Τετάρτη 20 Απριλίου 2016

JEHONA TË TRËMBURA

     Mes atyre maleve të larta me hone dhe gryka të thella, jehonat, të cilat përsërisnin në pafundësi kumbimin e çdo lloj tingulli, e jo më jetën e përditshme të atyre njerëzve të pakët që jetonin aty, nuk kishin se ç'farë të përcillnin më.
    Koha e kreshnikëve të hershëm kishte mbaruar. Ata nuk po përmendeshin. Të vjetrit i kishin harruar këngët e tyre të moçme. Luftëra të tjera  po bëheshin midis tyre, dhe më të frikshme se sa të dikurshmet kundër pushtuesit, të cilat ishin krenaria e atij vendi. Të strukur brenda shtëpive, pa dhënë shenjë jete, mbijetesa e atyre njerëzve  që jetonin në atë vend të ashpër,  po bëhej edhe më e vështirë. Mëritë po rishfaqeshin, duke dhënë sinjale të frikshme. Pas çdo krisme pushke, në një nga ato shtëpi të atij fshati do të niste vaji dhe atij mjerimi shpirtëror dhe fizik do t’i shtohej kobi i vdekjes që po pllakoste mbi ta.
     Gjethe nuk tundej. Në ato hone e gryka as edhe një pikë erë nuk po frynte. Jehonat, të trembura të copëtuara nga ajo që mendonin se çfarë do të përcillnin, rinin të strukura në guvat e zgavrat e atyre shpateve të egra. Përvoja e tyre ishte e madhe. Vazhdimisht e kishin përcjellë kohën e kreshnikëve. Në ninullat e kënduara aty pranë zjarrit, duke tundur djepin e jetës të sapo krijuar. Dhe e shumëfishonte në çdo vatër me zjarr ndezur. Thirrjen dhe këngën e çobanit e kishte edhe më të lehtë. Pa u lodhur, e rrëmbente nga gryka e tij e fuqishme dhe çdo faqe mali bënte punën e vet në një kohë fare të shkurtër. Lajmin e shfaqjes së armikut e jepte aq shpejt sa të hapje e të mbyllje sytë, dhe të gjithë ishin në këmbë me armë në dorë.
    Heshtje. Heshtje e rëndë për shkak të jehonave. Ato nuk guxonin të shfaqeshin. Ishte hera e parë që po qëndronin në strofkat e tyre dhe nuk po guxonin të dilnin prej andej. Si do të merrnin guximin ta shprehnin dhe ta ripërsërisnin atë vrasje të paralajmëruar nga vetë ata njerëz që jetonin aty në shekuj. Dhe si alibi ata do të përdornin  heshtjen e saj. 
   Oshëtima, në ato hone dhe gryka, herë e qetë e herë e shoqëruar me erë e furtunë, dëgjohej çdo mëngjes, në çastin që ata çoheshin nga shtrati. Edhe gjatë ditës. Edhe në mbrëmje tek shkonin për të fjetur. Me vigjilencën e saj që ishte e pa kapshme nga ata njerëz, me ndihmën e erës tek kalonte nëpër të çarat e dritareve e të dyerve të atyre shtëpive shekullore, ndjeu midis tyre, rishfaqen e zënkave dhe mërive të mëdha. Me shumëfishimin e tyre më të shpejtë se të jehonave, ato vunë fshatarët përballë njeri tjetrit me egërsi.
    Në ato momente, ku uniteti do të ishte përballimi i situatave të vështira, inati, smira dhe instikti i mbijetesës, zgjoi histori të vjetra e duke krijuar të tjera sikur ato të mos mjaftonin.
    I gjetën të shtrirë mes gjakut trupat e dy të rinjve të fundit tek “sheshi i trimave". Të mbërthyer duarsh sikur nuk deshën të ndaheshin nga njeri tjetri edhe pse të vdekur. Ishin ende të ngrohtë. Pa menduar fare, në fytyrat e atyre njerëzve të ashpër, tek po shihni ato dy jetë të humbura, inati kundrejt jehonave ishte më i madh se sa  dhimbja e vdekjes.  

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου