Παρασκευή 22 Απριλίου 2016

PERVERSI

    Në një raport të zhdrejtë me pjesët e tjera, shkurtësia trupore e tij tek lëviz të jep më tepër përshtypjen e  rrëshqitjes se sa të ecjes. Në ato  çaste të kujton një nga figurat më groteske të Jarosllav Hashekut,  Shvejkun por kur të afrohet, kupton menjëherë se ke të bësh me një njeri dinak që është i gatshëm të bëj gjithçka për të realizuar qëllimin. Një veti e vet instaluar prej kohësh në ndërgjegjen e tij për t'u shërbyer të tjerëve me pasion, ose më saktë mund të quhet vet-mercenarizëm, e cila u përdor me sukses nga ai në periudhën e vuajtjes së dënimit.
Burgjet u hapën.Viti 90-të e gjeti në rrugë të madhe. Në ato momente, duhej të çonte përpjetë edhe ai të dy gishtat e dorës për tu bashkuar me turmat demokratike. Nuk ishte i vetëm, pasi të gjithë ata që i kishin shërbyer atij sistemi, si jashtë edhe brenda burgjeve, do të përdornin të gjitha mënyrat dhe mjetet për të qenë në krye të shoqërisë së re që po ndërtohej. Edhe ai, si shumë aventurierë, hajdutë e njerëz të degjeneruar të ndodhur së bashku me kundërshtarët e regjimit, në ato burgje famëkeqe, do të kompletoheshin me të gjitha simbolet, dokumentat e çertifikatat për të hyrë në radhët e elitës së re.
     Do të përpiqej të rilidhte fijet e këputura me “miqtë e vjetër.” Përsëri për të mbijetuar, do të vendoste në përdorim cilësitë e veçanta. Do t’i shërbente sistemit për t'i shtypur e dënuar më ashpër kundërshtarët e tij. Si mjeshtër i fjalës, duke u shfaqur në mediat vizive e të shkruara, do të ripërsëriste vazhdimisht historitë e vuajtjeve të shumta.  
     Megjithëse ata që e njihnin ja përmendnin shpesh herë shkakun e atij burgimi, atij nuk do t'i bënte  përshtypje. Vetinë e lakeut, e vuri përsëri në përdorim. Perversiteti i tij karshi seksit femër, sidomos me moshën më delikate të tyre, do t’i rishfaqej. Do t’i çonte më parë nga eprorët e tij  të gjitha ato femra që do të kërkonin shkollë, vend pune e karierë.
     Të parat që po fillonin t’i lartësonin figurën, megjithëse masa trupore ishte e njëjta figurë kubike, ishin titujt e medaljet e shumta që po i dhuronin. Brenda vetes, megjithëse po joshej nga ajo ringjallje e menjëhershme, pati një çast të frikshëm. Do të fillonte të shpifte për dikë që shpaloste vlera të mirëfillta në mjediset ku edhe ai përpiqej të ringjallej. Në vendlindje u vetëshpall heroi i ditës. Ndërkohë do të ishte i gatshëm ta bënte mik edhe ndonjë ish kundërshtar, ku dikur gjatë vuajtjes së dënimit, ai do ta kishte luftuar ashpër.
    Kthimi i tij në vendin e lindjes ishte një shqetësim tepër i madh për të gjithë ata që nuk e dëshironin ta kishin afër. Në saj të atributeve të fituara, ai do të kërkonte me ngulm ri ngritjen  duke rishfaqur karakterin e tij të ashpër e të pandryshueshëm.   
  ..Dhe duke i pasur veset si flamur të ekzistencës së tij, do t'i rikthehej ndjenjës së vjetër, perversitetit  mashkullor.


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου