Παρασκευή 8 Απριλίου 2016

PERTEJ DASHURISE


    Bëje kafen shpejt i tha ai të zonjës së lokalit. Nxitoj, më pret ajo. Në qoftë se nuk i shkoj në kohën e duhur, nervozohet dhe nuk duhet ta shqetësoj. Pa mbaruar mirë fjalën i kërkoi asaj edhe një gotë raki dhe shtoi në kërkesat e tij që kafja  të ishte shqeto pa sheqer. Sepse, vazhdoi ai në inerci e sipër të fjalës, sa herë shkoj me vonesë   më pret me inat dhe nuk më le t’i afrohem. Ajo praninë time e ka tepër të nevojshme. Nuk bën dot pa mua.
  E ndërsa flet, pa u merakosur se ç’farë mund të mendonte në këto momente e zonja e lokalit për këto shpjegime, e vazhdon monologun, në brendësi të vetes, i ndezur nga efekti çudibërës,  i alkolit që rrëkëllen. Dhe i ndriçohet momenti i njohjes para shumë vitesh me atë që tani qëndron e mbërthyer në paralizë. Ishim ulur pranë njeri-tjetrit, i rrëfen vetvetes. U përpoqa ta puthja. Ndjeva drithërimën që po e përshkonte atë qenie të butë dhe buzët e mia rrëshqitën në qafën e saj të ajthme. Qe një drithërimë e plotë trupore. E ëmbël sa s’kishte më. Me gjunjët që ishin gati të më thyeshin e të coptoheshin, e përqafova dhe nuk mbaj mend se sa qëndruam të përqafuar. Që nga ai çast nuk mundëm të rrinim pa u takuar me njeri tjetrin.
     Të lutem, më thuaj sa shkoi ora. Po, kam edhe gjysëm ore kohë dhe vazhdoi t’i rrëfente vetes.
Kontakti i parë me të ishte kur shkuam në shtëpinë e dajos. Ai do të shkonte me punë në një qytet tjetër. Aty, tek më priste në këmbë,  pasi kishte hyrë e para për të mos rënë në sy të gjitonëve, dihaste me ankth. Duke e puthur si i tërbuar, e mora në krah dhe u drejtuam te shtrati dhe ajo u përhumb nën peshën e trupit tim.
   Në vazhdimësi, tek po merrte  buzëqeshjen nga e zonja e lokalit, me drithërimën vezulluese që po i shfaqej në sytë e tij vazhdoi: Që nga ajo kohë kemi kaluar momente të bukura bashkë. Jam i kënaqur nga jeta. Vërtet nuk bëmë fëmijë  por e jetuam njeri-tjetrin. Duke u çuar nga tavolina la lekët, si zakonisht dhe u drejtua nga e zonja e lokalit: Pardje mbushi tre vjet nga dita që është paralizuar. Është ora që duhet të shkoj. Po më pret. Duhet ta laj, ta pudros, t’i ndërroj rrobat dhe t’i vendos bebelinon. Mirë u  pafshim.



Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου