Παρασκευή 15 Απριλίου 2016

KUTIA E VOGËL ME PAPARUN

     Plaku i tejlodhur, me vështirësi të madhe po e merte të përpjetën. Duke kaluar përmes qendrës së fshatit ndaloi për një moment dhe rregulloi frymëmarrjen. Përshëndeti kalimtarin e vonuar dhe duke sharë nëpër dhëmbë u nis. Kishte dalë për sebep e qe shtruar me raki e muhabet me të zotët e shtëpisë. Për të shkuar atje qe lehtë pasi ishte më të poshtë dhe në fund të fshatit. Kthimi qe i vështirë. Kur u ndodh përpara portës së shtëpisë, tërhoqi spangon e  trashë prej liri e cila nga brenda portës tërhiqte dërrasën që e mbante të mbyllur atë. Ajo nuk u hap. Ai shau nëpër dhëmbë  plakën e tij dhe me vështirësi nga një xhep i brendshëm e i thellë i xhaketës nxori një çelës goxha të madh, të cilin e futi në brimën e bravës të zmadhuar nga koha. E rrotulloi me forcë nga ana e djathtë dhe duke mbajtur të tërhequr spangon e trashë, e shtyu po me forcë fletën e madhe të portës. Nga porta e avllisë deri tek dera e shtëpisë e bëri me hap të shpejtë. Në kamaren e madhe, e cila ndodhej në krahun e djathtë të tij, prapa bucelës mori çelësin dhe e hapi atë. U fut brenda. Hoqi kapelen dhe xhaketën duke i varur pas derës. Diku aty pranë në shesh, hoqi dhe shtyu me këmbë këpucët.
     Kaloi të dyja duart nëpër flokët e pakët e të zbardhur dhe duke kruajtur kokën po mendonte se ç'farë duhej të bënte në vazhdim. U nis drejt komosë. Mbi të, në mur, në pasqyrën e kornizuar nga një dekoracion i bukur i gdhëndur në dru pa veten e tij të përhumbur e tej të lodhur. Hodhi sytë brenda sirtarit të hapur dhe prej andej nxorri një kuti të vogël  druri në ngjyrë kafe të pjekur, e cila nuk mbahej mend për se kishte shërbyer. Po t’i hidhje një sy të vëmendshëm mbi sipërfaqen e saj kishte dekoracione të imta. Prej andej nxorri copa gjethesh paparuni  të thara, në një ngjyrë të errët si ndryshk. I kapi me majat e gishtrinjve, i futi në gojë dhe nisi t’i mbllaçise me përtim.
    Hodhi sytë nga vatra dhe nuk pa gjëkundi gjurmë zjarri. U më marsh të keqen tha duke mërmëritur plaku. Edhe sot do të vonosh. Ngriti sytë dhe pa orën e murit. Kishte  vajtur gjashtë e darkës dhe plaka e tij nuk qe mbledhur akoma në shtëpi, ndoshta diku do qe mbleksur duke marrë nëpër gojë njerëzit e fshatit ose tek  bija e martuar në fshatin fqinj. 
    U drejtua nga krevati pranë dritares. Instiktivisht, si gjithmonë do të hapte pak perden dhe do të shihte edhe një herë se ç'farë bëhej  në qendër të fshatit. Do ta mbyllte perden e do të fillonte të zhvishej. Hoqi këmishën, të cilën e vari në varësen e drunjtë të lyer me një jeshile të çelët të   mbërthyer përgjatë murit Hoqi pantallonat duke i vendosur tek karikja që ndodhej në fund të krevatit dhe ngriti benevrekët e çorapet të cilat i ishin varur.  Drejtoi trupin dhe u kthye nga kondisma  e Shën Mërisë mbi oxhak. Bëri kryqin me dorën e djathtë dhe u drejtua nga krevati. Vuri gjurin e këmbës së majtë mbi dyshek. Nga pesha e trupit të tij u dëgjua kërcitja e sustave .Në lëvizje e sipër të trupit për t’u shtrirë, nga prapanica e tij  doli një bërrr e zgjatur dhe në moment ai e lëshoi veten në krevat. Tërhoqi jorganin. U mbulua mirë e mirë dhe me sytë gjysëm të mbyllur mërmëriti me vete “Ajo ku do të dimërojë, pa unë jam rehat në shtëpinë time.” E zuri gjumi menjëherë duke mbllaçitur paparunin.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου