Τετάρτη 20 Απριλίου 2016

TELESHOUMENËT

       Duke dalë para shoqërisë së re si historianë, analistë e studjues të fushave të shumta, ata u ngjanin partive të sapo krijuara tek trumbetonin idetë në ndeshjet televizive, sikur ato të ishin shpëtimi i kombit nga e keqja që e kishte zënë. Ndjeheshin  ekspertë të konfigurimit të ri të shoqërisë, sikur të ishte plastelinë. Mendonin se midis strukturave shtetërore më të shumta partiake që po ngriheshin drejt kupës së qiellit si pllaka betoni dhe turmave, do të  ishin ndërmjetësit. Tek përpiqeshin të kapeshin pas vegimit të tyre biologjik, të shfaqur në trajta e forma të ndryshme, po i tregonin njeri-tjetrit virgjërinë e hershme të ndërgjegjes me vërtetime fallco. 
     Në një çast, duke bërë një kalim të shpejtë nëpër kanale televizivë të ndryshëm, mendova se ngjajshmëria e madhe midis tyre nuk ishte nga grimi televiziv, por nga orgjina e tyre. Ai ishte një trashëgim i lindur në inkubatorët e sistemit të kaluar. 
Me statusin e krijuar, dikush prej tyre në një stacion  televiziv, trumbeton fitoret e qeverisë në pushtet. Tjetri, duke u shfaqur poshtë siglës tepër të çuditëshme të kanalit televiziv përkatës, përpiqet t’u imponojë teleshikuesve, atyre që e ndjekin, vizionin e tij dhe turma të tëra,  të ndara sipas gustove të analistëve dhe historianëve, qëndrojnë të mbërthyer me orë të tëra para formatit të kutisë televizive. Dhe...
    - Të dashur teleshikues, na telefononi në numrin.....Të ftuarit tanë janë në dispozicionin tuaj.
   - Ata që nuk patën mundësi të na ndjekin, mund të klikojnë në faqen tonë në internetit www ...dhe shumë të tjera si këto.
       Si iluzionistët, duke e parë drejt e në sy teleshikuesin gjatë shout të tyre,   me lëvizje të prera dhe të sakta të duarve, gati si me magnet, me shikimin dhe dëgjimin, të dyja ato shqisa do t’ua rrëmbenin me forcë. Duke i futur në kurthin e ëndrrave të tyre, këta pseudosofistë të rinj rritnin hijen e tyre para ndjekësve dhe militantëve të mundshëm. Shoqëria, kombi i ndarë në turma, nën hipnozën shumë dimensionale të këtyre shoumenve televizivë, me posterat e tyre shumëngjyrëshe, të zbritura deri në shtyllat ku vendosen lajmërim vdekjet,  do të rrëzonin të dikurshmit dhe do të hyjnizonin udhëheqësit e rinj të servirur prej tyre.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου