër një minute fytyra i ra në qetësi. Ata sy ku bebja e tyre kishte një bardhësi deri në zbrazësi, të krijonin bindjen se ndodheshe ne një spital psikiatrik.
   Bym, bym, kërrr... vazhdonte kërcitja e armëve tek po dilte nga televizori. Ato përplaseshin në muret e zbrazëta të sallës tej të zgjyrosur nga bardhësia e dikurshme që i kishte dhënë bojaxhiu i fundit.
    Në një moment të shpejtë pas asaj, duart e tij eshtërmëdha u mbërthyen aq fort sa mund të mendoje se po i tregonin forcën njera-tjetrës. Ai ngriti kokën dhe i hodhi një shikim të shpejtë atij ekrani të çuditshëm. Sugjestionohej lehtë. Pothuajse, ishte i vetmi që i largohej atij përbindëshi. Ajo dritë shumëngjyrëshe e alarmonte vazhdimisht.
    E ngriti prap kokën tek shihte gishtrinjtë e tij të ngrinin krye karshi njeri-tjetrit. I tërhoqën vëmendjen ato të bërtitura që dilnin nga ajo kuti dritë verbuese. Pa t’i qartësoheshin ato njolla në turma njerëzish. Mendoi për një çast se mund të shkonte pranë tyre dhe të bërtiste me ta por kërcitja e armëve e stepi. Si u ngrit në këmbë po ashtu rrëmbimthi u ul. Në mënyrën më të thjeshtë, në aq pak sa ndjente kuptoi se nuk duhej të reagonte.
   Bym, bym, kërrr... krismat në vazhdimësi përplaseshin në zbrazësinë e sallës e të mendimit të tij të mjerë. Befas, ai dha shenja njerëzore duke reaguar.’’Shumë rrëmujë po krijoni. Nuk mundem. Mjaft, nuk dua zhurmë.’’ Pastaj nisi të bërtasë. U ngrit në këmbë, kapi tavolinën që kishte pranë dhe e flaku tej. I u drejtua atij ekrani të xhamtë  që ndodhej i montuar në mur por nuk e arriti.
   U ndal duke kujtuar se të keqen e kishte përbrenda vetes së tij. U përpoq të shkulte flokët e qethura zero, por asgjë. U përpoq të fuste përbrenda gojës thonj e gishtrinj për ta shqyer atë. Prapë, e pamundur. Heshti duke drejtuar gishtin tregues të një prej duarve të tij drejt asaj kutie. Lëshoi një ulërimë gati si të dragonjve flakë hedhës për t’i trembur e larguar prej andej ato turma tek vinin e shtoheshin. I rrëmbeu tavolina e karrike duke bllokuar porta e dritare
    Në fytyrën e tij nuk ndjehej më egërsi por frikë ndaj asaj turme të zhurmëshme tek po përhapej në të gjithë qytetin. Instikti i mbrojtjes bëri që çdo  gjë që ndodhej aty t’i ngjeshte pas portave e dritareve
E pa mundur. Si një ciklon, ato të bërtitura e ulërima njerëzore të shoqëruara me kërcitje armësh nisën të hynin vrrullshëm në sallën ku ndodhej. Ajo vorbull thithëse gjigante fuste brenda ç'ka gjente jashtë dhe sëbashku me ta shkatërronte çdo gjë që u dilte përpara.
    Forca magnetike e poleve të kundërta e krijuar në ato çaste, ishte aq e fuqishme sa  e hodhi jashtë atë mjeran. Nuk e kuptoi se si u ndodh në mes të rrugës. Për herë të parë e pa veten matanë asaj godine dhe atij rrethimi të madh me tela. Zhurma e madhe e njerëzve që po shtyheshin të hynin brenda dhe kërcitja e armëve po e hutonin së tepërmi. Duhet të kisha dalë më shpejt prej andej i tha vetes. Turma, si bisht gjarpëri vazhdonte të  hynte brenda asaj godine të çmendurish.
    E pa edhe një herë dhe ja kërciti vrapit më të poshtë këmbëzbathur, duke ulëritur. Ajo klithmë nuk kishte lidhje fare me të bërtiturat e turmës.